Nën kurthin e monopolit të mbetjeve
Në 21 mars, Këshilli Bashkiak i Kamzës miratoi planin e ri të menaxhimit të mbetjeve. Gjatë mbledhjes nuk pati asnjë diskutim. I vetmi që pyeti për planin ishte anëtari Alfred Halili (PD), por nuk mori përgjigje. Gazetarët nuk u lejuan që të merrnin pjesë. Dy javë më vonë, nëpërmjet një emaili, bashkia u justifikua duke fajësuar hapësirën e vogël të sallës për moslejimin e të vetmit gazetar që kishte paraqitur kërkesën për pjesëmarrje, që isha unë. Kjo është gënjeshtër, sepse gjysma e sallës ishte bosh. Bashkia i vazhdoi marifetet, kur në faqen e saj online nxorri një njoftim të rremë mbi mbajtjen e një dëgjese për të diskutuar planin e mbetjeve me publikun. Por verifikimi i metadata-ve tregoi se dokumenti (.docx) ishte krijuar një javë pas mbledhjes. Përse ftohej publiku në një takim i cili kishte përfunduar?! Cila ishte dobia e një manipulimi të tillë? Si mund t’i ftosh njerëzit në një ngjarje të shkuar?!