Anuloni “Javën e Gjenocidit”, kolektivi Palestina e Lirë dorëzon letrën e firmosur nga 750 qytetarë

nyje.al | 04.06.2024

Festivali Europian i Këngës i mbajtur muajin e kaluar në Suedi ishte më i kontestuari ndër vite, shkak ishte lejimi i pjesëmarrjes së shtetit të Izraelit në kompeticion. Ndjekësit e tij por edhe këngëtarë – përfaqësues të shteteve europiane e konsideruan marrjen pjesë të Izraelit si të papranueshme teksa ky shtet prej pothuaj tetë muajsh po kryen gjenocid ndaj popullit palestinez në Gaza. Edhe organizatorët e Bienales së Venecias u ndeshën me kërkesën e artistëve për anulimin e pavionit të Izraelit me thirrjen “Jo Pavionit të Gjenocidit në Bienale”. Ndalimi i veprimtarive artistike të shtetit të Izraelit vjen si aksion global për bojkot kulturor dhe akademik dhe mos lejimin e ushtrimit të shpërlarjes së imazhit përmes artit (art-washing). 

Në vendin tonë, Izraeli është njoftuar si shteti i radhës i ftuar për organizmin e aktiviteve kulturore në kuadër të Javëve Ndërkombëtare të Kulturës. Me të njoftuar në rrjetet sociale mbi organizimin e kësaj jave, kolektivi Palestina e Lirë ka ndërmarrë një fushatë për ndalimin e saj. Një letër e hapur, përmes së cilës kërkohet anulimi i javës kulturore të Izraelit në Tiranë, u shpërnda në rrjet për t’u firmosur. Rreth 750 qytetarë të angazhuar në fushën e kulturës e arteve dhe në fusha të tjera i janë bashkuar thirrjes duke firmosur letrën publike deri në publikimin e këtij shkrimi. Për aktivistët e kolektivit Palestina e Lirë, grupim i krijuar për reagim publik ndaj gjenocidit mbi palestinezët, kjo javë e kulturës përkthehet në javë të propagandës së gjenocidit. 

“Duke marrë parasysh veprimet e vazhdueshme gjenocidale të shtetit të Izraelit në Gaza (sipas Këshillit të Drejtave të Njeriut dhe hetimit paraprak të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë) dhe shkeljet e panumërta të të drejtave të njeriut në krejt Territoret e Pushtuara të Palestinës të kryera çdo ditë nga forcat e armatosura pushtuese të Izraelit, dhe duke kujtuar realitetin e përjetuar të gjenocidit në Ballkanin Perëndimor vetëm disa dekada më parë, përfshirja e shtetit të Izraelit si pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare ngre pikëpyetje të rëndësishme etike në kontekstin shqiptar. Një përpjekje e tillë flagrante që ka për qëllim të normalizojë gjenocidin nuk është thjesht fyerje për përkatësinë e përbashkët si qenie njerëzore: është thellësisht ofenduese për kujtimet kolektive të 30 viteve të fundit në Ballkan.”

Ditën e sotme ky kolektiv dorëzoi në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit letrën e firmosur nga qindra qytetarë. Pas protokollimit të kërkesës së tyre për marrjen nën shqyrtim të letrës, aktivistët ju drejtuan drejt Bashkisë Tiranë për dorëzimin e saj edhe në këtë institucion. Një nënpunës i saj, pas takimit me anëtarët e kolektivit Palestina e Lirë përballë Bashkisë, nuk e pranoi letrën e tyre pasiqë sipas tij ky grupim nuk është i legjitimuar për një kërkesë të tillë. Aktivistët iu drejtuan postës për dërgimin e saj gjithsesi.

Anti-java në solidaritet me Palestinën

Kolektivi “Palestina e Lirë” uron dhe shpreson në reflektim të organizatorëve që të ndalojnë organizimin e aktiviteve në javën e Izraelit, por gjithashtu ata po përgatisin një kalendar aktivitetesh në solidaritet me popullin palestinez dhe shtetin e Palestinës edhe nëse mbahet ose jo organizimi i Ministrisë dhe  Ambasadës së shtetit të Izraelit në datat 9-14 qershor. 

Ashique Mohammad, aktivist i angazhuar në kolektiv, në një bisedë të mbajtur në qendrën e Grupit Ata në Kamëz u shpreh që secili qytetar i cili ndjen padrejtësi që ushtrohen mbi të apo të tjerët mundet të nisë ideimin e një aktiviteti si betejë e përbashkët kundër hegjemonisë së dhunës. Thirrje pati edhe për dhënien e një dore ndihmuese në organizimin e aktiviteteve kudo në Shqipëri në mënyrë që të bashkëndërtohet një javë e përkundërt me atë të shtetit të Izraelit.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje