Azem Qazimi

17.09.2017 | nyje.al
Azem Qazimi ka lindur në 6 shkurt të vitit 1977.
Ai është poet, prozator dhe përkthyes.
Ka studiuar për gazetari dhe më vonë është profilizuar në studimet master në Antropologji Kulturore. Është autor i librave me poezi “Ajri i Kryqëzimit”, “Për dhuntinë e mahnitjes” dhe “Psikagogjia”, ndërsa në prozë ka dy përmbledhje me tregime “Të bekuarit, Sfera” dhe “Anatomi e shkurtër e pikëllimit”.
Poezia “Kushtim” shkëputur nga libri me poezi “Psikagogjia”
Për atë që u epua mbi hon dhe nuk pa pështjellim,
por pa Idenë, atë që merr trajtë nga hovi i
lartë i zemrës, për atë kjo këngë: ngjarje e kulluar.
Është ajo që ruajti prej prishjes të gjitha veprat
e bukura të pagjumësisë, dhe buzëqeshjen
tënde të madhe prej detyrave, ajo që shtroi
kreshpërimin e shpirtit të çdo gruaje, ajo që pa
në ekseset e mendjes kamjen e gjeniut. Po a do
t’u shëmbëllejë ajo shpresave të njerëzve? Dhe
po s’u shëmbëlleu, a do ta kryqëzojnë?
Mishrat happen t’i bëjnë vend frymës, gjer të
mbërrijmë, me përunjësi e zeje, tek e bukura.
Dhe tërë rrëfimi rreth asaj vërtitet. Dhe kjo është
forma që zgjedh ajo të marrë.
O bukuri e bindjes ndaj ligjit të saj,
që e bën të dukshëm monumentin e mendjes.
Thuajse rrenuar ishte streha për nga shtegtojnë
Pendesat,
por ende shkruante në ajër një tingull të pjerrët.
Dhe qiparisi, zanorja më e gjatë në fund të vajit,
mu mbi të e shporonte qiellin.
Përzjehej atje me terrin, e pagojë, britma jote.
Pastaj gjumi, që kaq mbushulli sillte në skela
të agimit,
duke mbrujtur kopshte me zemrat e njerëzve.
Po kush do t’u vërë, këtë mëngjes, sinore?

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje