Ca tabu për seksin, dashurinë dhe dhunën

Ronald Qema | 20.10.2021 | nyje.al

Në mars të 1973-shit, Franca Rame, aktorja, regjisorja dhe aktivistja italiane, u mor peng e kërcënuar me armë nga 5 meshkuj brenda një furgoni. Përdorën briskun për t’u shqyer rrobat dhe prerë lëkurën, i dogjën cigare në trup. Franca Rame u përdhunua. U deshën dy vjet që ajo të gjente forcën për të treguar ç’i kishte ndodhur. Bashkëshorti i saj, Dario Fo, e mori vesh nga letra që Franca i kishte shkruar. Kjo grua tronditi Italinë kur me anë të një monologu, “Lo Stupro” (Përdhunimi), tregoi përballë miliona njerëzve, që e ndiqnin nga ekrani i televizorit, gjithë çka kishte ndodhur natën kur grupi i neofashistëve e përdhunuan. Ajo vazhdoi ta rrëfejë ngjarjen në programe televizive e teatro në Itali dhe Europë.

“Lo Stupro” në Kamëz
Fundjavën që lamë pas, monologu “Përdhunimi” bashkë me një tjetër monolog të Franca Rames, “Seks? Rrofsh sa për t’u këndellur”, u luajt në Kamëz në një hapësirë biznesi të papërfunduar. Nën drejtimin e Anila Ballës, regjisore dhe aktore, shfaqja “Përdhunë” solli rrëfimin trazues të përdhunimit, interpretuar nga Irena Keçi, Mariana Syla dhe Anisa Pepkolaj, vajza aktiviste pranë grupit “Ata”.

Foto të realizuara gjatë shfaqjeve në Kamëz, Teor 2021, Ronald Qema Foto të realizuara gjatë shfaqjeve në Kamëz, Tetor 2021, Ronald Qema

Aktivistja Diana Malaj, e kishte marrë përsipër përkthimin e monologut të Rames si një nevojë për t’iu sjellë të rinjve tekste të ngarkuara politikisht në një Kamëz që duket se nuk mendon për veten me sy kritikë, se për të bukurën jo e jo.

“Tekstin e përkthyem menjëherë pas dhunës që ndeshëm në Valias, gjatë shfaqjes ‘Vidh një çikë më pak’ e Dario Fosë”, tregon Diana. “Në përpjekje për të gjetur një arsye për çfarë na kishte, ndodhur u hodhëm në tekstin e Francas. E pamë dhe ripamë interpretimin e saj, aq sa menduam se përkthimi do të na ndihmonte për të kuptuar më mirë veten dhe identitetin tonë.”
Bazuar në realitetin e përditshëm që vajzat e grupit ndeshin por edhe në situatën e rënduar të dhunës ndaj grave e vajzave, monologu “Përdhunimi” duhej përdorur si reagim. “E ndiemë se duhej bërë diçka”, thotë Anila Balla. “Na ndodh të përplasemi vazhdimisht me dhunën në përditshmërinë tonë, drejtpërdrejt apo përmes televizorit, një dhunë në format nga më të çuditshme.”
Në fakt, monologu ka dy vite që kalon nëpër duart e aktivistëve të grupit dhe është lexuar në grup 8 marsin e shkuar.

Kamëz, Tetor 2021, R.Qema

Që nga përkthimi e deri në vënien në skenë, shumë ide janë rrahur dhe përpunuar për mënyrën se si duhej interpretuar. Ndryshe nga zakonisht, monologu u luajt nga tri karaktere, si tri pasqyrime të gjendjes që çdo grua mund të ketë përjetuar në situatën e Francas. Regjisorja Anila Balla tregon se kishte menduar që “pjesa do të vinte më fuqishëm nëse do interpretohej nga tri vajza, të trija karaktere që përfaqësojnë mendësi të ndryshme të vajzave e grave. Anisa është minorene, shumë e ndjeshme, deri në kufijtë e mbylljes në vetvete. Irena është ajo që të magjeps me karakterin e fortë dhe krenarinë. Ndërsa Mariana me zërin e ngrohtë, jo i zakontë për të treguar dhunën fizike e shpirtërore të një personazhi.”

Kështu, peshën e ngjarjes vajzat e kanë ndarë mes tyre, në skenën e errët të ndriçuar vetëm nga poshtë.
“E dija dhe isha e vetëdijshme për rëndësinë që ka tema dhe sa e fortë është për shoqërinë, kudo, jo vetëm në Kamëz. Por nuk isha vetëm, bashkë me gocat jemi ndierë të mbrojtura”, thotë Irena.

Nga mungesa e edukimit seksual tek përdhunimi

Anila Balla teksa performon monologun “Seks? Rrofsh sa për t’u këndellur”, Tetor 2021, R.Qema 

Monologu “Seks? Rrofsh sa për t’u këndellur” (përkthyer nga origjinali nga Anxhela Lepuri) iu bashkangjit “Përdhunimit” për të krijuar shfaqjen teatrale “Përdhunë”. Franca Rame dhe Dario e Jacopo Fo e shkruan familjarisht në vitin 1994 dhe është një ndër të shumtat komedi-monologje të çiftit Fo-Rame. Pasojat e mungesës së edukimit seksual sjell me humor e satirë, janë një realitet edhe për publikun në Kamëz. Pararendës i rrëfimit të përdhunimit, ky monolog i Francas ndau me publikun çështjet e dashurisë dhe seksit, çështje që tabu për t’u artikuluar qartë dhe hapur në publik e që shikuesit herë i pritën me të qeshura e herë vrenjtur. “Mendoj që kjo shfaqje plotëson të gjithë pasqyrën e dhunës seksuale, sepse përfshihet edhe padija seksuale deri tek akti i tmerrshëm i përdhunimit”, shpjegon Anila. Pati njerëz që zunë e qeshën me batutat e monologut të parë, qanë me monologun e përdhunimit, u ndienë të sikletosur nga termat si seks, penis, orgazëm, etj., e gjithashtu pati të tjerë që u çuan dhe ikën.

Tri pyetje për aktoret

Ç’është dhuna gjinore sipas teje? Çfarë keni diskutuar për mënyrën se si duhej sjellë përdhunimi në skenë?
Irena Keçi: Në fakt kam qënë shumë e qartë që nga fillimi, që nëse do më vinte mundësia për të interpretuar një rol të tillë, nuk do e humbisja. Më ka prekur teksti, kemi rrjedhur nëpër tekst shumë herë me dhimbje, por nga ana tjetër ishte kënaqësi që ia dolëm të tregojmë dhimbjen e gruas në një skenë të vogël. Pastaj, pas çdo përcaktimi që mund të më jepet, si aktore, aktiviste apo qytetare e Kamzës, unë jam vajzë, jam grua, jam gjinia e paragjykuar, pothuajse e pambrojtur dhe gjithmonë me një barrë në shpinë. Do doja shumë që pas kësaj shfaqjeje, bashkë me të, të mbaronte çdo vuajte që gruaja ka kaluar dhe kalon akoma. Të ndalonte aty çdo padrejtësi dhe të gjithë të kuptonin se sa të rëndësishme jemi dhe se barazia duhet të jetë e panegociueshme. Por, fuqia ime dhe e jona si trupë aktoresh dhe aktivistesh është t’i japim atij pak publiku që na ndjek mundësinë të dëgjojnë e më pas të rrëfejnë mesazhet që dhamë. Është e vështirë vërtet, por e vetmja gjë që kemi është: të flasim.

Mbi ç’emocione bazë keni punuar për të realizuar shfaqjen “Përdhunë”?

Mariana Syla: Gjatë javëve që kemi punuar për shfaqjen “Përdhunë”, fillimisht kemi pasur emocione shumë të forta e të sinqerta dhe shpeshherë përballeshim me frikërat tona. Ka qenë e pamundur të shmangësh mendimin që ndoshta një ditë mund të jemi dhe ne në atë gjendje, frikë që ndoshta e shoqëron çdo vajzë. Kur kthehesh vonë pas pune për në shtëpi e futesh në ato rrugicat e pandriçuara, frika ngjallet. Ne si vajza të trupës së aktrimit e ndienim këtë ngjarje afër personales, për shembull: parandjenjën që do ndodhë diçka, atë muzikën e radios që e dëgjon edhe kur e kalon atë rrugicën e pandriçuar të lagjes. Ndërsa gjatë ditëve të shfaqjeve ka pasur emocione të ndryshme, në njërën nga netët jemi përfshirë shumë dhe kam menduar sikur situata po më dilte jashtë kontrollit.

Anisa, je më e reja në këtë projekt. Si je ndier për rolin që more përsipër?

Anisa Pepkolaj: Jam ndier shumë e sfiduar edhe e frikësuar sepse nuk e kuptoja mirë aktin e tmerrshëm të përdhunimit, dhe mendoja se nuk do e sillja mirë efektin që ka përdhunimi tek një grua. Është diçka jo normale për mua, më ka sfiduar edhe më ka nxjerrë nga zona e komfortit. Fakti që jam minorene bën që pesha e gjithë ndodhisë të shtohet. Kam pasur ndiesinë që vajzat e gratë që kanë përjetuar këtë tmerr mund edhe të ofendoheshin nga kjo që po bënim por me “përqafimin” e Franca Rames, mendoj se ndoshta nuk i kemi lënduar.

Imazh i shkëputur nga performanca e monologut “Përdhunimi”, Tetor 2021, R.Qema


“Përdhunë” në Lezhë

Pas tri net shfaqjesh në Kamzës, “Përdhunë” shkon në Lezhë në fundjavë. Është e nevojshme dalja nga zallamahia e Tiranës dhe komunikimi me komunitete që kanë etje për teatër politik e shoqëror. Këtë të shtunë, në orën 18:00, trupa e vajzave udhëton në Lezhë me motivin që aktivistja Diana Malaj e shpreh kësisoj: “Për të shprehur dështimin tonë që ende nuk kemi bërë mjaftueshëm, por edhe si për të mbledhë veten që ende mundemi të bëjmë diçka.”

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje