Tkurrja e kufijve të Zonave të Mbrojtura, shtyhet seanca për në shtator. Aktivistët e Zall Gjoçaj: Po u jepet kohë abuzuesve të natyrës

19.07.2024 | nyje.al

Aktivistët e Zall-Gjoçaj ashtu si çdo seancë tjetër qenë të pranishëm edhe dje në sallën e Gjykatës Administrative të Apelit. Pas një udhëtimi qindra kilometrik, Abdi Toçi dhe Adem Xhokola mezi pritën nisjen e zhvillimit të debateve mes palëve dhe qëndrimet e trupës gjykuese. Të paditur nga organizatat mjedisore për shkelje në ndryshimin e kufijve të hartave të zonave të mbrojtura, institucionet kishin nisur disa prej përfaqësuesve të tyre ligjor që zunë vend në të majtë të sallës. Mungonte përfaqësuesja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e cila për shkaqe shëndetësore kërkonte shtyrjen e seancës për një moment tjetër. Trupa gjykuese e vlerësoi të drejtë kërkesën e përfaqësueses së Ministrisë dhe u vendos që punimet e saj të shtyhen për datën 25 shtator. Abdiu dhe Ademi lanë sallën e gykatës me ndjesinë që e kanë përjetuar prej pesë vitesh, atë të zhgënjimit nga institucionet. 

“Avokatët [e shtetit] s’duan t’ia dinë që vijmë nga atje, bëjmë 300 km rrugë e kur vijmë këtu, shtyhet seanca sot, e shtyhet seanca nesër.  Abdi Toçi

Banorët dhe aktivistët treguan se zvarritja e proceseve gjyqësore gjithmonë sjell përfitime për abuzuesit që kapen pas këtyre ndryshimeve ligjore dhe nxjerrin deri në qindarkën e fundit fitimin e tyre teksa në gjykata diskutohet për palgjshmëri. Edhe për zhvillimet e djeshme, Adem Gjokola dhe Dhimitër Koleci shprehen se po u jepet dorë kompanive private që të çojnë deri në fund skemat e tyre të shfrytëzimit të natyrës. 

Duan të shkatërrojnë, shqip, zgjasin procesin që të shkatërrojnë zonat.  Adem Xhokola

Avokatët e shtetit duhet t’i mbrojnë pasuritë kombëtare, Parqet Kombëtare. Ata i kap sëmundja kur është për t’i shqyrtu këto çështje. Kjo është e dukshme për ne, e dimë ngase e kemi kaluar edhe herë të tjera. Duan ta shtyjnë sa më shumë, i bënë gati sopatat dhe në ato pjesë që kanë hequr nga parqet kombëtare duan të bëjnë masakër. Duan t’u japin kohë abuzuesve të zonave të mbrojtura, të parqeve kombëtare.  Dhimitër Koleci 

Padia për kufijtë, ecuria minimale

Avokati i Qendres ResPublica Dorian Matlija, si njëri prej përfaqësuesve të palës paditëse tregoi dje se procesi i shqyrtimit të padisë së ngritur nga organizatat mjedisore ka marrë dhe po merr kohë mëse të mjaftueshme për të kryer secilin hap në mënyrë të matur.  Gjithashtu procesi është ballafaquar me pengesa të lidhura kryesisht me vështirësi në gjetjen e ekspertëve mjedisorë të cilët do kryenin akt-ekspertimet në sajë të procesit gjyqësor. Pas disa muajsh u arrit të nisnin punën dy ekspertë që po përgatisin materialet për të gjitha zonat e mbrojtura të prekura nga ndryshimet e janarit të 2023, kohë kur Këshilli i Ministrave përmes një VKM-je ndryshoi të gjitha hartat e Parqeve Kombëtare. 

“Taktikë e vjetër” 

Banorët dhe aktivistët e Zall-Gjoçaj prej më shumë se 5 vitesh enden sallave të gjykatave në vend. Me pesë padi të ngritura prej tyre dhe kallëzime në SPAK për zyrtarët firmëtarë të shkatërrimit të Parkut Kombëtar, ata pothuajse në secilin proces janë ndeshur me zvarritje në gjykatat shqiptare. Gjykata Administrative e Apelit ende mban në sirtarë çështjen e themelit për pezullimin e akteve të pushtetit lokal e qëndror që kanë lejuar ndërtimin e HECit Zais në zonë të mbrojtur. Banorëve u është dashur të kryejnë aksione përballë saj për t’i bërë thirrje kësaj gjykate që të nisë punimët. Protesta e fundit, përballë Prokurorisë Lezhë, u organizua nga aktivistët e “Mbro Zall Gjoçaj” me qëllim nisjen e hetimeve për zyrtarët e akuzuar fillimisht në SPAK, por të përcjellë nga aty për në organin e hetuesisë në qytetin e Lezhës.

Nuk kanë qënë të pakta rastet që seancat gjyqësore janë shtyrë me kerkesë të përfaqësuesve ligjorë të institucioneve shqiptare, me arsyetime nga më të ndryshmet por më shpesh të ndeshura janë arsyet shëndetësore sipas aktivistëve. 

Avokatët e shtetit nuk është gjyqi i parë që sëmuren, marin raporte për dizenteri, tifo, covid. I kap shpesh sëmundja këta. Në të gjitha proceset kështu na ka ndodhur. Çdo dy seanca, në njërën ishte me raport avokati i këtyre, nuk është ndonjë gjë e re kjo që ndodh kjo. 

Ndonëse proceset e tejzgjatura nënkuptojnë më shumë mund, rrugëtim dhe pritje, aktivistët dhe banorët e Zall Gjoçaj u shprehën se do jenë në sallën e gjyqit çdo seancë. Përfshirë edhe atë të 25 shtatorit, ora 11:30, kur pritet të mbahet seanca e radhës mbi padinë kundër ndyrshimit të kufijve të zonave të mbrojtura. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje