Për një version të besueshëm të Universitetit

El hombre controlador del universo, Diego Riviera

Pavjo Gjini | nyje.al | 07.02.2019 
Shkrimi i mëposhtëm është folur dhe lexuar në hapësirën e krijuar përgjatë bojkotit nga studentët në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës në datën 29 janar . Titulli është huazuar nga një kritikë letrare mbi poezinë e poetes bashkëkohore Luljeta Lleshanaku, në të cilën shkruhet se “ajo (Lleshanaku) i paraqet lexuesit një version të besueshëm të botës 1” . Në këtë shkrim kam mbledhur një pjesë të kritikave më të forta të bëra ndaj gjendjes aktuale në arsimin e lartë, Ligjit për Arsimin e Lartë dhe masave të deklaruara nga qeveria me emërtimin Pakti për Universitetin. Këto përmbledhje ofrojnë një panoramë të degradimit të arsimit të lartë në një version mashtrues të universitetit. Më tutje, shkrimi hedh dritë mbi horizontet e çelura nga lëvizja studentore e dy muajve të fundit, mbi limitet e formave të deritanishme të veprimit kolektiv universitar dhe mbi horizonte të tjera që do të mund të hapeshin kolektivisht. Përballë versionit aktual mashtrues të universitetit, në përfundim tentohet të ofrohet një version i besueshëm i tij, duke u mbështetur në idenë moderne të këtij institucioni dhe në kritika bashkëkohore ndaj tij.

Sfondi Bashkëkohor
Në protestat studentore të vitit 1968 në Paris ndër parrullat më emblematike të bojkotimeve dhe zaptimeve universitare ishte “bëhu Realist, kërko të pamundurën”. Studentët francezë, por jo vetëm, kërkonin: a) një universitet autonom pa direktiva shtetërore që synonin t’ia nënshtronin universitetin tregut; 2) një universitet të angazhuar politikisht, si përshembull kundër luftës në Vietnam dhe përkrah punëtorëve; dhe 3) një universitet demokratik kundër statusit klasik të profesorit dhe për raporte barazitare mes studentësh dhe profesorësh. Shkurt, Universiteti në vitin 1968 ishte vendi ku studentët kishin luksin të mendonin se komunizmi, si organizimi barazitar dhe demokratik i shoqërisë, ishte i pamundur, por ishte realiste të kërkohej.

Protestat studentore të ‘68-s dështuan dhe kërkesat u shpërfytyruan, duke mundësuar sot universitete me financime të ulëta shtetërore dhe të nënshtruara ndaj tregut, profesorë me përgatitje të nxituar akademike, programe akademike të reduktuara në kurse trajnimi, studentë të liruar nga angazhimet politike dhe me borxhe të mëdha ekonomike. Pas ‘68-s, politika sunduese për universitetin thoshte se universiteti duhej t’ia plotësonte nevojat shoqërisë (nevoja të cilat kuptohen nga kërkesat e tregut), universiteti duhet bazuar në dobi dhe funksionalitet, dhe universiteti duhet të ketë dije të shitshme dhe masive. Statusi i dijes sot është që t’i shërbejë tregut me fuqi punëtore efiçente dhe inovacion teknologjik 2 . Dija është shkëputur nga ndjekja e të vërtetave duke ndjekur pushtetin.

Nga prespektiva e studentit, universiteti është bërë një informim i pafundëm; një tepri informative që pamundëson vendimmarrjen. Studenti, me fjalët e filozofit bashkëkohor Mladen Dolar, pëson si viktimë një diskurs universitar pa autoritet final 3. Studenti pëson një analizë të pafundme të realitetit dhe kështu e përjeton si akoma edhe më të padiskutueshëm autoritetin e progresit, shkencës dhe atë të ekspertit. Informacioni i pafundëm përjetohet si vërshimi i të njëjtës rrjedhë, e cila nuk pranon as ndryshim shtrati, as dalje në breg. Universiteti aktual mban ligjërata për aftësi dhe shkathtësi për të mbajtur kokën mbi rrjedhë, por jo më për ide universale mbi vetë rrjedhën; flet për forcë punëtore dhe jo për individë autonomë që vetëedukohen dhe vetëvendosin. Liria dhe eksperimentimet akademike, siç vërente Loytard, tashmë konsiderohen si tepër të kushtueshme.

Një tjetër filozof bashkëkohor, Robert Pippin, ka vënë në pah se diskutimi i vitit ‘68 mbi universitetin ishte i cekët, duke u fokusuar vetëm në kritikën e autoritetit të profesorit dhe në rëndësinë politike të universitetit. Kështu, kërkesat e studentëve u morën dhe u shpërfytyruan në duart e pushtetit: autonomia u lexua si mungesë financimi; kritika për profesorin u lexua si kurse të përshpejtuara trajnimi; dhe angazhimi politik u lexua si një angazhim politik për shkatërrimin e vetë disiplinave që supozohej se e kishte për detyrë t’i ofronte universiteti. Sot, jemi në kushtet kur kriza është përshkallëzuar, tarifat janë të larta, pagesat janë të vogla për profesorët, ka tepri profesorësh të jashtëm, kërkimi shkencor është nën pronësi (çka nuk imagjinohej më parë) dhe ka një krizë intelektuale në disiplina ku disiplinat klasike nuk preferohen (teoritë postmoderne kanë shkatërruar disiplinën me idenë se disiplina është princip kontrolli sipas Fukosë 4).

Për t’iu kthyer sloganit të‘68-s, si në Shqipëri ashtu edhe në vendet perëndimore deri së fundmi, slogani dominant dukej të ishte “bëhu realist, asgjë s’është e mundur”. Por, falë bojkotit dhe protestave studentore të këtyre dy muajve të fundit u pa që shumë gjëra qenkan të mundshme, si përshembull: bojkoti i përgjithshëm universitar, protesta me pjesëmarrjen e dhjetëra-mijëra studentëve për përmirësimin e arsimit të lartë, organizimi masiv ndëruniversitar pa ndërmjetësimin e partive politike, kërkesa për përgjysmimin e tarifave dhe uljen e tyre drejt zeros, kërkesa për investime në konvikte, rritja e buxhetit për arsimin e lartë në 5% të PBB (nga 3.1% që është tani). Po ashtu, u pa se qenka e mundshme që studentët të mirëartikulojnë kushtet dhe kërkesat e tyre universitare (shumë analistëve nuk ua kishte marrë mendja që studentët flisnin dhe u habitën me artikulimin e tyre). Madje edhe për një prej kërkesave më të forta, atë për rritjen e buxhetit deri në 5% të PBB-së.

Gjendja pas portës së ligjit
Bojkoti dhe protestat studentore të dhjetorit dhe janarit janë problematizimi më i gjerë dhe më intensiv i një fushe të caktuar të jetës në vendin tonë. Shumësia e kërkesave të studentëve shpërfaqin një sistem të arsimit të lartë të bojkotuar prej vitesh nga shteti dhe të nxjerrë jashtë përdorimi nga tregu. Për më tepër, bojkoti dhe protestat tregojnë se studentët nuk shohin asnjë përmirësim universitar pas miratimit të ligjit të vitit 2015 “Për Arsimin e Lartë”. Madje, arsyeja pse rrëzimi i ligjit nuk u artikulua qartë që prej fillimit ndodhi pikërisht për faktin se masa e madhe e studentëve nuk ishte shumë e vetëdijshme sesi lidheshin specifikisht efektet e këtij ligji me përshkallëzimin e problemeve të universitetit.

Ligji “Për Arsimin e Lartë” në dy raportet përgatitore për të nisej me dy presupozime/dogma qendrore: 1) shteti do të ketë gjithnjë e më pak buxhet për arsimin e lartë, dhe 2) në këto kushte e vetmja mënyrë sesi shteti mundet të ndihmojë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë është që për atë gjithnjë e më pak buxhet që do të ketë në dispozicion t’i bëjë universitetet t’i vërsulen si qentë në gara pas kockës. Buxheti i ulët për arsimin e lartë dhe parimi i konkurrencës mes universiteteve sigurisht do të shoqërohej me rritjen e tarifave të studimit për institucionet e arsimit të lartë publik, siç ka ndodhur. Konkurrenca mes institucioneve, profesorëve dhe studentëve dhe mungesa e financimeve publike nuk u shpjeguan kurrë nga qeveria. Këto dy presupozime u morën të mirëqena dhe qeveria tingëllonte tepër dogmatike. Ligji për arsimin e lartë është bërë më shumë për të hequr dorë nga investimet dhe përmirësimi i arsimit publik sesa për të ndërhyrë dhe për ta kontrolluar atë. Si mund të pritet përmirësim i cilësisë kur shtrëngohen investimet?!

Në këto kushte, Avokatja Holta Ymeri në një analizë juridike5 të Paktit për Universitetin dhe të Ligjit për Arsimin ka vënë në pah disa nga problemet kryesore të këtij ligji:
• nuk pritet rritje afatmesme për buxhetin për arsimin deri në 2021 (sipas projektit afatmesëm buxhetor, qeveria ka vendosur respektivisht: 3.1% të PBB-së për 2018; 3.3% për 2019; 3.2% për 2020 dhe 3.0% për 2021);
• tarifat nuk janë përgjysmuar as për ciklin e parë (nëse nuk mbahet mesatarja 6 nga ana e studentit, përgjysmimi bie), ndërsa për ciklin e dytë (master) nuk do të ketë asnjë ulje tarife (rreth 40 milionë euro6 tarifa për çdo cikël të dytë paguhen nga studentët, një shumë gjysmën e së cilës kryeministri është i gatshëm ta japë për 1 kilometër asfalt, por jo për arsimin e lartë publik);
• rritja e buxhetit në 5% të PBB-së, falë ligjit klientelist të 2015-s i cili mundëson konkurrencën për fonde edhe për universitetet private, do t’i hapte rrugë të përfitonin edhe universitetet private prej kësaj rritjeje edhe pse zëri i tyre përgjatë këtyre dy muajve nuk është dëgjuar të protestojë;
• dhe autonomia financiare është inekzistente kur fondet për universitetin janë gjithnjë e më të ulëta, të hapura edhe për universitetet private, të kushtëzuara nga qëllimet e Ministrisë për politikat arsimore dhe të kushtëzuara nga domosdoshmëria për të rritur tarifat në mënyrë që të mbahet shumica e vendimmarrjes në bordet e administrimit përballë përfaqësuesve të ministrisë.
Për këtë ligj, avokatja sheh shumë ngjashmëri mes Shqipërisë dhe Hungarisë në qasjen ndaj arsimit, ku Hungaria tashmë është një ndër vendet me centralizimin më të frikshëm të pushtetit, sidomos në fushën e arsimit.

Ndërkohë, vit pas viti ligji vazhdon të përshkallëzojë të njëjtat probleme të vjetra të universiteteve publike duke i shtuar edhe disa të reja. Profesori i Fakultetit të Shkencave Sociale (UT) Arlind Qori e përmbledh kështu gjendjen e universiteteve publike:
“Si rezultat i garës për mbijetesë, universitetet publike po vrapojnë drejt standardeve më të ulëta për të thithur çfarëdo studenti, pavarësisht rezultateve të tij. Një klient më tepër është një dorë parash më shumë në buxhetin e pamjaftueshëm të universitetit. Kjo vihet re sidomos në nivelin e studimeve master. Këtu tarifat janë jo vetëm disa herë më të larta se ato të nivelit bachelor, por edhe rekrutimi i studentëve bëhet praktikisht pa garë. Në shumë programe masteri, numri i aplikuesve është më i vogël se vendet e lira, duke i shndërruar ato në kopje të privatëve të shëmtuar. Edhe me mesatare 5 në Veterinari mund të hysh në master për filozofi… Si mund të flitet për autonomi universitare kur e vetmja mënyrë për të kontrolluar Bordet e Administrimit është rritja e tarifave?!”7

Rritja e tarifave dhe ulja e numrit të studentëve paraqitet përmes një analize të revitës ekonomike “Monitor”:
“Tarifat e studentëve janë rritur nga viti në vit, sidomos pas 2015-s, të ardhurat nga tarifat që paguajnë ata kanë shënuar rënie që nga viti 2013, kryesisht prej tkurrjes së numrit të studentëve në universitetet publike… Edhe pse tarifat e arsimit të lartë janë rritur me rreth 20% pas vitit 2015… Në vitin 2018 u regjistruan rreth 129 mijë studentë, prej të cilëve 23 mijë janë regjistruar në universitetet private, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT. Në krahasim me një vit më parë, numri i studentëve ra me 7%. Rënia ka qenë më drastike duke iu referuar 4 viteve më parë… Sot në auditorë ulen 44 mijë studentë më pak. Vetëm në universitetet publike numërohen rreth 37 mijë studentë më pak.”8
Për sa i përket sjelljes së drejtuesve të universiteteve publike, organizata Qëndresa Qytetare përmes një raporti të saj mbi shpenzimet e Universiteteve Publike na informon se:
“Tre universitetet publike (Tiranë, Durrës, Elbasan) janë më larg shkencës dhe më pranë luksit të zyrave, pasi nuk kanë shpenzuar asnjë vlerë për nënkategorinë studime dhe kërkime përgjatë 1 viti akademik, por për investime luksi dhe zyrash. … dhe pagesa të larta që universitetet shpenzojnë për sigurimin e ndërtesave. … Ndërkohë që universitetet paguajnë kaq shtrenjtë shërbimin e rojes, studentët vuajnë pasojat e mungesës së shërbimeve minimale si kartonat e diplomave, internetit, ngrohjes dhe ftohjes apo për të mos thënë laboratorëve dhe bibliotekave”.9

Në këtë gjendje që janë, universiteteve shqiptare u vjen era mashtrim, ndjesia sikur po ta fusin. Universiteti duket si një lëvizje bllofi, si një alibi pesë vjeçare, si një pritje e pafundme. Për nga natyra e formimit, ky institucion është bërë dhe trajtohet si shkollë e dobët profesionale. Madje, ka shumë studentë që qahen sepse nuk është mjaftueshëm profesionale. Në vend se të duam të bëhemi inxhinierë, duam të bëhemi teknikë; në vend se të duam të bëhemi individë kritikë autonomë, duam të bëhemi pjesë e administratës publike; në vend se të bëhemi ekonomistë të mirë, duam të bëhemi biznesmenë. Diploma është bërë mall, në vend se të ishte akt honorifik, i ngjashëm me dekoratat e presidentit; domethënë, e parëndësishme. Universiteti është bërë radha pesë vjeçare e qumështit për blerjen e diplomës. Tashmë, dallimi mes Universitetit dhe Shkollës së Mesme është bërë aq i padallueshëm, saqë na duket vetja sikur adoleshenca mbaron në moshën 23-vjeçare. Madje, na duket e përjetshme në momentin kur mendojmë se shumica e punëve në tregun shqiptar janë si ato mallrat me datë të afërt skadence që supermarketet bëjnë sikur po na i falin. Një universitetet i cili trajtohet kaq mekanikisht sigurisht që do të zhgënjejë dhe nuk do të ngadhënjejë.

Ndërkohë, ekziston një sfond ekonomiko-shoqëror shqiptar të cilën studiuesi dhe aktivisti Arbër Zaimi e përmbledh me këto të dhëna:
“Sa i përket varfërisë ekstreme, raportet zyrtare nga entet shtetërore thonë se 13% e banorëve janë të kapluar prej një fatkeqësie të tillë, pra rreth 365.000 persona, nga të cilët mbi 120.000 janë fëmijë. Bëhet fjalë për 82.000 familje që jetojnë me ndihmë sociale, e cila në Shqipëri konsiston në 65 euro në muaj, apo 8.000 lekë, për gjithë familjen… Shqipëria ka po ashtu rrogën minimale më të ulët në Europë, 180 euro, dhe në distancën prej 65 eurove të ndihmës sociale dhe 180 eurove të pagës minimale shtrihet një ekonomi e gjerë të varfërish që punojnë në të zezë. Të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë të fundit në kontinentin europian, përveç Kosovës, e cila ka të ardhura edhe më të ulëta për frymë, dhe papunësia është e lartë, sidomos tek të rinjtë, ku raportohet se është 56%.”10

Në këtë gjendje të rëndë ekonomike, sipas revistës “Monitor” “vetëm 1 për qind nga shtresat e varfëra kanë akses në arsimin e lartë, qoftë publik apo privat. Me këtë përqindje Shqipëria është vendi që jep më pak mundësi për arsimin e të varfërve në raport me rajonin”11 . Prandaj, me këto probleme shqiptare, universitare dhe ligjore na duhet të insistojmë fort te shfuqizimi i Ligjit “Për Arsimin e Lartë”; të insistojmë te dorëheqja e rektorëve të Universiteteve Publike për mosparandalimin e kësaj situate dhe mosmbështetjen e studentëve përballë qeverisë; dhe të kërkojmë përpilimin e një ligji për arsimin e lartë sipas një modeli demokratik bazuar në kërkesat e studentëve.

Angazhimin Politik
Sa i përket efekteve shoqërore të lëvizjes studentore dhe pritshmërive tona shoqërore dhe universitare për këtë lëvizje dhe krahasimit të saj me atë të dhjetorit të vitit 1990, Blendi Kajsiu shkruan:
“Lëvizja studentore mund të ketë sukses pikërisht aty ku dështoi Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990: shpëtimi i universitetit publik. Dhjetoristët rrëzuan komunizmin dhe u futën në politikë, por harruan universitetin publik që degradoi pa ndalim në 28 vitet e fundit. Le të shpresojmë që studentët sot nuk do bëjnë të njëjtin gabim. Ata mund ta shpëtojnë shoqërinë shqiptare vetëm duke shpëtuar universitetin publik. Sepse ky i fundit mund të jetë jo vetëm burim i zhvillimit intelektual, teknologjik dhe social, por edhe i vetmi rezervuar i ndërgjegjes sociale që do të përballet me, dhe protestojë kundër, padrejtësive që në shoqërinë tonë majisen pa u trajtuar deri sa shpërthejnë.”12

Bojkoti i studentëve e ka zgjeruar fushën e veprimtarisë politike, duke i çarë tubat që e kanalizonin të gjithë politikën në kryeministri. Bojkoti dhe grevat e studentëve ia kanë dalë ta rrjedhin politikën nëpër qytet. Falë lëvizjes studentore, politika – presupozimi dhe pretendimi për të drejtën e të gjithëve për të marrë pjesë në rregullimin kolektiv të jetëve tona – është bërë përsëri një version i besueshëm i idesë së saj. Studentët ia kanë dalë ta kthejnë politikën në një veprimtari publike e shoqërore dhe jo më në një pronë private të subjekteve të caktuara partiake. Rregullimi i punëve të përbashkëta deri tani mendoheshin si punët private të disa të privilegjuarve. Ishte e ndaluar deri tani që edhe ne si qytetarë të fusnim hundët në punët tona. Aq thellë ka hyrë ideja e privatizimit në ndërgjegjet tona sa të thuash “jam politik” është si të thuash jam vegël private e një vetrikulisti. Na duhet të përgjigjemi pa u lodhur se këto ndërgjegje janë privatizuar aq shumë sa të bardhën e quajnë të zezë dhe politikën angazhim privat. Politika është hapësira boshe ku të gjithë e kanë të drejtën të pretendojnë të vendosin mbi të përbashkëtën.

Bojkoti përmes zaptimit e bëri universitetin një vend politik. Po të kishte qenë bojkoti pa zaptimin, atëherë vend politik do të kishte ngelur bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kryeministria e të tillë “të dyshuar të zakonshëm”. Por falë zaptimit, universiteti u bë vendi i organizimit për mbrojtjen e universitetit. Në këtë vend të ri politik na duhet të kemi parasysh që ta kapim veten tek riprodhojmë të njëjtat ide jopolitike që mbartim nga jeta jonë; na duhet të rrokim efektet anësore të angazhimit.

Çdo bojkot në formën e grevës dhe zaptimit rrezikon të bazohet dhe të mjaftohet me faktin e thjeshtë të të qëndruarit bashkë. Të qëndruarit bashkë është prirje komunitare, organizim antiorganizativ, me efekte sektare dhe me përfundim statik identitar (ne grevistët e drejtë, ata studentët indiferentë). Ideja këtu është ajo e një komuniteti grupacional paramodern, mbijetesa e të cilit do të mund të sigurohej vetëm përmes një kulture të kodifikuar rigorozisht. Sipas formës më radikale të saj, atë të grevës së urisë, kjo formë organizimi antiorganizative bazohet në presupozimin se unë po e ofroj trupin tim për t’u sakrifikuar dhe deri sa të sakrifikohem vetëm rri e pres. Po u mërzita ndërkohë që pres bojkotin e degradoj në një qendër sociale, luaj letra, dëgjoj muzikë, lexoj ndonjë ligjëratë, por të gjitha këto i bëj nga trashja, jo nga entuziasmi dhe as nga ndonjë strategji për intensifikimin e bojkotit. Një rend i tillë logjik mbahet nën shenjën e sakrificës, të ofruarit e vetes si kurban për unifikimin dhe zgjimin e shoqërisë mbarë. Rrimë duke pritur kryeministrin, presim një reagim nga kryeminsitri që edhe ne pastaj t’i reagojmë atij.

Në këtë pikë është e domosdoshme të shpluhurosim historinë e viteve të fundit të organizimeve civile në Shqipëri. Greva e urisë e ish-të përndjekurve politik në fundvitin e 2012-s është rasti më sublim ku përshkallëzimi shkoi deri në vetëdjegien e dy prej grevistëve dhe vdekjen e njërit prej tyre. Greva kontraktonte dramën më të madhe të Shqipërisë post-diktatoriale ku një grup ish-të përndjekurish ishin të gatshëm të jepnin jetën për të treguar dhe vërtetuar se qeveria e një partie të themeluar mbi vuajtjet dhe aspiratat e tyre i kishte shpërfillur, mashtruar dhe kishte vazhduar persekutimin e tyre politik me mjete të tjera. E gjithë drama u zhvillua në një nga rrugicat përgjatë Rrugës “Komuna e Parisit” dhe u mbyll po aty si tragjedi. Shembulli ishte sublim për të treguar se vetësakrifica nuk mund të themelojë shoqëri në Shqipëri.

Katër vite më vonë, një qëndresë e përditshme për më shumë se 90 ditë u mbajt në pranverën e vitit 2016 për të kundërshtuar betonizimin në masë të parkut të liqenit me alibinë e një këndi lojërash. Këtyre dy grevave dhe qëndresave iu shtohet së fundmi edhe qëndresa një vjeçare në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhe ajo e banorëve të “Astirit” për mbrojtjen e shtëpive të tyre. Tashmë mund të themi pa hezitim se greva është limiti i imagjinatës tonë politike si shoqëri civile. Vetëm një Servantes do të mund të kishte shkruar ashtu siç tha regjisori Robert Budina në Fakultetin e Shkencave Sociale për qëndresën e tij një vjeçare në mbrojtje të Teatrit Kombëtar: “Rri aty për një vit çdo ditë sepse i kam thënë vetes se do t’i rikthej vendit tim 28 vite joangazhimi.”

Një imagjinatë e re politike është e domosdoshme për ta zgjeruar horizontin e veprimeve kolektive. Në këtë pikë është qendrore t’ia themi vetes se format e organizimit janë forma besimi. Besimi është vazhdimi i të njëjtit organizim me mjete të tjera. Kështu vijmë tek pyetja kaq e ndjeshme se a besojmë se do të dalim të fituar nga kjo sekuencë politike duke u mjaftuar me faktin e bojkotit dhe grevës? Ekziston një besim i madh te bojkoti, deri në pikën sa e kemi fetishizuar si mjet duke e trajtuar si qëllim në vetvete. Pjesërisht, duket sikur i jemi falur bojkotit në atë pikë sa jemi mjaftuar duke i ngritur trupat tanë barrikadë. Madje, për shumë studentë bojkoti është lexuar pikërisht si kërkesë për mungesën e tyre. Bojkoti do të duhej të ishte njëri prej mjeteve, jo vetë qëllimi, dhe si çdo mjet do të duhej instrumentalizuar për organizime të mëtejshme. Një bojkot pa organizim të mëtejshëm është alibia se sistemi ndryshon pa patur nevojë për angazhimin tonë të mëtejshëm. Bojkoti nuk është zot.

Një bojkot pa përcaktime gjuhësore, pa ligjërata, pa qëndrime, pa komunikata të vazhdueshme është një bojkot fobik, tërë kohën nën shantazhin e idesë së instrumentalizimeve politike. U frikësohemi tepër instrumentalizimeve që mund të na bëjnë të tjerët kur nis të na duket vetja gjithnjë e më objekt dhe gjithnjë e më pak subjekt. Bojkoti sedentar e ka këtë prirje. S’ka lidhje shoqërore pa lëvizje gjuhësore dhe pa përcaktime gjuhësore, përndryshe lidhjet i ka bërë dikush tjetër që ne nuk e njohim. Prandaj, me rrezikun e të tingëlluarit qesharak le të themi se na duhet të krijojmë narrativa të vogla krijuese, kolektive dhe fituese do të thoshte Lyotard-i. Nuk na duhen konsensuse dhe pakte të mëdha. Na duhet të angazhojmë imagjinatën për të fokusuar kërkimin, për të kontraktuar informacionet dhe për të kompozuar të dhënat në dispozicion.

Protestat ia dolën në më të vështirën e tyre, me prodhu slogane. Përgjithësisht, çdo politikë ka analiza që i tregojnë se pse duhet ndryshuar situata, por problemi është se i mungojnë sloganet për të apeluar masat. Masat nuk mobilizohen pa slogane. Protestat prodhuan një shumësi sloganesh. Bojkotit i mbetet të përsërisë sloganet dhe t’i shtojë analizat përkatëse çdo slogani; analiza që tregojnë pse këto slogane janë të domosdoshme. Po ashtu, duhet një përpjekje sizifiane për takime dhe organizime ndër fakultete dhe ndëruniversitete; takime në mos të mëdha, të vogla. Nevojitet krijimi i grupeve të vogla të punës kërkimore ndër studentë, tryeza/fletushka/artikuj informues dhe ftesa për qytetarët, aksione në universitete dhe aksione në qytet, përballje e vazhdueshme e drejtuesve të universiteteve. Dy janë shenjat që kjo lëvizje studentore është një ngjarje: 1) nëse ka mbetje organizative (organizata, organizime, grupe) pasi të mbyllet bojkoti; dhe 2) nëse nuk jemi më të njëjtit pas kësaj ngjarjeje (përndryshe kjo ngjarje kaq masive nuk paska qenë e madhe mjaftueshëm për të prekur Egon tonë kozmike).
Unë e mendoj fitoren e kësaj sekuence politike kështu: me një frymë dhe një organizim ndëruniversitar fitorja do të vijë si një punë milingonash për një arsim publik pa tarifa dhe për një rikthim të idesë së vjetër të universitetit në forma të reja; e gjitha kjo ndërkohë që bojkoti vazhdon. E thënë me një alegori rigoroze, një punë milingonash që s’ka të ndalur, deri sa një ditë prej ditësh marrim vesh se ligji na qenka shfuqizuar dje. Pra, shfuqizimi i ligjit bëhet shenja e djeshme e progresit për një universitet publik falas dhe me parime universale. E thënë me shkronjat e mëdha të Biblës mbi ardhjen e dytë të Krishtit: ‘Mbretëria e zotit (universitetit) do të vijë si hajduti natën’. Kështu besoj unë!

Ideja e Universitetit
Duhet qëndrueshmëri me e detyru qeverinë me ndryshu mendje; duhet edhe më tepër organizim me e ndryshu qeverinë; por më e rëndësishmja është se duhet guxim dhe entuziasëm me ndryshu veten. Në fund të fundit, thënë me filozofen dhe aktivisten Gayatri Spivak, i gjithë qëllimi i universitetit është ndryshimi dhe riorganizimi i dëshirave studentore. Dëshirat riorganizohen dhe ndryshohen si fillim me shtrimin e pyetjeve. Na duhet ta mbajmë të hapur dhe ta shtrojmë kudo ku jemi pyetjen se çfarë është Universiteti? Pse njerëzimi ka krijuar një institucion të tillë?

Pikërisht pyetësimi është edhe pika që e bashkon Universitetin me Politiken. Diçka të tillë e nxorri në pah edhe profesori i filozofisë Alment Muho në ligjëratën e tij të mbajtur në këtë bojkot. Pyetjet e çajnë gjënë dhe shpallin një temë të re. Pyetja është vënia në dyshim e një sistemi dhe nisja e një linje të re kërkimore. Imagjinata është çarja e gjërave fillimisht përmes pyetjeve. Pyetjet hapin vrima, prej nga mund të futet drita, do të mund të thoshim me fjalët e poetit dhe muzikantit Leonard Cohen. Pyetjet hapin mundësinë e përcaktimit të një ideje të re. Përcaktimi e bën të lindë një ide; pa përcaktim mbetemi në idenë e vjetër të gjësë ku po veprojmë.

Pra, momenti politik i universitetit është shtrimi i kësaj pyetjeje se çfarë është një universitet? Prej disa vitesh dhe në vende të ndryshme është shtruar kjo pyetje themelore ndër shqiptarë 13. Bazuar edhe në përgjigjet që janë dhënë nëpër këto vende, përgjigja është e tillë: Universiteti është vendi i dëshirës për dije universale. Universiteti është vendi ku vihemi në shërbim, i nënshtrohemi dhe përndjekim të vërtetat e njerëzimit dhe të botës. Universiteti është vendi ku bota reflektohet intensivisht, garancia absolute se ekziston një botë e përbashkët. Universiteti është tentativa e organizimit të Botës mbi bazën e Ideve, pra një idealizëm politik. Universiteti është ndarja e punës brenda filozofisë dhe copëtimi i saj i vazhdueshëm. Universiteti është angazhimi politik i filozofisë 14. Universiteti është vendi ku kërkohet dija dhe të vërtetat për hir të vetvetes, me presupozimin se përdorimet e tyre të mëtutjeshme shoqërore do të na e lehtësojnë jetën dhe do ta ndryshojnë botën. Universiteti është vendi prej nga copë themi Teoria është e vetmja shpresë e praktikës, se Teoria pa praktikë është impotente, por praktika pa teori është e verbër.

Ideja e universitetit modern është e kristalizuar më së shumti në fillim të shek.XIX nga filozofi dhe funksionari gjerman William Von Humboldt. Sipas Humboldt-it universiteti është bashkimi i kërkimit shkencor me mësimdhënien; marrëdhënie e ngushtë student-profesor; liri në mësimdhënie dhe vetëqeverisje akademike e institucioneve. Produktet e kërkimit nga profesorët duhen ndarë dhe testuar nga mendjet e reja studentore që mësojnë dhe mësimi nuk duhet drejtuar nga influenca të jashtme ekonomike dhe shtetërore. Universiteti është vendi ku pritet që studentët të vetëtransformohen me ndihmën ideve. Me fjalët e filozofit Robert Pippin, universiteti modern kërkimor është: 1) tentativa organizative e dijes për të shpjeguar se ç’janë gjërat dhe se pse sillen ashtu; 2) shpjegimi i sjelljes së njeriut si individ dhe në grup; 3) shpjegimi i kuptimësisë së gjërave (vlerat, shenjat). Pra, sfondi filozofik i kësaj ideje të universitetit janë tre kritikat e filozofit Emanuel Kant. Universiteti është bërë nën imazhin e kritikës së arsyes së kulluar, praktike dhe të gjykimit të Kantit 15.

Nga brenda ky institucion mbahet te presupozimi i universalëve, ekzistenca e ligjësive të përgjithshme, të cilat duhen zbuluar, që jeta jonë në kozmos të jetë e vërtetë dhe më e lehtë. Ndaj ankthit të përballjes me të panjohurat e botës dhe të vetes, universiteti është ideja se Bota dhe vetja mund të njihen, se nuk kemi pse ngelim përjetësisht të huaj për njëri-tjetrin. Njohja mundësohet përmes inovacioneve në koncepte. Universiteti është takimi i mrekullueshëm me konceptet. Nëse nuk jemi mrekulluar akoma me konceptet e së Pavetëdijshmes së Frojdit, Kritikës së Kantit, Klasës së Marksit, Leviathanit të Hobbsit, Shpirtit të Hegelit, Idesë së Platonit e kështu me radhë, atëherë akoma nuk e dimë se çfarë është universiteti. Ne mund të duam ta përdorim privatisht universitetin për të gjetur punë dhe për të ndjekur dëshirat tona private, por vetë universiteti ama mbahet nga përdorimi publik i arsyes, e thënë me fjalët e Kantit. Prandaj, duke ndjekur përdorimin publik të arsyes, me guximin për ta riorganizuar dëshirën tonë do të mund të vazhdojmë duke pohuar: s’dua të mësoj më kurrikula udhëzuese, dua të studioj, të ndjek njerëzimin dhe shtysat e tij në terrin e botës.


1.RTSH – Radio Televizioni Shqiptar. (30 dhjetor 2018). Artes nga Elsa Demo – Vendi i artistëve pa zë. (https://www.youtube.com/watch?v=mMsOXR47veY).
2.Kjo diagnozë është e ofruar më gjerësisht nga Jean-François Lyotard në veprën “Kushti Postmodern”, përkthyer nga Orgest Azizi, “Pika Pa Sipërfaqe”, Tiranë, viti 2017.
3.Jeffery, Ben. “The Sting of Knowledge”. The Point Magazine. (https://thepointmag.com/2018/dialogue/the-sting-of-knowledge).
4.Emory University. (8 nëntor 2013). “Transdisciplinarity, Interdisciplinarity, Reductive Disciplinarity, and Deep Disciplinarity”. (https://www.youtube.com/watch?v=X31J9gm1KXM).
5.Perifrazim i punimit. Ymeri, Holta. “Pakti për Universitetin dhe Ligji për Arsimin e Lartë”. Revista Juridike numër 7. (01/10/2019)
6.Bazuar në përllogaritjen e 33. 870 studentëve të pranuar për ciklin e dytë në vitin 2018 nga universitetet publike sipas tarifës mesatare vendosur me përafërsi nga autori prej 1.200 euro.
7.Qori, Arlind. “Pse duhet rrëzuar ligji i arsimit të lartë”. Lapsi.al. (14/12/2018). (https://lapsi.al/2018/12/14/pse-duhet-rrezuar-ligji-i-arsimit-te-larte/).
8.Revista “Monitor”. “Ngërçi i Arsimit të Lartë, si po bien të ardhurat nga tarifat nga rënia e numrit të studentëve”. (11/12/2018). (http://www.monitor.al/ngerci-i-arsimit-te-larte-si-po-bien-te-ardhurat-nga-tarifat-nga-renia-e-numrit-te-studenteve/).
9.Qëndresa Qytetare. “Raport (draft) Autonomia dhe Menaxhimi Financiar i Universiteteve Publike në Shqipëri”. (23 Prill 2018). (http://qendresaqytetare.al/wp-content/uploads/2018/06/raporti-final-2018-fes-e-diele-i-redaktuar.pdf). Faqja 4.
10.Zaimi, Arbër. “Mbi protestat e studentëve në Shqipëri”. (15 dhjetor 2018). (http://tezateza.com/hipoteza/89702/mbi-protestat-e-studenteve-ne-shqiperi/).
11.Revista “Monitor”. “Raporti i pabarazisë; Arsimi i lartë në Shqipëri vetëm për “të pasurit”, më e përkeqësuara në rajon”. (22 maj 2018). (http://www.monitor.al/raporti-pabarazise-arsimi-larte-ne-shqiperi-vetem-per-te-pasurit-e-perkeqesuara-ne-rajon/).
12.Kajsiu, Blendi. “Pse nuk është Lëvizja e Dhjetorit”. (12 dhjetor 2018). Gazeta Panorama. (http://www.panorama.com.al/pse-nuk-eshte-levizja-e-dhjetorit/)
13.Këtu kam në mendje tribunën e Orgest Azizit mbi Idenë e Universitetit në Bibliotekën e Prishtinës (19/1/11) dhe tryezat mbi Idenë e Universitetit në pranverën e 2014 (https://www.youtube.com/watch?v=MafFbuNQlk0).
14.Orgest Azizi e trajton këtë tezë në tribunën e sipërcituar.
15.Emory University. (8 nëntor 2013). “Transdisciplinarity, Interdisciplinarity, Reductive Disciplinarity, and Deep Disciplinarity”. (https://www.youtube.com/watch?v=X31J9gm1KXM).

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje