20/12/2017 | Nyje.al
“Parja nuk vjen prej oxhaku,” thoshin gjyshërit tanë. Ja që del se arti më i bukur është atëherë kur krijohet në mënyrë të pavetëdijshme. Në këtë proverb, oxhaku mbart simbolin e uljes këmbëkryq, e mandej fill dembelezmin e thekur. “Rrësku kërkohet,” domethënë kërkohet fati. Plot e plot proverba ka nxjerrë ky popull, por secila në kohën e vet dhe që, parë në disa këndvështrime, hanë bukë akoma.
E tash, popullit tonë, i duhet të nxjerrë urgjentisht proverba të kohës tonë, se sipas vendit bëhet kuvendi. Një proverb ose një shprehje të urtë popullore, duke qenë se faktikisht edhe unë jam pjesë e popullit, ia sugjeroj atij, që t’ia thojë vetes, për veten.
E para “Dita e mirë duket në skedinën e parë.” Ja, për shembull, në lagjet tona ka plot e plot kafe-lloto dhe një pjesë e mirë e meshkujve (pa kufij moshe) e nisin dhe e sosin ditën në skedina dhe, po kapën skedinën e parë në mëngjes, kapin gjatë ditës, anipse mund të ndodhë njëherë në vit ose në jetë. Prandaj ky popull duhet ta marrë këtë shprehje të urtë dhe t’ia kumtojë vetes ditë pas dite.
E dyta që unë do sugjeroja, “Leku nuk vjen prej oxhaku, por prej tavoline.” Duke parë që disa shprehen se po na mbyt papunësia dhe nga krahu tjetër nuk iu ndahen llotove, dal në përfundimin se një pjesë e mirë e kanë gjetë mënyrën e jetesës: Puno Deda e vër baste Luca. Por, problemi më i madh qëndron në faktin se Lucat po shtohen e Dedët po teren.
E treta “Rrësku kërkohet, vetëm kur 3+ rrezikohet.” Kështu, disa prej meshkujve tanë, burra me zakone e namuze, kanë mësuar tashti vonë veprime matematike, jo vetëm mbledhje-zbritje dhe shumëzim-pjestim, por madje edhe probablitetin dhe analizë të dhënash tabelare, formula statistikore, vetëm e vetëm për të rrezikuar në skedinë. Domethënë, nëse s’di matematikë dhe nëse nuk ke guxim, fillo e puno.
Ja, dje e pashë një burrë mbi të pesëdhjetat, me flokë disi të thinjura, obez.
–”Veje Milanin x-2, dhe mu m’sill i kriko t’vogël, – thirri nga fundi i lokalit akoma pa u ulur.”
U çova dhe pas disa orësh m’u desh të kaloja buzë lokalit ku piva kafen në mëngjes, ndërsa ai, ishte në po të njëjtin lokal, në po të njëtën karrige, veçse diç më i nxirë në fytyrë.