Projekti i vitit 2018 ndryshoi, banorët në protestë: Thumanë-Kashar me një dalje është fashizëm

nyje.al | 19.08.2024

“Sot gjoja demokraci. Absurditet! Absurditet! Ky është fashizëm, nazizëm, që se ka parë Shqipëria në jetë të jetëve. Edi Rama, Bashkim Ulaj, e kanë blloku rrugën e gjithë Shqipërisë sot, e ka fut gjithë Shqipërinë në kaos. Haram u qoftë buka që ua ka dhënë kjo tokë. U bëj thirrje dhe shokëve të Policisë. Është e pamundur të hani bukën e turpit, për një rrugë që nuk u del as me mbajt frymën. Dorëzojeni mor atë dreq kapele se nuk ju hy në punë! Rruga do të jetë nesër më shumë për ju se për mu, unë kam hik në botën tjetër, po ju do ta vuni me soj e sorrollup.”  

Kërkesa e Ramiz Pashës, banor protestues, nuk ngjizi tek efektivët e Policisë së Shtetit ditën e premte. Në protestën e gjashtë të banorëve të Thumanës, Krujës e Fushë-Krujës kundër bllokimit të rrugës, policia pati qasjen e njëjtë si në protestat e mëhershme. Forca fizike dhe gazi lotësjellës u përdor ndaj protestuesëve që bllokuan aksin e ri Thumanë-Kashar si shenjë revolte për bllokimin e hyrjes nga aksi i vjetër për në autostradën e njohur si Rruga e Kombit.

Për veri nga rruga e Durrësit dhe aeroporti

Aksi SH1 që nis në Kthesën e Kamzës dhe mbaron në Thumanë si rrugë interurbane lidhte kryeqytetin dhe gjithë jugun me veriun e Shqipërisë. Për Kamzën, Fushë-Krujën, Krujën dhe Thumanën, fundi i kësaj rruge tashme me mbiemrin “e vjetër”, që ka marrë pas zgjatimit të autostradës A1, është kthyer në një rrugë qorre. Ndërtimi i segmentit Thumanë – Kashar ishte një nevojë infrastrukturore me rëndësi të lartë për të lehtësuar trafikun që krijohej pas daljes nga Rruga e Kombit dhe për të shpërndarë lëvizjen e automjeteve. 

Kjo shpërndarje do të kishte ndodhur nëse aksi i ri rrugor do të lidhej me aksin e vjetër në mënyrë që qytetarët të aksesonin vendbanimet urbane në anë të rrugës Kamëz-Thumanë. Por Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me nënshkrimin e kontratës në maj të vitit 2022, dhe me miratimin e kryeministrit Rama, i dha mundësinë konçensionarit GENER 2 sh.p.k të vendosë tarifë në segmentin e ri rrugor dukë i hapur rrugë kështu “rrugës me një dalje”. Me qëllim vjeljen e tarifës, kompania e zotëruar nga Bashkim Ulaj shembi rrethrrotullimin  e Thumanës dhe lidhi Rrugën e Kombit me aksin Tiranë-Durrës vetëm me një mundësi daljeje, atë të aeroportit të Rinasit ku edhe gjenden kabinat e operatorëve për pagesën. 

Po të ishte projekti i vjetër

Aksi Thumanë-Kashar ishte planifikuar që të ndërtohet që në vitin 2018, vit në të cilin tenderin e fitoi po ashtu GENER 2.1 Kjo pasi kompania kishte përparësi në procesin tenderues pasi ishte vetëofruar të projektonte dhe ndërtonte rrugën. Me 13 mars 2018, kryeministri Edi Rama firmoste VKM-në nr 151 për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese me arsyetimin se GENER 2 kishte paraqitur propozim të pakërkuar me rezultatin teknik dhe financiar të investimit. 

Në këtë propozim të kompanisë gjejmë edhe Raportin Teknik të atij procesi tenderues ku parashikohet ndërtimi i aksit rrugor me 5 nyje, ku përpos lidhjes me Tiranë-Durrës dhe daljes së Rinasit, paraqiten edhe dy nyje, ajo e Thumanës dhe e Fushë-Krujës. 

Për nyjen e Thumanës, në Raportin Teknik shkruhet:

Ndërkalimi është i tipit me dy rreth rotullime të distancuara respektivisht 230 m në drejtimin perëndimor dhe 700 m në drejtimin lindor të rrugës. Lidhja me pjesën veriore te rrugës realizohet nëpërmjet rreth rrotullimit lindor në drejtimin e vajtjes dhe me rreth rrotullim perëndimor për kthimin (nga veriu për Thumanë). Lidhja me pjesën jugore të rrugës realizohet nëpërmjet rreth rrotullimit perëndimor për vajtje dhe rreth rrotullimit lindor për kthimin (nga jugu për Thumanë).

Ndërsa për nyjen e parashikuar në vitin 2018 për Fushë Krujën shkruhet në raport:

Ndërkalimi është i tipit me dy rreth rotullime pranë nënkalimit me largësi respektivisht 85 m në drejtimin perëndimor dhe 85 m në drejtimin lindor të rrugës. Lidhja me pjesën veriore të rrugës realizohet nëpërmjet rreth rrotullimit lindor në drejtimin e vajtjes dhe me rreth rrotullimin perëndimor për kthimin (nga veriu për Fushë Krujë). Lidhja me pjesën jugore të rrugës realizohet nëpërmjet rreth rrotullimit perëndimor për vajtje dhe rreth rrotullimit lindor për kthimin (nga jugu për Fushë Krujë). 

Marrëveshja PPP e vitit 2018 nuk çoi në ndërtimin e rrugës pasi në janar të vitit 2019, pas protestave studentore, qeveria Rama vendosi që fondin e këtij investimi ta drejtonte për politikën famoze “Pakti për Universitetin” duke anulluar kështu kontratën konçensionare. 

Ministrja Balluku u shpreh atëmot në një deklaratë për shtyp se “natyrisht ne nuk do të heqim dorë nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, aq më tepër që projekti është gati.” Por në kontratën e vitit 2023, projekti nuk qe i njëjti dhe ndërtimi i aksit rezultoi të mos hapte rrugë për të gjithë qytetarët, madje për disa prej tyre rruga u mbyll. 

Protesta që prej inaugurimit

Banorët e Thumanës, Krujës e Fushë-Krujës që prej hapjes së rrugës së re kanë protestuar herë pas here me kërkesën për t’u dhënë akses në  Rrugën e Kombit dhe për t’i dhënë fund bllokimit. Për të hyrë në segmentin e ri të autostradës ata duhet të udhëtojnë drejt aeroportit të Tiranës në sens të kundërt me destinacionin ose të marrin rrugën urbane përmes Thumanës dhe Fushë Mamurrasit për të hyrë në Rrugën e Kombit. Në shenjë revolte ata kanë bllokuar qarkullimin edhe në aksin e ri. Kjo ka sjellë përplasje me forcat policore, të cilat kanë përdorur edhe gazin lotsjellës për të kryer shpërndarjen e tyre. Në protestën e fundit, atë të së premtes, forcat policore shtynë me forcë qytetarët dhe hodhën gaz lotsjellës mbi turmën e në disa raste edhe fytyrat e protestuesve. Kjo solli gjëndje të rëndë shëndetësore për ta, duke ndikuar edhe në sistemin e frymëmarrjes. 

Efektivët e policisë janë të shumtë, duke tejkaluar numrin e forcave të Komisariateve përqark të cilët janë më të kuptueshëm dhe më pak të dhunshëm me bashkëqytetarët e tyre. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të Repartit Shqiponja, më të shkëputur nga konteksti social dhe komuniteti janë ata që kryesisht shfaqin më shumë përulësi ndaj urdhërave të krerëve të Policisë. Ndër ta, edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku ka bërë të qartë që protestuesit do të përballen me forcën e plotë të Policisë së Shtetit.

Banorët, pavarësisht dhunës dhe presionit u shprehën që deri në momentin që kërkesa e tyre për liri të lëvizjes të plotësohet, ata nuk heqin dorë nga protestat. E radhës do të mbahet ditën e nesërme, më 20 gusht në ora 19:00. 

1. Dokumentet gjenden të publikuara në site-in online OpenCorporates.al

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje