Antigona

Antonela Pepkolaj | 15.02.2022 | nyje.al

Fillimi i klasës së shtatë u shoqërua edhe me ndryshimin e disa mësuesve, për të cilët Antigona ishte mjaft e emocionuar. Sidomos për mësuesen e re të gjuhë-letërsisë, thjesht nga kureshtja për të njohur sa më shumë mësues gjuhë-letërsie. Me misionin për t’i lënë një përshtypje sa më të mirë, Antigona bën një përshkrim të gjatë të aventurës së saj të preferuar të verës, e cila ishte dhe detyra e parë e shtëpisë që u pat dhënë mësuesja për atë vit.

Gjatë përshkrimit, qëllimisht, përmend edhe romane të cilët ajo i ka lexuar asaj vere, me tregu që është vajza e vetme që lexon në klasë. Përshkrimi fliste për një shëtitje të gjatë nga liqeni, në të cilën Antigona mundohet të ngjesë një kodrinë të pjerrët për të parë liqenin nga lart. Aty ajo rrëfen sesi desh rrëshqet dhe sesi kjo peripeci e vogël e bën të ndihet si Tom Sojeri. Ashtu siç edhe e priste, mësueses i la goxha mbresa të mira kjo detyrë dhe, ndërsa mundohej t’i jepte zemër, siç bënte me të gjithë nxënësit, e quan Antigonën një vajzë të talentuar dhe një shpirt i lirë. Gjatë gjithë javës, Antigona mediton mbi domethënien e togfjalëshit “Shpirt i lirë” dhe, si konsultohet edhe me rrjetin, del në përfundimin që një shpirt i lirë, është një individ ndryshe nga të tjerët. Megjithatë, e paaftë ta rrokë plotësisht këtë nocion, në trurin e saj mundohet ta ilustrojë që ta kuptojë më mirë dhe, e vetmja gjë që i shkon nëpër mend, janë personazhet kryesore nëpër filmat që ajo ka parë.

Tani që Antigona beson se një shpirt i lirë, është një lloj protagonisti, mundohet t’i mbushë mendjen vetes se edhe ajo është një protagonist. Por, ndryshe nga protagonistët që ajo ka parë, nuk përjeton gjëra anormale, nuk përjeton drama emocionale, nuk i ndodhin gjëra të rrezikshme dhe, del në përfundimin se jeta e saj është goxha e mërzitshme dhe aspak interesante që të bëhej një film. Kështu, mendon për mënyra sesi mund ta revolucionalizojë jetën e saj dhe, e vetmja gjë që i vjen si ide, është të mos i bindet më së ëmës.

Duke qenë se është vajza e madhe, me një vëlla tjetër më të vogël se ajo, tetë vjeç, është Antigona ajo që e ndihmon të ëmën e saj me punët e shtëpisë dhe me vëllanë. Përgjithësisht, përveç kohës kur Antigona është në shkollë, pjesën tjetër të kohës e kalon me punë shtëpie. Nëse e ëma po gatuan, ajo e ndihmon të skuqë; nëse po lan enët, e ndihmon t’i vendosë nëpër vende; nëse po hekuros rrobat, e ndihmon t’i palosë, etj. Dhe në vetvete i pëlqente kjo mënyrë e të kaluarit të kohës, duke qenë se vetëm lexonte ose bënte detyra shtëpie. Megjithatë, kohëve të fundit Antigona nuk e ndihmon më. Ulet në divan dhe me shikim të pabindur ruan të ëmën që endet nëpër shtëpi duke punuar, dhe pyet veten se kur e ka parë mamanë e saj të bëjë ndonjë gjë tjetër. Edhe kur dalin, familjarisht, është ajo e ngarkuar me rroba dhe rraqe, që tërë kohës mendon vetëm si e si të jenë sa më rehat të gjithë.

Në përpjeket e saj për të qenë sa më shpirt i lirë që të mundet, Antigona krijon edhe konflikte dhe telashe për veten. Një ditë e ëma i la porosi që t’i jepte drekën që ia pat lënë gati të vëllait kur të kthehej nga shkolla, gjë që ajo nuk e bën sepse ka dalë rrugës së lagjes duke kaluar kohën me biçikletë. Një herë tjetër, qëllimisht djeg përparësen e shkollës duke u munduar ta hekurosë dhe për disa ditë nuk lejohet të ndjekë mësimin deri sa bleu tjetrën. Nëse e ëma i lë të skuqë diçka, ajo e djeg; nëse i lë të vendosë enët nëpër vend, ajo i vendos në mënyrë të ç’rregullt dhe rrobat s’i palos fare. Ajo që Antigonës i duket e çuditshme, është frustrimi i mamasë kur gjërat nuk bëhen si do ajo. Një herë desh i ra me shuplakë kur la çezmën e banjos hapur dhe doli të rrijë në oborr. Dhe i ra shuplakë kur, duke luajtuar me çunat e lagjes, Antigona i ra me gur njërit prej tyre, i cili e ndoqi Antigonën deri te dera e shtëpisë për t’i marrë hak dhe theu dritaren.

Duke qenë se Antigona i merr gjërat me sportivitet, nuk mërzitet kur mësuesit e kapin pa detyra dhe i thonë se do i vënë katër, apo kur mamja i thotë se do e mbyllë në banjo, për të nuk bën sens mënyra se si e ëma nuk e ruan dot qetësinë kur është e acaruar, sidomos për gjëra koti siç janë punët e shtëpisë. Nga ky kontrast, Antigona del në përfundimin se nuk dëshiron të jetë si mamaja e saj dhe të marrë seriozisht gjëra që për të janë humbje kohe. Në mendjen e saj, ajo ishte shpirti i vetëm i lirë në lagje, sepse nuk bënte gjërat që të tjerët paracaktonin për të dhe sepse ia kishte dalë të irritonte me sukses shpirtrat e tjerë jo të lirë.

Kjo aventurë vazhdoi për dy muaj, deri ditën që Antigona filloi të trembej për jetën e saj. Jo për këtë, po për tjetrën. U kujtua që Zoti nuk i ka qejf fëmijët që s’u binden prindërve dhe se trazovaçët digjen në ferr, me zjarr dhe me squfur. Ashtu siç u mundua të bindej se ishte shpirt i lirë, tash mundohej të bindej që nuk ishte. Thoshte me vete se protagonistët janë në fakt njerëz kriminelë ose të sëmurë. Dhe se me shumë gjasa, shpirtrat e lirë janë njerëz të vetmuar. E pa që kjo punë nuk kishte leverdi. “Pastaj”, mendonte, “Ç’të keqe ka të kujdesesh për gjërat e tua dhe për njerëzit e tu?”. Dhe nga frika se mos i bënte vetes më shumë shpërlarje truri, u kthye në ritualet e saj të vjetra.

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje