Nën vellon e komunizmit

Udhëtim në të shkuarën
Nën këtë titull “Udhëtim në të shkuarën”, po botojmë një cikël shkrimesh dhe bisedash nga disa të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që aspirojnë të bëhen gazetarë. Janë realizuar me prindërit, gjyshërit dhe të afërmit e tyre me qëllim njohjen e jetës në rreth të ngushtë familjar po edhe njohjen e jetës shoqërore përgjatë shekullit të kaluar. Si jetonin apo mbijetonin njerëzit tanë; si dashuroheshin apo detyroheshin të zgjidhnin njeriun e jetës; si e gëzonin jetën dhe si i përballonin goditjet e saj; si ishin të ndara rolet në familje, dhe në një shoqëri sa të varfër aq edhe të kontrolluar siç ishte shoqëria shqiptare në vitet 1945-1990?
Janë rrëfime që iu tregojnë të rinjve se e shkuara e paraardhësve, në një mënyrë apo në një tjetër mund të bëhet përvojë për të ardhmen e secilit dhe për të ardhmen e një vendi të tërë.


Rrëfimi i 70-vjeçarit Agim Doku: “Ajo mbante veshur një fustan atlasi të bardhë dhe të gjatë, të fryrë pak tek mëngët dhe me disa lule rreth belit. Velloja e bardhë që i binte mbi sy i jepte aq hijeshi, por prapë si të të them, mbetej një nuse nën vellon e komunizmit sepse pas asaj dite gjithçka ju kthye monotonisë së përditshme.”

Nën vellon e komunizmit
Armela Përleka | 06.02.2020 | nyje.al
Shumë kemi dëgjuar të flitet për komunizmin nga kronika dhe dokumentarë të ndryshëm, nga dëshmi dhe tregime rreth asaj kohe, por të intervistosh dikë që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në atë kohë do të thotë të nisësh një udhëtim përtej fjalëve, përtej imagjinatës.
Gjyshi im quhet Agim Doku, 70 vjeç. Jeton së bashku me gjyshen në Tiranë, të dy në pension. Ka studiuar Agronomi, profesion që e ushtori për tridhjetë vjet. Vitet e fundit të jetës profesionale drejtoi Ekspozitën “Shqipëria Sot”, institucion i rëndësishëm që i shërbente propagandës për një imazh të paprekshëm të Shqipërisë socialiste e mbështetur në forcat e veta.

Kur kthen kokën pas në gjurmët e së shkuarës komuniste, cila është e para gjë që të vjen ndërmend, gjysh?
E para gjë që më kujtohet nga ajo kohë dhe më e vështira për mua personalisht ka qënë mohimi i shumë të drejtave ku themelore ishte ajo e të shprehurit. Komunizmi ndalon rreptësisht lirinë e fjalës dhe mendimit duke krijuar kështu një lloj izolimi jo vetëm nga bota e përparuar, por edhe nga vetë kulti i individit. Si rrjedhojë e gjithë kësaj, jeta ishte aq monotone sa thuajse çdo ditë ishte njësoj për të gjithë ne, një ditë që rrotullohej vetëm rreth partisë dhe të mirës së përbashkët socialiste.
Por çfarë ndodhte me ata që përpiqeshin të dilnin sadopak nga ajo monotoni duke thyer ndonjë rregull të kohës?
Vetëm dënimi i priste. Dënimet varionin nga ato më të lehtat që jepnin organet partiake dhe konsistonin në shkrimin e fletëverrufe e deri në burgim të personit dhe internim të familjes në rastet kur fyhej regjimi qoftë edhe tërthorazi apo kapeshe në kalimin e paligjshëm të kufirit që në atë kohë quhej automatikisht “tradhëti ndaj atdheut”.
Krahas gjithë këtyre mohimeve të të drejtave dhe vështirësive, a kishte komunizmi anët e tij pozitive?
Anët pozitive të komunizmit eklipsoheshin aq shumë nga vështirësitë dhe vuajtjet sa për mendimin tim nuk duhen përmendur fare si argument. Gjithsesi nëse na duhet të përmendim disa të mira të pakta do të thoja arsimi i detyrueshëm 8-vjeçar, sigurimi i një vendi pune dhe shëndetësia që siguronte një trajtim të barabartë për të gjithë. Por megjithatë këto nuk ishin asgjë krahasuar me mohimin e lirisë së shprehjes dhe mendimit dhe shitjen e ushqimeve bazë me tollona, domethënë të limituara.
Ti gjysh ke arritur të kryesh edhe shkollën e lartë. Si ia bëje për të mbuluar shpenzimet dhe gjithçka tjetër lidhur me shkollën?
Shkollën e lartë e kam dashur që në vogëli në fakt. Gjithnjë kam qënë i përkushtuar ndaj mësimit derisa më në fund arrita të ndiqja atë degë që gjithmonë kisha dashur, degën e Agronomisë në Golem. Sigurisht që ishte e vështirë. Ne ishim 7 fëmijë dhe shpenzimet ishin të mëdha, por fatmirësisht unë arrita të siguroja bursën si rezultat i notave të mira dhe disi shpenzimet u lehtësuan. Vitet e universitetit kanë qenë më të bukurat për mua jo vetëm si vitet e rinisë dhe formimit tim, por edhe për shkak të kujtimeve me shoqërinë dhe ekspeditave që bënim në gjithë Shqipërinë në ndihmë të bujqve dhe fermerëve. Me krenari e them se kam pasur fatin që për shkak të degës që unë studioja,  në një periudhë 5-vjeçare të shëtisja çdo trevë të Shqipërisë.
Në periudhën e universitetit  ti u njohe me nënën. Si ishte dashuria nën komunizëm?

Agim dhe Lirie Doku, fotoja e parë së bashku një ditë para dasmës, viti 1970

Ah, dashuria! Dashuria në atë kohë, të keqen gjyshi, ka qënë, si i thonë asaj fjale “bio”. Nuk kishte falsitet, as përgënjeshtrime, vetëm sinqeritet dhe përkushtim  gjë që është vërtet e vështirë ta gjesh tek të rinjtë dhe çiftet e sotëm. Me nënën tënde jemi njohur në vitet e shkollës. Ajo ka qënë tre vjet më e vogël se unë. Një natë të shtune, në një mbrëmje vallëzimi që na organizonin gjithmonë, më bëri përshtypje një vajzë e gjatë, e bukur, me flokë të zeza kapur me dy karfica të bardha nga të dyja anët dhe një fustan ngjyre kremi me copë basme. Ajo rrinte strukur aty në një cep me kokën e ulur derisa unë shkova dhe me mirësjellje i kërkova një vallëzim. Ajo dukej e urtë, fjalëpak, por vetëm disa muaj më pas do të zbuloja që ajo ishte femra më xheloze dhe gazmore që kisha njohur në gjithë jetën time. Përtej shakave, nëna jote ka qënë dashuria ime e parë që plotësoi atë copëz që i mungonte jetës sime.
Më në fund kjo dashuri u kurorëzua në martesë. Ma përshkruaj pak atë ditë të veçantë dhe mënyrën si nëna dukej nën vellon e bardhë?
Sa emocione ka pasur ajo ditë! Ende më duhet një frymëmarrje e thellë para se të filloj të flas për martesën tonë. Kishim aq shumë njerëz. Unë familjen e kisha në fshatin Bërxull të Tiranës dhe më duhet ta përmend që atë ditë thuajse gjithë fshati mori pjesë. Përsa u përket traditave, gratë ndaheshin veç e burrat veç. Më kujtohet që stolat dhe tavolinat i sigurova nga një mik i imi nga Tirana, ndërsa orkestra ishte një grup burrash nga fshati.
Kemi kërcyer aq shumë! Ushqimet ishin pak, por dashuria na mblidhte dhe i jepte lezet gjithë asaj dasme, por gjithsesi qershia mbi tortë ishte nëna jote. Ajo mbante veshur një fustan atlasi të bardhë dhe të gjatë, të fryrë pak tek mëngët dhe me disa lule rreth belit. Velloja e bardhë që i binte mbi sy i jepte aq hijeshi, por prapë si të të them, mbetej një nuse nën vellon e komunizmit sepse pas asaj dite gjithçka ju kthye monotonisë së përditshme.
Po sot gjysh, kur komunizmi nuk është gjë tjetër veçse një pjesë e historisë sonë, çfarë mund të thuash?
E vetmja gjë që do t’i thosha kujtdo e sidomos brezit tuaj është që ta përdorni dhe shijoni si duhet këtë kohë të re që ka ardhur. Të dini të respektoni të tjerët, por mbi të gjitha veten. Të njihni forcën dhe aftësitë tuaja duke mos lejuar askënd të përpiqet t’ju shkel, sepse vetëm keshtu do të mundni të arrini çdo qëllim, njësoj si ne arritëm të shpëtonim nga kthetrat e regjimit komunist.
Faleminderit gjysh, për këtë intervistë kaq të këndshme mbushur me të vërteta të trishta, por edhe me detaje të ëmbla që duken sikur vallëzojnë nën tingujt e vrazhdë të komunizmit!
 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje