Selma Daku | 21.02.2025 | nyje.al
Trajektorja që merr çdo ditë një grua (e dalë në pension) që njoh në një prej lagjeve të Kamzës është kjo: për të kapur fillimin e punës në orën 7 të mëngjesit në Kombinat, i duhet të dalë nga shtëpia në orën 5.20 të mëngjesit. Nuk pret urbanin e lagjes për në qendër të Kamzës sepse vonon dhe sepse kushton. Ecën në këmbë 20 minuta, dhe në qendër të Kamzës merr urbanin që po niset. Pas një rrugëtimi 30 minutësh drejt Tiranës, merr të Kombinatit dhe ndalon afër fabrikës së saj të punës pak minuta para orës 7. Eshtë e disatta fabrikë që ndërron pas daljes në pension. Pensioni nuk i mjafton as për veten dhe as për familjen e saj, e cila ka nevoja sa vjen e më të mëdhaja, ndaj është e detyruar të vazhdojë të punojë sa të ketë takat. Për një pagesë rreth 350 mijë lekë (të vjetra), për tetë orë punë dhe thuajse katër orë udhëtim, asaj i duhet të marrë katër herë urbanin, dhe të blejë dy abone mujore: të Kamzës dhe Tiranës. Subvencionimin mujor 100% për transportin publik për pensionistët, ajo nuk e përfiton sepse s’është banore e kryeqytetit, edhe pse kryeqyteti ia merr gjithë krahun e saj të punës. Ndërsa Kamza, nuk i ofron asnjë subvencionim sepse sipas bashkisë ‘askush nuk i është ankuar ndonjëherë’.
Fundi i muajit dhjetor dhe janar qe i shoqëruar me një radhe masive të pensionistëve nëpër pika të caktuara të qytetit të Tiranës, të cilët prisnin për orë të tëra të merrnin abonenë e transportit publik, e cila që nga data 1 janar e këtij viti, ka nisur të vihet në zbatim duke u subvencionuar me 100% nga Bashkia Tiranë. Ky vendim ishte njoftuar që në gushtin e vitit të kaluar dhe prej tij llogaritej të përfitonin rreth 177 mijë pensionistë. Kjo abone pritet të lehtësojë aksesin e pensionistëve në urbane duke u ofruar atyre mundësinë për të udhëtuar falas, por vetëm në Bashkinë e Tiranës dhe vetëm për ata që e kanë vendbanimin në këtë bashki.

Implementimi i kësaj politike lidhur me abonenë ka sjellë disa sfida dhe përjashtime. Të shumtë janë pensionistët që janë grumbulluar në radhë të gjatë për të marrë abonenë e tyre nëpër pika të dispeçerive në Tiranë. Të shumtë janë ata që e përdorin masivisht tranportin publik të Tiranës, por janë të përjashtuar për shkak të vendbanimit. Ky proces ka shkaktuar pakënaqësi, dhe reagime në rrjete sociale pasi pensionistët e kanë gjetur të vështirë të presin gjatë për të marrë shërbimin që u është premtuar.
Krahas komplikimeve burokratike të panevojshme dhe dekurajuese për pensionistët që realisht të kenë akses në këtë shërbim, kjo ngjarje është pasuar edhe me shumë kritika dhe pakënaqësi nga ata që janë përjashtuar. I referohemi jo vetëm pensionistëve të cilët jetojnë në Tiranë dhe duan të lëvizin në Kamzë, por edhe banorëve të Kamzës që lëvizin ditë për ditë në Tiranë. E pyetur nga redaksia e Nyjes, bashkia Tiranë na përgjigjet që nuk merren dot abonetë falas për banuesit e Kamzës, pavarësisht nëse punojnë apo sa shpesh e përdorin atë linjë ata.

Sakaq, mjaftojnë disa stacione udhëtimi në urbanin e Kamzës për të dëgjuar çdo ditë ankesa të ndryshme dhe indinjata nga pensionistët të cilët shprehen shumë të pakënaqur që aboneja e pensionistët e Tiranës, nuk ju njihet në Kamzë. “Ca jeni ju, republikë më vete jeni ju?” përsëriste në mënyrë të vazhdueshme e me nerv një pensionist që vinte nga Tirana në Kamëz me linjën e qytetit. Të tjerë të moshuar, po aq të pakënaqur dhe banues në Kamëz i përgjigjeshin që nuk ishte faji i fatorinos por i politikanëve që vjedhin dhe nuk u kthehen taksat në shërbime për ta.
Marrë shkas nga kjo situatë, redaksia jonë dërgoi kërkesë për informim në bashkinë Kamëz, për ta pyetur nëse kanë apo po parashikojnë politika të ngjashme për pensionistët e qytetit që përdorin transportin urban. Në përgjigjen e saj, Bashkia Kamëz kujdeset të pohojë që në krye të herës që nuk ka pasur asnjë lloj ankese apo kërkese të tillë, ndaj nuk po parashikon masa për këtë çështje duke thënë si më poshtë
“Gjatë procesit të dëgjimeve publike me qytetarët, subjektet dhe grupet e interesit për miratimin e buxhetit dhe paketës fiskale, nuk janë regjistruar ankesa apo kërkesa në lidhje me çështjen që keni paraqitur.”
Pra, sipas Bashkisë Kamëz, pensonistët që banojnë Kamzën, nuk e kanë aspak problem përjashtimin nga subvencionimi 100% i abonesë dhe janë në rregull me faktin që u duhet të paguajnë për transportin publik. Duke marrë seriozisht përgjigjen e tyre lidhur me dëgjesat publike, referuar faqes zyrtare të Bashkisë Kamëz, dëgjesa e fundit publike është zhvilluar në fund të muajit tetor të vitit që lamë pas, në të cilën, ndryshe nga çfarë nënkupton një dëgjesë, të vetmit që flasin janë kryetari i bashkisë Kamëz Rakip Suli, si dhe dy të ftuarat e kësaj dëgjese, deputetja Lindita Nikolla dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali. Duartrokitjet që marrin nga pjesëmarrësit, me shumicë prezence administratë bashkie, e bëjnë Kamzën te ngjajë si një qytet në të cilin problemet nuk kanë vend.
Për t’u fshehur pas faktit që Bashkia nuk ka zhvilluar asnjë hulumtim në terren, anketime apo bisedime që lidhen me këtë shqetësim të pranishëm, bashkia rendit sesi nëpërmjet politikave të tjera ‘lehtësuese’ ju ka akorduar një shumë prej “5000 lekë çdo muaj për të moshuarit e vetmuar pa të ardhura, të cilat mund t’i shpenzojnë sipas nevojave të tyre duke përfshirë edhe abonet.”
Pra, sipas Bashkisë Kamëz për pensionistët 5000 mijë lekë të reja janë të mjaftueshme për të plotësuar domosdoshmëritë e një pensionisti në nevojë, përfshirë në këto nevoja edhe abonenë e transportit publik, e cila vetëm për linjën Tiranë-Kamëz kushton 1200 lekë/muaj, apo koston e abonesë brenda qytetit, e cila kushton 1600 lekë/muaj. Pra, për një pensionist, i cili sipas ISSH-së merr mesatarisht 11,051 lekë në muaj, Bashkia Kamëz nuk ka asnjë politikë aktuale dhe asnjë politikë të parashikuar lidhur me transportin publik.
Ndonëse nuk është nevoja për një hulumtim të thellë për të kuptuar situatën përreth, se shqetësimet e banorëve janë pjesë e pandashme e peizazhit zanor të qytetit, redaksia jonë vendosi të pyesë disa pensionistë të Kamzës për raportin e tyre me transportin publik. Ata thonë se urbanin e përdorin më së shumti për nevoja shëndetësore, dhe do i kishte ndihmuar shumë bileta falas. Ka të tjerë, sidomos gra që kanë dalë në pension, por janë të detyruara të punojnë në fabrika, si sanitare apo në shërbime përkujdesje ndaj më të moshuarve në hapësira private si psh në familje- me pagesa minimale dhe të shfrytëzuara maksimalisht në kushte pune dhe në rrogë mujore- të cilave ju bie të përdorin më së paku tre-katër urbanë të ndryshëm në ditë. Pensionistët shprehen të pakënaqur me bashkinë dhe kërkojnë që të kenë subvencionim të plotë për përdorimin e transportit publik. Shumica e pensionistëve që intervistuam përgjigjeshin me një mungesë të theksuar besimi se diçka mund të ndryshojë.
Mes pensionistëve të cilët vinin nga Tirana me urbanin e Kamzës, një prej tyre u shpreh se arsyeja pse e përdor më së shumti urbanin është se është i detyruar të lëvizë për vizita shëndetësore dhe se pensioni i tij është i pamjaftueshëm për ilaçe, aq më pak për të përmbushur detyrime të tjera.
“Ne jemi dakord që ta bëjë krytari i bashkisë Tiranë, por duhet ta bëjë edhe kryetari ynë i bashkisë. Ne pensionistët aq marrim, nga 70 mijë lekë. 70 mijë lekë marr unë. Nuk më dalin as për ilaçe, jo më për vizita e gjëra të tjera. Ne bëjmë lëvizje për hall dmth. Ja tani qesh në Laprakë se kam motrën të shtruar në spital. Do shkoj prap. Do vete dy herë, 4 herë, se s’ke ç’bën.”
Teksa prisnin në stacionin pranë gjimnazit “Isa Boletini”, një çift pensionistësh, u shprehën të pakënqaur nga përjashtimi. Zonja tha se të gjithë pensionistët duhet të kenë të drejta të barabarta ndërsa bashkëshorti i saj pensionisti H.D u shpreh se:
“Nuk ndihemi mirë se pensionistë jemi dhe ne. Të ardhurat njëlloj janë. Të bëhet diçka edhe për bashkinë e Kamzës. Pensionistët duhet të trajtohen njëlloj.”
Në mesin e pensionistëve që kërkojnë abone falas, nuk mungojnë as ata që ankohen për neglizhencën për premtimin e rritjes së pensioneve. Në këndvështrimin e tij, pensionistët e përdorin shpesh urbanin prandaj dhe duhet t’iu jepet aboneja, por tregon mosbesim teksa përmend edhe shërbime të tjera të cilat janë premtuar dhe nuk janë përmbushur.
“Urbanin e përdorim vazhdimisht, por urbani duhet pa lek se na pensionistët s’kemi. Pensionistëve asnjiherë kjo qeveri s’ia ka rritë pensionet. Merr gjithë ato fonde për vete e te ne zero. Un nuk du 100 mijë lekë a 150 mijë lekë që jep aj. Un nuk dua lëmosh, du pensionin pension! E përdorim se dum me dalë për qef, dum me dal te spitali, biles për t’keqe ma shum, po edhe për qef.”
“Pensionisti vetëm ankesa ka. T’u dhon, t’u dhon e asnjiher s’marrim. Gjith’ ditën nëpër autobusa rrin pleqt e mos t’iu jepet abone. Ato shokt atje thojn spitalet falas, pensionet do t’i rrisim, legalizimet falas, ene asnji gjo, vec kan gënjy.”
Qendra e Kamzës është zakonisht vendi ku pensionistët mblidhen nga mëngjesi deri pasdite në karrige dhe tavolina të sajuara nga ata vetë -dhe jo nga shërbimet publike të bashkisë- e kalojnë një pjesë të mirë të kohës duke luajtur me njëri-tjetrin. Një nga pensionistët tregoi se, përveç se e përdor urbanin për në qytetin e Tiranës, një përdorim i nevojshëm është dhe për transportin ndërurban. Në rastin konkret, zotëria tregon se poliklinika e specializuar ndodhet në Paskuqan dhe e ka të domosdoshëm përdorimin e këtij lloj tranaporti. Ai thotë se aboneja do e kishte ndihmuar shumë.
“E përdorim. Unë sot isha në Tiranë. Më e keqja e t’keqes është se ne kemi poliklinikën e specializuar në Paskuqan. Duhet me ndrru dy autobusa, duhet me pagu dy her biletën. Do na kishte ndihmu aboneja. Shumë mir do ishte ajo punë.”
Për pensionistët që jetojnë në qendër të Tiranës, aboneja ofron një mundësi të mirë për të ulur kostot e udhëtimit. Por, për ata që janë përjashtuar, kjo situatë ka nevojë për një zgjidhje urgjente. Është e rëndësishme që autoritetet të rishikojnë këtë politikë dhe të sigurojnë që të gjithë pensionistët të kenë akses të barabartë në shërbimet publike të transportit.
Zbatimi i abonesë për pensionistët është një hap i domosdoshëm për vëmendje të veçantë për ta bërë këtë shërbim sa më gjithëpërfshirës. Kjo përsëritje e historisë, siç u bë me abonenë e studentit e cila do funksiononte vetëm për qarkun e Tiranës dhe, pavarësisht premtimeve, ende nuk është funsionale për Bashkinë Kamëz, me të drejtë të shtyn të kesh dyshime se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me pensionistët. Shumë pensionistë shprehen se urbani është një pjesë e rëndësishme e ditës së tyre dhe rimbursimi i biletës do të ishte një ndihmesë e vogël në gamën e gjërë të shpenzimeve, por shumë e nevojshme.