Kapaciteti për të qenë vetëm

Genc Shehu | Përkthim | 20.06.2023 | nyje.al 

Kapaciteti për të qenë vetëm është tekst i bazuar në një punim të prezantuar në Takimin Ekstra Shkencor të Shoqërisë Psiko-Analitike Britanike, 24 korrik 1957 nga Donald Winicott, shkruar më pas në këtë formë në vitin 1958. Donald Winicott (1896 – 1971) ishte pediatër dhe psikoanalist me famë dhe i rëndësishëm anglez i cili ndikoi në ngritjen dhe zhvillimin e asaj që sot quhet shkolla britanike e psikoanalizës, duke kontribuuar sidomos në shtjellimin e teorisë së marrëdhënieve objektuale dhe në psikologjinë zhvillimore. Ai ka bërë kontribute të shumta në tranzicionin dhe zhvillimin edhe të disa aspekteve terapeutike të psikoanalizës bashkëkohore prej asaj të paraluftës.

Dua të kryej një shqyrtim të kapacitetit të individit për të qenë vetëm, duke u nisur me supozimin se ky kapacitet është ndër shenjat më të rëndësishme të pjekurisë në zhvillimin emocional.

Në pothuaj të gjitha trajtimet psikoanalitike, vjen një kohë kur aftësia për të qenë vetëm është e rëndësishme për pacientin. Në aspektin klinik kjo do të mund të shëmbëllehej me një fazë ose seancë të heshtur dhe kjo heshtje, larg nga të qenurit dëshmi rezistence, del të jetë një arritje nga ana e pacientit. Ndoshta mu në këtë pikë pacienti për herë të parë është i aftë të jetë vetëm. Pikërisht në këtë aspekt të transferencës, në të cilin pacienti është vetëm në seancën analitike, dua ta sjell vëmendjen.

Ka gjasë që të jetë e vërtetë thënia se në literaturën psikoanalitike është shkruar më shumë për frikën e të qenurit vetëm ose për dëshirën për të qenë vetëm sesa mbi aftësinë për të qenë vetëm; janë bërë po ashtu një masë e konsiderueshme punimesh mbi gjendjen e tërhequr, një organizim mbrojtës që nënkupton një pritshmëri persekutimi. Mua do më dukej se një diskutim i aspekteve pozitive të kapacitetit për të qenë vetëm ka kohë që duhet bërë. Në literaturë mund të ketë tentativa të veçanta për të pohuar kapacitetin për të qenë vetëm, por unë nuk jam i vetëdijshëm për këto. Dua të marr për referencë konceptin e Freud-it të marrëdhënies anaklitike1 (Mbi narcizizmin, 1914).2

Marrëdhëniet tri- dhe dy-trupore

Rickman na prezantoi me idenë e të menduarit në terma marrëdhëniesh tre-trupore dhe dy-trupore. Shpesh i referohemi kompleksit të Edipit si stad ku marrëdhëniet tre-trupore mbizotërojnë fushën e përvojës. Çdo përpjekje për të përshkruar kompleksin e Edipit në terma të dy njerëzve duhet të dështojë. Sidoqoftë marrëdhëniet dy-trupore vërtet ekzistojnë dhe këto i përkasin stadeve relativisht më të hershme në historinë e individit. Marrëdhënia origjinale me dy trupa është ajo e foshnjës dhe nënës ose zëvendësueses së nënës, përpara se ndonjë tipar i nënës të shkoqitet dhe të marrë trajtën e idesë së një babai. Koncepti i Klein-it i pozicionit depresiv mund të përshkruhet në terma të marrëdhënieve dy-trupore dhe ndoshta është me vend të thuhet se marrëdhënia dy-trupore është tipar thelbësor [i këtij] konceptit.

Pasi kemi menduar në terma të marrëdhënieve tre- dhe dy-trupore, sa natyrshëm ndodh që të shkohet edhe një hap më prapa dhe të flasim për marrëdhënie një-trupore! Në fillim do të dukej se narcizizmi do të ishte marrëdhënia një-trupore: ose një formë e hershme e narcizizmit sekondar ose vetë narcizizmi primar. Unë sugjeroj se ky kapërcim prej marrëdhënieve dy-trupore në një marrëdhënie një-trupore nuk mundet, në fakt, të bëhet pa shkelur shumçka prej asaj që dimë përmes punës sonë analitike dhe prej vrojtimeve të drejtpërdrejta të nënave dhe foshnjëve.

Të jesh faktikisht vetëm

Le të vihet re se ajo për të cilën e kam fjalën nuk është të jesh faktikisht vetëm. Një person mund gjendet në qeli i izoluar dhe prapë të mos jetë i aftë për të qenë vetëm. Se sa shumë do të vuante [ky person] është përtej imagjinatës. Sidoqoftë, shumë njerëz bëhen vërtet të aftë të shijojnë vetminë përpara se të dalin prej fëmijërisë dhe madje me gjasë e vlerësojnë vetminë si diçka tejet të çmuar të tyren.

Kapaciteti për të qenë vetëm ose është një dukuri tejet e sofistikuar – dukuri që mund të vijë, në zhvillimin personal, pas themelimit të marrëdhënieve tre-trupore – ose, përndryshe, është dukuri e jetës së hershme që meriton studim të posaçëm sepse është tabani mbi të cilin vetmia e sofistikuar ngrihet.

Paradoks

Argumenti kryesor i këtij kontributi tashmë mund të formulohet. Edhe pse ka shumë tipe përvojash që ndikojnë në ngritjen e kapacitetit për të qenë vetëm, ekziston një që është themeltar dhe pa njëfarë bollëku të së cilit kapaciteti për të qenë vetëm nuk vjen në shprehje; kjo përvojë është ajo e të qenurit vetëm, si foshnjë dhe fëmijë i vogël, në praninë e nënës. Kështu ngrehina e kapacitetit për të qenë vetëm është një paradoks; është përvoja e të qenurit vetëm ndërkohë që dikush tjetër është i pranishëm.

Këtu nënkuptohet një tip marrëdhënieje mjaft e veçantë: ajo midis foshnjës ose fëmijës së vogël që është vetëm; dhe të së ëmës apo zëvendësueses së saj që gjendet e pranishme aty si pikëmbështetje e besuar edhe nëse përfaqësohet në këtë çast nga një shtrat apo karrocë fëmijësh, ose nga atmosfera e përgjithshme e mjedisit të menjëhershëm. Do të doja të sugjeroja një emër për këtë tip të veçantë marrëdhënieje.

Personalisht pëlqej të përdor termin raportim-i-egos [ego-relatedness], që na vjen për mbarë sepse bie mjaft qartë në kontrast me fjalën marrëdhënie-e-idit [id-relationship], çka është një ndërlikim që na përsëritet në atë që mund të quhet jetë e egos. Raportimi-i-egos i referohet marrëdhënies midis dy personave, ku njëri prej të cilëve është vetëm; ndoshta të dy janë vetëm por prapë prania e secilit është e rëndësishme për tjetrin. Unë vlerësoj se, nëse krahasohet kuptimi i fjalës “pëlqim” me atë të fjalës “dashuri”, do mund të shihet se pëlqimi është çështje e raportimit-të-egos, ndërsa dashuria ka më shumë të bëjë me marrëdhëniet e idit, qofshin këto të papërpunuara apo në formë të sublimuar.

Përpara shtjellimit të këtyre dy ideve në mënyrën time, dua t’ju përmend se si do të ishte e mundshme t’i referohemi kapacitetit për të qenë vetëm në frazeologjinë e stërpërdorur psiko-analitike.

Pas aktit seksual

Ndoshta është me vend të thuhet se pas një akti përmbushës seksual secili partner është vetëm dhe i kënaqur me të qenurit vetëm. Të jesh i aftë të të shijojë të qenurit vetëm së bashku me një person tjetër është në vetvete një përvojë shëndeti. Një mungesë e tensionit të idit mund të prodhojë ankth, por integrimi kohor i personalitetit e mundëson individin të presë për rikthimin e natyrshëm të tensionit të idit dhe të shijojë bashkëndarjen e vetmisë, pra, vetmi që është relativisht e lirë prej tiparit që ne quajmë “tërheqje” [withdrawal].

Skena primare

Do të mund të thuhej se kapaciteti i një individi për të qenë vetëm varet nga aftësia e tij për t’u marrë me ndjenjat që zgjohen nga skena primare. Në skenën primare një marrëdhënie e eksituar midis prindërve perceptohet ose imagjinohet dhe kjo pranohet nga fëmija që është i shëndoshë e që është në gjendje të mjeshtërojë urrejtjen dhe ta mbledhë atë në shërbim të masturbimit. Në masturbim, e gjithë përgjegjësia për fantazinë e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme pranohet nga individi fëmijë, i cili është personi i tretë në një marrëdhënie tre-trupore ose trekëndore. Të jesh në gjendje për të qenë vetëm në këto rrethana nënkupton pjekuri të zhvillimit erotik, një potencë gjenitale ose pranimin homolog femëror; nënkupton fuzionin ose përzierjen bashkë të impulseve dhe ideve agresive dhe erotike, si dhe nënkupton një aftësi për të duruar ambivalencën; bashkë me gjithë këto do të gjendej natyrshëm një kapacitet nga ana e individit për t’u identifikuar me secilin prej prindërve.

Një parashtrim në këto terma apo të tjerë me gjasë do të bëhej pothuaj pafundësisht i ndërlikuar, sepse kapaciteti për të qenë vetëm është tejet afër si sinonim me pjekurinë emocionale.

Objekt i mirë i brendshëm

Tani do të provoj të përdor një gjuhë tjetër, gjuhë që na vjen prej veprës së Melanie Klein. Kapaciteti për të qenë vetëm varet prej ekzistencës së një objekti të mirë në realitetin psikik të individit. Gjiri, ose penisi, i mirë i brendshëm ose marrëdhëniet e mira të brendshme janë të ngritura dhe të mbrojtura mjaftueshëm mirë që individi (për njëfarë kohe të paktën) të ndihet me vetëbesim për të tashmen dhe të ardhmen. Marrëdhënia e individit me objektet e brendshme të tij ose saj, bashkë me vetëbesimin sa i përket marrëdhënieve të brendshme, siguron vetiu një mjaftueshmëri të jetuari asisoj që përkohësisht ai ose ajo është në gjendje të prehet i kënaqur qoftë edhe në mungesë të objekteve dhe stimujve të jashtëm. Pjekuria dhe kapaciteti për të qenë vetëm nënkupton që individi ka patur shansin, përmes një kujdesi mjaftueshëm të mirë mëmësor [good-enough mothering], të ketë njëfarë besimi që mjedisi është i padëmshëm. Ky besim ndërtohet përmes një përsëritje të përmbushjeve të kënaqshme instinktuale.

Në këtë gjuhë, e gjejmë veten duke iu referuar një stadi më të hershëm të zhvillimit të individit nga ai ku sundon kompleksi klasik i Edipit. Sidoqoftë, këtu hamendësohet një shkallë e konsiderueshme pjekurie të egos. Hamendësohet integrimi i individit në një njësi sepse, përndryshe, nuk do të kishte fare kuptim kur i referohemi të brendshmes dhe të jashtmes, ose domethënies së veçantë që i japim fantazisë të së brendshmes. Në terma negativë: duhet të ketë njëfarë lirie relative prej ankthit persekutor. Në terma pozitivë: ka objekte të mira të brendshme në botën e brendshme personale të individit dhe janë në gatishmëri për t’u projektuar në një çast të volitshëm.

Të jesh vetëm në një gjendje të papjekur

Pyetja që do të shtrohet në këtë pikë është kjo: A mundet një fëmijë ose foshnjë të jetë vetëm në një stad shumë të hershëm kur papjekuria e egos e bën të pamundur dhënien e një përshkrimi të të qenurit vetëm në frazeologjinë që sapo përdorëm? Pjesa thelbësore e tezës sime është se kemi njëmend nevojë të jemi të aftë të flasim për një formë të pasofistikuar të të qenurit vetëm dhe se madje, nëse pajtohemi që kapaciteti për të qenë vërtet vetëm është sofistikim, aftësia për të qenë vërtet vetëm ka si themel përvojën e hershme e të qenurit vetëm në praninë e dikujt. Të qenurit vetëm në praninë e dikujt mundet të ndodhë në një stad shumë të hershëm, kur papjekuria e egos drejtpeshohet natyrshëm me mbështetje të egos prej të ëmës. Me kalimin e kohës, individi introjekton nënën mbështetëse të egos dhe kësisoj bëhet i aftë për të qenë vetëm pa referencë të shpeshtë ndaj nënës ose një simboli nëne.

“Jam vetëm”

Do të doja ta rikapja këtë temë në një mënyrë tjetër duke studiuar fjalët “[unë] jam vetëm”.

Së pari është fjala “unë” që nënkupton goxha rritje emocionale. Individi themelohet si njësi. Integrimi është fakt. Bota e jashtme hidhet poshtë dhe një botë e brendshme është bërë e mundshme. Ky është thjesht një pohim topografik i personalitetit si gjë, si organizim bërthamash egoje. Në këtë pikë nuk është duke u bërë asnjë referencë ndaj të jetuarit.

Pastaj vijnë fjalët “unë jam” që përfaqëson një stad në rritjen individuale. Me këto fjalë individi jo vetëm që ka trajtë por edhe jetë. Në fillimet e “unë jam”, individi është (si të thuash) i papërpunuar, i pambrojtur, i cenueshëm, potencialisht paranojak. Individi mundet të arrijë stadin e “unë jam” vetëm në saje të një mjedisi mbrojtës; mjedisi mbrojtës në fakt është nëna e preokupuar me foshnjën e saj dhe e orientuar për nga kërkesat e egos së foshnjës përmes identifikimit të saj me foshnjën e saj. Nuk ka nevojë të postulohet nga ana e foshnjës një vetëdije për të ëmën në këtë stad të “unë jam”.

Tani vij te fjalët “unë jam vetëm”. Sipas teorisë që po parashtroj, ky stad i mëtejshëm përfshin vërtet një çmuarje nga ana e foshnjës për vazhdimësinë e ekzistencës së të ëmës. Me këtë nuk dua të them medoemos [se ka] një vetëdije me mendje të ndërgjegjshme. Unë vlerësoj, sidoqoftë, se “unë jam vetëm” është një zhvillim prej “unë jam” që është në varësi të vetëdijes së foshnjës për ekzistencën e vazhduar të një nëne të besueshme, besueshmëria e së cilës bën të mundur për foshnjën të jetë vetëm dhe të shijojë të qenurit vetëm, për një periudhë të kufizuar.

Pra, unë jam duke u rrekur të justifikoj paradoksin se kapaciteti për të qenë vetëm bazohet në përvojën e të qenurit vetëm në praninë e dikujt dhe se, pa patur mjaftueshëm nga kjo përvojë, kapaciteti për të qenë vetëm nuk mund të zhvillohet.

“Raporti-i-egos”

Tani, nëse kam të drejtë në tematikën e këtij paradoksi, është me interes të shqyrtojmë natyrën e marrëdhënies së foshnjës me nënën, [pra] atë që brenda qëllimeve të këtij shkrimi e kam quajtur raporti i egos. Do të shihet se unë i kushtoj një rëndësi të madhe këtij raportimi, pasi konsideroj se është materiali prej të cilit përbëhet miqësia. Mund të dalë se [kjo] është matrica e transferencës.

Ekziston edhe një arsye tjetër përse i kushtoj një rëndësi të veçantë kësaj çështjeje të raportimit të egos, por që ta bëj të qartë ç’dua të them, më duhet të dal nga tema për një çast.

Mendoj se në përgjithësi pajtohemi se impulsi i idit është domethënës vetëm nëse ky [impuls] përmbahet në jetesën e egos. Një impuls idi ose pengon egon e dobët ose përndryshe e forcon egon e fortë. Mund të thuhet se marrëdhëniet e idit e forcojnë egon kur ato ndodhin në kuadër të raportimit të egos. Nëse kjo pranohet, atëherë të kuptuarit e rëndësisë së kapacitetit për të qenë vetëm pason. Vetëm kur është vetëm (pra, në prani të dikujt) foshnja mundet të zbulojë jetën e vet personale. Alternativa patologjike është një jetë e rremë e ndërtuar mbi reagime ndaj stimujve të jashtëm. Kur është vetëm, në kuptimin që jam duke e përdor termin, dhe vetëm kur është vetëm foshnja është në gjendje të bëjë të barazvlefshmen e asaj që ndër të rriturit do të quhej rehati ose çlodhje. Foshnja është e aftë të jetë e paintegruar, të rropatet në vend, të jetë në një gjendje ku nuk ka orientim, të jetë e aftë të ekzistojë për një kohë pa qenë as reagues ndaj një rreziku të jashtëm e as të jetë person aktiv me një drejtim interesi ose në lëvizje. Skena është ngritur për një përvojë idi. Me kalimin e kohës vjen një ndijim apo impuls. Në këtë mjedis ndijimi ose impulsi do të ndihet real dhe do jetë vërtet një përvojë vetjake.

Tani mund të shihet pse ka rëndësi që dikush të jetë i disponueshëm dhe i pranishëm, edhe pse i pranishëm pa bërë kërkesa; me ardhjen e impulsit, përvoja e idit mund të jetë e frytshme dhe objekti mundet të jetë një pjesë e personit përkujdesës ose i gjithë ky person, pra nëna. Vetëm nën këto kushte mundet që foshnja të ketë një përvojë që ndihet reale. Një numër i madh përjetimesh të tilla formojnë themelin për një jetë që ka realitet në të, në vend se kotësi. Individi që ka zhvilluar kapacitetin për të qenë vetëm është vazhdimisht i aftë të rizbulojë impulsin personal dhe impulsi personal nuk çohet dëm ngase gjendja e të qenurit vetëm është diçka që (edhe pse paradoksalisht) gjithnjë nënkupton se dikush tjetër është aty.

Me kalimin e kohës individi bëhet i aftë të heq dorë nga prania faktuale e të ëmës ose figurës mëmësore. Kësaj [dukurie] i janë referuar me terma të atillë si themelim i një “mjedisi të brendshëm”. Gjithshesi kjo është më e lashtë se dukuria që meriton termin “nënë e introjektuar”.

Klimaksi në raportimin-e-egos

Tani do të doja të shkoja pak më tutje në spekulim sa i përket raportimit-të-egos dhe mundësive të përvojës brenda këtij raportimi, si dhe të konsideroj konceptin e një orgazme të egos. Jam sigurisht i vetëdijshëm se, nëse ekziston një gjë e tillë si orgazmë e egos, ata që kanë frenim në përvojën instinktuale do të priren të specializohen në orgazma të tilla, asisoj që do të kishte një patologji të tendencës drejt orgazmës së egos. Hëpërhë dua të lë mënjanë shqyrtimin e patologjikes, pa harruar identifikimin e trupit si të tërë me një objekt të pjesshëm (fallus) dhe të pyes vetëm nëse mund të ketë vlerë në të menduarin e ekstazës si orgazmë e egos. Në personin normal, një përvojë tejet përmbushëse si ajo që mund të përftohet në një koncert a në teatër ose në një miqësi, mund të meritojë një term si orgazmë egoje, çka ta çon vëmendjen te klimaksi dhe te rëndësia e klimaksit. Mund të mendohet si jo e mençur që fjala orgazmë përdoret në këtë kontekst; mendoj se prapë ka hapësirë për një diskutim të klimaksit që mund të ndodhë në raportimin përmbushës të egos. Dikush mund të pyesë: kur një fëmijë është duke luajtur, a është e gjithë loja sublimim i impulsit të idit? A nuk mund të ketë ndonjë vlerë të mendosh se ka një ndryshim edhe në cilësi sikurse në sasinë e id-it kur krahasohet loja që është e kënaqshme me instinktin bazë thjesht e vetëm të lojës? Koncepti i sublimimit gëzon pranim të plotë dhe ka vlerë të madhe, por është për t’u ardhur keq fshehja e referencës ndaj dallimit madhor që ekziston midis lodrimit të lumtur të fëmijëve dhe lojës së fëmijëve që ngazëllehen kompulsivisht e që mund të shihen se janë shumë afër një përvoje instinktuale. Është e vërtetë se edhe në lodrimin e lumtur të fëmijës, gjithçka mund të interpretohet në terma të impulsit të idit; kjo është e mundshme sepse flasim në terma simbolesh dhe jemi padyshim në terren të sigurt kur neve përdorim simbolizmin dhe të kuptuarin e të gjithë lojës në terma të marrëdhënieve të idit. Sidoqoftë, ne lëmë jashtë diçka jetike nëse nuk mbajmë në mendje se loja e një fëmije nuk është e lumtur kur ajo ndërlikohet nga ngazëllime trupore me klimakset e tyre fizike.

I ashtuquajturi fëmijë normal është i aftë të lodrojë, të ngazëllehet teksa luan dhe të ndihet i përmbushur me lojën pa u ndjerë i kërcënuar nga një orgazmë fizike me eksitim lokal. Për kontrast, një fëmijë i privuar, me tendencë antisociale, ose çfarëdo fëmijë me papushueshmëri të theksuar manie mbrojtëse, është i paaftë ta shijojë lojën sepse trupi fillon e përfshihet fizikisht. Lind nevoja e një klimaksi fizik dhe çdo prind e njeh momentin kur nuk ka gjë që ta çojë në fund një lojë përveçse një shpulle – çka jep një klimaks të rremë, por shumë të dobishëm. Në mendimin tim, nëse krahasojmë lojën e lumtur të një fëmije – ose përvojën e një të rrituri në një koncert – me një përvojë seksuale, dallimi është aq i madh sa nuk do të bënim dëm të lejonim një term tjetër për të përshkruar dy përvojat. Cilidoqoftë simbolizmi i pavetëdijshëm, sasia faktike e ngacmimit fizik është minimal në njërin tip të përvojës dhe maksimal në tjetrin. Do mund t’i ngrinim kapelen rëndësisë së raportimit të egos per se pa hequr dorë prej ideve që janë në themel të konceptit të sublimimit.

Përmbledhje

Kapaciteti për të qenë vetëm është një dukuri tejet e sofistikuar dhe ka shumë faktorë kontribues. Ai ndërlidhet ngushtë me pjekurinë emocionale.

Themeli i kapacitetit për të qenë vetëm është përvoja e të qenurit vetëm në praninë e dikujt. Kësisoj, një foshnje me organizim të dobët egoje mund të arrijë të jetë vetëm në saje të një mbështetje të besueshme e të qëndrueshme egoje.

Tipi i marrëdhënies që ekziston midis një foshnje dhe nënës ego-mbështetëse meriton studim të posaçëm. Megjithëse janë përdorur terma të tjerë, sugjeroj se raportim-i-egos do mund të ishte një term i mirë për përdorim të përkohshëm. Në suazën e raportimit të egos, marrëdhënie të idit ndodhin dhe fuqizojnë në vend se të trazojnë egon e papjekur. Gradualisht, mjedisi mbështetës i egos introjektohet dhe bëhet ngrehinë në personalitetin e individit, asisoj që vjen në shprehje një kapacitet për të qenë njëmend vetëm. Edhe në këtë rast, në aspektin teorik, dikush gjithmonë është i pranishëm, një dikush që barazohet përfundimisht dhe pavetëdijshëm me nënën, me personin që, në ditët dhe javët e hershme, përkohësisht u identifikua me foshnjën e saj dhe që në atë periudhë interesohej për asgjë tjetër pos kujdesit për foshnjën e saj.

***

1. Anaklitike është term që përdoret në psikologji me kuptim varësi e skajshme nga një ose disa persona të tjerë për mbështetje emocionale. Modeli për një marrëdhënie anaklitike është varësia e foshnjës nga nëna për mirëqenien dhe përmbushjen e tij. Në psikanalizë termi “zgjedhje anaklitike e objektit” përshenjon zgjedhjen e një bashkëshorti ose një objekti tjetër dashurie që i përngjan nënës apo personit që ka ofruar ngushëllim dhe mbështetje gjatë fëmijërisë së hershme. (Shtuar në përkth.) https://psychologydictionary.org/anaclitic/

2. Shih gjithashtu: Winnicott, D. W., “Primary Maternal Preoccupation” Collected Papers: Through Pediatrics to Psycho-Analysis. Londër: Botimet Tavistock, 1958, kap XXIV.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje