Selma Daku | 18.12.2024 | nyje.al
Një muaj pas humbjes tragjike të 14-vjeçarit Martin Canit, prindërit, nxënësit dhe aktivistët dolën përsëri në protestë për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për ngjarjen. Kjo ngjarje ka nxjerrë në pah edhe më shumë problemet dhe krizat në të cilat po kalojnë institucionet arsimore. Kjo protestë, e cila si zakonisht nisi me marshimin nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit, erdhi si një reagim nga qytetarët të cilët përveç drejtësisë për Martinin, ndajnë dhe shqetësimin për sigurinë e fëmijëve në ambjentet e shkollave dhe nevojën për masa më të forta për mbrojtjen e tyre.
Edhe pse ka kaluar kaq kohë nga rasti dhe që nga fillimi i protestave është kërkuar vazhdimisht dorëheqja, ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet. Përkundër asaj që ka ndodhur, ministrja e arsimit, Ogerta Manastirliu është shprehur se për ngjarjen në fjalë janë marrë të gjitha masat për zbardhjen e saj si dhe po bëhet çdo gjë për të shmangur ngjarje të tilla nëpërmjet ngritjes së grupeve të punës për monitorimin e zbatimit të protokolleve në shkolla.
Gjatë protestës, të pranishëm ishin dhe prindërit e Martinit, Angel dhe Florina Cani të cilët, në dhimbje dhe zi, kërkuan drejtësi për djalin e tyre, dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga ana e drejtoreshës së shkollës “Fan Noli” dhe ministres së Arsimit. Nëna e Martinit pohoi se mungesa e drejtësisë po i vret çdo ditë e më shumë.
“ Jepni dorëheqjen sepse nuk e meritoni. Lëreni karrigen sepse nuk vlen më shumë se gjaku i një fëmije. […] Dua që edhe ju me çdo kush t’i mbroni fëmijët tuaj. Mos lejoni askënd që ta pësojë si Martini, sepse jemi të pambrojtur, në çdo cep të Shqipërisë. […] Ku do ta gjej unë drejtësinë këtu? Pse nuk dalin, pse nuk thonë një fjalë, as edhe një fjalë nuk na thanë. Ka 30 ditë që qaj, rënkoj, kërkoj, por jo, nuk ka. Nuk di çfarë të bëj. Vetëm dorëheqje kërkoj, të na qetësohet pak shpirti sepse nuk po gjejmë qetësi. Po na vrasin përditë e më shumë.”
Ndërkohë, gazetarja Ermelinda Hoxhaj, e cila ka marrë pjesë që nga fillimi në organizimin e protestave për Martinin, e konsideroi shkollën bashkëfajtore në ngjarje pasi nuk ka njoftuar prindërit dhe nuk ka marrë masa të cilat mund të kishin çuar në parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit që çoi në humbjen jete.
“Ne kërkojmë drejtësi për Martinin. Kërkojmë të dimë se përse nuk është zbatuar protokolli që e kanë të gjitha shkollat. Ka udhëzim që, në momentin që ndodh një konflikt në shkollë, duhet të lajmërohen prindërit. Ja ku po e thonë prindërit që nuk kanë marrë asnjë njoftim. A mban përgjegjësi dikush për këtë tragjedi?”
Duke iu referuar takimeve të shumta të qeverisë nëpër shkollat e qyteteve të ndryshme, aktivisti i Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi tha se kjo fushatë dhe veprimet e fundit të qeverisë për përmirësimin e institucioneve shkollore ka ardhur si pasojë e reagimit qytetar. Sipas tij, para reagimit masiv të qytetarëve për ngjarjen e Martinit, qeveria nuk ka pasur plane për ndyshime në reformat arsimore.
“Në këto 4 javë, për shkak të solidaritetit dhe të reagimit të qytetarëve, kanë filluar zyrtarët të mendojnë për sigurinë në shkolla, të takojnë 20 mijë prindër, të vendosin 100 oficerë sigurie më shumë. Pse? Sepse nuk patën asnjëherë dëshirë dhe mundësi që ta bënin këtë përpara se të merrej një jetë fëmije.”
Ndriçim Mehmeti, ekspert për arsimin, tha se arsimi duhet të kthehet në një debat kombëtar në mënyrë që siguria të jetë në vend të parë dhe figura e mësuesit të marrë rëndësinë e duhur. Orari i shkollës deri në 16:00 i kërkuar nga grupimi “Prindërit për arsim cilësor” sipas tij duhet të jetë një vend më shumë sesa thjesht qëndrimi, por t’iu ofrojë fëmijëve edukimin dhe arsimin e duhur.
“Duhet të hapim një debat kombëtar për arsimin, për ta riformatuar nga e para, për të vënë oficerë sigurie që janë të trajnuar, për ta kthyer mësuesin jo në shkresaxhi, por në figurën kryesore, për ta bërë shkollën 08:00 deri në 16:00, jo për t’u ushqyer siç thotë kryetari i bashkisë, por për t’i ushqyer fëmijët shpirtërisht.”
Gjatë këtij muaji janë denoncuar disa raste të tjera të dhunës në shkolla dhe teksa këto raste sa vijnë e rriten, apo shoqërohen me pasoja të rënda e tragjike, prindërit janë të vendosur që të vazhdojnë të kërkojnë ndryshim rrënjësor të qasjes së institucioneve të sigurisë, për të shmangur përfshirjen e fëmijëve të tyre në konflikte.
Prindërit e Martin Canit shprehën mirënjohje për të gjithë ata që kanë protestuar për Martinin. Gjithashtu ata kanë kërkuar drejtësi edhe për Luis Meçen, shokun e Martinit i cili mbeti i plagosur gjatë ngjarjes. Të dy theksuan se kërkesa për drejtësi nuk qëndron vetëm te përfundimi i një procesi ligjor, por për një ndryshim të vërtetë në mënyrën se si trajtohen dhe mbrohen fëmijët në shkolla.
Imazhet: Ronald Qema