nyje.al | 22.01.2022
“I jashtëligjshëm”, kështu është për banorët dhe aktivistët e Zall – Gjoçaj HEC-i Zais dhe këtë e shprehën edhe me vendosjen në ballë të tij të një banderole në protestën e 15 janarit. Që prej 10 nëntorit, pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit për heqjen e liçensës për prodhim energjie, çdo centimetër kub ujë që futet në tuba është akt kriminal.
Mos zbatimi i vendimit të Gjykatës, nga Enti Rregullator i Energjisë si përgjegjës për dhënien e liçensës, e bën këtë institucion bashkëfajtor në krim. Në saj të këtij veprimi, në këtë rast mos veprimi nga ERE, banorët kanë kallëzuar penalisht Bordin Drejtues të këtij institucioni për shpërdorim të detyrës dhe mosekzekutim të vendimit të Gjykatës.
“Nga data 10 nëntor 2021 deri në me sot që flasim, çdo kilovat energjie që prodhohet nga HECi Zais është i paligjshëm dhe të gjithë personat që janë të përfshirë në këtë proces janë duke shkelur ligjin dhe janë duke bërë vepër penale. Kjo është arsyeja se pse banorët janë drejtuar sërish me një kallëzim të ri për tu verifikuar kjo situatë paligjshmërie.” Dorina Ndreka – Avokate
Në kallëzimin e dorëzuar përpara Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, përfaqësuesi i banorëve Av. Tauland Asllanaj argumenton se nuk rezulton që të ekzistojë një shkak i përligjur, në bazë të të cilit të justifikohet mosekzekutimi i vendimit të Gjykatave nga ana e ERE-së. Përkundrazi, i vetmi shkak që ERE nuk ka vepruar dhe nuk ka marra masat përkatëse ligjore, ka qenë favorizimi i shoqërisë, e cila është subjekti i drejtpërdrejt që përfiton nga mosveprimi i ERE-s.
Banorët kërkojnë që Prokuroria të nisë hetimet dhe të merren në cilësinë e të pandehurve subjektet e kallëzuara duke i vënë ata përpara përgjegjësisë ligjore.