Bashkia e Kamzës shemb dhe rindërton pa plan dhe pa konsultime publike!

10.08.2020 | nyje.al 

Valias, Kamez korrik 2020
Valias, Kamëz korrik 2020

Zona e Valiasit vazhdon të mbetet një ndër zonat më të dëmtuara në Kamëz pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Për shkak të amortizimit të pallateve të ndërtuara në vitet ’60, pamundësisë ekonomike të banorëve për t’i mirëmbajtur ndër vite, mungesës së investimeve publike vendore dhe goditjeve të forta të tërmetit, sot e kësaj dite ka ende familje që jetojnë në çadra, të tjerë që janë larguar me qera e shumë të tjerë që jetojnë në shtëpi të dëmtuara.
Muajin qershor, Bashkia Kamëz njoftoi publikisht miratimin dhe lëvrimin e një fondi prej 1,6 milion dollarësh për 771 familje në Kamëz që kanë pësuar dëme nga tërmeti. Sipas burimeve zyrtare janë dëmshpërblyer 349 familje për dëmtimet e lehta, 261 familje për dëmtimet e shkallës së mesme dhe 161 familje për dëmtime të shkallës së rëndë. Këto dëmshpërblime pritet që të investohen nga vetë familjet për të meremetuar dhe rregulluar shtëpitë e dëmtuara, ndërkohë që nga terreni shumë banorë na tregojnë sesi dëmshpërblimi i llogaritur për dëmtimet e rënda nuk u mjafton as për blerjen e një dere të vetme.
Situata është më pak e qartë për banorët e bllokut të pallateve afër minierës së qymyrgurit të Valiasit. Ata shprehen se janë të painformuar dhe të paqartë se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre. “Flitet që do të shemben këto pallate dhe do të ndërtohen të tjera në vend të tyre, ku ka mundësi të vijnë dhe familje nga zona të tjera të dëmtuara të Shqipërisë, por nuk dimë asgjë me siguri.” – shprehet banori me inicialet R.U.
Ylli Hasani, kryeplaku i Valiasit të Vjetër shprehet se bashkia tashmë ka bërë gati një plan të ri urbanistik për zonën, i cili përfshin: prishjen e pallateve ekzistuese dhe rindërtimin e tyre nga e para; prishjen dhe rindërtimin e çerdhës dhe shkollës, si dhe urgjencës spitalore. Sipas tij, bashkia gjithashtu do t’i kushtojë rëndësi të veçantë hapësirave të gjelbra dhe parqeve rekreative.
Familja Arapi shpreh shqetësimin për prishjen e shtëpisë së tyre dhe paqartësisë me të cilën janë përcjellë nga persona zyrtare, të cilët sipas banorëve ishin përfaqësues të bashkisë. “Na kanë ardhur në shtëpi dhe na kanë matë sipërfaqen e shtëpisë që të llogarisin sesa duhet të na japin kur të rindërtojnë objektin tonë të banimit, por ne jemi prej hallit 3 kurora në këtë banesë me tre dhoma. Familja jonë e madhe shkon mbi 20 persona, nuk mundemi të pranojmë një apartament për tre kurora të cilat janë më vete në gjendje civile, por ngaqë s’kemi ku të fusim kokën rrimë te shtëpia e babait.” – shprehen ata. 
Të tjerë banorë shprehen se nuk e dinë se çdo ndodhë me lagjen e tyre, edhe pse para disa kohësh kanë nënshkruar ca letra për rindërtim objekti. Vetë banorët mes tyre kanë deklarata kontradiktore, por ajo që e pohojnë të gjithë është se zona do të rindërtohet krejtësisht. Shumë prej tyre janë skeptikë ndaj çdo lloj plani rindërtimi për shkak se janë përballur me shumë premtime bashkiake të cilat kanë mbetur parealizuar ndër vite.
Nisur nga nevoja e banorëve për të mësuar nëse ekziston vërtet një plan i tillë i detajuar vendor, si dhe domsodoshmërisë së redaksisë sonë për t’iu qasur një burimi zyrtar informacioni lidhur me një proces që prek interesat e një lagjeje ku është përqëndruar mbi 13% e popullsisë së Kamzës, Nyje i është drejtuar Bashkisë nëpërmjet një kërkese për informim lidhur me planin e ri urban të Valiasit.
Fillimisht Bashkia Kamëz është përgjigjur se Ministria e Rindërtimit është institucioni që mban një informacion të tillë. Në një shkresë të dytë ata na njoftojnë se plani urbanistik i Valiasit është konfidencial deri sa të detajohet, e si rrjedhojë nuk mund të na vihet në dispozicion. 
Nuk është hera e parë që qytetarëve të Kamzës u është shkelur e drejta për t’u informuar. Të shumta kanë qënë rastet kur kërkesat e aktivistëve dhe qytetarëve nuk protokolloheshin dhe nuk trajtoheshin me seriozitet, gjatë qeverisjes së krahut të djathtë.
Me ardhjen e partisë socialiste në krye të bashkisë së Kamzës, rruga për të pasur qasje në dokumente zyrtare nuk është e shtruar me lule. Përgjigjet kontradiktore të këtij institucioni u ankimuan pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Si pasojë, ky i fundit zhvilloi një seancë dëgjimore, në të cilën Drejtori i Përgjithshëm i Projekteve, Investimeve dhe Shërbimeve Publike pranë bashkisë Kamëz, Z. Elvis Gjika u shpreh: “Njësia zbatuese për planin e rindërtimit është Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Për sa më sipër, Bashkia ende nuk ka informacion nga këto njësi mbi ecurinë e planit pasi do të vihet në dispozicion në momentin e përfundimit të hartimit.“ As seanca dëgjimore e Komisionerit për të Drejtën e Informimit nuk ndihmoi për të shtirë në dorë një informacion kaq të rëndësishëm për banorët e zonës. Përkundrazi, kontrolli formal i tyre ia lehtësoi edhe më shumë bashkisë për të mohuar me lehtësi që nuk kanë asnjë plan.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në rolin e Agjencisë zbatuese për Programin e Rindërtimit njoftoi në rrugë zyrtare se nuk ka asnjë plan vendor të miratuar deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi lidhur me zonën e Valiasit. Ata shprehen se fillimisht duhet të presin hartimin e këtij programi nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT), si institucioni përgjegjës për këtë veprim.
Ndërkohë që Bashkia Kamëz dhe institucioni më sipër pretendojnë se nuk kanë asnjë dokument planifikimi të territorit për këtë zonë, në terren bashkia po shemb dhe rindërton prej disa muajsh. Është prishur kopshti i fëmijëve dhe është hapur kantieri i rindërtimit të tij, disa metra më tutje.  Ashtu siç ishin shprehur banorët dhe kryeplaku që në fillim të muajit qershor, pak ditë më parë bashkia Kamëz ka hedhur poshtë shkollën nëntë-vjeçare të Valiast. Sipas banorëve, ajo shkollë nuk ka qenë goditur nga tërmeti, pasi ka qënë e re dhe e ndërtuar vitet e fundit të qeverisjes së djathtë. Ata pohojnë gjithashtu se do të shembet shumë shpejt edhe qendra e urgjencës së lagjes, si dhe do të prishen pallatet e Valiasit. 

Shkolla nëntë vjeçare e Valiasit e shkatërruar nga Bashkia Kamëz, 7 gusht 2020
Shkolla nëntë vjeçare e Valiasit e shkatërruar nga Bashkia Kamëz, 7 gusht 2020

Shumë banorë shprehin shqetësimin e tyre për çka mund t’i ndodhë Valiasit. “Për sa i përket shpiave tona na kanë thanë, por s’është informacion i sigurtë, që brenda javës që vjen kryetari i bashkisë ka me zhvillue një takim me banorët e Valiasit për me e prezantu projektin e ri të rindërtimit të zonës. Dhe na kanë thanë që pa e aprovue dhe ju si projekt, nuk ka me ndodhë asnji gja. Por, vet fakti që na kanë thirrë të gjithëve me firmosë marrjen e një bonusi qeraje, dhe një pjesë e banorëve kanë pranue me firmosë, kam frikë se kjo punë ka marrë fund dhe prezantimin ka me e ba sa me ‘la gojën’ me ne”, – shprehet banori me iniciale G. Ll lindur dhe rritur në Valias.
Një ndër përgjegjësitë kryesore të Bashkisë, sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore është ndërtimi i ndërtesave arsimore të sistemit shkollor dhe të kopshteve, si dhe planifikimi, administrimi dhe zhvillimi e kontrolli i territorit të saj. Valiasi është pjesë e Kamzës, madje një ndër lagjet më të mëdha të saj me mbi 20 000 banorë. Në kushte të tilla, ku shembjet dhe rindërtimet në terren përmohojnë qëndrimin zyrtar të bashkisë së Kamzës, kjo e fundit e ka detyrim jo vetëm të ketë një plan rindërtimi, por edhe t’ia nënshtrojë atë një procesi konsultimi me publikun, kryesisht me ata që u preket interesi në mënyrë të drejtëpërdrejtë, pa filluar me prishjen dhe rindërtimin e objekteve apo pa i “joshur” ata me bonus qeraje, bonus i cili sipas banorëve është krejtësisht qesharak dhe i pamjaftueshëm për të marrë qoftë dhe një dhomë të vetme me qera (110 mijë lekë të vjetra/muaj).  
Ligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” në nenin 24 të tij parashikon se proceset e planifikimit dhe zhvillimit të territorit duhet t’u nënshtrohen këshillimeve dhe takimeve publike që në momentin e hartimit të dokumentit të planifikimit. Bashkia ndërkohë kërkon që të presim deri sa të hartohet, detajohet, përfundohet plani i punimeve ndërtimore, madje edhe të ekzekutohet në terren, që të na njohë me fatin urbanistik të Valiasit.
Autoriteti publik do duhej të kishte garantuar deri tani bashkërendim dhe bashkëpunim mes të gjitha autoriteteve të planifikimit dhe palëve të interesuara që përpara fillimit dhe gjatë hartimit të dokumentit vendor të planifikimit, duke iu përshtatur masave mbrojtëse kundër covid-19, por gjithmonë duke mos shmangur përgjegjësitë e tij institucionale dhe duke mos ngritur dyshime të arsyeshme mbi cënimin e të drejtave pronësore dhe të strehimit të qytetarëve të vet.

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

  1. Agim

    Pershendetje te gjithve , jam banor I valiasit , ketu bashkia kamez Po na e prish shpit me pretendimin Se na I ka prish termeti dhe Po na nxjerr jashte dhe Po na len pa shpi dhe po na vjedhin , preshendesim Gazetten nyje per mbeshtetjen

Leave a Reply to Agim Cancel reply