Me urdhër mbrojtje por të pambrojtura

Ronald Qema | 04.12.2022 | nyje.al 

Vitore Pacuku u vra nga bashkëshorti i saj në orën gjashtë të mëngjesit, në Mirditë.
Fatime Sula u vra me 21 janar 2022, në Kuçovë.
Merushe Hazizi u vra nga babai i bashkëjetuesit të saj.
Valdete Manaj u vra nga bashkëshorti i saj me thikë në zemër, 8 shkurt 2022 në Fier.
Menfre Karabollaj u vra nga ish-bashkëshorti i saj me 10 plumba.
Jetlira Elezi u vra nga bashkëjetuesi i saj gjatë natës së 30 korrikut 2022, në Elbasan.

Edhe Hamide Magashi, ashtu si disa prej grave të përmendura më sipër nga aktivistet, u vra në Prishtinë edhe pse kishte urdhër mbrojtje. Ditën e djeshme, në solidaritet dhe për homazh, një aksion i zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” kërkoi mbajtjen e përgjegjësisë nga institucionet për këto jetë grash të humbura. 

“Thirrja jonë është mëse e qartë, që këto institucione duhet të reagojnë edhe nuk duhet që ta japin atë urdhërin e mbrojtjes vetëm sa për të plotësuar atë dokumentacionin, por duhet të jetë një urdhër i vlefshëm i cili tu japi siguri këtyre grave.”     Luana Myrto – Aktiviste

Përpos ndezjes së qirinjve në kujtim të viktimave, emrat e grave të vrara u ngjitën në muret përreth sheshit.

Të ndërgjegjësohen instancat përkatëse për çka po ndodh dhe se femicidi po bëhet normalitet dhe grave tu jepet mbrojtja kryesore nga shteti. Ai është fillimi për krijimin e një zgjidhjeje.    Griselda Dedndreaj – Studente

Aktivistja Luana Myrto dëshmoi se papërgjegjësinë e institucioneve shqiptare e ka përjetuar dhe e ëma kur ka denoncuar dhunën.

Unë kam eksperienca të miat, me mamanë time, në dhunën në familje që kemi pasur dhe gjithmonë kur mamaja ime shkonte dhe denonconte, (denoncimet) asnjëherë nuk merreshin për bazë nga policia. Duke thënë që “kështu e kanë burrat”, “hë se burrat pinë një gotë edhe kështu”.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje