Imazh dhe vështrim – Sllavoj Zhizhek (III)
Marrëdhënia midis identifikimit imagjinar dhe simbolik – midis egos ideale (Idealich) dhe idealit të egos (Ich-Ideal) – është, duke përdorur dallimin e bërë nga Jacques-Alain Miller (në Seminarin e tij të pabotuar), ajo mes identifikimit të “themeluar” dhe identifikimit “themelues”: për ta thënë thjesht, identifikimi imagjinar është identifikimi me imazhin në të cilin dukemi të pëlqyeshëm për veten, me imazhin që përfaqëson “atë që do të donim të ishim”, ndërsa identifikimi simbolik është identifikimi me vetë vendin nga ku po na vrojtojnë, nga ku ne shikojmë veten që të dukemi të pëlqyeshëm për veten, të denjë për dashuri. Ideja jonë mbizotëruese dhe spontane e identifikimit është ajo e imitimit të modeleve, idealeve, krijuesve të imazhit: zakonisht vihet re (nga perspektiva “e pjekur” përçmuese) se si të rinjtë identifikohen me heronjtë popullorë, këngëtarët pop, yjet e filmit, sportistët... Kjo ide spontane është dy herë gabim. Së pari, veçoria, tipari mbi bazën e të cilit ne identifikohemi me dikë, zakonisht është i fshehur – nuk është medoemos një tipar magjepsës a tërheqës.

