Dorëzohet peticioni me firmat e 700 qytetarëve dhe 35 organizatave: Kërkojmë ndalimin e tjetërsimit të historisë
Para Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dorëzuan sot një peticion urgjent, i cili kërkon ndërprerjen e menjëhershme të çdo punimi në burgun e Spaçit. Në një komunikatë të lexuar për mediat, nismëtarët denoncojnë ndërhyrjen që e cilësojnë si të jashtëligjshme, të papritur dhe të rrezikshme për ruajtjen e kujtesës historike të vendit. Peticioni, i firmosur nga mbi 700 qytetarë dhe 35 organizata i drejtohet insittucioneve kulturore dhe qeverisë, me kërkesën që çdo punim në Spaç të ndalet menjëherë. Sipas aktivistëve, ndërhyrja aktuale e kryer nga Instituti Kombëtar për Mbrojtjen e Kulturës është joprofesionale, e pakoordinuar dhe në kundërshtim të plotë me ligjet dhe direktivat që rregullojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore...