Ekonomia normale nuk do të kthehet kurrë më

Autori: Adam Tooze, publikuar me 9 prill 2020, në revistën Foreign Policy |
Përktheu: Pavjo Gjini | Redaktoi: Genc Shehu

Të dhënat e fundit nga ShBA-ja provojnë se bota është në rënien e lirë më të thikët se kurdo – dhe manualet e vjetra ekonomike dhe politike nuk vlejnë më.
Teksa filloi mbyllja prej koronavirusit, impulsi i parë ishte për të mëtuar analogji historike – 1914, 1929, 1941? Ndërkohë që javët kaluan, ajo që doli gjithnjë e më shumë në pah ishte risia historike e tronditjes në të cilën po jetojmë. Si rezultat i pandemisë së virusit korona, ekonomia amerikane pritet të tkurret me rreth 25%, po aq sa në Depresionin e Madh. Por ndërkohë që tkurrja e pas 1929-s u shtri në një periudhë më të gjatë se katër vite, shpërndarja e koronavirusit do të ndodhë përgjatë tre muajve të ardhshëm. Kurrë nuk ka patur një karambol të këtillë. Ka diçka të re në faqe të tokës. Dhe është tmerruese.

Vetëm pesë javë më parë, në fillim të marsit, papunësia në ShBA ishte në pika rekord të ulta. Deri nga fundi i marsit ajo spikati diku rreth 13%. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar prej Luftës së Dytë Botërore. Nuk e dimë shifrën reale meqë sistemi ynë i regjistrimit të papunësisë nuk është ngritur për të gjurmuar një rritje të kësaj shpejtësie. Për të enjte me radhë, numri i atyre që plotësonin formularët fillestarë për sigurimet e papunësisë u rrit si fillim në 3.3 milionë, pastaj në 6.6 milionë dhe tani me 6.6 milionë të tjerë. Siç ka vërejtur ekonomisti Justin Wolfers në New York Times, me ritmin aktual papunësia në ShBA po rritet me afërsisht 0.5% në ditë. Nuk është më e paimagjinueshme që shifra e përgjithshme e papunësisë të mund të arrijë 30% deri në verë.

Lajmet e së enjtes konfirmojnë se ekonomitë perëndimore përballen me një tronditje shumë më të thellë dhe të egër se kanë përjetuar ndonjëherë deri më tani. Ciklet e zakonshme të biznesit përgjithësisht fillojnë me sektorët më të paqëndrueshëm të ekonomisë – pasuritë e patundshme, ndërtimtaria, për shembull, ose inxhinieria e rëndë që varet nga investime biznesore – ose sektorët që janë të varur nga konkurrenca globale, si industria e automjeteve motorrikë. Në total, këta sektorë punësojnë më pak se çerekun e forcës punëtore. Rënia e përqendruar në këta sektorë transmetohet në pjesën tjetër të ekonomisë si tronditje e heshtur.

Mbyllja prej virusit korona ndikon drejtpërdrejt shërbim-shitjet, pasuritë e paluajtshme, edukimin, argëtimin, restorantet – ku 80% e amerikanëve punojnë sot. Rrjedhimisht rezultati është i menjëhershëm dhe katastrofik. Në sektorë si i shitjeve me pakicë, i cili së fundmi ka qenë nën trysninë e fortë të konkurrencës online, mbyllja e përkohshme mund të dalë të jetë fatale. Në shumë raste, dyqanet e mbyllura në fillim të marsit nuk do të rihapen. Këto vende pune do të humbasin përgjithnjë. Miliona amerikanë dhe familjet e tyre po përballen me katastrofën.
Tronditja nuk kufizohet te Shtetet e Bashkuara. Shumë ekonomi europiane po zbusin efektet e izolimit duke subvencionuar punë afat-shkurtra. Kjo do ta moderojë spikatjen e papunësisë. Mirëpo kolapsi në veprimtarinë ekonomike nuk mund të maskohet. Veriu i Italisë nuk është vetëm destinacion luksoz turistik. Përbën 50% të PBB-së italiane. PBB-ja gjermane pritet të bie më shumë sesa ajo e ShBA-së, e tërhequr zvarrë prej varësisë nga eksportet. Parashikimet e fundit nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik janë apokaliptike për të gjithë pa dallim. Më e goditura prej të gjithave mund të jetë Japonia, edhe pse virusi ka patur ndikim të moderuar atje.

Në vendet e pasura të paktën mund të tentojmë të përllogarisim afërsisht dëmin. Kina ishte e para e cila nisi izolimin, më 23 janar. Shifrat e fundit zyrtare tregojnë 6.2% papunësi në Kinë, numri më i lartë prej kur ka nisur regjistrimi në vitet ‘90, kur Partia Komuniste Kineze me hezitime pranoi se papunësia nuk është problem vetëm për botën kapitaliste. Por kjo shifër qartazi është zvogëlim flagrant i krizës në Kinë. Jo-zyrtarisht ndoshta rreth 205 milionë punëtorë emigrantë janë liruar me leje, më shumë se çereku i forcës punëtore kineze. Pyetja e çdokujt është si mundet dikush të përllogarisë dëmin për ekonominë indiane nga izolimi i beftë 21-ditor nga Kryeministri Narendra Modi. Prej forcës punëtore indiane 471 milionëshe, vetëm 19% mbulohen nga sigurimet shoqërore, 2 nga 3 nuk kanë kontrata formale punësimi dhe të paktën 100 milionë janë punëtorë migrantë. Shumë prej tyre janë shpjerë me turr nëpër fshatrat nga vinë. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur prej ndarjes së 1947-s.
Pasojat ekonomike prej këtyre dramave të shpërmasuara njerëzore sfidojnë çfarëdolloj llogarie. Kemi mbetur me statistikën tonë të mërzitshme, por megjithatë jo më pak të jashtëzakonshme, që këtë vit, për herë të parë që kur filluan të llogariten pas Luftës së Dytë Botërore në mënyrë deri diku të besueshme të dhënat e PBB-ve, ekonomitë e tregut në lulëzim do të tkurren. Një model i tërë i zhvillimit ekonomik global ka frenuar pincë në vend.

Ky kolaps nuk është rezultat i një krize financiare. Nuk është as rezultat i drejtpërdrejtë i pandemisë. Kolapsi është rezultat i një zgjedhjeje të lirë të politikëbërjes, çka është në vetvete rrënjësisht risi. Mesa duket, është më e lehtë të ndalësh një ekonomi sesa ta stimulosh atë. Por përpjekjet që po bëhen për zbutjen e efekteve janë vetë historikisht të paprecedentë. Në Shtetet e Bashkuara, paketa stimuluese e Kongresit e kaluar vetëm ca ditë pas fillimit të izolimit është me shumë distancë më e madhja në historinë e kohës së paqes së SHBA-së. Anë e mbanë botës, vërehen lëvizje për t’i hapur kuletat. Gjermania konservatore në politika fiskale ka shpallur emergjencë dhe ka hequr limitin mbi borxhin publik. Marrë së bashku, po dëshmojmë përpjekjen më të madhe të kombinuar fiskale të ndërmarrë që prej Luftës së Dytë Botërore. Efektet e saj do të ndihen në javët dhe muajt në vazhdim. Sakaq është e qartë se dora e parë e tyre ka gjasë të mos mjaftojë.

Detyrë edhe më urgjente është të parandalojmë që ngadalësimi të kthehet në krizë financiare të stërmadhe. Rreth e rrotull po thuhet se Rezerva Federale e ShBA-së, nën drejtimin e Jerome Powell, po ndjek manualet e 2008-s. Kjo është e vërtetë. Ditë pas dite, ajo pjell programe të reja për të përkrahur çdo cep të tregut financiar. Por këtu dallon shkalla ndërhyrjeve të Rezervës Federale. Në mënyrë që të kundërveprojë ndaj tronditjes epike të mbylljes, ajo ka mobiluzar një valë të stërmadhe likuiditeti. Në fund të marsit, Rezerva Federale po blinte asete me një ritëm prej 90 bilionë dollarë në ditë. Kjo është më shumë brenda një dite sesa Rezerva Federale e Ben Bernankes-it blinte në shumicën e muajve. Për çdo sekond, Rezerva Federale shkëmbente pothuajse një milion dollarë në letra me vlerë të mbështetura nga hipoteka dhe nga Thesari [i Shtetit]. Në mëngjesin e 9 prillit, në të njëjtin çast kur shifra më e fundit e tmerrshme e papunësisë u botua, Rezerva Federale bëri me dije se po lëshonte një tjetër 2.3 trilionë dollarë në blerje asetesh.

Ky veprim i bujshëm dhe i menjëhershëm kundërbalancues deri tani ka parandaluar shkrirjen e menjëhershme globale financare, mirëpo tash përballemi me një periudhë të zgjatur ku rënia e konsumit dhe investimeve e shtyn edhe më tutje tkurrjen. 73% e familjeve amerikane raportojnë se kanë pësuar humbje në të ardhura përgjatë marsit. Për shumë prej tyre humbjet kanë qenë katastrofike duke i ngarë drejt nevojës akute, mospagesave dhe falimentit. Kundravajtjet në borxhin e konsumatorit padyshim do të rriten, duke çuar në një dëm të shtuar mbi sistemin financiar. Shpenzimet që mund të shtyhen për më vonë do të shtyhen. Konsumi i naftës në Europë ka rënë me 88%. Tregu i automjeteve është shakull i vdekur. Fabrikat e automjeteve përgjatë Europës dhe Azisë po rrinë këmbëkryq në magazina përplot me automjete të pashitura.

Sa më gjatë që ta mbajmë mbylljen, aq më e thellë vraga ndaj ekonomisë dhe aq më e ngadaltë rimëkëmbja. Në Kinë, veprimtaria normale ekonomike po kthehet me hapa të vegjël. Mirëpo, duke marrë parasysh rrezikun e valës së dytë a të tretë të plasjes së epidemisë, askush nuk ia ka idenë sesa shpejt dhe deri në ç’masë do të mund kthehet jeta e sigurtë normale. Duket se me gjasë, përveçse në rast të ndonjë përparimi dramatik mjekësor, kufizimet e lëvizjes do të jenë të nevojshme të mbesin ndërkohë për të menaxhuar pabarazinë e përmbajtjes [së sëmundjes ngjitëse]. Një shërim i zgjatur dhe çalues duket shumë më tepër i mundshëm sesa një rimëkëmbje e përnjëhershme në trajtë “V”-je.
Edhe kur të ketë rinisur prodhimi dhe punësimi aktual, do të na duhet të merremi me kokëdhembjet e mëpasshme financiare për vite me radhë. Argumenti rreth politikave fiskale rrallë po hapet në mes të këtij zjarri. Në një krizë, është e lehtë të pajtohesh për të shpenzuar para. Por kjo betejë po afron. Jemi përfshirë në spikatjen më të lartë ndonjëherë të borxhit publik në kohë paqeje. Hëpërhë po e parkojmë këtë borxh në regjistrat e bankave qendrore. Këto banka munden po ashtu të mbajnë të ulët normat e intersit, çka do të thotë se kthimet e borxhit nuk do të jenë të tejfryra. Por kjo shmang çështjen se çfarë të bëjmë me to. Për mendjen e zakontë borxhi tek e fundit duhet shlyhet nëpërmjet tepricave të përftuara me rritje të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve.

Historia sugjeron se, megjithatë, ka po ashtu alternativa më radikale. Njëra mund të jetë një hov inflacioni, edhe pse se si do sendërtohej kjo duke marë parasysh kushtet mbizotëruese të ekonomisë nuk është e qartë. Një tjetër do të ishte falja e borxhit, eufemizëm për falimentim publik (i cili nuk do të ishte aq drastik sa tingëllon nëse prek borxhet që mbahen në llogarinë e bankës qendrore). Disa kanë sugjeruar se do të ishte më e thjeshtë për bankat qendrore të ndërprisnin punën e blerjes së borxhit të lëshuar nga qeveria dhe në vend të kësaj thjesht t’u kreditojnë qeverive një balancë gjigande keshi.

Dhe më 9 prill kjo është pikërisht çka njoftoi Banka e Anglisë se do të bënte. Praktikisht, kjo nënkupton se banka qendrore thjesht po printon para. Thjesht fakti që kjo po merret në konsideratë – dhe nga një qeveri konservatore – shpërfaq sa e skajshme është situata. Po ashtu është simptomatike se, në vend të britmave të tërbuara apo shitjeve të menjëhershme në panik, vendimi i Bankës së Anglisë deri më tani ka prodhuar pak më shumë sesa thjesht ngritjen e supeve prej tregjeve financiare. Ata nuk po kanë shumë iluzione mbi akrobacitë që të gjitha bankat qendrore po performojnë.

Kjo qasje e dorëhequr ndihmon nga këndvështrimi i luftimit të krizës. Por mos prisni që qetësia të zgjasë. Kur të hiqet kapaku, politika do të rikthehet dhe po ashtu argumentet rreth “barrës së borxhit” dhe “qëndrueshmërisë”. Dhe duke marrë parasysh shkallën e detyrimeve që janë akumuluar tashmë duhet të përgatitemi që situata do të rëndohet. Ajo çka mendonim se dinim mbi ekonominë dhe financat na është trazuar radikalisht. Prej tronditjes së krizës financiare të 2008-s, është përfolur shumë për nevojën për t’u ballafaquar me pasiguri radikale – një lloj rreziku ndaj të cilit nuk mund të caktosh një probabilitet matematikor. Përnjëmend, caktimi i një probabiliteti specifik mundet madje t’u japë zemër vetëkënaqësisë së cekët dhe ndjesisë së rremë të gjithëdijenisë.

Pas tronditjeve të Brexit-it dhe zgjedhjes së Donald Trump-it, është folur shumë rreth politikave të paparashikueshme të populizmit. Politikat agresive tregtare të Trump-it dhe përshkallëzimi deri në rivalitet gjeopolitik me Kinën shushatën supozimet konvencionale rreth të ardhmes së globalizimit. Deri më 2019-n kjo pasiguri arriti pikën në të cilën po ndikonte investimin dhe rrezikonte një reçesion. Bankat qendrore, të cilat kishin menduar se ishin në rrugën e normalizimit dhe të ndreqjes së ndërhyrjeve dramatike të bëra pas 2008-s, u detyruan të ndërronin kurs dhe të rifillonin politikat me norma interesi super-të-ulëta. Kjo nga ana e vet, ndërseu përdredhje të krahut për një epokë të re varësie ndaj bankava qendrore. A do të kthehemi ndonjëherë në kohëra “normale”, me tregje të shkëputura prej varësive së tyre ndaj stimulimeve monetare e bizneseve dhe me tregti të pacenuar nga zgjedhje të paparashikueshme?

Pas pandemisë së virusit korona, thirrje të tilla munden të tingëllojnë vetëm të lezetshme. Tashmë e dimë se ç’pamje ka pasiguria vërtet radikale. Një goxha pjesë e madhe e popullatës botërore po pëson shkundje radikale të funksionimit bazë të jetës së vet. Asnjëri prej nesh nuk mund të parashikojë me siguri se kur do të mund të kthehemi në jetët tona para virusit korona. Mund të shpresojmë se gjërat do t’i “kthehen normalitetit”, por si do ta kuptojmë një gjë të tillë? Në fund të fundit, gjërat dukeshin normale në janar, vetëm pak javë para se të ndalte bota. Nëse pasiguria radikale na shqetësonte më herët, tani do të jetë realitet gjithnjë e përherë i pranishëm i joni. Çdo sezon gripal do të shihet me ankth. Duke ndjekur një metaforë mjekësore, sa kohë do të duhet të kalojë para se ta shpallim veten në remision?

Ka gjasë që, në situatën pasuese të izolimit, do mund të ketë ndonjë kërcim të shpenzimeve. Por a mundet kjo të vijojë? Reagimi më i dukshëm ndaj një tronditjeje si kjo që po përjetojmë është të zmbrapsemi. Një nga zhvillimet e habitshme që prej 2008-s ka qenë tkurrja e borxhit përmes shitjes së aseteve nga familjet amerikane. Konsumatori amerikan, burimi më i madh marrë veçmas i kërkesës në ekonominë botërore, është bërë qartazi më i matur. Investimet e bizneseve kanë qenë të plogëta, ashtu siç ka qenë rritja e produktivitetit. Ngadalësimi nuk qe kufizuar vetëm në perëndim. Edhe tregjet në lulzim qenë ngadalësuar. Këtë e quajtëm stanjacion afat-gjatë.
Nëse përgjigjja nga ana e biznesit dhe e familjeve ndaj tronditjes së paprecedent të virusit korona është turrja drejt sigurisë, kjo vetëm do t’i shumëfishojë forcat e stanjacionit. Nëse përgjigja publike ndaj borxheve të akumuluara nga kriza janë masat shtrënguese, kjo do t’i përkeqësojë gjërat. Në vend të kësaj, është me vend të bëjmë thirrje për qeveri më aktive dhe vizionare që të udhëheqin në shtegdaljen nga kriza. Por pyetja është, sigurisht, se çfarë forme do të marrë kjo dhe se cilat forca politike do ta kontrollojnë atë.
______________
Adam Tooze është profesor dhe drejtor i Institutit Europian në Universitetin e Kolumbias. Libri i tij i fundit është Crashed: How a Decade of Financial Crises Changed the World dhe tani po punon në shkrimin e një historie të krizës klimatike.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje