Që kur zuri fill koha
Nebi Bardhoshi | 06.07.2024 | nyje.al
Prej kohësh ekzistojnë rryma të ndryshme në art, të cilat kërkojnë të nxjerrin në dritë lidhjet e njeriut me natyrën. Në shoqërinë tonë të vogël, të zënë me halle ekzistenciale, moderniste e modernizuese, lëshuar shpeshherë në mohe e kotësime, raporti me natyrën u pa herë si tepri e herë si mungesë.
“Trivet” vjen me një ftesë për të kthyer shikimin estetik dhe etik kah një lidhnie mes njeriut e botës përreth, asaj që rëndom e quajmë natyrë. Këto ditë në Kamzë, në shtëpinë e grupit ATA, qëndron e hapur ekspozita “Që prej motmotit”. Vetë titulli të fton në një kohë të pakohëzuar dhe tërësisht të kohëzuar, apo prej kur nisi kohëzimi. Shfaqet vetë koha mitike, e cila mundet të jetë e shtrirë në fillesa të krijimit të botës a qenies, por kjo kohësi mund të jetë edhe porta e parë që hapet. E, në fakt, porta e shtëpisë, ku është strehuar ekspozita, rri gjysmë e hapur dhe, aty në të kuqe, shpalosur në mur, syri kap titullin e ekspozitës – QË PREJ MOTMOTIT!
Çelja e ekspozitës në Kamzë dhe në shtëpinë e Grupit ATA duket se është e qëllimshme. Vendi i ekspozimit shërben edhe si një mjet në procesin e rikthimit tek njerëzit të mesazhit mitik, tashmë ndërmjetësuar prej pamjeve e trajtave estetike që Motrat Paja [kupto Trivet] kanë vendosur, veç e veç dhe së bashku, të konceptojnë dhe sugjerojnë. Një rikthim dhurate a një rikthim borxhi, pa drojën se si e se kush do ta shohë.
Një fill i kuq të tregon rrugën që duhet ndjekur për të kuptuar e vijëzuar brenda teje ekspozitën. Gradualisht shfaqen imazhet e rikthyera që kërkojnë të rikthehen diku tjetër. S’do mend që termi rikthim kërkon shpjegim. Udhëtimi i autoreve, pra secilës autore veç e veç dhe së bashku, duket se ka qenë njohja me mitin e rrëfimet, dëgjuar nga vetë banorët e, po ashtu, takuar në lexime të ndryshme. Më pas ka ardhur imazhi dhe gjithë procesi krijues. Ndoshta imazhi ka bashkëlindur me fjalën, me rrëfimin. Ndoshta jo. E tash, çdo gjë është rithkthyer para syve të njerëzisë për t’u matur me imagjinatën e kujtdo. Për dikë që ka jetuar në kopshtin humanist pa qenie mistike, apo jeton në një botë në mes teknologjisë e mitit, shumë prej qenieve mitike të propozuara mund të jenë një rrugë për të dëgjuar më shumë për mitin. Dikujt i kthehet imazhi i vet, teksa kthen në mendje rrëfimet, ndoshta të ndrojtura, prindërore a gjyshore. Ndrojtje prej besimeve e miteve, ndrojtje prej nënqeshjes apo përçmimit të dëgjuesit, qoftë ky dhe fëmija yt.
Ndaj, “rikthimi” në hapësirë publike, ndërmjetësuar me procesin estetik dhe shoqëruar me ftesën etike të kujdesit për tjetrin si rrëfimtar dhe tjetrin si qeënie mitike apo e egër dhe mitike, përbën një tjetër mundësi takimi apo ritakimi me zërin prindëror, me heshtjet e kushtuara nga modernitete holokaustike, apo qasje moderniste kotësimi e inferiorizimi të tjetrit, qoftë si traditë, qoftë si e egër. Fundja një mënyrë për të ridëgjuar tjetrin, duke nisur prej shikimit që mundësojnë pamjet në ekspozitë.
Nuselala është një prej figurave kryesore të ekspozitës. Filli i kuq lidhet me një variant të rrëfimeve mitike mbi nuselalën. Nuselala, ose bukla, është një prej kafshëve që ngjall ndroje e respekt. Një raport thurjeje e shthurjeje e raportit me nuselalën, por edhe me veten. Një rrëfim me fëmijën si me shfaq respekt për të egrën, frikën ndaj saj, besimin në forcën e aktit të thurjes si një endje marrëdhëniejeje. Jo rrallë na shfaqet gjarpëri. Pak gjallesa krijojnë aq shumë fobi a krupë se sa zvarranikët. Ndokush mund ta gjurmojë këtë raport si një përplasje miliona vjeçare në mes reptilëve e gjitarëve, dikush si një ndër luftërat më të gjata të njeriut. Sidoqoftë, fusha e mitologjisë shqiptare është plot adhurim e droje të skajshme, fizike e kulturore, prej gjarpërit. Në ekspozitë na shfaqet një raport besëlidhjeje mes njeriut kosar [me plot pushtet në dorë] dhe gjarpërit. Mua më duket se ai kufi që vendos kosa është si një kufi në mes natyrës dhe kulturës.
Kulti i malit, aq dendur ndeshur në kulturën shqiptare, rikthehet në ekspozitë me përfshfaqjen e “rritjes” së malit Rumie, që ndodhet në Malin e Zi. Dikur, që prej motmotit, ka qenë besuar se njeriu shkon në majë të malit e aty takon qiellin, aty takon diellin, aty gjen kufirin në mes dy botëve – tokësores dhe hyjnores. Udhëtari nuk shkon duarbosh drejt majës së malit, as pa qëllim e as pa besim te vetja dhe tek e shenjta. Udhëton me një gur me vete që ia bën dhuratë rritës së malit. Rrita e malit është rritja e shtatit të tokësores drejt së shenjtës. Kufijtë në mes dy botëve ndërthuren, e rrita prej dorës së njeriut përshfaqet qartë në një prej punëve.
Një video shpaloset në mur. Mbi videon ëshë hedhur një perde e bardhë. Më duket si një ftesë me pa me sytë e një vajze, së cilës dikush i ka hedhur një perde syve. Si hedhja e shamisë kur vajzës i tregohet se do shkojë nuse. Ndoshta është lexim i ngutur. Por këtë lexim e përforcon përmbajtja e videos. Në qendër të videos është tregimi i një antropologeje për ritet e martesës në krahinën e Hasit. Antropologia Arlinda Shatri rrëfen praktikën e ngjyrosjes së fytyrës së vajzave që shkojnë nuse dhe jep mendimet e veta mbi domethënien e simbolikave, ngjyrave, historinë e vështirë për t’u vijuar kjo traditë. Një fjali kyçe shfaqet në tregim – kështu na ka metë- ka qenë shprehja e pleqve, teksa shuajnë tregimin se pse na ka metë!
Ekspozita ka dhe plot figura e qenie të tjera mitike dhe nuk është qëllimi që këtu të rrëfehen e as ndërmjetësohen të gjitha. Veçse proceset “rikthyese” të këtyre qënieve, realizuar me anë të artit, janë dëshmi, së paku më duket mua, e një vullneti për të krijuar e ofruar mundësi reflektimi për çka na duhet të kujdesemi. Një ftesë për t’u kujdesur që të rikthehemi apo të zhvillojmë më tej lidhjen tonë me vetveten e të tjerët që rrinë krah nesh, diku me respekt, diku me droje. Fundja një kujdes për rrëfimet e ndrojtura të së shkuarës.
Imazhi në ballinë: Trivet