Fejton | 05.08.2018 | nyje.al
Panik në radhët e Këshillit Bashkiak. Pezullohen shërbimet e postës.
Miratimi i projekteve të fundit mbi ndërtimin e rrugëve të reja dhe shtimi i banesave përreth në një zonë të konsiderueshme të Babrrusë dhe Paskuqanit, duket që i ka hapur telashe kësaj here bashkisë Kamëz. E ndjerë ngushtë dhe e vënë në pozitë për emërtimin e rrugëve të reja është kërkuar mbledhje urgjente e këshillit bashkiak për të zgjidhur problematikat e ngritura. Të gjitha kryeqytetet dhe qytetet më të rëndësishme europiane janë ezauruar tashmë ndërsa këshilli ka kthyer kokën nga kontinenti aziatik.
Tashi e mbrapa Europa nuk do ketë më prestigjin e dikurshëm që kishte tek ne. Ne provuam të emërtojmë e sjellim diçka të re për Kamzën e ndërsa portalet dhe opozita nuk pushuan së ironizuari me ne. S’ka patur edhe aq faj Fishta që e ka quajtur atë “kurva e motit”. Ashtu na doli. Ja ku po duket – janë shprehur dy antarë këshilli që po konsumonin diçka të shpejtë tek Proper Pizza përballë Bashkisë.
Ne do përpiqemi që për t’i shpëtuar kësaj, pra që dashakeqësit e bukëshkalët, të mos kenë nga të kapen, plus aftësive tona të kuptueshmërisë ndaj të shkruarit piktografik, që tashmë e mbrapa emërtimet të jenë të orientuara nga kontinenti aziatik. Do ketë rrugë me emrin ქართველები apo ვეფხისტყაოსანიj. S’ke nga e kap. Na vjen keq.
Ndërkohë që paralel me këto emërtime Bashkia Kamëz është mësuar se do bëjë dhe binjakëzimin mes dy qyteteve, Naxçivan dhe P’yõngyang, duke e çuar në 28 numrin e binjakëzimeve me qytetet nga e gjithë bota, e më të shumtat prej tyre janë nga Europa sigurisht. Binjakëzimet kanë pasur një peshë të madhe në afrimin dhe integrimin në Europë dhe në botë. Gjithashtu, prej tyre përfitohet më shumë dhe më lehtësisht nga programet për mbështetje teknike e financiare nga strukturat ndërkombëtare. Nëpërmjet binjakëzimeve, krahas shkëmbimeve të ndërsjella të dyanshme të administratave, shkëmbimeve kulturore, arsimore, a sportive përfitohen drejtpërdrejt projekte të përbashkëta nga Bashkimi Europian. Trajnimi i parë do ofrohet për shërbimet e postës, pasi do jenë të parat që do preken nga ky shkëmbim ku pritet të ketë pak vështirësi e një si periudhë delikate.
Shumica e qytetarëve të Kamzës duket që nuk e kanë problem dhe as i shohin ndonjëherë emërimet e rrugëve pasi janë mësuar të orientohen me një gjuhë e kod komunikimi që ata vetë e kanë krijuar me kohë. Si për shembull, “jam te dyqani i Xhevitit”, “te furra e Brahimit”, “te lokali i Skinerit”, “te koshat ku ka qen”, “te furgonat e Ҫerkezës”, apo “në qendër, te Kali i Sali Berishës”. Disa banorë të zonës janë shprehur që më së shumti “përdorim këto e për ne të rriturit nuk ka qenë problem asnjëherë emërtimi i rrugëve. Jemi mësuar t’i injorojmë e qëndrojmë shpërfillës ndaj tyre. Të vetmet herë që i shohim është kur vijnë faturat e dritave a ujit. Këta të rejat janë të huaja e nuk është se i kuptojmë”.
Një banor është shprehur i irrituar duke shtuar se ka pasur plot raste që nga pakuptueshmëria “jemi bërë bajat dhe me miqt e rinj e kështu kemi hequr dorë prej përdorimit të tyre. Unë e kam vajzën të martuar me një emigrant dhe kur më pyeti një rast në telefon “Ku je o mik?”, unë në ato çaste, kisha tabelën afër dhe e lexova pa të keq dhe i thash “Jam tek rruga Man-hàtan” e ai që rrinte duke qeshur nga krahu i tjetër i telefonit. Unë nuk e kuptova në fillim por vajza ma shpjegoi në darkë që ai na qenka një qytet i zhvilluar amerikan por që nuk shqiptohet ashtu.
Një banor i Kamëz, në rrugën OSBE, është shprehur i indinjuar dhe për emërtimet me emra personazhesh popullor. “Rruga “Lady Gaga”.. Po pse pak këngëtare a tituj këngësh ka Shqipëria, Veriu, qoftë dhe ata me banim në Kamëz?! Rruga “Fatmira Breçani”, Rruga “Qorr Iliazi”, Rruga “Dil te krojni cuco”. Këto janë emërtime të kuptueshme dhe ledhatuese njëkohësisht. Por ato janë punë të bashkisë e ata po i din më mirë kta punë. Është si t’i përzihesh zotit në punt e veta”, ka përfunduar mendimin e tij banori i kësaj zone.
Ndërkohë kryetari ka shprehur konsideratë të lartë për kontinentin e ri të Azisë. Azia është dhe kontinenti më i vjetër i rruzullit tokësor. Sa herë që Amerika fryn gjoksin kundrejt vendeve kinse të mëdha si Rusia a Kina, kjo krijon hije në vende të tilla. Kështu ka qenë dhe fati i Azisë. Ne jemi sigurisht kundra diskriminimit, andaj Azia do ketë vendin e saj që i takon në Bashkinë Kamëz.