Një jetë pa qëllime të mëdha

Anxhela Sulkja | 25.02.2020 | nyje.al

Udhëtim në të shkuarën
Nën këtë titull “Udhëtim në të shkuarën”, po botojmë një cikël shkrimesh dhe bisedash nga disa të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që aspirojnë të bëhen gazetarë. Janë realizuar me prindërit, gjyshërit dhe të afërmit e tyre me qëllim njohjen e jetës në rreth të ngushtë familjar po edhe njohjen e jetës shoqërore përgjatë shekullit të kaluar. Si jetonin apo mbijetonin njerëzit tanë; si dashuroheshin apo detyroheshin të zgjidhnin njeriun e jetës; si e gëzonin jetën dhe si i përballonin goditjet e saj; si ishin të ndara rolet në familje, dhe në një shoqëri sa të varfër aq edhe të kontrolluar siç ishte shoqëria shqiptare në vitet 1945-1990?
Janë rrëfime që iu tregojnë të rinjve se e shkuara e paraardhësve, në një mënyrë apo në një tjetër mund të bëhet përvojë për të ardhmen e secilit dhe për të ardhmen e një vendi të tërë.


I ngrënë apo i uritur, i veshur keq apo pak më mirë se të tjerët, familje me shumë apo me pak fëmijë, me shkollë apo pa të drejtë studimi. Në kujtimet e Nazmiut, e gjitha ajo që quhet jetë, ishte nën komunizëm, thjesht jetë

Një jetë pa qëllime të mëdha
Shoqëri e frikësuar, por familje e fortë dhe e shëndetshme. Paradoksale duket bashkëjetesa e këtyre dy rrathëve të cilët ne shpesh i përdorim si pasqyra për të krahasuar veten tonë të sotme dhe modelin familjar e shoqëror për të cilin thuhet se as model nuk është më.
Të paktën këtu më çon biseda me gjyshin tim Nazmi Sulkja, sot 86-vjeç. Dita e tij rrjedh e qetë, zakonisht i ulur në divan, në shtëpinë e tij në Peqin, qyteti i vogël ku ka kaluar gjithë jeta e tij.

Nazmi Sulkja

Kur përmendet komunizmi apo emri i Enver Hoxhës çfarë të vjen në mendje së pari?
(Buzëqesh) Enveri është komunizmi për mua. Gjëja e parë që më vjen të them është sa e vështirë ka qenë ajo kohë. Atëherë nuk e mendoja që jeta jonë ishte e mundimshme. Besonim se jeta ashtu ishte. Edhe pse me zor e mbushnim barkun më bukë  apo të kishim veshmbathje të mira për të shkuar në shkollë, na dukej normale sepse ajo ishte gjendja e përgjithshme. Krahasuar me ditët që jetoj sot e kuptoj që paskemi vuajtur shumë nga komunizmi.

Të njëjtën gjë përjetonin edhe të afërmit e tu apo rrethi i njerëzve që njihje?
Unë kam pasur shoqëri të madhe. Puna në kooperativë ku kalonim pjesën më të madhe të ditës, dhe të jetës po them, normalisht që krijonte mundësi për të pasur lidhje miqësore që në rastin tim kanë vazhduar gjatë. E donim njëri-tjetrin dhe kjo ishte nga gjërat që edhe punën na e bënte më të lehtë.
Sa për familjen, ne ishim tre djem dhe dy vajza. Prindërit tanë, ndryshe nga këta të sotmit, nuk kishin “qëllime të mëdha“ për të na shkolluar në shkollën apo universitetin më të mirë, apo të na organizonin pushime verës në plazh. Kryesorja ishte që ne të kryenim detyrimet tona ndaj shtetit, të shkonim në punë, të silleshim mirë, të krijonim familje dhe të nderonim partinë.

I ke ruajtur ti këto qëllime për familjen tënde?
Në moshën 20-vjeçare babai më tha “do martohesh“. Më kishin gjetur një vajzë 16-vjeçare nga një fshat aty pranë Peqinit. U martuam. Bëmë një dasmë jo të madhe ku festuam me familjarë dhe të afërm.
Krijimi i familjes është një nga gjërat më të bukura. Mentaliteti nuk na e lejonte që të kishim dobësi ndaj gruas dhe ta shprehim atë. Nuk ishim shumë të hapur me njëri-tjetrin. E gjithë marrëdhënia në çift ishte punë për të ndërtuar një familje dhe për të ushqyer fëmijët tanë. Nga martesa kemi shtatë fëmije, pesë vajza dhe dy djem. Sot, falë zotit, të gjithë janë të shëndetshëm dhe të lumtur në familjet e tyre.

Pesë vajza! A nuk ishte lindja e djemve kënaqësia më e madhe e familjeve tona?
(Qesh) Fëmijën e parë e kemi vajzë, më pas një djalë, tri vajza të tjera dhë në fund vjen prapë djalë. E para njëherë shtatëzaninë e gruas e mora vesh kur ishte disa muajshe, sepse ishte turp që në shoqëri të flisnim për këto. Ishte krenari e madhe që do bëhesha baba. Ishte vajzë e para, por nuk e mohoj, doja të ishte djalë. Kur familjes sonë iu shtuan tri vajza njëra pas tjetrës, tek shoqëria krijohej përshtypja se kjo nuk ishte normale, se kishte diçka që nuk shkonte tek gruaja ime. Por e kaluam sepse nuk deshi shumë dhe fëmija ynë i fundit që erdhi në jetë ishte djalë.

Mund të quhet familje e madhe kjo. Po si ndaheshin detyrat brenda jush për rritjen dhe shkollimin e fëmijëve?
Në fakt vështirësitë filluan shumë herët sepse jetonim të gjithë në një shtëpi të përbashkët me motrat dhe vëllezërit e mi. Duke qenë se unë isha i pari që u martova, më dhanë një dhomë brenda shtëpisë. Më pas me shumë sakrifica, bashkë me gruan, arritëm që të ndërtonim edhe një dhomë tjetër ku mund të kishim vend të gjithë për një krevat. Mundësitë ekonomike ishin të vogla. Na duheshe të punonim ditë e natë, gruaja në fermë me bagëtitë, unë me një karrocë me kalë shpërndaja qumësht në zonë. Ndërsa fëmijët rrisnin njëri-tjetrin. Përgjegjësinë më të madhe e ka pasur vajza e parë. Ajo është kujdesur për të gjithë.
Me shumë sakrifica arritëm që t‘iu jepnim fëmijëve shkollimin 8-vjeçar. Peng e kam që nuk munda t‘iu ofroja më shumë. Dy nga fëmijët kanë qenë të dalluar në shkollë, por nuk kisha asnjë mundësi ekonomike. Ato pak bursa që shpërndaheshin në zonën tonë nuk mundën që t‘i fitonin.

E ndërsa sot je këtu dhe numuron më shumë se 60 vjet martesë, mendon se pasja e një familje të bashkuar dhe të shëndetshme është dhe si pasojë e mentalitetit dhe kohës kur keni jetuar?
Nëse do që të të them diçka që unë e mendoj vërtet, është ajo që ne kemi jetuar në një kohë kur gjërat që prisheshin i rregullonim dhe nuk i hidhnim. Kemi pasur shumë probleme në 60 vjet martesë dhe jemi përballur me shumë sfida, por i lidhëm fort jetët tona dhe do bënim gjithçka që ajo të funksiononte siç duhet. Ndoshta edhe sepse ashtu ishte mënyra se si na e kishin mësuar ta shihnim martesën. Por shiko, pavarësisht të gjithave, sot jam në periudhëm më të mirë të jetës sime.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje