Shteti kundër protestës dhe një “Jo në emrin tonë” që nuk hesht
31.01.2026 | nyje.al
Protestat kundër vizitës së kryeministrit Edi Rama në Izrael dhe deklaratave të tij publike në mbështetje të politikave shtetërore izraelite ndaj Gazës u shoqëruan me dhunë policore dhe pengesa gjatë mbrëmjes të së martës, 27 janar dhe mesdrekën e ditës së premte. Edhe pse ishte lajmëruar si një tubim qytetar paqësor përpara Kryeministrisë, mbrëmjen e së martës forcat policore nuk lejuan grumbullin e protestuesëve.
Dhunë policore e transkriptuar
E para përballë Kryeministrisë, aktivistja Eriselda Balliu ndonëse e shoqëruar me fëmijët e saj ra pre e dhunës policore. Teksa bisedon me një të ri palestinez, Basel Taha, dhe një të re shqiptare, një efektiv pa uniformë, rrëmbeu prej saj dhe grisi pankartat e përgatitura, e më tej urdhëroi efektivet femra për largimin e protestueses me forcë.
Vazhdo; vazhdo! Hec!
Yeah this is Albania…
Go! Go… se të ndava në dysh!
Ec!
Ndonëse e shoqëruar nga dy fëmijët e saj të mitur dhe e shtyrë për t’u larguar, reagimet e saj sollën agravim të efektivit që urdhëroi shoqërimin e saj.
Po ta them këtë gjë nga një njeri që nuk është anëtar i asnjë partie, asnjë interesi e asgjëje. Ju t’ju vijë turp, për Zotin t’ju vijë turp. Kam marrë rrugën nga Vlora, sepse ma ka ndjerë zemra. Ju t’ju vijë turp, jeni një copë frikacakësh.
Vazhdo!
Për çfarë? Çfarë po bëj unë që të përdorësh ti forcën? Fjalën po përdor.
Hajde, hajde,vazhdo!
Ku tregova unë forcën?
Veprimet e tuaja e tregojnë.
Merre, shoqëroje në komisariat!
Mos e merrni!
Nuk më tremb fare ashtu.
Pse bërtet ti? Pse bërtet?
Merreni! Merre! Merreni shpejt!
Enes Jashari u arrestua për fjalinë “ Mos e merrni! ”. Nuk e njihte Eriseldën, sapo kishte ardhur për të marrë pjesë në protestë dhe u tërhoq zvarrë nga pesë efektivë të policisë pas urdhërit të dhënë nga i pa-uniformi. Po i njëjti iu drejtua edhe reporterit të Nyjes me:
Mos bëj foto e video se do kesh punë me mua!
Jo në emrin tim – thirrje nga lulishtja përballë
Të degdisur në lulishten e Piramidës, protestuesit vazhduan manifestimin. Në kufi të trotuarit kordoni policor, me më shumë numra se grumbulli i protestuesëve. Në kufirin tjetër, aktivistë dhe qytetarë që arritën më vonë. Ndonëse me formacion të çrregullt, Eriselda dhe të tjerë mbajtën fjalën e tyre, pikërisht për të treguar që Edi Rama nuk është Shqipëria përtej urdhërave të tij për të heshtuar çdo zë që tregon të kundërtën.
“Është e turpshme të shikosh se si një individ që e ka kthyer shtetin në pronën e vet, i cili e jep Sazanin si pa të keq, i cili e jep demokracinë si pa të keq, i cili i thërret zionistët në Shqipëri si pa të keq, i cili e tregton Shqipërinë si pa të keq, mbrohet sot nga kriminelë të veshur me uniformë policie. Turp t’iu vijë! Jemi duke protestuar, kemi të drejtën legjitime për të thënë: Jo në emrin tim!”
Thirrja “Jo në emrin tim!” që u lëshua nga aktivistja Sidorela Vatnikaj u përhap në të gjithë protestuesit. Njëjtë edhe thirrja “Turp!”, me të cilën mbylli fjalën e saj organizatorja e gjithëkohshme e protestave pro Palestinë, Fioralba Duma.
“Jemi prindër! Jemi nëna! Kemi dy vite që po shohim gjenocid në ekranet e celularëve tanë! E ju na ndaloni protestat tona paqësore. Protestat në trotuare. Turp!”
Në lot, përpos Fioralbës, ishte edhe i riu nga fshati që dikur njihej si “al-Tantura” ( الطَنْطُورَة)
24 kilometër në jug të Haifas. I njoftuar për protestën në rrjete sociale, Basel pati arritur gjithashtu herët para protestës dhe ishte dëshmitar i arrestimit të Enes Jasharit dhe dhunës policore ndaj Eriselda Balliut. Në përfundim të protestës të së premtes për nyje.al, Basel tregoi:
“Kam qënë në shumë protesta, por ishte hera e parë që shihja forca policore që në mënyrë brutale abuzojnë me fuqinë e tyre. Duke ndaluar njerëzit që të ngrenë zërin. U preka shumë atë natë.”
Basel mbeti i shokuar dje pasi pa njerëzit të shpërndaheshin dhe jo të nisnin marshimin e njoftuar. “ Përse po largohen? Mbaroi?” – pyeti ai aktivisten Fioralba Duma.
Ndalimi i marshimit nuk e zhbën: Rama bashkëfajtor!
Organizatori i protestës së djeshme, Florian Arapi pati njoftuar që Forcat e Rendit nuk kishin lejuar mbajtjen e marshimit pas urdhërit të Ramës. Sipas Arapit, me këtë vendim kryeministri përpiqet të largojë sa më shumë protestat nga zyra e tij që të pretendojë që këto protesta nuk ekzistojnë.
“Ne do të vazhdojmë të protestojmë gjithmonë për Palestinën dhe kryeministri ta ketë të qartë këtë në mendjen e tij. Asnjëherë ne nuk do të thyejmë ligjin, por kërkojmë nga Forcat e Rendit që të zbatojnë ligjin dhe jo të zbatojnë urdhërat e pacipa të një kryeministri i cili i shërben zullumit, gjenocidit dhe padrejtësisë.”
Gjatë protestës, folës të ndryshëm dënuan fjalimin e mbajtur nga kryeministri Rama në parlamentin izraelit, duke e akuzuar atë për bashkëpunim dhe normalizim të një gjenocidi që, sipas tyre, po kryhet prej më shumë se dy vitesh mbi popullin palestinez. Thirrje si “Edi Rama, kriminel” dhe “Turp!” shoqëruan akuzat ndaj kryeministrit si mbështetës i kriminelëve të luftës të kërkuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe si përfaqësues i një politike që vendos interesat mbi jetën njerëzore.
“Përfaqësimi nuk është as pronë private as e Edi Ramës, as e Sali Berishës, as e askujt që përfaqëson sot apo do të përfaqësojë nesër qytetarët e këtij vendi. Përfaqësimi është i popullit shqiptar dhe kushdo që do të përfaqësojë popullin shqiptar, ta mbajë mirë në mend se nuk ka të drejtë që të normalizojë asnjë gjenocid në emër të këtij populli. Sot nuk po kërkojmë luftë, po kërkojmë drejtësi. Sot s’po kërkojmë urrejtje, po kërkojmë dinjitet. Dhe po themi qartë: Jo në emrin tim! Jo në emrin tonë! Jo në emrin e Shqipërisë! Rroftë Gaza dhe Palestina!”
Kjo ishte fjala e një prej folësve në protestë, fjalitë e fundit të së cilës u thërritën njëzëri nga protestuesit që mbanin në duar flamuj të Palestinës dhe pankartat me të njëjtat mesazhe si ato të thirrjeve.
Vizita e Kryeministrit Rama në Izrael është konsideruar gjerësisht nga opinioni publik në Shqipëri si vizita e turpshme. Siç raporton dhe Reporter.al disa analistë e konsiderojnë këtë lëvizje diplomatike si përpjekje e Ramës për të kërkuar legjitimitet politik nga jashtë, teksa nuk i ka punët mirë brenda. Studiues të tjerë nuk kanë hezituar të theksojnë edhe përpjekjen e Ramës për të përfituar ekonomikisht nga gjenocidi ndaj palestinezëve. Siç argumenton gazetari Vincent W.J. van Gerven Oei, Shqipëria zyrtare po e kapitalizon përfitimin simbolik të gjenocidit ndaj hebrenjëve me përfitimin ekonomik nga gjenocidi ndaj palestinezëve. Taktikat diplomatike janë shoqëruar gjithmonë me marrëveshje të reja ekonomike duke përmendur vetëm disa të viteve të fundit: projektet në shëndetësi, siguri kibernetike, marrëveshje për armët, banka e re digjitale (Jet Bank), dhoma e tregtisë në Jeruzalem. Teksa shume prej vendeve në botë po tërheqin marrëveshjet akademike, ekonomike dhe kulturore me shtetin e Izraelit si dënim ndaj akteve gjenocidiale ndaj popullit palestinez, Shqipëria zyrtare veçse po i intensifikon ato.
Taktikat e imta të intimidimit, pengimit dhe kriminalizimit të aktivizmit pro-palestinez në Shqipëri
Edhe pse në përfytyrim të parë, duket sikur protestat në Shqipëri në solidaritet me popullin palestinez dhe kundër akteve gjenocidiale te Izraelit, mund të jenë dukur paqësore, akte të imta represioni dhe kriminalizimi e kanë shoqëruar këtë kauzë që prej fillimit të saj.
Protesta e qeshorit 2024, e një grupi aktivistësh nga kolektivi Palestina e Lirë u rrethua nga dhjetra policë, bashkë me dy furgonë të ndërhyrjes së shpejtë dhe njësisë anti-eksploziv të forcave Renea. Me tone të ngritura dhe shtyerje fizike, protestuesit e asaj dite u zhvendosën në disa pika të detyruar nga ndalimi policor. Në korrik të 2025, policia gardhoi sheshin Skënderbej duke ndaluar qindra qytetarë protestues të marshonin drejt Kryeministrisë. Ngjashëm ndodhi një muaj më pas, më datë 16 gusht 2025, ku protestuesve ju ndalua marshimi i lirë. Kjo protestë ishte ndaluar nga policia të ndodhte 10 ditë më parë, pa u dhënë asnjë lloj arsyetimi të ligjshëm. Edhe pse i njoftuar konform parashikimeve ligjore, tubimi i shtatorit të vitit 2025 u ndalua prerazi nga forcat policore, duke u rreshtuar në krah të Muzeut Kombëtar për të ndaluar marshin drejt rrugës së Kavajës.
Përpos ndalimit të marshimeve dhe tubimeve – shkelje e rëndë kushtetuese nga organet përkatëse – gjatë tre viteve aktivizëm janë denoncuar rregullisht edhe përpjekjet intimiduese apo kriminalizuese ndaj aktivistëve të angazhuar. Ndalimi për të zhvilluar aksione të vogla në qytetin e Vlorës, hackerimet e faqeve dhe gazetarëve raportues (faqja instagram e Nyjes dhe profilet e gazetarëve raportues pranë saj janë hakëruar me justifikimin e mbështetjes së ‘terrorizmit islamik’); te ndërhyrjet për të hequr simbole në mbështetje të Palestinës si në rastin e aksionit të aktivistëve të Vlorës, deri te tentativa për kriminalizim formal të aktivistit Baki Goxhaj nëpërmjet një kallëzimi penal nga Drejtoria e Antiterrorit.
Këto forma represioni, intimidimi e pengimi janë treguese të një pushteti të shqetësuar, të inkriminuar dhe të dobët. Si të tilla, jo vetëm që janë dokumentuar dhe evidentuar, por edhe janë adresuar dhe përballuar me shumë guxim e pa u intimiduar më tej nga aktivistët dhe kolektivet e angazhuara.
Ç’ka treguan dy protestat, ajo e së martës dhe e sotmja, nuk ishte vetëm mbështetja që sa vjen e po bëhet më e gjerë ndër qytetarë për Palestinën, por edhe sjelljen e pushtetit që e trajton shtetin si pronë private dhe protestën si kërcënim për rendin e vet politik. Solidariteti me Gazën është akt rezistence kundër një kryeministri që flet në emër të të gjithëve pa mandat moral dhe i delegjitimuar, si dhe kundër një aparati shtetëror që përgjigjet me ndalim, zhvendosje dhe arrestim sa herë që qytetarët thërrasin “jo në emrin tonë”.



