13.05.2019 | nyje .al
Vincent van Gerven Oei është historian arti, studiues i filozofisë, filolog dhe bashkë-drejtor i platformës online me akses të hapur “punctum books”. Në vitin 2011 zhvillon në Shqipëri punën e tij kërkimore mbi trashëgiminë dhe propagandën monumentale, finalizimi i të cilës vjen me publikimin e librit “Lapidari”. Pavarësisht formimit të tij, ai vendos të ndryshojë drejtim dhe të fokusohet kryesisht në analizën politike dhe zhvillimet social-kulturore, me qëllim kundërshtimin e pushtetit dhe gjurmimin e lidhjeve të tij me artin dhe politikën në Shqipëri.
Pyetje: Përse zgjodhët këtë drejtim në punën tuaj dhe përse vendosët të qëndronit në Shqipëri?
Përgjigje: Fillimisht unë kam ardhur në Shqipëri si turist, por më pas u shpërngula këtu për të shkruar. Rashë në kontakt me disa aktivistë nga Aleanca LGBT, dhe së bashku me ta fillova të zhvilloj punët e mia kuratoriale, e më pas ka ardhur krejt natyrshëm qëndrimi dhe angazhimi im këtu. Nuk ka qenë e paramenduar. Kam marrë përsipër të shkruaj për zhvillimet politike dhe social-kulturore në Shqipëri pasi e kam ndjerë veten pjesë të një komuniteti të vetëdijshëm që i mungon analiza e thellë, faktet dhe gazetaria e paanshme. Nuk e bëj këtë për Hollandën, as për vendet e tjera. Për Shqipërinë, po.
Pyetje: Në këtë lloj pozicioni, si gazetar që e ka të vështirë të gjejë burimet e informacionit dhe faktet, si ia dilni të respektoni parimin e objektivitetit e të ndershmërisë dhe të sillni një analizë të thellë në këto kushte?
Përgjigje: Kjo është shumë e vështirë dhe nuk jam i sigurtë nëse e kam arritur thellësinë e analizës duke ruajtur objektivitetin dhe paanshmërinë. Ju e dini shumë mirë që gjërat për të cilat kam shkruar ndonjëherë janë konsideruar si propagandë, po ashtu edhe shkrimet e kolegëve të mi. E pavarësisht kësaj besoj shumë te mendimi kritik. Ndaj përpiqem të lexoj, të jem i hapur ndaj mendimeve të ndryshme, kundër-argumentave dhe të reflektoj mbi to. Nuk kam frikë të zbuloj që jam gabim dhe ta pranoj atë. Ndryshe nga “pagabueshmëria absolute” që përcillet në sferën politike në Shqipëri, unë mendoj se është gjë e mirë të gabosh dhe ta pranosh.
Kujtoj fillimvitin 2013, kur ishin zgjedhjet e para në të cilat Edi Rama garonte si kryeministër. Gabimi im në atë kohë ka qenë që shpresoja se kjo figurë do të sillte një frymë të re në politikëbërje. Shumë njerëz përreth meje ishin kthyer nga diaspora për të ndihmuar në këtë proces, por brenda një viti kjo shpresë vdiq. Shumë njerëz të aftë dhe të kualifikuar u hoqën nga puna, vendin e tyre e zunë njerëzit që ishin më afër partisë socialiste. Ky mendoj ka qenë zhgënjim dhe gabim i madh i imi. Unë në atë kohë besoja vërtet që ekzistonin premisa të mira për ndryshim në sferën politike dhe kulturore, gjë që nuk ndodhi. Zhgënjime të tilla më kanë ndihmuar të shoh më me kujdes zhvillimet e mëvonshme politike dhe tani arrij të jem më i qartë në mendim. Besoj se shumë njerëz, veçanërisht ndërkombëtarët, kanë shpresë te Erion Veliaj, njësoj si dikur te Edi Rama, por edhe kjo është një histori që do të përsëritet, zhvillimi i saj do të jetë po njësoj. E vetmja shpresë që kam është tek rinia shqiptare. I referohem aktivistëve që angazhohen çdo ditë me akte të vogla politike por konsistente, atyre që protestuan për universitetin.
Pyetje: Si e analizoni standartin e dyfishtë të kryeministrit, i cili brenda Shqipërisë prezantohet si “politikan i reformave të mëdhaja” dhe jashtë Shqipërisë si “artist”?
Përgjigje: Përdorimi i dyfishtë i figurës së tij, brenda vendit si “burrë i madh” dhe jashtë vendit si artisti që merret me gjëra cerebrale dhe vizionare mendoj se në fillim ka qenë lëvizje e zgjuar. Pikërisht me këtë pjesë jam përpjekur të merrem që prej fillimi, dhe kryesisht e kam kritikuar në hapësira të artit jashtë Shqipërisë. Kam bërë disa analiza brenda diskursit ndërkombëtar artistik, nëpër revista të artit në lidhje me këtë taktikë apo strategji të propagandës së tij. Nuk besoj se do ia dal të bëj ndryshim brenda Shqipërisë, pasi jam i huaj, por jashtë saj mendoj se kam zhvilluar një tjetër ndjesi mbi mënyrën se si Edi Rama e ka përdorur botën e artit “për të pastruar” imazhin e tij. Duke qenë se vetëvlerësimi i lartë i Edi Ramës i vjen më së shumti nga bota e artit, një kritikë e tillë mendoj se ka qenë efektive. Nuk besoj shumë te sulmet politike të lançuara nga opozita.
Pyetje: Përveç analizave dhe kritikave ndaj pushtetit, jeni shprehur edhe për opozitën zyrtare. Në shkrimin “Që opozita të mos përfundojë në farsë të vetvetes” ju shpreheni se makineria masive e parasë së PS-së nuk mund të luftohet pa ide, pa ideale, pa program dhe pa propozime politike, dhe këtë shkrim e publikoni brenda një platforme që konsiderohet e djathtë. A përputhen shijet tuaja politike/ pëlqimet tuaja politike me politikën redaksionale të gazetës Exit.al?
Përgjigje: Në Shqipëri nuk ekziston as e djathta dhe as e majta. Partitë nuk janë ashtu siç e kanë emrin. Asnjëra nuk ka program politik. Në zgjedhjet e 2013-s u përpoqa të lexoj platformat dhe politikat e këtyre partive, e në fakt kishin vetëm fletushka 5-faqëshe. Po mendoj se në atë kohë nga ana e politikave, Partia Demokratike ishte më e majtë se Partia Socialiste. Pra, kam vërejtur që në Shqipëri partitë nuk funksionojnë sipas platformave politike, ato më shumë janë familje të mëdha lidhjesh që bazohen jo në ide, por në patronazhe, kontakte, marrëdhënie personale.
Nuk mund të flas në emër të të gjithë redaksisë së Exit.al, por dua të them që ajo është një platformë që shkruajnë shumë autorë, shpeshherë edhe pa asnjë shpërblim. Nuk ka zyrë të madhe, nuk ka luks, nuk jemi “rehat”. Nuk është si disa gazeta të tjera që kanë mbi 30 gazetarë të angazhuar e që punojnë 24 orë në 24 orë, kryesisht duke vjedhur shkrime nga portale të tjera.
Unë gjithmonë dua të jem kundër pushtetit. Kushdo qoftë në pushtet, duhet të analizohet, kritikohet dhe të ndiqet në mënyrë konstante. Unë mendoj se pushteti korrupton, jo vetëm në Shqipëri, por gjithandej. Kjo është bindja ime personale. Opozita në Shqipëri është në një gjendje të mjerueshme, por gjithmonë duhet të kritikosh pushtetin. Ata kanë kontrollin. Patjetër opozita bën gabim pas gabimi, por çfarë mund të them? Mund të shkruash një herë, por s’ka sens të shkruash më shumë, pasi nuk janë ata që përdorin tenderat për vetëpasurim, nuk janë ata që përdorin zyrat qeveritare për aktivitete kriminale. Opozita nuk bën asgjë, dhe ky është problemi më i madh i saj. Besoj se duhet të jem anti-pushtet, e ndjej si detyrim të jem shumë kritik ndaj pushtetit. Gjithmonë.
Pyetje: Si ka shërbyer angazhimi i artistëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë në planet urbanistike dhe arkitekturore të Tiranës, si dhe promovimit të figurës së Edi Ramës në rang ndërkombëtar? Si ka ndikuar kjo në klimën në artin bashkëkohor?
Përgjigje: Shumë artistë kanë ikur, shumë pak artistë jetojnë ende në Tiranë tashmë. Unë mund t’i numëroj me gishta artistët që mendojnë në mënyrë të pavarur. Këtu mund të përmend artistin Armando Lulaj dhe Pleurad Xhafën, që kanë mbajtur një qëndrim kritik dhe inteligjent gjatë gjithë aktivitetit të tyre. Në këto kushte, artistët e pavarur nuk kanë një të ardhme brenda Shqipërisë. Madje për të mbijetuar në Shqipëri ata duhet të punojnë jashtë vendit. Ndërsa të tjerët që kanë pranuar të bashkëpunojnë ngushtësisht me pushtetin, janë në shërbim të sistemit. Në këto vite në Shqipëri e kuptoj se është shumë e vështirë të jetosh si artist, pasi të gjitha hapësirat, shërbimet janë nën zaptimin e një klike shumë të vogël njerëzish. Është kalbur Galeria e Arteve, ka shumë pak mundësi për artistët e sapodiplomuar nga Universiteti i Arteve. Qendra për Hapje dhe Dialog, as nuk është hapje as nuk ka dialog. Ndaj, duhet të kesh një personalitet shumë të fortë dhe të pavarur për të rezistuar, ta njohësh shumë mirë situatën politike dhe artistike në vend, në mënyrë që të mos përfundosh duke prodhuar një lloj arti që nuk ka asnjë vlerë, asnjë substancë, dhe që nuk mund të na përfaqësojë në asnjë skenë të artit ndërkombëtar.
Anri Sala bën pjesë te grupi i artistëve naiv që ende besojnë se Edi Rama është i njëjti djalosh që para 20 vitesh kërkonte të shndërronte Tiranën me një grup artistësh. Problemi qëndron se ai nuk mundet më ta shndërrojë sistemin politik shqiptar, pasi ai tashmë është vetë sistemi.
Pyetje: Sipas jush a duhet që vepra e artit të reflektojë një ndryshim social-politik? Cili është qëndrimi juaj në lidhje me artin e angazhuar?
Përgjigje: Gjithmonë kam besuar se arti është i lidhur ngushtësisht me shoqërinë. Çdo lloj arti – edhe nëse thotë që nuk është politik – është politik. Kjo nuk do të thotë që kjo është tërësia e artit. Arti ka aspekte që nuk janë politike, por që lidhen me estetikën, me psikologjinë apo biografinë e artistit. Por gjithmonë ka një aspekt politik dhe kjo është e pashmangshme. Ta dish këtë fakt si artist është shumë e rëndësishme, ta shmangësh apo ta mohosh është budallallëk. Në momentin që një artist thotë “nuk jam politik” apo “nuk merrem me politikë” kjo është një shprehje që buron nga një privilegj për të mos u marrë me politikën. Ka shumë njerëz në botë që nuk duan të merren me politikë sepse është e urryeshme, e mërzitshme, por në Shqipëri është ndryshe. E urrejnë politikën, por është e pashmangshme.
Unë jetoj pjesërisht në Holandë dhe njerëzit aty kanë luksin të mos merren me politikën, sepse kanë një sistem që funksionon pothuajse në mënyrë automatike. Atëherë kur një artist holandez thotë “unë nuk merrem me politikë” mendoj se është privilegj, është një gjë që buron vetëm nga fakti që je holandez. Kjo më thotë se ai nuk ka jetuar asnjëherë në një situatë që përkon me situatën e shumicës dërrmuese të botës, se duhet të angazhohesh me politikë pasi ka kaos në anën tjetër.
Si është e mundur të bësh një vepër arti në Shqipëri që nuk është e lidhur me politikën? S’është e mundur fare! Në Shqipëri, që kur del jashtë shtëpisë është një akt politik. Të bësh një vepër arti është një akt politik. Pothuajse çdo gjë është politike. Është një gjë që na ka pushtuar, që na mbyt dhe që na frustron, por që kemi detyrën për ta përqafuar, për t’i dhënë imazh, për ta vënë në pikëpyetje…kjo është detyra jonë.
Pyetje: Në librin “Poezia Politike” me autor Jeroen Mettes, i përkthyer nga ju në vitin 2012 në parathënie shkruhet: Poezia moderne nuk ka formë, por konsistencë (që ndjehet). Nuk ka përmbajtje, por ka një problem (që zhvillohet). Pra konsistencë + problem = kompozicion… Pyetja është si lidhen tek ju këto interesa: poezia, politika dhe përkthimi?
Përgjigje: Një pjesë të këtij libri e kam përkthyer para shumë vitesh dhe ai përmban poezi si dhe trajtesë teorike të poezisë politike. Unë gjithmonë kam qenë i dashuruar me gjuhën. Besoj se puna ime si studiues i filozofisë, si shkrimtar, si botues ka qenë gjithmonë e lidhur me dashurinë për gjuhën. Kjo ka qenë dashuria ime e parë. Kam besuar se përkthimi është mënyra më e mirë për të lexuar. Kur unë dua vërtet të lexoj një gjë, që është shumë e rëndësishme, unë e përkthej. Sepse kjo është mënyra më intensive dhe më intime e leximit. Ndërkohë që përkthej, imagjinoj sikur jam autori, shndërrohem si ai, përpiqem të jetoj në zërin e tij.
Jeroen Mettes është poet holandez që u vetvrara në një moshë shumë të re, kur ka qenë në universitet. E kam përkthyer në anglisht pasi besoj që ka qenë një nga poetët më të rëndësishëm të dekadave të fundit. Brenda punës së Jeroen-it gjeta afërsi me mendimet e mia. Argumentat që bën brenda kontekstit të poezisë janë një diskurs krejt tjetër nga arti vizual. Ai nuk mendonte se poezia nuk ka lidhje me përditshmërinë, përkundrazi. Ka një forcë politike brenda poezisë. Është vështirë ta shohësh, ta kuptosh. Ajo është shumë e ngadaltë, kërkon kohë për ta lexuar, rilexuar, përkthyer, rimenduar. Hapat e saj janë të gjatë, të ngadaltë, krejt e kundërta e shpejtësisë marramendëse të politikës bashkëkohore delirante. Poezia është plot pushime.
Problemi është se gjuha angleze na rrethon, ndaj e kam përkthyer në atë gjuhë, në mënyrë që të aksesohet nga të gjithë. Por thellë-thellë mendoj se ky fakt është një kufizim, pasi edhe gjuhët e tjera kanë vlerë dhe duhet të njihen po ashtu. Kjo ka qenë arsyeja që kam mësuar gjuhën shqipe në mënyrë të rregullt. Na duhet të flasim në gjuhë të tjera sepse na krijojnë një perspektivë të re.
Pyetje: Pushteti, estetika dhe qyteti. Cila është ndjeshmëria që kërkon të fabrikojë estetika e pushtetit?
Përgjigje: Dallohen disa shtresa: është ana institucionale dhe ajo politike. Mënyra sesi pushteti shprehet në hapësirën publike lidhet me lejet që jepen, me emrat e rrugëve, me organizimin territorial. Në Holandë për shembull ekziston një shprehje që thuhet se diku në veri ekziston 1 km2 për të cilin nuk ka asnjë plan, që nuk duhet ndërhyrë dhe mbi të cilin nuk do të ndodhë asgjë. Patjetër që kjo është një gënjeshtër, se çdo vend është dizenjuar dhe përfunduar tërësisht. Po ashtu kujtoj një nismë në Holandë që është shumë domethënëse e që është pasuar me një frymëzim të madh nacional: nisma për të ndërtuar një mal.
Në krahasim me Holandën, në Shqipëri ka shumë liri në hapësirën publike. Ky lloj anarkizmi që ekziston në hapësirën publike, na jep shpresë, na jep liri, por u jep liri edhe të tjerëve për ta zaptuar në një mënyrë… siç ka ndodhur në Kamëz, ku situata është e vështirë për shkak se është zhvilluar në një mënyrë anarkike, organike. Sfida e këtij qyteti është sesi do të rregullohet në vazhdim dhe cila do të jetë e ardhmja e tij. Unë mendoj se kur gjendja është e keqe, ka shumë mundësi. Dhe në Kamëz ka shumë mundësi për ndërhyrje, qoftë me biseda me njerëzit, me komunitetin përreth, në mënyrën se si janë emërtuar rrugët apo shfaqje të tjera të pushtetit.
Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Arteve bëra një punë së bashku me një artist holandez shumë të angazhuar politikisht, me të cilin bashkëpunoj ende sot e kësaj dite prej më shumë se 15 vitesh. Ai quhet Jonas Staal. Ne zhvilluam një punë me emrat e rrugëve. Në atë periudhë në Holandë kishte një debat shumë të madh për çështjen e emigrantëve. Opinioni publik i kategorizonte në “emigrantë të mirë” dhe “emigrantë të këqinj”. Në qytetin e Hagës, kishte një lagje kineze “Chinatown”, dhe pushteti vendor bëri të mundur që emrin e rrugës t’ua vinte me shkronja kineze, pasi ata konsideroheshin si “emigrantët e mirë” dhe lagjja tërhiqte shumë turistë. Ne kërkonim trajtim barazitar mes emigrantëve pasi nuk e pranonim diferencimin diskriminues, ndaj vendosëm që të ndërhynim në emërtimin e rrugës së lagjes së turqëve dhe marokenëve. Arritëm brenda lagjes së arabëve dhe e shkruajtëm emrin e rrugës me shkronjat e alfabetit të tyre të origjinës. Ky akt u polemizua dhe nxiti një debat të ashpër publik, dhe ne dëshironim pikërisht të provokonim mendimin mbi mënyrën se si trajtohen emigrantët brenda qytetit.
Në kushtet e krijimit të Kamzës, nevoja për të pasur një çati ka qënë më emergjente sesa estetika – Vincent van Gerven Oei
Pyetje: Ju pyesin në një intervistë sesi e perceptoni ju temën e Bienales së Arkitekturës së Venecias 2016 “Të raportosh nga fronti” ku komentoni që është thuajse e pamundur që arkitektura të raportojë “nga fronti tjetër”, pasi arkitektura është pothuajse gjithmonë e lidhur me institucionet, dhe kryesisht ato shtetërore. Dhe “fronti” shpreheni ju, është kudo aty ku nuk është shteti. A është Kamza, me historinë e saj urbanistike, një mënyrë raportimi “nga fronti”?
Përgjigje: Kamza është krijuar nga lëvizja e brendshme e popullsisë kryesisht nga viset veriore pas regjimit komunist dhe nevoja e njerëzve për një shtëpi ka qenë e madhe. Në këto kushte patjetër që estetika nuk mund të jetë parimi i parë, por është nevoja për një çati. Njerëzit kishin nevojë për të jetuar, për të bërë një shtëpi. Dhe nëse shteti nuk t’i jep rregullat se si mund të bëhet, ata e bëjnë vet. Unë nuk jap asnjë vlerësim mbi mënyrën se si janë bërë shtëpitë në Kamëz, por dua të shtoj se ndërtimi i shtëpive të tyre ka një vlerë në vetvete. Unë jam më shumë i interesuar për ata që duan të ndërtojnë një shtëpi vetë, pra për procesin e krijimit nga nevoja me ato materiale që të gjenden përreth.
“Përgjegjësinë kryesore ndaj asaj që ka ndodhur në Kamëz mendoj se e ka shteti. Dhe sot e kësaj dite mendoj se ky qytet paragjykohet dhe lihet në periferi duke mos i dërguar asnjë fond, dhe duke e injoruar masivisht atë. Përpos faktit që ekziston një diskurs racist i hapur nga krerët e politikës duke folur për “shpellarë”.”
Pyetje: Arti relacional dhe aktivizmi kreativ. A mund të na hedhësh pak dritë mbi këto dy koncepte?
Përgjigje: Arti relacional ka qenë një lëvizje brenda artit bashkëkohor nga një grupim artistësh që kanë nisur karrierën në vitet ‘90. Kjo lëvizje ka qenë reagim ndaj një arti që ishte shumë abstrakt, cerebral, dhe i përkushtuar brenda hapësirave të muzeut. Ka qenë një lëvizje që kërkonte t’i shtrinte aktivitetet artistike nëpër qytete dhe komunitete, duke propozuar mundësinë që çdo gjë mund të ishte art. Një pjesë e historisë së artit ka qenë zgjerimi i fushës së tij, dhe arti relacional ka qenë në këtë traditë. Arti mund të zgjerohej edhe më tej, deri te gjestet e të ngrënit, puna me komunitetin, ndërhyrjet në një ndërtesë për të shndërruar lagjen etj.
Kjo lëvizje është përbrendësuar nga një sistem politik neoliberal. Me fjalë të tjera dua të them që ka pasur politikanë që e kanë kuptuar shumë mirë që nëse “ata, si politikanë” kanë probleme shoqërore duhet të përdorin artin si pjesë e zgjidhjes. Në momentin që kemi ndonjë problem ku ka shumë emigrantë, ne do të dërgojmë disa artistë që bëjnë punë me komunitetin dhe e zgjidhim këtë gjë. Në rastin kur artistët nuk e kanë pasur shumë të qartë konceptin e artit relacional, janë përdorur haptazi dhe pa shije nga shteti. P.sh. nëse vendosim që të shkatërrojmë një lagje, fillimisht vendosim të bëjmë një monument e më pas e shkatërrojmë. Ky lloj arti është përdorur si zbutës.
Artistët e identifikuar me këtë lëvizje kanë lidhje me regjimin politik që ekziston tani në Shqipëri. Janë të njëjtët që kanë marrë pjesë në Bienalen e organizuar nga Edi Rama vite më parë. Një rast që e vërteton këtë gjë është puna e ekspozuar në fasadën e Kryeministrisë. Për shkak të protestave ajo vepër është e mbyllur me pllaka metalike, që në vetvete është shumë ironike por edhe fantastike si ndodhi. Të mbyllësh një vepër arti krijuar prej një artisti të artit relacional, e cila është e destinuar që të ndërveprojë me njerëzit, kjo është ironia që nuk mund të imagjinohet dhe është ngjarje e madhe në historinë e artit ndërkombëtar; edhe rasti i kërpudhës vepër krejtësisht “apolitike”, politizohet duke u shkatërruar. Kjo tregon se edhe gjërat që përpiqen të jenë jashtë logjikës së politikës, mund të përvetësohen nga politika.
Ndaj e thënë në fund, kjo lëvizje e artit relacional ka qenë një lëvizje shumë e vogël, në fund të historisë së artit që ka ekzistuar diku për një dekadë dhe më pas ka marrë fund. Është vërtet një art që bëhet në fund të historisë, që s’lidhet pothuajse me asgjë, as me historinë, as me artin, as me politikën, por vetëm “bën qejf”.
Pyetje: Rezistenca në art dhe rezistenca në politikë, cilat janë pikëprerjet?
Përgjigje: Rezistenca duhet kudo, në art, në politikë, në gazetari. Duhet të jemi të zgjuar për strategjinë e rezistencës. Rezistenca në art është krejt ndryshe nga rezistenca në politikë, pasi realitetet janë shumë ndryshe. Nuk besoj në aktivizmin kreativ që thotë që jam vetëm politik, ka gjithmonë diçka artistike që reflekton mbi historinë e artit, e cila mund të lidhet ose jo me politikën. Arti ka logjikën e vet dhe kjo duhet të merret parasysh në momentin që ne duam të bëjmë një punë arti.
Rezistenca në politikë ka një histori revolucionesh, zhvillimesh politike që s’kanë pasur asnjë lidhje me artin, por ka një logjikë krejt tjetër të cilën duhet të kuptohet shumë qartë dhe të dini se në cilën fushë jeni duke operuar. Patjetër që mund të bashkohen të dyja, por në atë rast ndërhyrjet që bëhen duhet të kenë frymëzim nga të dyja anët. Të bësh rezistencë që është në kufirin që bashkon artin dhe politikën nuk është aspak e lehtë. Mbase Grupi HAVEIT nga Kosova, brenda kontekstit të Kosovës ia ka arritur ta bëjë këtë gjë. Dhe kjo nuk arrihet kollaj, duhet shumë përkushtim.
Pyetje: Së fundmi merrni në analizë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe procesin e reformës në drejtësi. Historian arti dhe filozof që merret me procese juridike, si i jeni qasur kësaj dijeje?
Përgjigje: Unë nuk jam jurist, por di të lexoj. Dhe ligji, në fund të fundit është një tekst i shkruar nga njerëzit. Patjetër është e vështirë të kesh një këshillë se si mund të lexohen tekste të tilla dhe vështirësia buron edhe nga mënyra se si policohet aksesi i materialeve.
Momentalisht, nga mënyra se si po shkon procesi i vettingut në Shqipëri, kuptohet lehtësisht që nuk po respektohet Kushtetuta dhe as ligji. Unë ndjek me kujdes zhvillimet në drejtësi dhe marr në analizë atë që ndodh realisht me atë që duhej bërë. E përsëris, unë e dashuroj gjuhën, në çdo formë të saj, edhe kur është në trajtën e ligjit. Ligji është si çdo tekst tjetër, por ndryshon nga forca e jashtëzakonshme që ka. Ligji, është si një poezi me forcë të jashtëzakonshme. Unë e shoh se si përpara ligjit nuk jemi të barabartë. Në Shqipëri, ligji ka më shumë forcë kur arrestohet një shitës ambulant dhe nuk ndodh asgjë kur bëhet fjalë për pezullim të Gjykatës Kushtetuese apo tejkalime afatesh. Këtu shoh një padrejtësi të madhe, ndaj dua të merrem më shumë me të.
***
Kjo bisedë remote është zhvilluar me datë 20 prill mes grupit të aktivistëve të Kamzës “Ata” dhe Vincent van Gerven Oei që ndodhej në Kaliforni.
Vjen e përshtatur për publikim nga Diana Malaj.