Antonela Pepkolaj | 26.05.2022 | nyje.al
Në hyrje të rrugës Roma, ndodhet qendra Dandelion; qendër edukuese dhe argëtuese për fëmijë. Klodiana Prençi, një e re nga Kamza, vendosi të themelonte këtë qendër duke qenë se e pa të nevojshme për një qytet si Kamza meqë shërbime të tilla i mungojnë nevojave të qytetarëve. Themelimi në fillim nisi si projekt, një thirrje për sipërmarrje për vajza dhe gra në Kamëz, në të cilën Klodiana aplikoi dhe fitoi, mandej, kjo nismë mori trajtat e mirëfillta të një biznesi, i cili akoma është aktiv edhe sot.
Klodiana është punonjëse sociale, e cila përmes disa trajnimeve në administrim biznesi, mundi të themelonte dhe qendrën e saj, me mbështetjen e familjes. Muajt e parë, qendra funksiononte në mënyrë konfidenciale, duke punuar me fëmijë të njohur apo të afërm, tash ka marrë një profilizm dhe panoramë më të qartë. Klodiana veçon besimin e prindërve si elementin më të rëndësishëm për mbarëvajtjen e punës, duke qenë se ata janë në të vërtetë klientët e saj, ndërsa fëmijët janë klientë indirektë. Ndaj për ndërtimin e besimit duhet kohë, por edhe marketing i mirë.
Shërbimet që qendra Dandelion ofron, janë të një natyre psiko-sociale. Qendra është gjithpërshirëse, pret fëmijë me vështirësi në të nxënë a me sjelljen, apo dhe fëmijë pa nevoja të veçanta. Klodiana e gjykon si të nevojshëm tiparin gjithpërfshirës duke qenë se ligji shqiptar nuk i njeh problematikat e fëmijëve me nevoja të veçanta, duke ulur mundësitë e kurimit dhe terapisë për ta. Megjithatë, qendra nuk ofron terapi për këta fëmijë, sepse mungon infrastruktura, ama synohet që të ofrohen në të ardhmen. Për momentin hapësira është në shërbim vetëm të fëmijëve që kanë mundësi zhvillimi dhe vetëm të moshës 6-12 vjeç, duke qenë se gjasat e kurimit bien me rritjen e moshës.
Një tjetër mangësi që Klodiana vëren, është mungesa e qendrave të zhvillimit për fëmijë, një dimension të cilin është munduar t’ia japë dhe qendrës Dandelion. Kjo nënkupton krijimin e një hapësire në të cilën të rinjtë mund ta shfrytëzojnë për të lexuar apo studiuar. Ndaj qendra ofron kurse gjuhësh të huaja, mësime për lëndë të ndryshme, studim pas shkolle, orë edukative, orë arti, programe individuale, etj.
Për momentin pjestarë të stafit janë dy mësuese, një e gjuhës angleze dhe një ndihmëse, një psikologe dhe Klodiana vetë. Klodiana është munduar të rekrutojë të rinj që kanë dëshirën të punojnë me fëmijë dhe që duan të kenë eksperiencë në fushën e shërbimeve sociale, Qendra është relativisht e re, që prej teorit të 2021, ndaj edhe pritet që stafi të zgjerohet.
Nën kujdesin e qendrës janë rreth 15 fëmijë përkatësisht të tre profileve të ndryshme. Fëmijë që vijnë sepse nuk kanë dikë në shtëpi të kujdeset për ta, duke qenë se kanë prindërit në punë. Fëmijë që vijnë për të ndjekur kurse të ndryshme mësimore dhe, fëmijë me nevoja të veçanta.
Me gjithë këto nisma, qendra është akoma në fazën e vet eksperimentale dhe, pritet të konsolidohet dhe profilizohet në të ardhmen, duke ofruar dhe terapi apo duke zgjeruar ambjentet në përputhje me llojet e shërbimeve të ndryshme. Gjithsesi, mbarëvajtjen deri tash, Klodiana e cilëson pozitive, duke qenë se edhe terreni ka nevojë për qendra të tilla.