Dhuna – pjellë e Covid-19

Përkthim | Massimo Recalcati | 04.08.2020 | nyje.al 

 

A është e mundur të lexohen faktet e njohura së fundmi mbi dhunën e përhapur botërisht, të së ashtuquajturës ‘zhdërvjelltësisë rinore’, pa e lidhur këtë dhunë me traumën kolektive që sapo e kemi përjetuar? Përgjigja që vetvetiu na imponohet është: jo, nuk është e mundur.

Njohim shfaqje të ndryshme të parehatisë së rinisë; ajo e trasgresivitetit dhe ajo e tërheqjes sociale, si dy fytyrat bashkëkohore më kontradiktore. Nga njëra anë shtysa për të tejkaluar çdo limit, dhe nga ana tjetër strukja autike brenda dhomës tënde.

Përvoja e karantinës si pasojë e COVID-19, a e ka rritur dëshpërimisht këtë parehati? A i ka dhënë asaj maska të reja, mënyra të reja për t’u shfaqur? A ekziston, siç mund të thoshin psikiatrët, një stres post-traumatik i përshtatjes i shpërndarë mes gjeneratave të reja? Qasja ndaj dhunës – mbi të gjitha e të rinjve – do duhej gjithmonë të merrej nga bota e të rriturve, si një mesazh për t’u deshifruar. Këtë nuk na e mëson vetëm psikanaliza, por vetë dialektika e jetës familjare dhe sociale.

Sjellja e dhunshme – si lidhje e shkurtër e një qarku-  mbi të gjitha nëse bëhet në grup, mbart me vete një mesazh të dëshpëruar edhe pse brutalisht regresive. Na është dashur t’i taposim jetët e fëmijëve tanë nëpër dhoma apartamentesh, na është dashur që t’ua mohojmë atyre lirinë si pjesën më të vyer të një stine të papërsëritshme të jetës së tyre. U kemi përcjellë atyre një ndjesi të thellë të pasigurisë dhe dyshimit lidhur me të ardhmen që na pret. Do mundeshim atëherë të mendonim që kalimi tek akti i dhunshëm i këtyre netëve, që do duhej të ishte “argëtim” legjitim në kushte normale, do të mund të ishte thjesht përgjigja e një ankthi të thellë që s’ka qenë filtruar si duhet nga fjalët tona.

Cili ankth? Jo vetëm ai që lidhet me privimin nga liritë, nga lidhjet afektive apo marrëdhënieve shoqërore, por, mbi të gjitha, ai që ka dëmtuar në mënyrë të pashmangshme imazhin e botës sonë, duke kompromentuar të ardhmen tonë.

Vetëshkatërrimi, të qeshurat e shfrenuara, dhuna e verbër pa objektiv dhe pa asnjë lloj justifikimi ideologjik na shfaqen si një shtysë – në kuptimin frojdian të konceptit – të lidhura me frustrimin, si vetëpërmbajtje të tepruar të ankthit. Nëse është e udhës të thuhet, kjo përbën fytyrën tjetër të panikut. Nëse në panik masa copëzohet apo shpërbëhet në arrati individuale përballë kërcënimit të paralajmëruar si të paqeverisshëm, në zënka apo konflikte të dhunshme mes grupesh masa mund të rigjejë, paradoksalisht, unitetin e saj, mund të rigrupohet, të identifikojë kërcënimin, të mbrohet me forcë kundër asaj që manifestohet si armiqësore. Është pikërisht kjo që nuk ka mundur të ndodhë me COVID-19, aty armiku ishte bishtnues, i pakapshëm, edhe pse kërcënueshëm i pranishëm.

Ndoshta duhet të provojmë të shohim në këtë dhunë pa objektiv, totalisht para-politike, edhe manifestimin e “pjesës” më regresive të vendit tonë. Ajo pjesë që e ka përjetuar përvojën e karantinës dhe kufizimeve të imponuara nga virusi (një shembull konkret lidhur gjithmonë me botën rinore, mbylljen e diskotekave) si një përvojë jolegjitime dhe abuzive të privimit të lirisë. Ajo pjesë e vendit që nuk ka dalluar në kufizime të tilla një dëshmi të qënësishme solidariteti dhe kohezioni kombëtar, por vetëm një abuzim totalitar në ushtrimin e pushtetit. Ajo pjesë e vendit, që e jeton përvojën e kufizimeve si një përvojë shtypjeje të padrejtë në të drejtën e patjetërsueshme të lirisë së saj, e reduktuar tashmë në tekat proto-anarkiste për të bërë krejt lirisht e pa asnjë droje gjithë çka do dhe që gjente në argëtimin e saj të netëve verore shprehjen më të lartë të vetvetes.

Si të mos e shohim që grindja e shfrenuar për motive të kota merr thelbin nga ky zemërim kolektiv? Na keni vjedhur argëtimin e verës, kjo do të jetë lufta e të gjithëve kundër të gjithëve!

Publikuar me 21 korrik në gazetën italiane “La Reppublica”, përkthyer nga origjinali nga redaksia e Nyjes. 

Ndajeni këtë shkrim

Lini një Përgjigje