Imperativi gjinor i pandemisë

Përkthim |13.05.2020 | nyje.al 

Komentar nga Ann Linde dhe Arancha Gonzāles

Duke qenë se kriza nga COVID-19 i prek ndryshe burrat dhe gratë, masat për ta zgjidhur atë duhet të kenë parasysh perspektivën gjinore. Për gratë dhe vajzat, shtëpiaket, ato që janë në frontin e parë të shërbimeve shëndetësore dhe punëtoret në tregun e punës – të gjitha problematikat e ndeshura në këto fusha, duhet të adresohen.

Stockholm/Madrid- Pavarësisht origjinës së saj, gruaja është ajo që mbart mbi supe pjesën më të madhe të përgjegjësive për të mbajtur shoqërinë bashkë, qoftë në shtëpi, qoftë në kujdesin shëndetësor, në shkollë, apo në përkujdesin ndaj të moshuarve. Në shumë vende të botës, gruaja i kryen këto detyra pa pagesë. Madje, edhe kur këto detyra kryhen si profesione, tendenca është që të kryhen kryesisht prej grave, të cilat paguhen më pak sesa profesionet që kryhen kryesisht nga burrat.
Kriza e shkaktuar nga COVID-19 e ka ashpërsuar edhe më shumë këtë reliev të dallimeve gjinore. Kornizat ligjore rajonale, organizatat shumëpalëshe, dhe institucionet financiare ndërkombëtare duhet të njohin faktin se gratë luajnë një rol kritik në zgjidhjen e krizës, si rrjedhojë do të duhej që në masat e marra ndaj pandemisë dhe rënies ekonomike të përfshihet perspektiva gjinore.

Ne shohim tri fusha në të cilat vajzat dhe gratë janë veçanërisht në rrezik dhe kanë nevojë për mbrojtje edhe më të lartë në krizën aktuale.
Së pari, përvoja na tregon se dhuna në familje, dhuna seksuale dhe dhuna me bazë gjinore rritet gjithmonë përgjatë krizave dhe katastrofave. Kjo ndodhi përgjatë vitit 2014-2016 me sëmundjen e Ebola-s, në vitin 2015-2016 me epideminë Zika, dhe me sa duket po ndodh edhe tani. Në kushtet e karantinës apo masave të marra për izolimin në shtëpi, gratë dhe fëmijët që jetojnë me burra të dhunshëm dhe posesiv janë më së shumti të ekspozuar ndaj një rreziku të konsiderueshëm.

Nevoja për të mbështetur këto gra dhe fëmijë veç do të rritet kur kriza do të ketë përfunduar dhe njerëzit do të jenë të lirë të lëvizin sërisht. Na duhet të sigurohemi që strehat e grave dhe format e tjera të ndihmës e përkrahjes së tyre, duhet të mirëmbahen dhe të përforcohen në përputhje me nevojat e tyre. Qeveritë dhe grupet e angazhuara të shoqërisë civile duhet të mundësojnë më shumë burime të tilla si shtëpitë e strehimit dhe linja këshillimi online, mbase duke përdorur metoda të reja inovative të teknologjisë telefonike, siç po i përdorin në shumë fusha të tjera.

Së dyti, pjesa më e madhe e atyre që janë në vijën e parë të frontit kundër COVID-19 janë gra, sepse pothuaj rreth 70% e stafit të shëndetësisë dhe shërbimeve sociale në rang ndërkombëtar, janë gra. Na duhet urgjentisht të fuqizojmë gratë në këto profesione, duke filluar nga sigurimi i më shumë burimeve për ato që gjithashtu kanë marrë përsipër përgjegjësitë e punëve të shtëpisë. Gjithnjë e më shumë, atyre do t’u shtohet edhe domosdoshmëria për t’u përkujdesur ndaj pjesëtarëve të infektuar të familjes, që do t’i ekspozojë gratë ndaj një rreziku edhe më të madh.
Gratë gjithashtu kanë përqindjen më të lartë në popullsinë e moshuar në rang ndërkombëtar- veçanërisht për moshat mbi 80 vjeç – ndaj është potenciali për të pasur numrin më të lartë të pacienteve-gra. E megjithatë, ato priren të kenë më pak akses në shërbimet shëndetësore sesa burrat. Edhe më keq akoma, në disa shtete që kanë kaluar epidemi të mëparshme, shërbimet shëndetësore për riprodhimin seksual – duke përfshirë dhe kujdesin prenatal dhe të lindjes, si dhe aksesi për kontraceptivë dhe abortime të sigurta – u reduktua sapo lindi nevoja që resurset të rishpërndaheshin si pasojë e krizës. Një shkurtim i tillë i fondeve shoqërohet me pasoja shumë të rënda për gratë dhe vajzat dhe duhet të parandalohet me çdo kusht.

Dhe së fundmi, gratë janë veçanërisht të dobëta nga ana ekonomike. Globalisht, të ardhurat personale të gruas janë shumë më të ulëta sesa të burrave, dhe pozicioni i tyre në tregun e punës është shumë herë më pak i sigurtë. Për më tepër, gratë kanë më shumë prirjen të jenë prindër beqarë, si rrjedhojë do të jenë më të goditurat nga rënia ekonomike e cila tashmë ka marrë dhenë.

Duke marrë parasysh këto dallime, është shumë e rëndësishme që masat e marra si kundër-përgjigje ndaj krizës ekonomike të jenë përgjigje specifike për situatën e veçantë të grave. Sidomos në zonat e konflikteve dhe në zona të tjera në të cilat barazia gjinore përmohohet menjëherë, gratë dhe vajzat rrezikojnë të jenë të përjashtuara nga proceset vendimmarrëse, dhe potencialisht të lihen pas krejtësisht.

Ky vit shënon 25-vjetorin e Konferencës së Katërt Ndërkombëtare mbi Gruan e Kombeve të Bashkuara, në të cilën komuniteti ndërkombëtar përshtati Deklaratën e Pekinit dhe Platformën e Veprimit. Ne po kërkojmë vëmendjen e qeverive që të zotohen sërisht ndaj parimit se gratë kanë të njëjtat të drejta për të marrë pjesë efektivisht në proceset vendimmarrëse ashtu si edhe burrat – dhe që perspektivat e tyre duhet të merren parasysh.

Në përfundim, politikëbërësit në të gjitha nivelet kanë nevojë të dëgjojnë dhe të angazhohen me organizatat e të drejtave të grave teksa formulojnë përgjigjet dhe masat ndaj krizës, ndërkohë që përgatiten për atë që po vjen. Pyetja e parë duhet të jetë gjithmonë: A janë gratë dhe burrat të prekur në mënyrë të ndryshme nga kjo çështje, dhe nëse është kështu, si mund të arrijmë rezultate më të drejta?
Ne duhet të sigurohemi që vajzat të kenë aq kohë për të studiuar sa kanë dhe djemtë e të mos marrin përsipër plotësisht përgjegjësinë e përkujdesit ndaj prindërve apo motrave dhe vëllezërve të tyre. Ne duhet gjithashtu të mësojmë leksionet që morëm nga kriza e COVID-19, e cila kërkon që të njohim thellësisht se si vlerësojmë dhe paguajmë për kontributet e kujdesit shëndetësor të grave, shërbimet shoqërore, dhe ekonominë. Si mund të sigurohemi që gratë të mos jenë të përjashtuara nga procese shumë të rëndësishme politike tani dhe në të ardhmen?

Sot, të gjitha vendet e botës po përballen me të njëjtën krizë, dhe askush nuk mund t’ia dalë ndaj COVID-19 duke vepruar fillikat i vetëm. Duke qënë se ne bashkëndajmë të njëjtën të ardhme, të gjithë duhet të punojmë me qëllim që të sigurojmë një të ardhme të ndërtuar mbi solidaritetin dhe bashkëpunimin. Qeveritë dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të tregojnë  aftësi të larta drejtuese.

Ky komentar është nënshkruar nga: Shirley Ayorkor Botchwey– Ministre e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Rajonal (Gana); Kamina Johnson-Smith, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Ekonomisë (Xhamajkë); Kang Kyung-wha– Ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Koresë; Retno Marsudi, Ministre e Punëve të Jashtme (Indonezi); Grace Naledi Mandisa Pandor Ministre e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit në Afrikën e Jugut; Marise Payne Ministre e Punëve të Jashtme (Australi); Phumzile Mlambo-Ngcuka Drejtore Ekzekutive e Kombeve të Bashkuara (UN Women); dhe Ine Marie Eriksen Søreide Ministre e Punëve të Jashtme (Norvegji).
_________
Ky shkrim është botuar me datë 8 maj 2020, në website-in e Project Syndicate, platformë ndërkombëtare ku ndahen komentimet ekonomike dhe politike mbi gjendjen aktuale të botës prej shumë autorëve të njohur ndërkombëtarisht për kontributin në fushat e tyre.
Për përkthimin dhe ribotimin e tij kemi respektuar të drejtat e autorit duke marrë paraprakisht miratimin e kryeredaktorëve të Project Syndicate.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje