Aktivistët e “Lëvizja Bashkë” kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës: “Shko te shokët”

Selma Daku | 13.02.2025 | nyje.al

Pas arrestimit të kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, për korrupsion dhe pastrim parash, gjendja politike në Shqipëri është tensionuar ndjeshëm. Subjektet e partive të reja kanë reaguar me protesta, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministri Edi Rama, të cilin e konsiderojnë përgjegjësin kryesor për situatën e krijuar dhe për transformimin e qeverisë në një sistem të mbushur me krim dhe korrupsion.

Protesta e radhës u organizua nga “Lëvizja Bashkë”, e cila mbajti një manifestim ku aktivistët dhe mbështetësit e saj kërkuan me zë të lartë largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Ata artikuluan shqetësimet e tyre, duke theksuar se vendi i tij është në burg për veprat e tij kriminale dhe për nivelin e lartë të korrupsionit që ka prekur institucione në vend.

Përfaqësuesja e “Lëvizjes Bashkë” në Këshillin Bashkiak Tiranë, Mirela Ruko u shpreh se Erion Veliaj nuk është një rast përjashtimor në Partinë Socialiste, por është prova e gjendjes aktuale të sistemit. Për të, rrugëtimi i Veliajt ka marrë fund por kjo nuk mjafton, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. 

“Erion Veliaj nuk është një rast i izoluar. Erion Veliaj është dëshmia e gjallë se ky sistem është i kalbur deri në palcë dhe arkitekti i këtij sistemi ka vetëm një emër. Ai është Edi Rama. Sonte nuk kërkojmë vetëm shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar i bashkisë së Tiranës se ajo tashmë ka marrë fund, por ne kërkojmë që ky që ka zaptuar godinën këtu mbrapa, të japi dorëheqjen.”

Gresimela Sula, aktiviste e “Lëvizja Bashkë”, kishte vendosur të lexonte letrën e adoleshentes e cila u vetvra pak ditë më parë si pasojë e bullizimit nga bashkëmoshatarët e saj në një gjimnaz në Gjirokastër, për shkak të gjendjes së saj jo të mirë ekonomike. Sula e lidhi këtë situatë duke bërë krahasimin e shumave të larta për të cilat Erion Veliaj me bashkëshorten e tij janë nën hetim dhe mijëra të rinjve të cilët vuajnë varfërinë dhe dëshpërimin për t’ia dalë.

“Kjo pra ishte letra e Irsës, për të cilën unë nuk dua të mbaj një minutë heshtje, por dua të mos hesht. Në republikën e 800 mijë dollarëve, rrobave dhe bizhuve, të rinjtë janë të papunë, të varfër dhe të dëshpëruar dhe askush nuk ua qan hallin si Edi Rama Erion Veliajt”

Kryetari i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, nuk ka kërkuar vetëm dorëheqjen e kryeministrit por edhe burgimin e tij, për arsyje të cilat sipas tij janë të shumta. Në disa prej tyre ai ka përmendur ligjin për investitorët strategjikë, lejet e ndërtimit në kryeqytet dhe zona bregdetare, si dhe vendimet në shëndetësi.

“Edi Rama duhet të jetë në burg për ligjin e investitorëve strategjikë, që nuk la para tonat pa iu dhënë oligarkëve si Samir Mane, Shefqet Kastrati, Ram Geci e me rradhë. Edi Rama duhet të jetë në burg për të gjitha lejet e ndërtimit të kullave si kryetar i KKT, në Tiranë dhe në bregdet. Edi Rama duhet të jetë në burg sot, për konçesione kriminale në shëndetësi.”

Një tjetër aktivist i kësaj partie, Oltion Fociro, u ndal te shqetësimi i kryeministrit për djalin e kryebashkiakut, duke i kujtuar disa nga rastet e shumë fëmijëve të cilët kanë humbur prindërit apo shtëpitë për shkak të politikave të ashpra ndaj tyre. Ai i drejtohet Edi Ramës duke e pyetur se pse asnjëherë nuk është shqetësuar për këta fëmijë.

“Edi Rama na u shqetësua fort për fëmijën e Erion Veliajt se s’kishte kush e çonte në shkollë. Tani dua t’i bëj një pyetje Edi Ramës. […] Po për fëmijët e atyre që t’i arrestove pse kishin vjedhur 10 mijë lekë korent, të cilët vranë veten në burg, kush u shqetësua? Pse nuk the gjysëm fjale? Po për ata fëmijë të cilët në 5 të mëngjesit i nxore nga shpia me gaz lotsjellës, pse nuk fole një fjalë, por vetëm i dhunove. “

Aktivistët përdorën pjesën ballore të kryeministrisë si ekran, në të cilin gjatë gjithë kohës së protestës projektoheshin 3 slogane të ndryshme që komunikonin me gjuhë vizuale dorëheqjen e Ramës me thirrjet “Shko te shokët” dhe “Fuck you” si shenjë irritimi ndaj sjelljes së tij dhe si ironi ndaj përdorimit që vetë kryeministri bëri me këtë sharje publikisht në rrjetin e tij social në video-live pas arrestimit të Veliajt. 

Arrestimi i kryetarit të bashkisë ka shërbyer si një shtysë për mobilizimin e qytetarëve dhe  protestave të opozitës, teksa sot priten organizime nga subjekte të tjera politike në mbështetje të SPAK si shprehi kundër intimidimit dhe kërcënimeve të Edi Ramës ndaj pushtetit gjyqësor. 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje