Genc Shehu | nyje.al | 05.01.2019
Përmbledhtazi, filozofi francez Alain Badiou shtron se ka tri rreziqe që i kanosen një çfarëdo lëvizje – korruptimi, devijimi, lodhja. Për lëvizjen studentore të dhjetorit 2018, parullat “S’ka negociata”, “Jo dialogut”, “Nuk kemi përfaqësi”, janë parulla të cilat kanë kryer një mohim ndaj përfytyrimit sipas të cilit, përnjëherë pas lindjes së një lëvizje, duhet të bashkëpunosh me pushtetin për të mbërritur ato pak gjëra praktike që mund të realizosh: pra, mohim i korruptimit. Kjo është dëshmi e mësimit nga dështimet e përsëritura të lëvizjeve të ndryshme protestuese gjatë këtyre viteve në vend – që nga Lulzim Basha me marrëveshjen me Ramën para zgjedhjeve e deri te raste si ai i komunitetit të artistëve në lidhje me Teatrin Kombëtar. Në këtë pikë zanafillore, “Nuk ka negociata” përputhet me çastin anti-politik të vetë parullës tjetër të protestës – “Jo politikës”. Sëbashku, këto parulla kanë kryer funksionin e largimit apo distancimit prej politikës përfaqësuese si dhe të eleminimit të ndërmjetësimit si të tillë, në përgjithësi dhe atij politik në veçanti. Çarja e parë pra ishte mohimi i momentit të përfaqësimit, përcaktimi i të cilës u vendos për së dyti duke mohuar negociatat. Kështu, parulla e përgjithshme “Jo politikës” u shndërrua me të drejtë, brenda disa ditësh, në atë specifiken “Jo parti, jo organizata”. – A nuk ngjan ky kalim, nga përmohimi i njërës parullë tek ai i tjetrës, si një shprehje e vendosmërisë në rritje e studentëve – sikur po u thonë botës së vjetër politike “Jo!”, se ata vetë janë politika, “Jo!” partive, se duhet të lind diçka tjetër, e kështu me radhë?
Kështu, rreziku i korruptimit – në terma dialektikë, devijim i djathtë – është përkohësisht i anashkaluar. Kjo na çon te rreziku i dytë, devijimi i mirëfilltë – në terma dialektikë, devijim i majtë, mbyllje në ide, dogmatizim izolues – i cili në dukje nuk ka gjasë të ndodhë për shkak të një populizmi të vijuar të çështjes. Mirëpo kjo nuk duhet të na gënjejë: populizmi i majtë, i cili ushqehet nga tërbimi dhe hidhërimi i grumbulluar i masave i mobilizuar në drejtimin e përgjithshëm të transformimit barazimtar dhe të drejtë të shoqërisë, përkon dialektikisht me të kundërtin e vet që është fragmentarizim dhe përçarje në larmi grupesh të vogla anarkike të pakoordinauara mirë. Me heqjen e përfaqësuesit si ndërmjetësues kemi njëkohësisht, nga njëra anë, shembjen e unitetit së të tërës me pjesët e saj dhe nga ana tjetër krijimin e lidhjes së drejtpërdrejtë të fragmentit të shkëputur (studenti individual) me objekt-synimin e vet (kërkesat teknike). Përballë kësaj situate është gjendur lëvizja që prej përfundimit të afatit për plotësimin e tetë kërkesave deri në orën 16 të së martës, 11 dhjetor 2018, pas së cilit do të kishte “përshkallëzim të protestës”. Nën refuzimin me vendosmëri dhe njëzëshmi në të gjithë republikën ndaj ofertës për dialog personal e të jashtëm me kryeministrin (i cili po lypte të bëhej sekseri i vetëpërfaqësimit të atypëratyshme të studentit), lëvizja u gjegj me nevojën për ta palosur, për ta rikthyer veten te fakultetet, për t’u vetorganizuar e dialoguar për së brendshmi sëbashku me stafin pedagogjik. Kjo, dashur pa dashur, merr trajtën e asambleve të përhershme në të gjitha nivelet që ndërsen lëvizje të reja po ashtu në të gjitha nivelet. – Pra, edhe devijimi i majtë, të paktën sa i përket dhjetorit, është shmangur përkohësisht, por vetëm përkohësisht.
Kjo na çon te rreziku i fundit, lodhja. Nën kushtet e shmangies së dyfishtë prej devijimeve përkatëse, ajo çka mbetet është që, të paktën në një aspekt të ngushtë taktik, të themi: ne do të lodhemi të fundit. Mirëpo nga një pikëvështrim më i përgjithshëm strategjik, lodhja është më shumë e lidhur me rrafshin simbolik të mendimit sesa me lodhjen fizike. Ka lodhje në mendim – imagjinata dhe inteligjenca mpaket dhe mbingopet – kur nuk ka veprim që të krijojë shteg në rrafshin simbolik. Kjo do të thotë më së paku që ka nevojë të qartësohet se çfarë është saktësisht rrafshi simbolik i mendimit për këtë situatë konkrete.
“E kujt është protesta?” Kjo pyetje popullore mediatike që po na lodh, e që do mund të shtrohej edhe më saktë në polemikë: kush do ta përvetësojë protestën, opozita dhe rendi ekzistues i politikanëve, apo do të mund të lindë një subjekt i ri, apo akoma duhet të qëndrojmë me puritanët që e duan lëvizjen të pastër e të tërhequr në distancë prej gjithë politikës aktuale? Sidoqoftë, të trija prej këtyre qëndrimeve rreth pyetjes, gjejmë sidoqoftë një motiv që duhet braktisur: motivi i ndryshimit të qeverisë apo, në rastet më të mira, ndryshimi i qeverisjes. Ky është gabim kategorik ngase ngatërron rrafshin ku shtrihet kërkesa e studentëve dhe kështu nuk kupton konceptin e tyre. Studentët po thonë se ndryshimet qeveritare nuk mjaftojnë: nuk ka rëndësi se cila qeveri është, duhen ndryshime sistemi në përgjithësi dhe të sistemit arsimor në veçanti. Çfarë ndryshimesh? – Ndryshime të atilla që do të sillnin kushtet për të plotësuar kërkesat teknike. Përveç faktit që politika në përgjithësi dhe qeverisja në veçanti nuk janë çështje që u takojnë vetëm studentëve por mbarë popullit, vërehet një projektim – nga ana e masave që nuk janë drejtpërdrejtë të lidhur në banim me universitetin – të dëshirave të tyre në formë fantazie te studentët; kështu studentët përfundojnë me barrë të dyfishuar: jo vetëm të tyren por edhe të shtresave dhe prurjeve të tjera të popullit dhe politikës në përgjithësi. Kjo do të ishte recetë për dështim, të mos ishte për ngulmimin shembullor të studentëve se çështja është tek universiteti.
Kërkesat minimale bazike por edhe themelore që ata kanë ndaj sistemit po e turfullon vetë sistemin ngase ky nuk mundet t’i plotësojë ato kështu siç është. Kjo do të thotë që kushti që të përmbushen kërkesat prej sistemit është që vetë sistemi të ndryshojë sado pak për t’i realizuar këto. E shprehur negativisht, kjo implikon rrëzimin e ligjit mbi arsimin e lartë. Protesta kalon nga kërkesat për t’u plotësuar nga sistemi te ndryshimi i sistemit që të plotësohen kërkesat.
Por në një aspekt pozitiv, lind pyetja se cili është drejtimi i përgjithshëm që duhet të merret për ta rithemeluar në mënyrë të mirëfilltë universitetin. Sido që të jetë përgjigjja e shtjelluar e kësaj pyetje, kushti transhendental për të organizuar shtrimin e kësaj përgjigje mbetet i njëjtë: ai është procesi i një dialogu të brendshëm – në dallim nga monologu i jashtëm – që ndal kohën dhe krijon hapësirën e vet. Pas takimit me idenë e universitetit aty jashtë, çdo fakultet përfundon të reflektojë mbi veten e të vetorganizohet. Aty ku pikon çatia e fakultetit, aty gjendet ideja e universitetit, ajo që e ndërlidh intensivisht secilin fakultet me tjetrin.