Poezi për Palestinën

"Thuajse Radio"
Poezi për Palestinën
Loading
/

Lufta në Ukrainë duket se do zgjasë duke iu bashkuar kështu të tjera ndërhyrjeve të dhunshme që e pezullojnë paqen në botë dhe e kthejnë dhunën në normalitet. Më 12 maj, kudo u shpërndanë fotot e një funerali e të një vajtimi protestues të sulmuar nga policia izraelite në Jerusalem. Një ditë më parë gazetarja palestinezo-amerikane Sharin Abu Akla ishte vrarë teksa raportonte ndërhyrjet e forcave speciale izraelite në kampin e refugjatëve të Zheninit në West Bank. Kampi i themeluar në 1948 për refugjatët palestinezë të zhvendosur nga rajonet e Haifa dhe Karmel është një territor refugjatësh të përhershëm që periodikisht përjeton operacionet speciale të forcave izraelite. Sharin kishte dalë në terren për të mbuluar ndërhyrjen e radhës, ashtu siç ka bërë prej më shumë se 20 vitesh duke u shndërruar në simbolin e dëshmisë së fatit dhe përndjekjes së palestinezëve në çdo shtëpi arabe. Mahmud Darvish, një tjetër simbol palestinez, simbol i poezisë, kishte refuzuar një periudhë të kthehej në West Bank, duke thënë se do ndihej në ekzil edhe aty. Prej ekzodit dhe shpronësimit, shkuljes nga toka, Darvishi kishte ujdisur poezitë e tij. Përndjekja, izolimi, përjashtimi dhe mohimi i palestinezëve sikur të ishin bimë të egra që të bllokojnë fushën janë tashmë pjesë e pandashme e fatit të tyre. Ndërsa poezitë e tij janë si bima që harliset e shkapërderdhet aty ku nuk e pret, aty ku veç mund t’i ndjekësh e jo t’i pararendësh.

Lini një përgjigje