Banjot si pasqyrë

Alban Tufa | 01.12.2017 | nyje.al
Shumë nga ju mund ta dinë se, në kohët e mëparshme, kur ndërtohej një shtëpi dhe dikush vinte për vizitë i dëftohej fillimisht dhoma e pritjes (ose oda e burrave) e mandej dhomat e tjera. Por, tashti gjërat kanë ndryshuar. Ama, jo detyrimisht ky ndryshim nënkupton evoluimin, përkundazi gjërat kanë degraduar. Tashmë, kur ndërtohet një shtëpi e re ose blihet një apartament, e para që duhet dëftuar (treguar, shfaqur, monitoruar, planifikuar, ndërtuar, investuar, dëshiruar, reklamuar, etj.) është banja ose, thënë ndryshe, haleja, pa dashur aspak t’i jap konotacione negative.
Sot, nuk është më e çuditshme që dikujt t’i thuhet “bujrum” edhe nga ndenjësa e banjës. Të jem sa më objektiv, banja, përveçse është një nevojë e padiskutueshme dhe madje parësore, është shndërruar edhe në një vend luksi në të cilën, sërish për të qenë sa më objektiv, shpenzohen miliona para duke nisur që nga modelet e çezmave, të lavamenëve, pasqyrave e sendeve të palistueshme që mundet të mbajë një banjë. Jo më kot, njerëzia e ka parë të arsyeshme të investojë në të tilla kënde shtëpiake, duke e bërë kështu banjën (halenë) pasyrën e shtëpisë. E njëjta frymë ndiqet edhe nga bar-kafetë e ndryshme të qyteteve dhe kryeqytetit. Kjo vihet re që nga shenjat dalluese që ndajnë banjat e burrave me të grave dhe mandej në pasqyrat dhe pllakat rrezatuese të tyre, që nga çezmat e deri te dritat me sensorë.
Më ka ndodhur në një bar-kafe të qytetit (që për shkaqe etiko-deontologjike nuk do t’ia them emrin) që, mu te hyrja e sallonit të banjave, të shkel mbi një tapetth që shkruante “Welcome”. Futem në sallonin e banjave dhe shikoj në derë një këpucë të sheshtë, e mendoj: “kjo është këpucë meshkujsh.” Bëj të kap dorezën dhe, në sekondë, s’di si më vajti mendja “sikur të jenë këpucë unisex?” Kthej kokën në derën përballë dhe shoh një këpucë me takë. Vetëkuptohet që dyshimet m’u zhbënë. Pasi u futa në të dhe kreva nevojat fiziologjike, lexova një letër të formatit A4, ku shkruhej me shkrim Times New Romans të madhësisë, besoj, mbi 48: “Ju lutem hidhni ujë.” Pasi i hodha ujë, mendova: “Kush do e ketë shkruar? Pastruesja, kamarieri, banakierja, apo vetë pronari?” Megjithatë, prirem të mëndoj se kjo lutje vjen nga pastruesja e këtë e bazoj vetëm në intonacionin lutës që i dhashë në vete kësaj fjalie tek e lexova. Pasi dola nga bar-kafeja, kërkova me sy nëse ka tapetth me “Welcome” te dera hyrëse, por jo. Kishte vetëm te dyert e banjave. Mos mendoni se nuk u çudita. Ama kjo ndodhi vetëm herën e parë.
Pas këtij episodi fillova të përjetoj të tjerë çdo herë e më shpesh derisa mbërrita të shoh nga një në ditë. Janë të larmishme fletat me format A4 që ngjiten në muret e banjave: “Ju lutem hidhni ujë pas kryerjes së nëvojave!”; “Ju lutemi hidhini letrat në kosh!”; “Eshtë vetëm për femrat.”; “Ju lutem uluni kur të kryeni nevojat!”; e mbi gjitha këto vlen të përmendet një që e kam lexuar diku: “lëreni banjon ashtu siç do donit ta gjenit.” Disa nga këta shkrues lutjesh për banja, harrojnë të vendosin pikëçuditëse në fund dhe, ndoshta, kjo është arsyeja që lutja iu pranohet realtivisht rrallë.
Llojet e banjave janë nga më të ndyshmet, nga më të bukurat, nga më luksozet por, në tërë këtë luks gjen vend, veç letrave A4, edhe mungesa e ujit, mungesa e letrave për duart, përmbedhur me pak fjalë mungon baza e nevojave. Disa banja janë sajuar nën shkallë ku duhet të kërrusesh, siç ka edhe të tjera që sikur janë projektuar për mejdane.
Mbi gjithë këto konkludime të miat, nuk ma thyen kush idenë që mënyra se si sillesh në banjë tregon sjelljen e vërtetë.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje