Statusi i së keqes

Antonela Pepkolaj | 27.02.2023 | nyje.al 

Për statusin e të keqes në letërsi, mund të flasim në pamje të parë, si marrëdhënia demaskuese që krijon letërsia me të, më specifikisht me kontekstin ku krijohet. Me këtë aspekt të letërsisë, mund të lidhen shkolla të ndryshme të kritikës që merren me marrëdhënien e letërsisë me kontekstin social ku krijohet si pozitivizmi para se shkenca e letërsisë të iniciohej si gjë dhe, historicizmi i ri në kohët më moderne. Përgjithësisht, këto qasje studiojnë statusin e tekstit letrar si pjesë e një institucioni shoqëror, por më gjerë, edhe si një hapësirë ku lëvrohen dinamikat midis pushteteve të ndryshme, më së shumti të elitave intelektuale dhe prestigjeve të tyre, në sajë të kulturës (një paralele që T. Schmitz e heq me rolin e sofistëve në antikitet).

Gjithsesi, në këtë raport, rëndësi paraqet dialogu i tekstit me substancën e eksperiencës së jetës në komunitet, siç mund të jenë e keqja, e mira, pushteti, morali, etj. Në këtë kuptim, letërsia nuk ka në themel të saj fabulën, apo ngjarjen historike, por premisat dhe dinamikat, ndaj edhe është një nga ato tekste të privilegjuara me universalitet. Mund të përmendim këtu “Tokë e shkretë”, që edhe pse e dimë qartë se është një tekst që i komunikon një shoqërie të pasluftës, nuk e pasqyron atë, por të dyja, si historia si teksti letrar, kanë në substancë të tyre të njëjtin motiv, që është katastrofa dhe e keqja si terror. Dhe, paçka se ngjan shumë probabël, që siç argumentojnë R. Wellek dhe A. Warren, që përmes letërsisë, mund të përfitojmë një tablo të përgjithshme të historisë së shoqërisë, ky padiskutim nuk është finaliteti i tekstit letrar. Finaliteti i tij është që të jetë letërsi, dhe tabloja që përftojmë, është ajo e eksperiencës humane, e cila sigurisht kushtëzohet nga rrethanat shoqërore.

Por, nëse e shohim tekstin letrar vetëm në këtë prizëm, në marrëdhënie me kontekstin, përse e keqja, vdekja, katastrofa, ngjajnë më dominante në raport me motivet e tjera, madje edhe në ato raste të artit për art, kur teksti letrar ka qëllim në vetvete vetëm teknikën dhe estetikën (duke pasë parasysh këtu Bodlerin)? Qëndrimet e shkollave letrare që merren me marrëdhënien letërsi-kontekst, do të sugjeronin sepse kështu është edhe shoqëria: me dominante të keqen. Gjithsesi, ngjan fyese për një tekst letrar, që t’i atribuohen mekanizma kaq të cekët. Ndaj mund të gjenim dy qasje alternative për këtë çështje.

E para, nëse do të binim dakord që letërsia nuk është tekst, ashtu siç piktura nuk është telajo, do të dilnim në një përfundim minimalist që letërsia është eksperiencë e hedhur në tekst, objektive (veta e tretë) apo subjektive (veta e parë) qoftë. Dhe, përgjithësisht, këto eksperienca janë eksperienca të diferencuara nga të tjerat, ndoshta edhe sipas parimit strukturalist që diferencimi kushtëzon vlerën dhe ekzistencën. Në kuptimin që, Faulkner zgjedh të bëjë objekt të veprës së vet “Duke dhënë shpirt” një familje pikërisht në kohën kur e ëma e protagonistëve po vdes, apo sesi T. S. Eliot shkruan për luftën, ndërsa S. Plath për traumën, etj. E thënë më shkoqur, e keqja është thjesht më origjinale, është origjina e konfliktit.

Kjo pastaj, në argumentin e dytë mbi dominancën e së keqes në letërsi, mund të lidhet edhe me natyrën e paqëndrusheme të shkrimtarëve, Wallen&Warren e quajnë natyrë nevrastenike, e cila kushtëzon dhe ndjeshmërinë e autorëve, duke bërë një zgjedhje preferenciale kah e keqja. Edhe dashuria është një ndër temat më klasike të letërsisë, për sa kohë që është tragjike dhe, këtë e kuptojmë qartë edhe nga tekstet e Faulkner dhe Hemingway. Por edhe në poezi, ku narrativa përgjithësisht mungon, vërejmë një prirje për kah klaustrofobikja, ankthi dhe vdekja, siç ndodh me poezinë e S. Plath. Kjo preferencë e shkrimtarëve nuk është shpikur me romantizmin dhe me kultin e tyre të irracionales, as s’mund të shihet si një produkt i shoqërisë moderne, megjithë kontributin e saj. Ky asociacion, siç na vë në pah G. Agamben në esenë e tij Genius, është vërejtur që në antikitet, ku njeriu kishte dy xhinde, një esencialisht i mirë (albus) dhe një esencialisht i keq (ater), manifestimet e të cilit janë neurotike dhe të tmerrshme, sidomos në aktin e krijimit. Këtu kuptojmë që e keqja dhe psikologjia e shkrimtarit janë në marrëdhënie po aq sa e keqja dhe shoqëria.

Megjithatë, e mira dhe e keqja janë format më klasike të mediokritetit; teksti, për t’i shpëtuar banalitetit bëhet fisnik dhe për t’i shpëtuar dogmës bëhet pervers. Siç na thotë E. Paund, medikokriteti është krim. Sidomos në letërsi. Teksti letrar është mbi të gjitha ambicioz, jo që të jetë vetëm novativ, por edhe që të jetë i pashoq, i vetmi i llojit të vet. Këtu vërejmë vëmendjen e veçantë ndaj teknikës. Formalizmi rus e koncepton historinë e letraritetit si evolutiv. Një tekst letrar krejt natyrshëm pason paratekstet e saj dhe afirmon teknikën e vet. G. Bataille, këtë natyrë novative të letërsisë e lidh me të keqen sepse vetëm përmes saj mund të thyhen tabutë.

Konkretisht, S. Plath then metrin e poezisë, një traditë e nisur tashmë në Amerikë nga Beat Generation; Faulkner shqyen narrativën dhe fut monologun e brendshëm, duke ruajtur ndërkohë monumentalen dhe epiken e narratives; Hemingway e lë tekstin e hapur përmes metodës së Icebergut dhe lakonizmit; T. S. Eliot transformon poemën, duke e bërë krejt të abstraguar dhe alegorike, por jo metafizike siç ndodh gjatë romantizmit.

Kemi të bëjmë me një proces defamiljarizimi, siç e quanin formalistët rus, premisën e evoluimit të tekstit letrar. Që një tekst të jetë letrar, duhet të braktisë konvencionet, një dukuri që shpesh i atribuohet gjenisë së shkrimtarit. Por, në mënyrë që tëhuajsimi të ndodhë, duhet të ndodhë gjithashtu një trandje e fundamenteve të metodave tashmë të institucionalizuara. Dhe ky proces, nuk mund të jetë asnjëherë paqësor. Alienimi në vetvete, nuk është natyral, vjen si shkas i një lloj traume. Kjo nënkupton që duhet të ndodhë një lloj dhune, vdekjeje dhe humbjeje, që të krijohet hapësira për nevoja të reja, të cilat sigurisht, përmbushen përmes teknikës së re. Dalim këtu prapë në përfundimin e formalistëve rus, se letërsia ndryshon prej nevojës. E njëjta gjë mund të themi se ndodh edhe me subjektet që angazhohen me tekstin letrar, qoftë shkrimtari apo lexuesi.

Kështu dalim në një lloj përfundimi, që e keqja nuk është vetëm një motiv në rrafshin tematik. Por, është një e keqe anatomike, që shërben si premisë për teknikën e re. Në termat e T. Eagleton, e keqja është si absolutizmi hyjnor i religjionit, por që në vend që të shohë gjasat e jetës së amshueshme, sheh gjasat e mos-ekzistencës dhe lindjes si aksident, çfarë na bën të gjithëve një kontigjent asgjëje. Kjo krijon një ankth ekzistencial që mishërohet në nihilizëm, antidoti i vetëm i të cilit është lavdia. Dhe ky mund të themi, është në thelb, veç të tjerash, edhe substanca e vërtetë e stilit dhe teknikës, një ambicie për të justifikuar ekzistencën dhe për të trashendentuar një bashkësi vlerash dhe pas vdekjes.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje