Si kursehet energjia në kohë krize?

Armand Haxhia| 21.03.2022 | nyje.al 

Fotografi nga Edizano Gjini

Pas një periudhe goxha të vështirë dyvjeçare, le të themi krize shëndetësore, përballë na vjen problemi i ri ai energjitik. Energjia është nyja e prodhimit të çfarëdo lloj produkti. Një luhatje e këtij sektori tund të gjithë sistemin ekonomik, është kaq masive saqë impaktin e ka drejtëpërdrejtë tek xhepat e qytetarëve. Pra, kriza e energjisë prek prodhimin e bukës, lëndëve të para, hekurit të ndërtimit, çimentos, betonit, vajit, produkteve bazike ushqimore, rrjedhimisht kemi edhe rritjen e çmimeve siç po e ndjejmë kohëve të fundit.
Por çfarë mund të bëhet?

Kursimi i energjisë individualisht nuk ka asnjëlloj vlerë duke qenë se do të ishte minimale në krahasim me masat që mundet me marrë shteti. Megjithatë, pyetjes: “A do të ishte mirë të ndodhte kursimi individual?” do t’i pergjigjesha me PO, sepse do të shpërndahej një frymë kujdesjeje edhe për veten, edhe për tjetrin. Ajo çka na duhet në këto momente krize është një plan serioz strategjik për uljen e përdorimit të energjisë elektrike.

Në Tiranë shpenzohen afërsisht 800.000 euro në vit ose 8 milion Kw energji. Si mund ta kursejmë këtë energji? Meqenëse Shqipëria ka afërsisht 300 ditë diell në vit, një metodë inteligjente e kursimit të energjisë do të ishte përdorimi i paneleve diellore. Në secilin ndriçues implementohet paneli diellor në përmasa jo shumë të mëdha i cili mund të lidhet drejtpërdrejtë me ndriçuesin, duke bërë të mundur që gjatë ditës të karikohet dhe gjatë natës të ndriçojë pa shpenzuar asnjë kw energji. Vetëm me Tiranën do kursenim 8.000.000 kw, por duke llogaritur se çdo autostradë e çdo rrugë qyteti mund të bëhej me këtë metodë kursimi, atëherë vlera do të rritej disa fish më shumë dhe do të kursenim miliona euro. Kjo kërkon investim fillestar në shifra të mëdha, pra kërkon ndërhyrjen e shtetit.

Cila do të ishte një fushë tjetër kursimi? Ajo çka shihet qartë nga të gjitha anët në Tiranë sot, janë ndërtimet. Ndërtimet e reja e kanë kusht në leje ndërtimi që godina që do të ndërtohet të ketë klasin B të efiçensës energjitike (në bazë të humbjes së energjisë ndërtesat kategorizohen në 7 klasa A,B,C,D,E,F,G ku klasi A është kategoria maksimale e efiçencës energjitike) dhe kjo është shumë pozitive dhe le të themi që po i jep rezultatet e veta përsa i përket kursimit të energjisë. Në Shqipëri janë rreth 600.000 ndërtesa për qëllime banimi, rreth 350.000 janë ndërtuar nga 1945-1990, ku rreth 70% janë të suvatuara dhe 7-8% janë të termoizoluara. Përgjithësisht klasa e humbjes së energjisë është F dhe G (siç e përmendem me sipër), por një pjesë e vogël e tyre arrin edhe te E dhe D. Siç mund ta shohim është një treg shumë i madh që nuk po trajtohet siç duhet. Ideale do të ishte të krijohej një kompani shtetërore që do ta trajtonte këtë treg me kujdes duke e ndihmuar edhe shtetin edhe qytetarin. Shetin do ta ndihmonte sepse do të ulte shpenzimet e energjisë, ndërsa qytetarit do t’ia ulte faturën e energjisë në fund të muajt. Është treg ku do të mund të investoheshin miliarda euro, por pothuajse e sigurt është që ky investim do të kthehej në një përiudhe dhjetë-pesëmbëdhjetë vjeçare.

Vendi ynë përveç diellit, ka edhe një faktor tjetër që nuk po llogaritet siç duhet për prodhimin e energjisë, ky faktor është era. Greqia, për shembull, po investon shuma të mëdha në parqet energjitike të erës  dhe në vitin 2020 arriti që të prodhojë 18% të energjisë totale që i nevojitet. Kosova me 11 mars të këtij viti përuroi parkun energjitik të erës në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës i cili do të sigurojë 10% të energjisë që i nevojitet për konsum. Edhe Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm përsa i përket kësaj fushe të prodhimit të energjisë. Për shembull, Miloti është zonë që në 12 muajt e vitit ka erë. A mund ta imagjinojmë se sa energji do të mund të prodhohej aty përmes instalimit të mullinjve të erës? 24 turbina ka vendosur Kosova në Mitrovicë  dhe do të prodhojë 10% të energjisë. Si Miloti kemi edhe shumë zona të tjera në vendin tonë, si përshembull Qafa e Buallit në Bulqizë.

Këto janë disa projekte që mund të na kursenin energjinë. Natyrisht këto mënyra kanë edhe të metat e veta sepse duan shërbim. Megjithatë, duke llogaritur që shërbimi duhet t’iu vijë nga njerëzit, të metat e amortizimit të tyre ekuilibrohen me rritjen e punësimit për t’u përkujdesur për to. Pa dyshim që edhe ndërtimi i tyre gjeneron shumë vende pune, por kësaj fushe nuk po i futem. Me investime të ngjashme edhe do të drejtoheshim nga një anë e re e prodhimit të energjisë, edhe do të mund të shpëtonim lumenjtë e fundit të mbetur pa i futur nëpër hidrocentrale, edhe do të ndihmonim veten, edhe (sadopak) botën duke ulur emetimet e dioksidit të karbonit.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje