nyje.al | 26.01.2026

Qytetarë të Kamzës u mblodhën pasditen e sotme para Bashkisë së qytetit në protestën e rradhës të organizuar nga partia “Lëvizja Bashkë” për të kundërshtuar rritjen e çmimit të biletës urbane dhe abonesë. Protesta u zhvillua teksa po pritej të mbahej mbledhja e Këshillit Bashkiak, si mënyrë për të përçuar drejtpërdrejt presionin për anulimin e menjëhershëm të vendimit për rritjen e çmimit të biletës dhe abonesë. Aktivistë dhe banorë denoncuan rritjen e çmimit të biletës, e cila nuk ka sjellë asnjë përfitim publik, por vetëm rritje të shpenzimeve për banorët e Kamzës. Si për organizatorët, ashtu edhe për banorët e Kamzës rritja e çmimit të biletës së urbanit dhe abonesë është bërë në mënyrë arbitrare dhe abuzive, duke thelluar edhe më shumë padrejtësitë që po u bëhen qytetarëve të cilët paguajnë më shtrejtë, nuk përfitojnë abone falas as pensionistët dhe as studentët, si dhe vuajnë më së shumti nga trafiku i rënduar drejt kryeqytetit.
Kjo protestë vjen pas një fushate të ndërmarrë nga Lëvizja Bashkë për nënshkrimin e një peticioni me mbi 2000 firmëtarë, si dhe pasi Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), i vënë në lëvizje nga kjo parti, ka njoftuar se vendimi i Këshillit Bashkiak Kamëz për rritjen e çmimit të biletës është marrë në konflikt interesi. Nëpërmjet një shkrese zyrtare ILDKPKI ka dalë në përfundimin se pjesëmarrja e Bardhok Osmanit, i cili është anëtar i Këshillit Bashkiak dhe njëkohësisht administrator i kompanisë Shpresa-al, në Këshillin Bashkiak Kamëz për votimin e rritjes së çmimit të biletës së urbanit, është në konflikt interesi dhe ndaj tij janë marrë masa. Sakaq, ILDKPKI-ja deklaron gjithashtu që ka njoftuar Këshillin Bashkiak Kamëz për ndjekjen e mëtejshme të rastit.
Protestuesit u tubuan në oborrin e Bashkisë pak minuta para fillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, me qëllim që të shkëmbeheshin me këshilltarët e Bashkisë, të cilët evituan përballjen. Mbledhja e këshillit bashkiak u transmetua online dhe u kaluan unanimisht, pa abstenime apo vota kundër, të gjitha vendimet e rendit të ditës. Pak debat pati vetëm për ndryshimin e emrit të një rruge, ku njëri prej këshilltarëve tha se boll qesharakë kemi qenë me emrat e rrugëve më përpara, por tani po bëhemi edhe më qesharakë. Asnjë prej këshilltarëve të pranishëm nuk bëri zë për çështjen e cila po përcillej me protestë jashtë dyerve të këshillit.
Kur e si është marrë vendimi për rritjen e çmimit të biletës së urbanit?
Me 4 shkurt 2025 është protokolluar pranë Këshillit Bashkiak të Kamzës një kërkesë nga Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, e cila ka pasur si objekt rritjen e çmimit të biletës së transportit urban të Kamzës. Tre javë më vonë, me datë 27 shkurt të vitit 2025, është krijuar një grup pune pranë Bashkisë Kamëz me kompetencë shqyrtimin e kërkesës në fjalë. Pesë muaj më vonë, më 25 qershor të 2025 Këshilli Bashkiak, me vendim nr. 38 ka miratuar në parim fillimin e procedurës për rishikimin e çmimit të biletave të transportit urban. Vetëm një javë më pas, Bashkia Kamëz ka njoftuar thirrjen e parë për dëgjesë publike – edhe ajo e njoftuar literalisht sot për nesër – e cila përmbante në mënyrë shumë të përgjithshme dhe sipërfaqësore këto tre pika:
- informimin mbi buxhetin e vitit 2025;
- planifikimin e buxhetit afatmesëm 2026–2028;
- transportin publik urban dhe përmirësimin e tij.
Ky lloj ritmi i ndjekur nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak, duke lënë një afat kaq të shkurtër dhe të ngutur për të ashtuquajturën ‘dëgjesë publike’ qartazi është kryer në mungesë të respektimit të parimit të transparencës, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, dhe konsultimit paraprak. Për procese të tilla këto janë kritere ligjore. Në regjistrin elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike vazhdon të mos ketë (deri në momentin e publikimit të këtij artikulli) asnjë procesverbal, mbledhje e Këshillit Bashkiak, relacion, apo dokument tjetër që të dëshmojë konsultim specifik mbi trajtimin e çështjes së rritjes së tarifës së biletës së urbanit dhe abonesë.
Tre muaj pas vendimit për nisjen e procedurës së shqyrtimit të rritjes së çmimit, më datë 26 shtator 2025 është miratuar ndryshimi i çmimit të biletave dhe aboneve të linjave të transportit urban në Bashkinë Kamëz. Më konkretisht, tarifa e biletës Kamëz-Tiranë-Kamëz dhe Paskuqan-Babrru-Tiranë nga 40 lekë është bërë 50 lekë; tarifa e abonesë mujore nga 1200 lekë është bërë 1400 lekë, duke rritur kështu me 25% biletën dhe me 16,67% abonenë.
Shkeljet ligjore në procedurën e miratimit të ndryshimit të çmimit të biletës
Në procesverbalin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak që daton më 26 shtator 2025 shkruhet se pjesë e mbledhjes ka qenë dhe kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, i cili ka parashtruar arsyet e kërkesës për rritjen e çmimit të biletës. Ndër të tjera, Memaj ka përmendur që operatori ndodhet në kushte të vështira ekonomike, pasi i janë rritur kostot operative (çmimi i karburantit, rrogat e punonjësve, mjete të reja transporti etj). Në fund të fjalës ka lëshuar sinjalin kërcënues që nëse kërkesa për rritjen e çmimit nuk do të pranohej, operatori privat do të bllokonte transportin. Nga ana tjetër, procesverbali dëshmon gjithashtu se nuk ka pasur asnjë përfaqësues të komunitetit (aktivistë lokalë, organizata të shoqërisë civile, profesionistë apo grupe të tjera interesi).
Bashkia Kamëz, sipas kuadrit normativ shqiptar, është përgjegjësja kryesore për përcaktimin dhe miratimin e çmimeve të biletave të transportit publik qytetas dhe rrethqytetës në territorin e saj. Nga analiza ligjore e procedurave të ndjekura, Bashkia Kamëz ka mirëpritur vetëm propozimin e Shoqatës së Transportit, e cila në këtë rast ka përfaqësuar interesin e operatorit privat Shpresa-Al, por nuk ka denjuar të analizojë kushtet e kësaj kërkese apo të arsyetojë domosdoshmërinë e këtij vendimi nga këndi i interesit publik. Në raportin mes kostos së përballueshme për shërbimet nga qytetarët dhe interesit privat, institucioni publik, jo ndryshe nga praktika të mëhershme, ka vazhduar duke mbajtur anën e operatorit privat.
Nga verifikimi i rubrikës “Projektvendime të Këshillit Bashkiak për konsultim” nuk rezulton të jetë publikuar paraprakisht asnjë projektvendim lidhur me rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, as nuk evidentohet zhvillimi i një procesi konsultimi publik dedikuar kësaj çështjeje specifike në përputhje me parashikimet ligjore, si dhe nuk ka të dhëna publike (orë, datë, rend dite) lidhur me diskutimin dhe miratimin e vendimit të KB për rritjen e çmimit, apo kanali ku pretendohet të jetë transmetuar live kjo mbledhje e Këshillit. Një proces i tillë i mbyllur është ndërmarrë në kushtet e mungesës së transparencës dhe pa konsultim publik.
Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se ndryshe nga detyrimi ligjor për njoftim të detajuar të mbledhjeve të këshillit bashkiak, në rastin e mbledhjes për miratimin e VKB Kamëz nr. 38, datë 25.06.2025 “Mbi miratimin në parim të nisjes së procedurës për rishikimin e çmimit të biletave të transportit urban”, nuk është kryer një njoftim i tillë. Njëjtë ndodh edhe në rastin e mbledhjes për miratimin e VKB Kamëz nr. 66, datë 26.09.2025, “Mbi miratimin e çmimit të biletave dhe aboneve të linjave të transportit urban në Bashkinë Kamëz”. Duke e thelluar kështu shkeljet kundrejt detyrimeve ligjore për informim publik.
Sipas të dhënave që ofron faqja zyrtare e Bashkisë Kamëz bashkë me rrjetet e saj sociale zyrtare, konsultimet publike janë zhvilluar vetëm pas marrjes së vendimit, dhe ato që janë zhvilluar janë formale dhe jo efektive, duke cenuar parimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Së dyti, Bashkia, si institucioni kryesor përgjegjës për përcaktimin dhe miratimin e çmimit të biletës, deri më tani nuk e ka arsyetuar vendimin e marrë për rritjen e çmimit. Çka do të thotë se ajo nuk ka bërë publike analizat financiare, sociale apo teknike sipas parashikimeve ligjore (ligji nr. 139/2015 dhe ligji nr. 146/2014).
Si praktikë e vazhdueshme e Bashkisë Kamëz, përgjithësisht njoftimi publik mbi vendimet e saj, por edhe për ato që lidhen me këtë çështje të transportit specifikisht, nuk janë bërë në kohë dhe në mënyrë të plotë, duke penguar qytetarët të marrin informacion të saktë për pasojat dhe procedurat e vendimit. Redaksia jonë ka qenë një ndër subjektet që i është mohuar fillimisht, më pas vonuar, kopja e vendimit të këshillit bashkiak marrë në qershor të vitit 2025, me argumentimin se nuk kaluar ende në firmën e prefektit. Është dashur ankimim në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit që bashkia të detyrohej të përgjigjej. Kjo nënkupton vonesë, zgjatje e paarsyeshme afatesh dhe vështirësim të vazhdueshëm në qasjen ndaj informacionit, të cilin, bashkia është e detyruar ta publikojë në mënyrë proaktive, pa pritur asnjë kërkesë nga aktivistë apo qytetarë.
Rritja e çmimit të biletës pa konsultim dhe pa transparencë ka një ndikim të drejtëpërdrejtë mbi qytetarët dhe komunitetin. Të gjithë udhëtarët që marrin urbanin drejt Tiranës janë të ekspozuar ndaj një trajtimi shumëfish të padrejtë në raport me të barabartët e tyre që jetojnë në Tiranë. Përpos shkeljeve ligjore lidhur me konsultimin publik dhe informimin, kanë nisur paralelisht hetime nga dy institucione të ndryshme si Autoriteti i Konkurrencës dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) të cilët tashmë kanë hetuar shkelje në proces. Për aq kohë sa Këshilli Bashkiak nuk do të anulojë vendimin, protesta të tjera priten të ndodhin.

