Mësues Deda

06.02.2019 | nyje.al

Mësues Dedën e takojmë në mëngjes herët para se t’i fillojë mësimi. Ai jep prej shumë vitesh lëndën e letërsisë për gjimnazistët e shkollës “Elez Isuf Ndreu” në Bathore. Mes angazhimeve si mësues, si kryefamiljar, e me detyrimet e të drejtës zakonore e të traditës mbi shpinë, ia del të shkëputet për pak nga punët e tij të përditshme.

Dedë Qokaj ka lindur në Curraj të Epërm, Nikaj-Mërtur,  në Tropojë. Ardhja e tij në Kamëz, i përngjason shumë historive të migrimit në vitet ’90 të cilat sintetizohen në një fjali: “Një largim i përmallshëm dhe plot sakrifica, për një jetë më të mirë, për më shumë kulkturë e civilizim, sidomos për fëmijët”.

Është rikthyer në fshatin e tij pas 22 vitesh, e pavarësisht një shkëputjeje kaq të gjatë, me vendlindjen e mbajnë ende të lidhur shumë kujtime. “Atje dhe në atë kohë, po flasim gjatë komunizmit, kanë qenë të gjithë njëlloj, se edhe ata që kanë qënë komunista kanë pasë veç një vorbë me groshë më shumë. Të gjithë jetonim në varfëri ekstreme. Njëherë më tregonte një punëtor kooperative: “Partia na thoshte punoni mirë dhe me cilësi! Po si të gjeja forcat për me punue kur nuk kisha as bukë thatë te shtëpia?!” Pra dikur lumturia përkufizohej më thjesht: me pasë bukë misri thatë, nuk pretendonim me e njomë me asgja. Vetëm kush e ka jetue, se kurrkush tjetër nuk ia din të këqijat, por tash edhe ata që i kanë përjetue i kanë harrue se kanë ra në bukë gruni.”

Siç na rrëfen ky mësues, që duket shumë i përkushtuar ndaj profesionit, në vitin 1980 përfundoi gjimnazin në qytetin Bajram Curri. Pas një viti stazh 1979-1980, edhe pse me një njollë biografie jo të mirë nga babai, falë rezultateve të larta, arrin të kapërcejë pragun delikat të politikës dhe ti jepet mundësia të vazhdojë studimet për gjuhë – letërsi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Me fare pak të ardhura, me një veshje tejet modeste, me pak ditë pune në zonën kufitare të Valbonës dhe një xhup të dhuruar nga i vëllai 17 vjeçar, më 1 shtator 1980, Dedë Qokaj fillon Odisenë e studimeve universitare.

“Në degën e letërsisë kemi qenë gjithsej 22 studentë. Kisha kohë pafund për të lexuar pasi ishim pa kokërr leku në xhep, ndaj e vetmja gja që na mbetej të banim ishte frekuentimi i bibliotekës “Marin Barleti”. Ajo bibliotekë ka qenë shumë e pasur me literaturë, sidomos salla shkencore e cila kishte revista ndërkombëtare. Nëpërmjet leximeve letrare arrita ta zotëroj gjuhën ruse. Mbaj mend romanin “Nëna” të Maksim Gorkit të cilin e kam pasë lexue me fjalor, pasi një emër luleje nëse e ngatërroja e humbja fillin e rrëfimit. Përgjatë orëve të seminareve përpiqesha të mos bëja asnjë “gabim politik” dhe tregohesha i kujdesshëm përgjatë interpretimit të teksteve letrare i duke mos lëshuar nota kritike ndaj sistemit.”

Më pas, mësues Deda vazhdoi studimet për Master të Nivelit të Dytë në Gjuhësi e më vonë për doktoraturë me tezën “Hulumtime etnolinguistike për të folmen e Nikaj-Mërturit”. “Unë e quaj veten një student të përjetshëm”, – thotë mësuesi ynë. Ai nuk ndalet. Mbaron studimet edhe për jurisprudencë, Master Shkencor në të Drejtën Civile dhe që më 2013 mban titullin “Avokat”.

Përgjatë bisedës sonë ky mësues letërsie në një shkollë në skaje të një qyteti periferik lëshon nota rebelimi ndaj sistemit arsimor të tanishëm. Tek bën një krahasim mes kohës së komunizmit dhe punës së tij aktuale, komenton se të paktën dikur kur të vinin për kontroll ishe më i qetë sesa sot. Sot në punën e një arsimtari ka vetëm burokraci letrash dhe të vijnë për kontroll profesionistë a ekspertë analfabetë. Ai pohon që një rradhë e gjatë mësuesish janë të pakënaqur dhe të pamotivuar. Puna e tyre nuk vlerësohet as ekonomikisht dhe as moralisht. “Tash pesë vite që asht rrit rroga me 25 mijë lekë të vjetra. Dhe ne, në vend që të reagojmë shohim “nga ai lart” dhe i thurim elozhe. Në asnjë vend demokratik nuk ndodh që shteti të përbuzë njerëzit e vet, dhe sidomos ata që kanë arritur nëpërmjet punës, studimeve dhe intelektit të mbajnë qëndrim kritik ndaj shtetit dhe agjencive të tij. Në lidhje me arsimin, sistemi ka ndërtuar ingranazhet e veta të cilat e lënë arsimin në dorë të fundit. Që nga sistemi arsimor parashkollor e deri sa mbaron arsimin e lartë, je pjesë e një skeme false. Nuk luftohet për dijen, por vetëm për reklamë, për ekspozim. Një pjesë e mirë e pedagogëve i ka tjetërsuar paraja. Në demokraci, ka thënë Rusoi në librin e tij “Kontrata sociale” individi heq pushtet nga vetja dhe ia delegon të përzgjedhurit për t’i shërbyer atij. Këtu ndodh e kundërta, ai që vjen në pushtet thotë “tash që kceva lumin…”

Ndonëse Shqipëria, duket sikur nuk u bën vend njerëzve të vet, ky mësues idealist vazhdon me shumë pasion të merret me studime dhe publikime. Deda bashkë me profesorin e tij të dikurshëm z. Anton Papleka, po punojnë për një antologji poetike që lidhet me trevën e tyre të dashur, Nikaj-Mërtur: Kanë zanë vend yjtë vajin për me e ndie …. Për realizimin e këtij publikimi, në mënyrë kronologjike janë përzgjedhur: Epika legjendare, historike, lirika, krijmtari artistike nga autorë të trevës etj. Në lirikë është përzgjedhur ajo më specifikja e trevës, sepse ka shumë motërzime në krejt Malësinë e Gjakovës., psh.: “Moj e mira te mullini” edhe pse këndohet në tërë hapësirën e Tropojës e më gjerë, fjala kyçe “mulli”, bën dallimin mes dy besimeve.

Mësues Deda e çmon forcën artistike e shpirtërore të vargjeve te “Eposi i Kreshnikëve” dhe natyrshmërinë e tyre. “Mendoj se lirika e Malsisë së Gjakovës është e pashoqe. Fanatizmin e të së drejtës zakonore kanë ditë si me e zbutë me lirika që për mue janë shumë liberale dhe demokratike. Kujtoj tani ca vargje që një mik i imi m’i tregoi. Është historia e një burri të turpshëm tek sheh një grue të bukur por s’ka zemër me i thënë gja:

moj e mira që del në derë,
A s’ma fal synin njëherë,
Ty s’të gjen gja, mue më ban nder”.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje