Etnografi e Oligarkisë

Nebi Bardhoshi | 04.04.2020 | nyje.al 

Tri fjalë që përdoren më shpesh këto kohë karantine janë: Covid-19, kapitalizëm, dhe komunizëm. Nganjëherë secila prej këtyre fjalëve shprehen me fjalë të tjera, ose mbështillen me fjalë të ndryshme. Për shembull, fjala kapitalizëm zëvendësohet me fjalën oligarki, ndërsa fjala komunizëm mbështillet më fjalë të tjera si sistem jo kapitalist.

Për ditë më radhë kam veçuar një mori shkrimesh për të kuptuar kritikën jo vetëm të majtë, por edhe mbrojtjen e së djathtës. Mendoj se këtë veprimtari, gjendje karantine, vëzhgime, lexime me fokus gjendjen politike, ta quaj etnografi në facebook në një kohë kalimtare. Kohë kalimtare mund të jetë kalimtare në kuptimin e parë të shqipes, pra një kohë e parëndësishme, jo historike, ama mund të jetë edhe një kohë kalimtare drejt një rendi të ri politik në rang botëror. Në kohën që jemi gjërat plaken shpejt dhe prandaj, ndoshta shumë ide mbeten gjithmonë të papjekura plotësisht.

Kthehemi tek argumenti. Konstatohet lehtë se jemi para mbrojtjes së qëndrimeve, e jo një qëmtim mbi fakte që të mundësojnë të kuptosh e të shohësh përtej. Nuk e fsheh aspak drojën se jemi para artikulimit në njërën anë të një të majte bazuar më shumë te mëria dhe ideja e revanshit dhe një të djathte mbrojtëse ose ofensive, që mban krahun e të fortit, jo se e beson si etikë, por të një të djathte banale, e cila struket në grykësi, dhe që keqpërdor ligjërimin për demokracinë.
Ky debat është i vjetër, pavarësisht se secilën herë merr trajta të reja. Nuk do të hymë në histori të thellë, por dihet se komunizmi ka ardhur si një propozim politik i cili do të duhet ta zëvendësojë kapitalizmin. Në kohën e karantinës ky debat është intensifikuar dhe për shumë status-bërës, komentues apo analizues prokomunistë, kjo është një situatë ideale për të vërtetuar se si kapitalizmi ka dështuar.

Žižek ishte ndër të parët që u angazhua në këtë drejtim. Në fakt Žižek s’para e humbet rastin për të qenë i pari në ndërhyrjet publike. Žižek pasi endet nëpër qasjet e mëparshme, duket sikur kërkon të na thotë – hë a ju pata thënë? Përfundimi, propozon njëfarëkomunizmi. Asgjë e re, vetëm faktit se kërkohet të mendojmë për njëfarëkomunizmi.
Një tjetër vështrim është ai ardhur nga Chomsky. Një emër i tillë të bën të ndalosh para dijeve që ai ka dëshmuar, por sapo dëgjon intervistën e tij, kupton se dhe ai mbron një tezë të kahershme – tregu ka dështuar, neoliberalizmi ka dështuar. Shija që të lë intervista e tij, është pak a shumë si e lexoi ndërhyrjen e Nato-s në Kosovë. Shembujt që merr Chomsky flasin shumë. Psh, thotë se a e patë shembullin e Kubës, ata derguan mjekë për të ndihmuar. Nuk i ka shkuar në vesh se dhe Shqipëria ka dërguar mjek për të ndihmuar! Lavdrimi i Kubës flet shumë.

Autorët që kanë themeluar apo propozuar ide për të lexuar botën e kanë pak të vështirë të rishqyrtojnë teorinë e tyre, biles jo pak raste nguten të kapin një rast e të thonë “ja pra që kisha të drejtë”.  Kështu bëri pak a shumë dhe Agamben për gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërkohë i gjithë ky debat zhvillohet në një hapësirë shumë të avancuar, siç është ajo virtuale, e nuk mund të them se është meritë e një bote tregu, por ndërkohë e besoj se është një botë e cila të jep mundësinë të hysh në dialog ose së paku të jesh receptues i gjithë këtyre ideve, është një botë e kreativitetit njerëzor.

Komunizmat teorik, pavarësisht se shfaqen me trajta si marksistë, jo-marksist, e majtë e re, etj etj, përbashkohen te kritika ndaj kapitalizmit. Dallojnë mes tyre te tipologjitë e luftës ndaj tij, por nuk na ofrojnë ndonjë ide shumë të qartë se me çfarë duhet ta zëvendësojnë këtë regjim. Qarkullojnë ide nga stalinizmi i hapur ose jo, te socializmi demokratik e deri tek anarkizmi, por sërish, në secilin variant, kur vjen puna në praktikë çështja nuk është aq e lehtë.
Nuk është as e lehtë të hidhen poshtë kritikat, ndaj kapitalizmit të egër, e aq më pak kur kapitalizmi rrëshqet në Oligarki. Ekziston një mbrojtje e së djathtës ndaj ideve të së majtës së re, apo të majtave  duke i klasifkuar në formën më inferiore të mundshme. Për një të djathtë, në facebook, apo në hapësirën virtuale e kam fjalën gjithmonë, është e lehtë të kritikohet e majta e shfaqur po aty, duke e quajtur atë marksiste, enveriste, apo thjeshtë komuniste. Puna është se, të kritikosh të majtën vetëm duke e skajuar te pikat e saj të dobëta nuk bën dhe aq punë. Nuk bën punë për disa arsye.  Nuk bën punë sepse të majtët nuk fyhen shumë po t’i quash marksistë, e ndoshta pak më shumë enveristë, por në fund të fundit jo dhe aq. Madje disa ndjehen krenarë. Nuk hezitojnë të ta thonë, edhe pse në Shqipëri do të ishte dashur që komunistët të kishin hyrë në një reflektim shumë herë më të thellë se në shumë vende të tjera. Ata që nuk distancohen qartë dhe plotësisht prej komunizmit aplikuar në Shqipëri, e gjithë atij në Bllokun Socialist, duhej të ndiheshin si nazistët në Gjermani.
Si mund të jetë i drejtë një regjim që beson në sundimin e një klase, dhe pse klasat e shtypura paskan moralin dhe të drejtën për të shtypur këdo tjetër? E këtu nuk ecën më ideali, pa hyrë fare për praktikimin e kësaj ideje.

Në sensin e prestigjit akademik, e majta e vjetër dhe e re, ka marrë e do të marrë gjithnjë e më shumë peshë, sepse në akademinë bashkëkohore kritika si qortim publik, ka marrë dhenë. Të kritikosh ata që janë me pushtet është gjithnjë njëfarë heroizmi, dhe e majta ka marrë këtë lloj stime të heroizmit kulturor në vende perëndimore. Po arsyeja kryesore se përse e majta sot ofron një kritikë në parim të drejtë është për faktin se kapitalizmi bashkëkohor, si shpesherë në histori, ka degraduar në oligarki.
Oligarkia, ka një regjiment të tërë mbrojtësish, që ta bëjnë shumë të vështirë punën për të ndarë mbrojtësit e kapitalizmit me mbrojtësit e oligarkisë. Dallimi mund të bëhet nëse, mbrojtësi i kapitalizmit i jep prioritet lirisë apo pasurimit të paskrupullt, kreativitetit apo një regjimi bazuar te spekulimi, dhe më kryesorja nëse folësi e beson demokracinë si fushë të ushtrimit të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, apo jo?

Aplikimi i demokracisë, do të duhej të ishte një fushë sociale ku ushtrohet një kulturë që inkurajon dijen, lirinë, kreativitetin, por ndërkohë nuk e lëshon veten as në tiraninë e shumicës, ose të populizmit, e as në kurthin e faktit: t’ia dalë kush t’ia dalë.
Një rend demokratik e ka shqetësim ndërtimin e kulturës së garës, por nuk harron detyrimin për të mbështetur atë që nuk mundet, nuk përbuz barazinë në dinjitetin njerëzor, nuk bën lëshime në liritë e veta, dhe nuk bën lëshime për liritë e tjetrit.
Oligarkia bashkëkohore ka ndërtuar ligjin e hekurt të saj, për të huazuar një term nga teoritë klasike të teorisë politike. Në rend global dhe në rend kombëtar. Hapësirat e tregut e të lirisë vetëm sa po ngushtohen çdo ditë, ose thuajse ato ekzistojnë vetëm në informalitet. Thuajse çdo kritikë e ndërtuar mbi oligarkinë, qëndron sepse ajo vërtetohet nga përditshmëria jonë. Nga monopolet në shërbimet e autobuzave, tek agjensitë telefonike, te taksa mbi Rrugën e Kombit, te praktika e ligjeve private siç ndodhi te çështja e Teatrit Kombëtar, siç ka ndodhur para kësaj qeverie me monopole të tjera, siç ka ndodhur e po ndodh me çështjet e HEC-ve, e plot e plot tema të tjera.
Aq shumë fakte ka pro kësaj teorie, saqë gati nuk ka nevojë të zihet më në gojë. Mëgjithatë për shoqërinë do të ishte shumë më e ndershme të shtohet dhe fakti se ky regjim nuk është kapitalizmi ideal e as që bëhet fjalë të heqim vija paralele me faktin se ne vetë e kërkuam një regjim të tillë. Oligarkitë dhe regjimet kapitaliste që nuk garantojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor nuk kanë fare të bëjnë me demokracinë.

Kritika ndaj së majtës, ndaj asaj të shfaqur sidomos dekadën e fundit ndër ne, është se fjalët demokraci dhe liri thuajse i ka hequr fare nga fjalori, ndërkohë që ka shumë dëshirë të intensifikojë fjalën oligarki. Nuk besoj se duke e thënë si fjalë, do të rregullohet vetiu çdo gjë, por nëse kjo nuk ndodh atëherë kemi të bëjmë me një të majtë totalitariste e cila flirton me rendet demokratike vetëm si faza kalimtare, pra deri sa ta marrin pushtetin.  Një të majtë të tillë e ka provuar njerëzimi. Një e majtë që mbron vetëm një klasë apo që shpik vetëm një klasë nuk do shumë mend të kuptohet se është e paimagjinatë sociale, larg ideve të lirisë dhe diversitetit, e në të kundërt është shumë afër apo është krejt totalitariste. E tillë është edhe një e djathtë që mbron vetëm një klasë apo një grup oligarkësh.
Kritika që marksistët drejtojnë ndaj liberalëve është se ata i quajnë shpejt e shpejt ose si përkrahës të një relativizmi kulturor, ose si një bërthamë e statu qou-së. Kjo është pjesa e rëndomtë edhe e debatit të këtyre ditëve. Puna është se kultura totalitariste dhe pro oligarkike, është problematike sepse e përjashton dialogun, ose duke mos e pranuar, ose duke e keqpërdorur deri në skajshmëri. Përjashtimi i dialogut është përjashtim i mundësisë për politikë e për një kulturë demokratike.

I djathti dhe i majti, sidomos në vende si Shqipëria, duhet të shqetësohen shumë nga oligarkia dhe totalitarizmi, pasi jo vetëm që rrezikohet në thelb gjithë spektri i idealeve rreth lirisë apo për lirinë dhe barazinë, por edhe se e lejon spektrin më negativ të së djathtës dhe të së majtës. Shikoni me kujdes, a ndryshon një qeveri e majtë apo e djathtë që në fakt drejtohet nga rendi oligarkik. Asgjë, veç flukseve që vetë ligji i hekurt i oligarkëve imponon. E nëse vijohet me oligarkinë, nuk është çudi që të kemi dy alternativa që do të dominojnë, ose njëfarë stalinizmi, ose njëfarë nazismi ndër ne e mbi ne që do të vinë me ide puritaniste, e do të përfundojnë me praktikën e spastrimit të Tjetrit.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje