HEC-i i Madheshit mund dhe duhet të ndalet

Ronald Qema | 28.09.2022 | nyje.al

Komuniteti i Madheshit prej vitesh është vënë në alarm për përroin e Lunresë, rrjedha e ujit e radhës që duan ta zhvasin. Kompania e quajtur “A.R.M Albania” në pronësi të vëllait të Kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj, synon të ndërtojë një hidrocentral mbi këtë përrua i cili prej dekadash i shërben zonës si burim uji për bujqësinë dhe blegtorinë, si dhe për përdorim të përditshëm. Përroi i Lunresë buron nga shpati i Beshkashit dhe derdhet në Liqenin e Shkopetit, i krijuar pas ndërtimit të hidrocentralit me të njëjtin emër, përgjatë diktaturës. Zona që dikur ka qenë tejet e banuar, tashmë ka mbetur me pak shtëpi. Ata merren me bujqësi e blegtori, pavarësisht se mangësive me infrastrukturën, e cila ua vështirëson edhe më shumë jetesën.  Ndërtimi i HEC-it Madhesh do të ishte goditja e fundit për ta, dhe rrjedhimisht do t’i detyronte përfundimisht ta linin vendin e tyre.

Bashkimi i Përroit të Lunresë me Liqenin e Shkopetit, Shtator 2022, Ronald Qema

“Me e fut në tuba, dhe ujti po u mor me tuba nuk ka të bëj as blegtoria, as bujqësia, as robt, veç atëherë t’i kapin e ta mbyllin; t’i venë edhe një portë, që nuk kalon kush ktej ma…”   Gjok Gjergji – Banor

Banorët besojnë se është vetë kryetari Malaj që po ndërton HEC-in, por për të mbuluar “thëngjillin” ia ka kaluar pronësinë e kompanisë vëllait të tij. Ata kërkojnë takim më Agron Malaj dhe sqarime për arsyet e parashikimit të ndërtimit të këtij hidrocentrali mbi Lundre. 

“E njof shumë mirë kët’ zonën këtu, n’qoftë se merret uji, kët’ tokën e kemi kot ne, nuk ekziston më. Pa ujë a ka jetë? Jo! Tashti po u mor uji kjo toka përfundon, asigjo. Kryetari i Bashkisë nga populli ka dal, kryetar bashkie, të vijë e të mbledhë popullin e të bisedojë me popullin”  Ndue Gjini – Banor 

Konsultimi publik, historitë e ngjashme ngrenë në këmbë komunitetin

Ndërtimi i këtij HEC-i, ashtu siç çdo investim tjetër në mjedis dhe që prek komunitete të zonës apo më gjerë, sipas detyrimit ligjor parashikuar në VKM nr. 247 datë. 30.04.2014 “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informim dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore” duhet të kalojë nëpër procesin e konsultimit publik. 

Tashmë duke pasur precedentë të mëhershëm, siç janë përvojat e ndërtimeve të digave mbi Lumin Valbonë apo Lumin Flim, komuniteti dhe përfaqësuesja ligjore e tyre, po e ndjekin hap pas hapi këtë proces dhe po e kundërshtojnë që në fazat e hershme të  miratimit të lejeve. 

Konsultimi publik i parë i mbajtur mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis është kryer në një mënyrë absurde, në një periudhë ku njerëzit mund të dilnin jashtë shtëpisë vetëm për 90 minuta, gjatë muajve të pikut të pandemisë Covid-19. 

“Ka pasur shkelje të jashtëzakonshme sepse janë kryer dëgjesa publike në kohën e pandemisë, kur ne nuk na lejohej të dilnim nga shtëpia përveçse me orare të kontrolluara. Ndërkohë sipas AKM-së ishte e ligjshme një dëgjesë publike e zhvilluar pikërisht në mes të pandemisë.”  Dorina Asllani – Avokate

Në dëgjesën publike të dy gushtit, kanë marrë pjesë 10 banorë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me përroin e Lunresë sipas banorëve që kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it.

“Nuk e ka bo këtu dhe deklaron se unë e kam bo dëgjimin publik. Dëgjimi publik, urdhëro një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë. Kemi dhjetë emra këtu, dhjetë emra, të cilët gjysma, gjysma nuk janë banor të këtij fshati.”     Etmond Miza – Banor

Banorët dhe avokatja Asllani deklaruan se në rast paligjshmërie, do ta çojnë në Gjykatë Administrative dhe nuk do të lejojnë që zëri i vërtetë i banorëve të mbetet i padëgjuar, e të zëvendësohet me miratime të shtyra nga pushteti. 

Lista emërore e pjesëmarrësve në dëgjesën publike të 2 gushtit

Dhuna e pushtetit mbi banorët 

Kur flasim për pushtetin, banorët pohuan se janë kërcënuar vazhdimisht nga kreu i bashkisë për rezistencën e tyre. Kjo ka sjellë stepjen e disa prej banorëve. Histori të ngjashme me kriminalizimin e protestave të aktivistëve mjedisore, me kërcënimet ndaj tyre dhe me intimidime janë të shumta ndër aktivistët e lëvizjes “Mbro Parkun Kombëtar Zall Gjoçaj”, komuniteti i Laknasit dhe lëvizje simotra. Por ngjashëm me to, edhe banorët e Madheshit pohojnë se rezistenca do të vazhdojë. Sipas Etmond Mizës, nëse do të jetë e nevojshme, mbrojtja e lumit do të bëhet edhe me trup. 

“Ka deklaru që unë e nxij me policë! Le ta nxijë me policë! Le të sjellë policinë këtu! Meqë shteti qenka në mbështetje te Kryetarit të Bashkië së Burrelit, sepse paska uzurpu edhe shtetin ky. Paska edhe shtetin, edhe Ministrinë e Brendshme. 

Të vjeri! Të vinë të na vrasin. Në rregull, do vdesim, po ne do vdesim për vendin tonë. Ai për ça do vdesi?” 

IMG_1136

Kërkesat e fshatarëvë për vaditje, KLSH e ka nxënë në “rrenë” kompaninë

Një ndër pikat e kontestuara të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM e parë), hartuar nga”D – alb” sh.p.k, është mungesa e kërkesave nga ana e banorëve për leje vaditjeje në zonë. Rrjedhimisht, firma private ka konkluduar që e gjithë prurja e përroit të Lunresë parashikohej të shkonte në HEC-in Madhesh. Banorët për këtë pretendim, por edhe për pika të tjera, e kanë ankimuar pranë Këshillit të Lartë të Shtetit. Në maj të vitit të kaluar, pas një auditi të zhvilluar,  KLSH njofton në raportin përfundimtar se përroi i Lunresë është vërtetuar që përdoret nga banorë të zonës dhe ka pasur kërkesa për vaditje në institucionet publike. 

“Konstatohet se, Institucionet përgjegjëse deklarojnë se nuk ka pasur kërkesa për vaditje, ndërkohë me shkresën nr. 31/1 prot., datë 01.02.2017, drejtuar Njësisë Administrative Ulëz, paraqiten nevojat e vazhdueshme për vaditje dhe me shkresën nr. 481/1 prot., datë 09.07.2020 është njoftuar edhe prefektura e Qarkut Lezhë. Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe konsultimit me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, konstatohet se, arsyeja pse Baseni Ujor shprehet se nuk ka kërkesë për vaditje në atë zonë, është se kërkesat e vazhdueshme nga banorët nuk janë bërë sipas procedurave të parashikuara. Banorët pretendojnë se, kërkesat e tyre të para fillojnë që në vitin 2001, në rrugë jozyrtare nëpërmjet kryeplakut të fshatit drejtuar njësisë administrative përkatëse, dhe vijojnë deri ditët e sotme. Në vitin 2017, me anë të shkresës nr. 31/1 prot., datë 01.02.2017, drejtuar Njësisë Administrative Ulëz, banorët kanë paraqitur kërkesën për vaditje, kësaj rradhe në rrugë zyrtare.” 

Por ky pretendim i kompanisë gjendet edhe në tentativën e dytë që po bën për të siguruar lejet e nevojshme për nisjen e ndërtimit të HEC-it Madhesh nëpërmjet VNM së hartuar në prill të këtij viti nga “Instituti Dekliada ALB”. 

Tashmë është në dorën e Ministrisë së Infrastrukturës së Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për të kryer punën e tyre sipas ligjeve në fuqi, kjo e rekomanduar edhe nga Këshilli i Lartë i Shtetit. 

“2.1 Rekomandimi: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim forcimin e kontrolleve të brendshme, për të garantuar një proces sa më transparent, në çdo rast të marrë masa që të verifikojë kryerjen e dëgjesave publike, sipas kuadrit ligjor në fuqi. 

2.2 Rekomandimi: Ministria e Turizimit dhe Mjedisit, nëpërmjet strukturave përkatëse, të ushtrojë kontrollin e nevojshëm mbi ligjshmërinë e kryerjes së procedurave të dëgjesës publike nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për rastin në fjalë, dhe në përfundim të këtij kontrolli, të bëhet me dije Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi rezultatet e punës së kryer.”

Bazuar në procedurat e cungëta të përfitimit të këtyre lejeve institucionale për realizimin e këtij investimi, komuniteti dhe përfaqësuesja ligjore janë besimplotë që ky HEC nuk do të ndërtohet dhe përroi do të shpëtojë pas oponencës në organet e drejtësisë. E kundërta mund të ndodhë, nëse forca e pushtetit e zgjeron fushëveprimin edhe në ato anë ku e drejta mbizotëron. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje