Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara – revolta në Kosovë gjen solidaritet në Shqipëri

nyje.al | 29.10.2026 

Në solidaritet me revoltën kombëtare në Kosovë për mbrojtjen e jetës së grave, Kolektivi Feminist në Shqipëri protestoi ditën e djeshme përpara zyrës së Ambasadës së Kosovës. Vrasja e paralajmëruar e Arlinda Zekajt, së cilës i është dashur të kalojë të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë, ka dëshmuar edhe njëherë dhunën strukturore e fatale që vetë shteti e ka të mbartur në mënyrën e (mos)funksionimit të tij. Trajtimi i vrasjes së grave si urgjencë kombëtare në Kosovë është thirrje e kahmotshme e organizimeve feministe, të cilat nuk kanë rreshtur së kërkuari masa të menjëhershme institucionale, mbrojtje sociale e garanci ligjore, si dhe praktika kujdesi ndaj grave që kanë sinjalizuar dhunë, keqtrajtim, kërcënime jete e tentativa vrasjesh.

 

Kolektivi Feminist në Shqipëri në aksionin përpara Ambasadës së Republikës së Kosovës, Tiranë 28 tetor, 2026, foto nga Antonio Muco 

Aktivistja Jeta Kaçka ka artikuluar dje qëndrimin e Kolektivit Feminist:

“Ne nuk jemi këtu për të mbajtur zi me mirësjelle, jemi këtu me një tërbim që do të tundë themelet e shtetit. Kjo nuk ishte një tragjedi private. Vrasja e Arlindës është një atentat politik me autor një burokraci patriarkale dhe e nënshkruar me gjak. I njëjti aparat që shpërfilli thirrjet e saj është ai që dhunon rininë tonë në Tiranë, helmon studentët me gaz, dhe nxjerr në ankand pasuritë tona të përbashkëta për ofertuesin më të lartë. Për klasën kapitaliste, toka dhe trupat e grave janë e njëjta gjë: territore për t’u pushtuar, shfrytëzuar dhe flakur tej. Ne marrim zjarrin tonë nga gratë revolucionare anë e mbanë botës: nga Kurdistani në Palestinë, Jin, Jiyan, Azadî. Mjaft u lutëm për karrige nëpër tryeza të ndërtuara mbi varret tona, për burokratët, policinë dhe oligarkët. Koha po ju mbaron. Siç na kujton Arundati Roy ‘një botë tjetër është rrugës dhe në një ditë të qetë mund t’ia dëgjosh frymëmarrjen.’ Dëgjoni me kujdes, ajo frymëmarrje jemi ne. Nëse shteti nuk mund t’i mbrojë gratë, atëherë gratë duhet ta shkundin shtetin deri në themel. Jin, Jiyan, Azadî – Grua, Jetë, Liri – Women, Life, Freedom.”

 

Kolektivi Feminist në Shqipëri në aksionin përpara Ambasadës së Republikës së Kosovës, Tiranë 28 tetor, 2026, foto nga Antonio Muco 
Kolektivi Feminist në Shqipëri në aksionin përpara Ambasadës së Republikës së Kosovës, Tiranë 28 tetor, 2026, foto nga Antonio Muco 

 

Ndërkohë, Kolektivi për Mendim e Veprim Feminist në Kosovë thirri protestë kombëtare të qëndrueshme, për të vënë përpara përgjegjësisë të gjitha hallkat institucionale që e mudësuan vrasjen e Arlinda Zekajt. Të lëshuara si ultimatim i popullit, organizatoret e protestës mbarëkombëtare kanë kërkuar shkarkim të krerëve të të gjithë procesit gjyqësor nëpër të cilin ka kaluar Arlinda, dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, veting në sistemin gjyqësor, si dhe marrjen e masave për sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, ligjërimin e vetëmbrojtjes së grave, dhe trajtimi me urgjencë femicidin në Kosovë.

Me mbishkrimin ‘Gjumi s’ka me iu marrë! Flaka ka me iu dalë’ me mijëra kanë marshuar dje në rrugët e Prishtinës. Teksa protestat do të vazhdojnë edhe ditën e sotme, ato janë paralajmëruar që nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave të shtruara.

 

Revolta kombëtare për vrasjen e Arlinda Zekaj, Prishtinë, 28 tetor 2026, fotografi e marrë nga Kolektivi për Mendim e Veprim Feminist
Revolta kombëtare për vrasjen e Arlinda Zekaj, Prishtinë, 28 tetor 2026, fotografi e marrë nga Kolektivi për Mendim e Veprim Feminist
  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje