Tjetri inkonsistent i jouissance-s – Sllavoj Zhizhek (V)
Kështu, kemi arritur sakaq te forma e katërt, e fundit dhe e plotë e grafikut të dëshirës, sepse ajo që shtohet në këtë formë të fundit është një vektor i ri i dëfrimit (jouissance) që ndërpritet me vektorin e dëshirës së strukturuar simbolikisht. Grafiku i plotë ndahet pra në dy nivele, të cilët mund të përshkruhen si niveli i kuptimit dhe niveli i dëfrimit [jouissance-s që është si të thuash kënaqëdhimbje]. Problemi i nivelit të parë (i poshtmi) është se si kryqëzimi i zinxhirit të shenjuesve dhe i një qëllimësie mitike (Δ) prodhon efektin e kuptimit, me të gjithë artikulimin e tij të brendshëm: karakteri prapaveprues i kuptimit, për aq sa është funksion i Tjetrit të madh – për aq sa është i kushtëzuar nga vendi i Tjetrit, bateria e shenjuesve (s(O)); imagjinari (i(o)) dhe simboliku (I(O)) – identifikimi i subjektit bazuar në këtë prodhim prapaveprues të kuptimit dhe kështu me radhë. Problemi i nivelit të dytë (i sipërmi) është çfarë ndodh kur vetë fusha e rendit të shenjuesit, e Tjetrit të madh, birohet, shpohet nga një rrymë para-simbolike (reale) jouissance – çfarë ndodh kur “lënda” para-simbolike, trupi si kënaqëdhimbje e materializuar dhe e mishëruar, mplekset në rrjetin e shenjuesve.

