Muzeu Etnologjik i Prishtinës

18.03.2019 | Diana Malaj
Prishtina deri në fillim të shek. XX ka qenë një qytet shumë i vogël. Ajo fillon të zgjerohet e të ketë zhvillim të shpejtë demografik vetëm pasi shpallet kryeqytet i Kosovës. Duke ndjekur një rrugë pa shenjëzime, kalimtarët na ndihmojnë për t’u orientuar për në Çarshinë e vjetër, aty ku ndodhet një ndër pikat më të rëndësishme historike dhe kulturore të këtij qyteti: Muzeu Etnologjik i Prishtinës.
Dikur pjesë e Muzeut Kombëtar të Kosovës, në vitin 2006 departamenti etnologjik ia del të shkëputet dhe të zhvendoset në kompleksin e përbërë nga katër objekte otomane të familjes Emin Gjiku. Këto ndërtesa, dy prej të cilave janë duke u restuauruar, datojnë në shek. XVIII-XIX.
Aty na pret etnologu Ilir Sopjani, i cili me shumë dashamirësi na drejton drejt objektit të vetëm të hapur përkohësisht në këtë muze dhe na shoqëron brenda tij duke na ofruar mundësinë e kthimit mbrapa në kohë duke parë nga afër mënyrën e jetesës së dikurshme në Kosovë.
Janë dy dyer nga të cilat mund të hysh brenda shtëpisë së gurit: dera e familjes dhe dera e miqve. Iliri na fton të hyjmë nga dera e parë. Aroma e vjetër e murit dhe e shtëpisë na kujton kullat e gjyshërve tanë në malësitë e veriut të Shqipërisë. Sapo hyjmë njihemi me vendin e shërbimit të ushqimit. Një rreth stolash me përmasa të ndryshme e të përshtatura për secilin pjesëtar të familjes sipas madhësisë. Në cep gjendet vendi për të larë enët. Afër sofrës, një oxhak i madh. Përbri tyre bodrumi i shtëpisë që ka shërbyer kryesisht për konservimin dhe mbajtjen e ushqimeve dhe bulmetit përgjatë stinës së verës.
Pasi marrim shkallët për në katin e dytë, hyjmë në dhomën lidhëse, e cila njihet ndryshe dhe si dhoma e grave. Dhoma nyje e një shtëpie me 12 dhoma, në të cilën qëndronin gratë me foshnjet e tyre. E bërë posaçërisht me tavan të ulët për ta mbajtur ngrohtë, kjo mbahet si një ndër dhomat kryesore që lidhej me kuzhinën, dhomën e miqve e oda të tjera. Kjo dhomë tranziti, me shtroje shumëngjyrëshe dhe dy djepe të vogjël, na risjell në mendje një neje grash, pasi i kanë mbaruar punët e shtëpisë.
“Dyert janë të veshura me lëkurë kafshësh, për shkak se familja që ka jetuar në këto objekte ka qenë marrë kryesisht me tregti dhe agrikulturë”, na tregon Iliri.
Më pas na drejton për te Dhoma e Mysafirëve. Ndryshe prej odave të tjera të burrave të ndara në dy hapësira të rrafshta; njëra anë për të zotin e shtëpisë dhe ana tjetër për miqtë, në këtë dhomë shohim minderen si pjesë të ngritur për t’u ulur bashkë si i zoti i shtëpisë edhe mysafirët. Ndërsa në të dyja anët e minderit, mundeshin të uleshin anëtarët e tjerë të familjes.
Entologu që na shoqëron kudo na njeh me fakte të tjera shumë të rëndësishme në lidhje me funksionimin e kësaj dhome. “Kjo ka qenë një derë e hapur 24 orë për këdo që ka trokit. Dhe është mbajtur si vendi ku janë zgjidhur problemet brenda familjes, fshatit, fisit apo çështjeve kombëtare. Ka pasë tregtarë, njerëz të huaj apo udhëtarë prej rretheve të tjera që s’kanë pasë vend ku me bujt gjatë natës dhe janë mirëprit në këtë shtëpi.”
Ajo çka na mahnit nga ajo dhomë janë detajet e menduara për tjetrin e huaj. Në dy qoshet e dhomës gjenden dy dollape për të mbajtur ushqimin për miqtë që mund të vinin, në këtë mënyrë edhe nëse vinin në orë të vona të natës nuk bezdisnin pjesën tjetër të familjes, duke mos kaluar nga kuzhina. Në mes të odës kanë mbajt prushin te mangalli, kanë përgatitur çajin dhe kanë diskutuar. Ka shumë dritare dhe secila e pajisur me roleta që i mbyllnin gjatë verës në nivele të ndryshme varësisht prej pozicionit të diellit. Në qoshe të dhomës së mysafirëve gjendet hamamxhiku – banja që ka shërbyer vetëm për larje, pasi tualetet kanë qenë gjithmonë jashtë shtëpisë.
“Sistemi i ngrohjes qëndrore bëhej përmes gypave të qeramikës”, vazhdon më pas Iliri, “duke çliruar nxehtësinë për dhomën e miqve, për hamamxhikun dhe për dhomën e grave.” Gypat e ventilimit përveçse çlirojnë nxehtësinë, shohim që janë të dekoruar me shumë kujdes.
Në të njëjtën dhomë gjenden dollapet për shtrojë e mbulojë. Në kultura të tjera europiane (Gjermani e Zvicër) i kanë shfrytëzuar si shtrat për fjetje, mirëpo sipas informacionit të entografit ato në kulturën tonë nuk kanë qenë për të fjetur, por për të mbajtur shtrojet dhe mbulesat për gjumë.
Dera e kësaj dhome na nxjerr në çardakun prej dërrase. Dikur, në këtë verandë për shtroje përdornin jastiqe të mbushur me kashtë. Shkallët shumë të gjëra, të sigurta dhe të lehta për t’u ngjitur të zbresin në oborr. Aty përveç pemëve të mbjella së fundmi, ende gjallojnë dy pemë 300 vjeçare: arra dhe gështenja e vjetër që sot e kësaj dite japin frutat e tyre.
Entografin e palodhur dhe shumë të përkushtuar e pyesim se cila mund të kishte qenë vështirësia më e madhe e familjes në përditshmërinë e saj; dhe ai na rikujton se kjo ka qenë një familje e pasur. Familjet e pasura nuk kanë pasë telashe as për drita, as për ngrohje dhe as për ujë. Ndërkohë që familje të tjera ju është dashur të ecin me kilomentra për të shkuar deri te burimi, kjo familje ka pasur pusin brenda oborrit të shtëpisë. Vështirësia merret me mend që ka qenë për punëtorë e kësaj shtëpie, ai që mund ta ketë ndërtuar një pus të thellë prej 20-30 metrash.
Ndërkohë në oborr shohim që objektet e tjera po restaurohen. Punimet kanë filluar që prej vitit 2017, kanë pushuar përgjatë gjithë vitit 2018 dhe këtë vit presin që Ministria e Kulturës të vazhdojë mbështetjen e saj për përfundimin e këtij projekti i cili do të sigurojë në vazhdimësi vizita edhe më të shpeshta të turistëve të huaj dhe lokalë.
Muze të tillë kanë një vlerë të paçmuar sidomos kur përgjatë guidës shoqërohesh nga etnografi, ciceroni apo kuratori i hapësirës. Kjo për shkak se të krijohet mundësia që të marrësh informacion përtej asaj çfarë mund të të ofrojnë vetë eksponatet e ruajtura në muze.
Për këdo të interesuar dhe kushdo që kalon në Prishtinë, në lagjen e vjetër të saj, në rrugën “Zija Prishtina”, ndodhet Muzeu Etnologjik, dhe gjithë stafi i tij tepër dashamirës që kanë diçka për të të rrëfyer.

Ndajeni këtë shkrim!

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje