Zhvillohet seanca e proçesit të Zall-Gjoçajt- banorët ende në pritje

nyje.al | 28.02.2020

Sot u zhvillua seanca e tretë parapërgatitore në Gjykatën Administrative Tiranë për kundërshtimin e hec-eve në Parkun Kombëtar “Lurë- Mali i Dejës”, në zonën e Zall-Gjoçaj, Mat. Të pranishëm mbi 30 banorë, aktivistë dhe qytetarë të tjerë u mblodhën për të marrë pjesë në këtë proces, pas 2 shtyerjesh për shkak të mungesës së firmës koncensionare Seka Hydropower.

Edhe pse gjyqi u zhvillua në nëntë të mëngjesit, orar i papërshtatshëm për ata që udhëtojnë nga larg, banorët edhe sot, si shumë herë të tjera përshkruan rreth 200 km në orët e para të mëngjesit për të qenë të pranishëm në seancë.

Ardhja në gjykatë dhe ndjekja e procesit gjyqësor për ta është kthyer si moment grumbullimi dhe tubimi paqësor brenda dhe jashtë saj. “Nuk na ndalon as shiu dhe as largësia, madje shpesh ma jep mendja të shkoj edhe te naftëtarët e Ballshit, me iu nejt përkrah se po u bahen padrejtësi edhe atyre”- shprehet Abdiu, që nuk mungon kurrë as në protesta dhe as në seanca gjyqësore.

Nje nga banoret protestues te Zall-Gjoçaj gjate kalimit per ne seance gjyqesore.

Pavarsisht se çdo proces gjyqësor ka karakter publik dhe kushdo është i lirë të marrë pjesë në seancat gjyqësore përveç kur parashikohet ndryshe nga Kodi i Procedurës Civile, një pjesë e mirë e banorëve njëkohësisht dhe paditës mbetën jashtë sallës së gjyqit, në derën hyrëse të kontrollit fizik. Në mes, as jashtë dhe as brenda, të indinjuar prej padrejtësisë dhe pamundësisë për të marrë pjesë në proces siç ua garanton ligji shqiptar, u vetëpërmbajtën dhe pranuan të qëndronin në pritje vetëm për hir të vazhdimësisë së seancës, por duke ua rikujtuar nëpunësve të gjykatës që herës tjetër nuk do të toleronin shkelje të tilla.

Në përfundim të seancës avokatja Dorina Ndreu u shpreh se kësaj radhe u diskutuan vetëm pretendimet e palëve dhe kërkesat kryesore të tyre. Nuk është marrë ende vendimi i ndërmjetëm për caktimin e masës së sigurisë për shkak të mungesës së një gjyqtari të tretë i cili pritet të zgjidhet me short në ditët në vazhdim, dhe që për këtë do të njoftohen palët. Kjo procedurë gjyqësore dhe ftesa për të pritur deri në seancën e radhës nuk u mirëprit nga banorët paditës, të cilët u shprehën:  “Na jena ba me e marr atë çadrën e rezistencës nga Zall-Gjoçaj dhe me e vendosë në oborrin e gjykatës. Na i bajmë për çdo seancë 300 km në ditë e na shkojnë kot se në fund të ditës se askush s’po na përfill.”

Ndërkohë që pritet se brenda dy javësh të zhvillohet seanca e radhës, banorët na konfirmojnë që do të vazhdojnë protestat brenda dhe jashtë institucioneve.

 

Lini një Përgjigje