27.06.2024 | nyje.al
Prej disa ditësh skandali i mjekëve dhe specialistëve të Spitalit Onkologjik ka ngjallur shumë revoltë, indinjatë e shqetësim në opinionin publik. Të akuzuar për shpërdorim detyre, sjellje abuzive, joprofesionale e joligjore dhe në kundërshtim të plotë me parimet e profesionit, mjekët dhe specialistët janë tashmë nën hetim. Qindra qytetarë, aktivistë e gazetarë kanë dënuar ashpër veprimet e tyre përfituese në kurriz të pacientëve me sëmundje terminale. Këtë të enjte, të tubuar përpara Ministrisë së Shëndetësisë njëzëri kanë kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë me dënime me burgim për mjekët e implikuar, sakaq kanë kërkuar edhe mbajtjen e përgjegjësisë politike. Për ta, Ministrja e Shëndetësisë bashkë me të gjithë personelin udhëheqës spitalor duhet të dorëhiqet në mënyrë të menjëhershme.
Në protestën e organizuar pati zëra denoncues nga shoqëria civile, gazetarë, aktivistë e qytetarë të cilët kishin humbur të afërm nga keqmjekimi, të tjerë që kishin qenë dëshmitarë të sjelljeve të stafit drejtues të Spitalit Onkologjiknë QSUT si dhe qytetarë të frikësuar nga ajo çka mund t’u vijë prej shërbimit publik shëndetësor. Ndërkohë që detyra kryesore e një mjeku është të shpëtojë jetë, masivisht dje u raportua se në vendin tonë shumë prej mjekëve abuzojnë në mënyrë çnjerëzore me detyrën. Përgjimet e zbardhura nga komunikimi i specialistëve mjekësorë kanë ngjallë edhe më shumë indinjatë teksa në telefonata private kanë shqiptuar akte korruptive ndaj pacientëve në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ekonomike më qëllim nxjerrjen e përfitimeve shtesë për pushimet e tyre vjetore.
Gazetari Osman Stafa në fjalën e tij në protestën e djeshme sqaroi në emër të shumë shqiptarëve se kjo ngjarje nuk i habit aspak dhe se raste të tilla janë të përsëritura.
“E dyta herë brenda pak muajsh që vijmë për të protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë. Dhe për çfarë? Për ilaçe? Për grupe mjekësh që janë kthyer në grupe kriminale të strukturuara teksa paguhen për t’u kujdesur për shëndetin tonë? Kjo ngjarje nuk ka habitur asnjë shqiptar, pasi të gjithë ata që kanë shkuar në QSUT e dinë se çfarë përjetohet çdo ditë. Ky skandal ka habitur vetëm politikanët dhe të pasurit të cilët marrin avionin dhe ikin jashtë vendit sa herë kanë një sëmundje.”
Më tej ai shton se ajo që ka ndodhur nuk është shpërdorim detyre sic është thënë nga prokuroria, por është një vrasje dhe duhet të hetohen të gjitha institucionet spitalore.
“A nuk është neveri që në Onkologjik mungon jodi radioaktiv dhe të sëmurët me kancer tiroid kanë 6 muaj që nuk mjekohen. Prokuroria ka nisur një hetim me akuzë për shpërdorim detyre, por kjo që ka ndodhur është vrasje. SPAK-u duhet të hetojë pasi çdo repart ka grupe të tilla të cilat i drejtojnë të sëmurët në klinikat dhe farmacitë e tyre për t’i zhvatur.”
Aktivisti i Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi, i revoltuar foli për shkeljet e punonjësve të spitalit, duke kërkuar dorëheqjen e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Kaçiu si dhe iu kërkoi mjekëve që pretendojnë se janë të ndershëm të dalin dhe të reagojnë publikisht.
“Jemi mbledhur këtu sepse rojës së spitalit i jepet çelsi për të vjedhur, infermierit të spitalit i jepet shiringa për ta shitur e jo për të shëruar, drejtorit i jepet spitali sepse është besnik i partisë dhe jo se ka intersin publik të parin, shefit të pavionit i jepet pavioni pët të çuar të sëmurët drejt privatit dhe jo për t’iu shërbyer atyre. Kërkojmë në mënyrë urgjente dorëheqjen e Ministres së Shëndetësisë dhe të të gjithë zinxhirit drejtues të QSUT-s. Nëse mjekët sot ankohen se po i fusim në të njejtin thes, atëherë të dalin dhe të reagojnë.”
Një tjetër zë protestues dhe gazetar i angazhuar, Renaldo Salianji foli për kushtet e mjerueshme në spitalet e Onkologjikut dhe ndau eksperiencën e tij ku tregoi se ai personalisht e ka telefonuar ministren për ta informuar për mungesën e ilaçeve prandaj dhe nuk e koncepton dot deklaratën e saj ku thotë se nuk kishte informacion.
“Pacientët me kancer e marrin serumin e kimioterapisë të ulur në karrige sepse në Onkologjik nuk ka shtretër që i sëmuri ta marri terapinë si qënie njerëzore. […] Në reagimin e saj, Ministrja tha se nuk kishte informacion që këto gjëra ndodhnin në spitalet tona. Mua më është dashur t’i vizitoj shpesh spitalet për shkak të këtyre problemeve dhe e kam marrë personalisht në telefon Ministren duke i thënë se ka mungesë ilaçesh. Por akoma më keq nëse ajo nuk ka informacion me atë çka ndodh në institucionin që ajo drejton.”
“Kam mbesën 25 vjeçe të sëmurë. Jo të gjithë kemi mundësi të ikim jashtë për t’u kuruar por nuk po mundemi të ikim as në spitalet tona se na shohin nga xhepat, kërkojnë lekët. Çfarë do ndodhi me mbesën time? Ku është shëndetësia falas?” – flet mes emocionesh një e moshuar.
Në vazhdën e historive personale, një vajzë protestuese tregon për përjetimin me nënën e saj e cila vuan nga sëmundja e kancerit prej 6 vitesh. Tashmë nëna e saj ndodhej për kurim prej 5 vitesh jashtë Shqipërisë, por ajo nuk i harron vuajtjet e një viti nëpër dyert e spitalit Onkologjik.
“Do doja që në vendin tim sot, të ishte nëna ime e cila prej 6 vitesh vuan nga kanceri. Gjendja e saj në këto spitale jo vetëm që nuk u përmirësua, por u përkeqësua. Këta janë vrasës. Në një vizitë që nëna ime ka bërë në një spital jashtë vendit, i kanë thënë se kimioterapitë që i kanë bërë në Shqipëri, kanë 12 vite që nuk praktikohen në spitalet europiane. Ky është turpi i Ministrisë së Shëndetësisë.”
“Nuk mund të thuhet që janë persona që shpërdorojnë detyrën, por janë njerëz që marrin jetë, që kryejnë një krim kundër njerëzimit dhe prokuroria e Tiranës duhet me patjetër të apelojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duhet patjetër që këta persona të shkojnë pas hekurave.”- tha avokati dhe aktivisti Gentian Sejrani nga organizata Drejtësi Sociale.
Të pranishëm ishin edhe studentë të mjekësisë, për të treguar se e dënojnë aktin dhe duan të tregojnë një model ndryshe dhe kërkojnë ndryshim total të strukturave shëndetësore.
“E frikshme se si sistemi vjedh dhe varfëron xhepat e individëve. Ne sot hasemi me problemin që nuk kemi mjekë apo ato që kemi nuk janë të duhurit. Nuk është hera e parë qe kjo gjë ndodh në spitalet tona dhe asnjë masë. Nuk mjafton as akuza dhe as heqja nga puna e këtyre mjekëve, por duhet një riformim për gjithë sistemin shëndetësor. Ne si mjekë të ardhshëm duam ta ruajmë bluzën e bardhë me dinjitet dhe t’ju shërbejmë njerëzve.”- u shpreh Rei Haluli student i mjeksisë.
Pedagogu Ervin Goci u ndal te fushata e Ministres së Shëndetësisë nëpër spitale duke e cilësuar fyerje ndaj të gjithë të sëmurëve të cilëve iu jepen premtime ironike ndërkohë që ata janë në prag të vdekjes. Ai shprehu angazhim maksimal për ta mbështetur këtë kauzë dhe për të treguar se sistemi shëndetësor në Shqipëri duhet t’ju shërbejë njerëzve.
“Dalin dhe bëjnë fushatë nëpër spitale. Thonë do bëjmë Shqipërinë në 2030. Dhe ua thonë atyre që janë në shtratin e vdekjes e kanë dhe 10 ditë kohë. Jam plotësisht i angazhuar në mbështetje të çdo familjari duke i shkuar kësaj çështjeje deri në fund.”
Për shkak të vëmendjes së madhe që ka marrë çështja e shëndetësisë, të shumtë janë zërat kritikë të cilët kanë rikujtuar se problemi është sistemor. Gazetari Andi Bushati në shkrimin e tij të fundit rikujtoi disa fakte shumë të rëndësishme që dëshmojnë dështimin sistemor edhe në sektorin e shëndetësisë. Ai parashtroi se Shqipëria është renditur në vitin 2020 e fundit në Europë për nga numri i mjekëve për banorë (18.8 mjekë për 10000 banorë); me vdekshmëri foshnjore sa dyfishi i vendeve të rajonit në vitin 2021 (8 bebe në 1000 lindje) dhe numrin më të lartë të vdekjeve në Europë nga Covid në vitin 2020. Sakaq, Reporter.al raporton se sipas studimit të fundit të organizatës “Together for Live” shpenzimet në sektorin e shëndetësisë janë më të ulëtat në Ballkan, teksa shpenzimet për shëndetësinë nga xhepi i qytetarëve renditen më të lartat në rajon.
Sipas të dhënave të Barometrit, në vitin 2021 shëndetësia renditej si problemi i katërt më i madh në vend në perceptimin e qytetarëve. Ndërsa, në sondazhin e realizuar në muajin maj të këtij viti, renditet si problemi i shtatë më i madh. Si rrjedhojë, në përmbyllje të protestës së djeshme, dhe të motivuar edhe prej ngjarjeve të fundit, qytetarët u shprehën njëzëri që do vijojnë të protestojnë nëse qeveria nuk merr masa për ndryshimin e gjendjes në institucionet shëndetësore dhe mangësisë së medikamenteve të nevojshme për kurat e pacientëve. Protesta e radhës pritet të ndodhë përpara spitalit Onkologjik duke e riemëruar si “vendin e krimit”.