Zall-Gjoçaj me 7 shtatë palë halle: ndërtohet diga, shkatërrohet parku!

15.12.2020 | nyje.al 

Firma koncensionare vazhdon shkatërrimin e parkut Zall-Gjoçaj – banorët kërkojnë drejtësi në gjykatë!
Përpjekja e banorëve të Zall-Gjoçaj për mbrojtjen e parkut kombëtar vazhdon paralelisht në terren dhe në gjykatë. Ndërkohë që firma koncensionare vazhdon punimet, është apo nuk është i shpallur shtetrrethimi, banorët e protestuesit vazhdojnë përpjekjet për ta shpëtuar parkun në rrugë gjyqësore. Ditën e sotme datë 15 dhjetor u zhvillua seanca e radhës në procesin gjyqsor mes banorëve të Zall-Gjoccajt kundër Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe firmës koncensionare “Seka Hydropower” me objekt shfuqizimin e licensës së ndërtimit të hec-eve Sekë dhe Zais, e cila u shty për arsye shëndetësore të avokatit të palës së paditur.

Teksa presin seancat e radhës për dy procese të tjera gjyqësore pranë Gjykatës Administrative në shkallë të parë dhe të dytë, para dy ditësh disa banorë, aktivistë dhe gazetarë janë bashkuar sërisht në këtë fshat me qëllimin për të dëshmuar ndërhyrjet katastrofike që ka bërë firma koncensionare “Seka Hidropower” në lumin Flim.
Në terren gjenden vetëm rojet e objektit dhe makineritë. Njërit prej eskavatorëve, tashmë simboli i ndërhyrjeve shkatërruese në hapësirën publike vitet e fundit, i është vënë flaka para disa ditësh, vepër e cila është ende nën hetim nga prokuroria e rrethit. Por as kjo ndërhyrje nuk i ka ndaluar punimet në parkun kombëtar.

Eskavatori i djegur, Zall-Gjoçaj, foto nyje.al Eskavatori i djegur, Zall-Gjoçaj, dhejtor 2020, foto nyje.al.

 Banorët që gjejmë aty, janë të përhershmit që vijnë edhe në seancat gjyqësore në Tiranë, të cilët bëjnë rreth 9 orë rrugë udhëtim. Nuk kanë harruar flamurin dhe pankartën “Për ne jeni pushtues!” që i marrin përherë me vete.

Zona ku janë kryer punimet është transformuar krejtësisht. Janë hapur rrugë dhe gropa me dinamit, janë shkulur pemë dhe gërryer shkëmbinj. Është dëmtuar krejtësisht uji i lumit nga inertet e hedhura dhe tashmë i është dhënë thuajse dora e fundit ndërtimit të digës në hyrje të Parkut Kombëtar.

Mes shtëpive të zonës dhe lumit të Melthit, gjenden varret. Rruga e hapur nga koncensionari ka bllokuar shtegun për të shkuar deri te to. Hedhja e inerteve dhe dheut në njërën anë të rrugës që të çonte te varrezat e fshatit është veprim që i ka cënuar banorët, të cilët e kanë konsideruar si sjellje që ul respektin ndaj të vdekurve. Veprim ky, i dënueshëm edhe sipas Kodit Penal shqiptar.

Rruga e hapur me gur e dhé rrëzë varreve familjare të banorëve të zonës dhjetor 2020. Foto: nyje.al Rruga e hapur me gur e dhé rrëzë varreve familjare të banorëve të zonës, dhjetor 2020. Foto: nyje.al

 Para një muaji, në ditën e të shumtëve, ditë shumë e rëndësishme për banorët e kësaj zone është plasur dinamit në mes të ditës, në prani të banorëve dhe makinave që ishin drejtuar për në fshat me rastin e ditës së shënuar. Kjo sjellje kundrejt banorëve dhe varrezave të familjarëve është konsideruar denigruese dhe ka ngjallur edhe më shumë pakënqësi mes banorëve.

Varrezat në Zall-Gjoçaj, dhjetor 2020. Foto: nyje.al Varrezat në Zall-Gjoçaj, dhjetor 2020. Foto: nyje.al

 
Turra drurësh të prera dergjen në anë të rrugës për te diga. Pikërisht në vendin ku fillon dhe hyrja në parkun kombëtar janë me dhjetra e qindra bimë e pemë që janë dëmtuar. Në sajë të Kodit Penal dëmtimi i pyjeve në vende të ndaluara përbën vepër penale dhe si e tillë dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Pemët e prera në Parku Kombëtar Zall-Gjoçaj, dhjetor 2020. Foto: nyje.al Pemët e prera në Parku Kombëtar Zall-Gjoçaj, dhjetor 2020. Foto: nyje.al

Diga e ndërtuar bllokon vazhdimin e shtegut për tek Parku Kombëtar dhe ujëvarat e Parkut. Banorët teksa përballen me beton, përloten. Alta Koleci, e angazhuar që në krye të protestës në mbrojtjen e Parkut të Zall-Gjoçajt, me shpinën kthyer nga diga nën zë përsërit që s’do mundet të kthehet më në këtë vend, ndërkohë që nuk i përmban lotët.

Selman Pasha, lindur e rritur në këtë fshat thotë se “na kanë zaptue dhe na kanë coptue me ndërtimin e këtij hec-i. Na kanë kaplue shtatë palë halle dhe askush s’po na dëgjon. Përpara se të na japin energjinë elektrike, na kena nevojë me pi ujë. Të na e lanë ujin dhe bukën, ma pas të na bien edhe energjinë.

Diga e ndertuar ne hyrje te Parkut Zall-Gjocaj, dhjetor 2020. Foto: Nyje.al Diga e ndertuar ne hyrje te Parkut Zall-Gjocaj, dhjetor 2020. Foto: Nyje.al

 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje