Antigonë Bytyçi | 25.02.2024 | nyje.al
Romani nuk mund të kuptohet nëse nuk je lexuesi model i Ecos, lexuesi tip të cilin teksti e ka parashikuar bashkautor.
E filluam me “ti” për të ndjekur kështu lojën e vetës së autorit. Pra, ajo që e karakterizon tekstin është veta e dytë e rrëfimit, e cila është goxha sfiduese si për autorin, edhe për lexuesin.
Autori model është një zë që flet me dashamirësi (ose me ton urdhërues, ose me djallëzi) me ne, që na do krah të tij dhe pikërisht ky zë manifestohet si strategji narrative, si një tërësi udhëzimesh që na jepen, në çdo hap, të cilave duhet t’u bindemi kur vendosim të sillemi si lexues model. (Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, f. 25)
Shkrimtari Ridvan Dibra, romanin e tij e fillon me një lloj paralajmërimi për lexuesin që libri nuk është autobiografi, por a mund të mohohet plotësisht një gjë e tillë pas leximit të librit? Natyrisht që jo, pasi teksti përmban elementë në dukje autobiografikë, por që sërish nuk e çojnë në hulli të autobiografisë klasike, pasi në thelb mbetet rrëfim fiktiv. Sigurisht, nuk mund të përjashtohet edhe që paralajmërimi mund të jetë një lloj hedhjeje, e parë si provokim për lexuesin e stërvitur.
Titulli i librit, “Gruaja që deshe”, mes të tjerash,sugjeron një të kaluar, por të kaluar të qenë, ekzistuese, atë që nuk mbetet thjesht e kaluar në një kufizim të caktuar kohor, por shpreh një gjithëkohësi. Në këtë rast folja “që deshe” e së kryerës së thjeshtë i jep përmasën e qenësishme dhe arrijmë ta barazojmë me përgjithmonë.
Teksti është i mbushur me pasazhe meditative, kujtime e aktualizime të personazhit i cili njëherazi është edhe narratori i ngjarjes. Gruaja e personazhit shënon një karakter të zakonshëm që nuk posedon ndonjë virtyt të dukshëm, e as ndonjë ves. Ajo shënon tipin e gruas krejt normale, jodramatike e as të ngjarjeve të mëdha, të cilat e bëjnë më me ndikim në jetën e tjetrit. Përkundrazi, ajo është antimodeli i një gruaje që lë gjurmë. Gruaja është me ndikim veç pse është ajo, duke qenë krejtësisht e natyrshme dhe një karakter trivial.
Pra, teksti romanor sjell risi përmbajtësore, duke qenë kështu për receptuesin krejt i thjeshtë, por shumë i thellë.
Romani vjen i veçantë te lexuesi duke qenë personazh “Gruaja”, dhe jo “gruaja”. Ndërkohë që leksema vajzë ruhet vetëm si “vajzë”. Në këtë rast kemi një agramatikalitet funksional, ngaqë autori përmes këtij kontrasti mëton ta vlerësojë gruan si stadin më sipëror të një femre. Kjo përcakton një kapërcim të rëndësishëm të kohës dhe një peshë të madhe të statusit grua që i jepet nga autori. Të jesh grua është barrë e madhe, ndaj me të drejtë quhesh Grua.
Kështu, Ridvan Dibra, eksploron ngjarje triviale, të përditshme, por duke u shkuar secilës në thellësi, duke e bërë të thjeshtën komplekse. Paralelisht, ai sjell një lloj ironie dhe kritike për autorët modernë që paraqesin patjetër ekstremen, nihilizmin, të cilët mundohen që përmes ekstremes të krijojnë të bukurën në letërsi, ndërkohë që Dibra duket sikur niset nga parimi i Hemingwayt, se në të vërtetë edhe karaktereve e ngjarjeve krejtësisht të parëndësishme në dukje, nëse u jepet thellësia e duhur, janë në gjendje të prodhojnë kryevepra. Ndërkohë që në funksion të kësaj ai krijon intertekstualitet me Pascal-in madje edhe duke cituar shprehjen e tij të famshme – “virtyti qëndron te normaliteti, dhe jo tek ekstremet”. (Gruaja që deshe, f. 108)
Gruaja e paraqitur gjithnjë e sëmurë në veprat e autorëve modernë ka filluar ta bezdisë atë.
Thuajse të gjitha të sëmura. Në udhëkryq. Pa rrugëdalje. Në tunel. Pa bosht. Pa qëllim. Asnjë ideal. Besim askund. Siguri tek askush. Kukulla vitrinash. Plastike. Plasteline. Në duart e dikujt. A të shumëkujt. Lodra seksi. Shpirti i mërguar. Edhe fryma. Nevrastenike. Cinike. Dyshuese. Egoiste. Të pabesa. Nuk gjen një grua normale në veprën e tyre. Ose e ndesh krejt rrallë dhe zbehtë. Saqë mezi vihet re. (Gruaja që deshe, f. 103)
Mes të tjerash, këtu shihet edhe teknika e shkrimit të tij eksperimental postmodernist, ku ai bën thyerje të një lineariteti morfo-sintaksor. Libri është i mbushur me thyerje të tilla, të qëllimshme të autorit, që ngjajnë në modelin e fjalive të paplotësuara deri në fund, ku hapësira tekstore pritet shpejt me një pikë.
Gruaja e personazhit duket një lloj sfide dhe demaskimi ndaj letërsisë moderne sepse një Grua krejtësisht normale, edhe ajo, ose veçanërisht ajo, meriton të jetë referencë letrare: kjo është ideja qendrore e librit që shkrimtari përçon, përmes së cilës ndërtohet i gjithë diskursi letrar. Ajo nuk është arketipi i femrës la femme fatale, e cila i çon burrat në situata të rrezikshme ose shkatërruese, që karakterizohet nga bukuria a intelegjenca apo natyra e saj manipuluese. Ajo nuk përdor sharmin e as joshjen e saj për të luajtur një rol qendror në intrigë.
Por nga se cilësohet Gruaja? Sado që duket një karakter pa një rol, krejtësisht si gjithkush, pa tentuar të konsiderohet ose të paraqitet si unike, qoftë edhe me vese, dy janë karakteristikat që lexuesi mund t’i dallojë: në fillim buzëqeshja, kah fundi heshtja.
Është një buzëqeshje që të ngjall të gjithë ndjenjat e lidhura në kuptimin arketipor me femëroren, për atë vajzë, për Gruan. Është buzëqeshja e saj e bukur dhe e natyrshme, e pafajshme; dhe në anën tjetër, një heshtje, heshtja që krijon murin ndarës mes tij dhe saj. Fundja, mund të cilësohet edhe heshtja që pagoi lirinë dhe çoroditjen e tij, por që gjithsesi mbetet heshtje që të trondit, sepse Gruaja:
as nuk revoltohet;
as nuk proteston;
as nuk shan;
as nuk mallkon;
as nuk kërcënon;
as nuk paralajmëron . . .
porse mbyllet në vetvete. (Gruaja që deshe, f. 111)
Pjesa e cituar konkretizon që romani strukturohet ndryshe; me një strukturë të re të tekstit, eksperimentale, çka e bën autorin krejt origjinal. Thyerje të tilla sintaksore shprehin edhe guximin krijues të shkrimtarit. Autori paraqet një tis të hollë ngjyrimesh postmoderniste. Kjo na paraqitet edhe në ca vende ku autori ka zgjedhur të folmen dialektore. Personazhet flasin në dialektin verior sepse janë veriorë (kjo përzgjedhje natyrisht lidhet edhe me origjinën e tij shkodrane), por ky është një aspekt që njëkohshëm, mund ta cilësojmë edhe si eksperimentim me gjuhën, ose thjesht stil autorial.
Struktura romanore veçohet nga ruajtja e dy linjave narrative. Autori krijon si të qëndrueshëm ambientin e një studioje me oxhak, i cili shpreh simbolikën e një “djegieje” të brendshme të një njeriu, të cilit koha kujtimet nuk ia djeg, e as nuk ia tret. Njëkohësisht, krijon ambientin e lëvizshëm të së shkuarës (retrospektiv), që e bën veprën fragmentare, por edhe të pasur me partikularitet. Por gjithsesi, ai ndërton një unitet në përmbajtje te të dyja linjat narrative.
Pra, Dibra hedh paralele mes kohëve të rrëfimit, mes së tashmes dhe së shkuarës në të cilën mediton vazhdimisht, duke lundruar së bashku me lexuesin nëpër dritëhijet e kujtesës së tij.
Kujtojmë pak Barry Levis-in, ku shpreh se: “Narrativa Postmoderniste karakterizohet nga parregullsi kohore, nga copëtimi i rrëfimeve lineare. Nga bashkëngjitja e formave dhe nga eksperimentimet me gjuhën.” (Një lojë me emrin postmodernizëm, f. 9)
Dibra na sjell një model jotradicional të të shkruarit, në alteregon e “ti-së”, shkruan që s’ka nevojë t’i shpjegojë lexuesit çka ai s’e sheh të arsyeshme ta bëjë, por a lipset që ta plotësojë në kllapa me “nuk e ndien për detyrë t’ia shpjegosh lexuesit”? Për stilin e tij të të shkruarit, mbase edhe po.
“Ku me e ditë?” – ky togfjalësh që gjen përdorim mjaft të shpeshtë të çon te pyetjet ekzistencialiste të cilat s’marrin fund kurrë, në të kundërt do të merrte fund vetë jeta. Fund merr edhe libri me po të njëjtën pyetje, teksa shtjellon dyshimet e gjithkujt për gjithkënd, të qenies për qenien. “Bota vuan pikërisht mungesën e besimit” (Gruaja që deshe, f. 161). Një pyetje e tillë e përsëritur disa herë në tekst, të jep ndjesinë e një disorientimi, të një konfuzioni përballë një të panjohure.
Dibra sjell diçka jashtë modeleve të gatshme, ndërton trivializmin duke krijuar kështu një kontrast me temat madhështore që gjenden në letërsi.
Autori krijon intertekstualitet me Pessoa-n, te tentativa e tij e disatë për të shkruar një letër dashurie që i ngjan më sfiduese sesa gjithë librat që kishte shkruar; ndërkaq, punën postmoderniste e krahason me oxhakun që ishte shkarravitur nga një dorë fëmije, duke e quajtur art postmodern. Një kufizim të kreativitetit, në njëfarë mënyre si obskurantizëm, që gjithsesi mund të çojë te vlera. Por shkrimtari na shfaqet këtu aplikues dhe kritikues i postmodernizmit në të njëjtën kohë, duke e quajtur atë si një lojë, një kaos dhe njëkohësisht duke e përdorur për të tillë.
Personazhet nuk kanë emra, ndaj gjykojmë se edhe kjo është një gjetje e qëllimshme ideore dhe teknike e autorit, pasi ata janë vetëm statuse dhe jo emra të përveçëm, për të thënë se Gruaja fiktive e romanit mund të jetë secila grua, pa dallim.
Rrëfimtari-autor në gjithë romanin e përdor vetëm një herë pasthirrmën “Eureka!”, e thënë së brendshmi teksa është në përpjekjet e tij për ta luftuar distancën mes asaj dhe atij, kur ata po rrezikonin të bëheshin të tepërt për njëri-tjetrin. Natyrisht që edhe ai e përdor për të shprehur ngazëllimin e një triumfi pasi zbulon se cili është shkaku i distancës që është krijuar mes tyre-mungesa e vëmendjes ndaj saj.
Ndikimin e Gruas te personazhi shkrimtar, tek e gjithë poetika e tij, narratori e quan “e tretur porsi kripa në gjellë”, me çka mund të lidhim dhe një lloj lirizmi që përshkon poetikën e tij.
Shkrimtaria perceptohet si ndjenjë madje si katarsis, “atëherë, si gjithmonë, i kërkon ndihmë letërsisë: veprimit e çlirimit përmes saj” (Gruaja që deshe, f.112).
Referencat:
- Dibra, Ridvan, Gruaja që deshe, Tiranë, Onufri, 2021.
- Eco, Umberto, Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, Dituria, 2007.
- Dibra, Ridvan, Një lojë me emrin postmodernizëm, Albas, Tiranë, 2007.
Fotografia e ballinës: Kushtrim Krasniqi
Për Autoren
Antigonë Bytyçi është kritike e re nga Theranda, e pasionuar pas letërsisë së huaj dhe asaj shqipe në veçanti. Ka përfunduar studimet e nivelit baçelor në Prizren në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe ndërsa ato master në Tiranë në degën e Teorisë dhe Kritikës letrare.