Plepat e Brukës ende po kërcënohen

26.08.2021| nyje.al 

Aksioni pastrimit ne Plepat e Brukes, Laknas, Qershor 2021 Aksioni i pastrimit te Plepat e Brukes, Laknas, Qershor 2021

Banorët e lagjes së Laknasit “Plepat e Brukës” prej ditës së djeshme janë lajmëruar për rrezikun e ndërhyrjes në pyllin e lagjes së tyre nga firma private “BioProducts” shpk. Ky biznes privat prej vitit 2018 po përpiqet të ndërtojë një thertore të prezantuar si ‘agroturizëm’ në këtë zonë. Ndërsa banorët nga ana tjetër e shohin thertoren si një përvetësim privat i një hapësire publike pyjore të mbjellë e ruajtur prej tyre dhe e cila mbron mjedisin e zonës nga ndotjet e lumit dhe erozioni. Në gjendje alarmi, ata janë mbledhur me njëri-tjetrin dhe kanë dërguar një seri kërkesash pranë bashkisë Kamëz, Komisariatit të Policisë nr. 5 në qytet, Kryetarit të Bashkisë Rakip Sulit dhe 41 këshilltarëve të Këshillit Bashkiak. Institucioneve u është kërkuar të jenë të pranishëm fizikisht dhe të njoftojnë nëse kanë dhënë leje ose janë në dijeni të ndërhyrjes së kompanisë.

Sipas banorëve pritet që në fillim të javës së ardhshme, firma private të fillojë punimet në zonë, kundër çdo lloj parashikimi ligjor, pa pritur ende përfundimin e procesit gjyqësor në shkallë të parë të Gjykatës Administrative të iniciuar nga vetë banorët kundër saj. Ky proces gjyqësor ka filluar prej vitit 2019 dhe seanca e radhës do të jetë këtë shtator. Vendimi i ndërmjetëm për masën e sigurisë i dhënë në shkallën e parë ka siguruar pezullimin e punimeve në Pyll, çka ka lehtësuar shumë pozitën e banorëve. Mirëpo, në dhjetor të vitit 2020 Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar masën e sigurisë duke i hapur rrugën firmës për të nisur ndërtimin. Vlen të vihet në pah fakti se pavarësisht mijërave dosjeve në Gjykatën Administrative të Apelit, çuditërisht firma, përkundër ngarkesës së gjykatës, ia ka dalë brenda pak muajsh të fitojë një vendim në favor të saj.

Për të konfirmuar nëse firma private do të fillojë punimet apo jo, redaksia e Nyjes iu drejtua Komisariatit të Policisë së Kamzës, por ky institucion refuzoi kategorikisht të jepte përgjigje lidhur me këtë proces pa e adresuar çështjen te departamentet përkatëse. Ndërkohë është pyetur edhe Bashkia Kamëz lidhur me këtë proces, por deri në momentin e këtij shkrimi nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Nuk kanë funksionuar as tentativat për të komunikuar drejtpërdrejt me kryetarin e Bashkisë, Rakip Sulin.

Kontrata 20-vjeçare e qerasë mes Bashkisë Kamëz dhe firmës “BioProducts” është lidhur qysh në dhjetor të vitit 2018, kohë gjatë së cilës kryebashkiak i Kamzës ka qenë Xhelal Mziu. Me ardhjen e Rakip Sulit – kryebashkiak i Partisë Socialiste – banorët janë përpjekur disa herë ta takojnë dhe t’i kërkojnë prishjen e kontratës nga ana e Bashkisë, por gjithmonë janë përcjellë me premtime të cilat nuk janë shoqëruar me veprime institucionale. Krahas takimeve që kanë zhvilluar banorët, aktivistët e Grupit ATA kanë propozuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të muajit korrik (2021) që këshilltarët të marrin nismën për të ndryshuar zërin kadastral të Plepave të Brukës, dhe për ta bërë atë nga “zallishte”/”ranishte” në “pyll”. Rakip Suli, së bashku me Kryetarin e Këshillit Bashkiak Z. Ali Dautin kanë shprehuar mosdakordësinë me këtë propozim, me argumentin që nuk dalin dot mbi gjykatën.

Mungesa e vullnetit të tyre për ta shpallur zonën e “Plepave të Brukës” “Pyll” nuk qëndron mbi argumentin e parimit të ndarjes së pushteteve. Këshilli Bashkiak ka në kompetencë të shpallë një zonë të tillë, e cila i plotëson të gjitha kushtet fizike për t’u shpallur dhe mbrojtur si zonë pyjore. Në rastin e një vendimi potencial të gjykatës në favor të firmës private, Bashkia Kamëz mundet të zgjidhë kontratën duke qenë në kushte të reja të cilat duhen rivlerësuar dhe që mbi të gjitha mbrojnë interesin publik të qytetarëve.

Për projektin e thertores janë miratuar Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, Leja e Zhvillimit dhe Leja përkatëse e ndërtimit, akte të cilave aktualisht ju ka përfunduar afati ligjor përkatës. Dyshimi që ngrihet nga banorët është mundësia që lejet janë rinovuar tashmë nga ana e Bashkisë Kamëz. Në shkurt të vitit 2021 banorët e Laknasit kanë marrë shkresën nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) e cila ka saktësuar se në zonën e “Plepave të Brukës” nuk duhet të ketë asnjë ndërhyrje apo prerje drurësh pasi rrezikon seriozisht 200 banorët e zonës nga prurjet e lumit të Tiranës dhe erozioni. Ky institucion parashtron se për ndërtimin e subjektit fitimprurës në fjalë duhet të ketë një studim të detajuar mbi pasojat dhe efektet në mjedis të tij si dhe dakordësimin me banorët e zonës. Banorët presin se IKMT-ja do të mundet të ndërhyjë dhe të ndalojë menjëherë punimet në rast se firma vendos t’i nisë ato.

Të indinjuar nga procesi agonik gjyqësor dhe administrativ, banorët e zonës janë shumë të shqetësuar për rrezikun që po i kanoset pyllit të tyre. Ata janë shprehur se janë duke u organizuar për të mbrojtur pyllin dhe që nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë ndërhyrjen e Bashkisë dhe firmës private, duke u bërë thirrje për mbështetje mbarë komunitetit dhe shoqërisë civile të Kamzës dhe Tiranës.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje