Banorët e Valiasit ankohen– vonojnë dëmshpërblimet dhe rindërtimet për familjet e prekura nga tërmetet

nyje.al | 21.01.2019 

703 është numri i familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 në Kamëz, të cilët do të marrin dëmshpërblim nga bashkia gjithsej në vlerën e 396,304,122 lekësh. Mirëpo, ndërkohë që është dhënë ky informacion, hapat për të ndërmarrë zbatimin në praktikë të këtyre masave financiare janë shumë të ngadalta.

Nga vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 22.10.2018 është miratuar dëmshpërblimi në vlerën 5.857.961 lekësh për 42 familje të dëmtuara nga tërmeti i korrikut të vitit 2018, ndërkohë që ende sot e kësaj dite familjarët vazhdojnë të jenë në pritje të ndihmës financiare të premtuar. E njëjtë është gjendja për familjet e dëmtuara të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit të 2019-s.

Bashkia na bën me dije se nga 95 banesa të vlerësuara si të pabanueshme nga tërmeti i shtatorit, 24 prej tyre do të rindërtohen me vendim të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ndërsa shuma e dëmshpërblimit mbetet ende për t’u lëvruar nga kjo agjenci për shkak se bashkia pretendon se gjendet në mungesë fondesh. Për pjesën tjetër të shtëpiave të pabanueshme pritet që të dalë një tjetër vendim miratimi për rindërtimin e tyre. Tashmë lajmet në rrjete sociale të bashkisë Kamëz informojnë qytetarët që ka filluar rindërtimi i 5 shtëpiave të para.

Ndërkohë, situata e familjeve në Kamëz të dëmtuara nga tërmeti i fundit vazhdon të jetë po njësoj e vështirë që prej ditës së tronditjes së madhe. Shumë prej familjarëve të kontaktuar dhe të takuar shprehen se përgjatë këtyre dy muajve vetëm kanë përgatituar dhe dorëzuar dokumentet e kërkuara nga bashkia për të përfituar dëmshpërblimin, por deri tani nuk kanë marrë informacion mbi ecurinë e procesit. Disa prej tyre vazhdojnë të jetojnë në çadra, me stërmundim për ngrohje dhe jetë normale. Të tjerë për arsye që nuk i dinë nuk u është dhënë bonusi i qerasë, duke ua pamundësuar gjetjen e një hapësire alternative me qira.

Kryefamiljari me iniciale R.A, që jetonte në zonën e Valiasit të vjetër, në bllokun e gjashtë pallateve të ndërtuara në vitet ’60 shprehet se vazhdon të jetojë në shtëpinë e të afërmve të tij në Bathore që prej nëntorit. Për shkak të dëmtimeve të rënda në katin e tretë të pallatit, që prej 26 nëntorit nuk është kthyer më në shtëpi. “Nuk dimë më asgjë, nuk kemi më asnjë informacion. Nuk na është dhënë bonus qeraje, edhe pse shtëpia është e pabanueshme. Më mbetet vetëm të pres.” Njësoj janë shprehur 3 kryefamiljare të tjera në të njëjtën zonë, të cilat përsërisin që kanë mbetuar në pritje, me shpresën se bashkia do të ndërhyjë në rindërtimin e banesave të tyre.

Në kushte të rënda jetese, në të ftohtë e në shi, pa shumë ushqime dhe vetëm me disa batanije të dhuruara nga vullnetarë vazhdon të jetojë në cadër familja Tare. “Para disa ditësh kam qenë të bashkia, dhe u kemi dorëzuar dokementet që na kërkuan, bashkë me fotografitë e shtëpisë së dëmtuar. Më njoftuan që duhet vetëm të pres. Ndërkohë që presim, kalon koha e na vështirësohet qëndrimi në çadër. “

Valiasi mbahet mend për një ndër minierat më të mëdha e më moderne të qymyrgurit gjatë viteve të diktaturës. Përreth minierës së Valiasit, me sipërfaqe rreth 12 ha dhe me 4 mijë të punësuar, u ndërtuan pallatet e para të zonës që do të strehonin punonjësit dhe minatorët. Sot, krejtësisht të amortizuar dhe burim rreziku për familjarët, pallatet e viteve ’60 kanë mbetur jashtë vëmendjes institucionale lokale.

“Kur ishte Xhelali nuk investoi në zonën tonë vetëm pse ai mendonte se populli këtu nuk ishte me të djathtën. Për 23 vite mbetem pa ujë të pijshëm e pa kanalizime nga mendësi të tilla. Mezor na shtruan një copë rrugë së fundmi. Ndërkohë, kryetarit të ri i kemi kërkuar që të na i rregullojnë pallatet, si brenda dhe jashtë, pasi të gjithë banorët e kateve të treta kanë pësuar dëme nga tërmeti. I kërkuam gjithashtu të na krijojë hapësira për të rinjtë dhe të moshuarit. Deri tani na ka bërë vecc kanalizimet, të shohim nëse do e mbajë fjalën për të tjerat. ” shprehet një tjetër banor i zonës.

Mes pakënaqësisë nga mungesa e rindërtimit të pallateve të dëmtuara deri tani dhe në pritje të mbajtjes së premtimit të dhënë nga Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Kamëz që prej vizitës së 1 dhjetorit, banorët e kësaj lagjeje shprehen se nuk vazhdohet jetesa në të tilla kushte, e që është e domosdoshme ndërhyrja urgjente për të përmirësuar ndjeshëm jetesën e tyre.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje