Përshenjuesi i ngurtë dhe objet a-ja
Sllavoj Zhizhek | Përktheu Genc Shehu | nyje.al | 14.03.2026
Nëse mbajmë qëndrimin se point de capiton është një “pikë nyje”, një lloj nyjëtimi kuptimesh, kjo nuk nënkupton se ajo është thjesht fjala më “e pasur”, fjala ku është kondensuar e gjithë pasuria e kuptimit të fushës që ajo “kopsit”: point de capiton është më tepër ajo fjalë e cila, si një fjalë, në nivelin e shenjuesit vetë, unifikon një fushë të dhënë, themelon identitetin e saj: është, si të thuash, fjala të cilës vetë “gjërat” i referohen për të njohur veten e tyre në unitetin e tyre. Le të marrim rastin e reklamës së famshme për Marlboron: fotografia e kaubojsit të bronztë, lëndinat e gjera të kullotave dhe kështu me radhë – të gjitha këto “konotojnë”, sigurisht, i japin një ngjyrim, imazh të caktuar Amerikës (toka e njerëzve të fortë dhe të ndershëm, e horizonteve të pafundme…); por efekti i “kopsitjes” ndodh vetëm kur zë vend një përmbysje e caktuar; gjë që nuk ndodh derisa “amerikanët realë” nisin të identifikohen (në vetëpërjetimin e tyre ideologjik) me imazhin e krijuar nga reklama e Marlboros – kur Amerika vetë të përjetohet si “vendi Marlboro”.
E njëjta gjë vlen për të gjitha të ashtuquajturat “simbolet e mas-medias” të Amerikës – për shembull, Coca-Cola: çështja nuk është se Coca-Cola “konoton” një përvojë-vizion ideologjik të Amerikës (freskinë e shijes së saj të mprehtë e të ftohtë, etj); çështja është se ky vizion i vetë Amerikës arrin identitetin e tij duke u identifikuar me shenjuesin “Cola” – “Amerika, kjo është Cola!” mund të ishte formulimi i një fushate debile publicitare. Pika kyçe për t’u kuptuar është se kjo fushatë – “Amerika [vizioni ideologjik i një toke në të gjithë larminë e saj], kjo është Coca-Cola [ky shenjues]!’ – nuk do mund të përmbysej si “Cola [ky shenjues], kjo është [do të thotë] Amerika!”. Përgjigjja e vetme e mundshme për pyetjen “Çfarë është Cola?” është dhënë sakaq në reklama: ajo është “ajo gjëja” pavetore, impersonale (“Cola, ajo po!”) – “gjëja e vërtetë”, X-i i paarritshëm, objekti-shkak i dëshirës.
Pikërisht për shkak të kësaj teprice-X, operacioni i “kopsitjes” nuk është rrethor-simetrik – nuk mund të themi se nuk fitojmë asgjë nga ky operacion sepse Cola fillimisht konoton “frymën e Amerikës” dhe kjo “frymë e Amerikës” (togu i veçorive që supozohet se e shprehin atë) më pas kondensohet te Cola si shenjuesi i saj, përfaqësuesi i saj shenjëzues: ajo që fitojmë nga kjo përmbysje e thjeshtë është pikërisht teprica-X, objekti-shkak i dëshirës, ajo “diç e paarritshme” që është “te Cola më shumë sesa Cola” dhe që, sipas formulës lakaniane, mund të shndërrohet papritur në jashtëqitje, në baltë që s’pihet (mjafton që Cola të shërbehet e ngrohtë dhe e ndenjur).
Logjika e kësaj përmbysjeje që prodhon një tepricë mund të bëhet e qartë në rastin e antisemitizmit: fillimisht, “çifut” shfaqet si shenjues që konoton një tog vetish hamendësisht “efektive” (frymë intrige, lakmi për përfitim dhe kështu me radhë), por kjo ende nuk është antisemitizmi i mirëfilltë. Për ta arritur atë, ne duhet të përmbysim marrëdhënien dhe të themi: ata janë të tillë (lakmitarë, intrigantë…) sepse janë çifutë. Kjo përmbysje duket fillimisht si thjesht tautologji – ne mund të kundërpërgjigjemi: sigurisht që është kështu, sepse “çifut” do të thotë pikërisht lakmitar, intrigant, i pisët… Por kjo dukje tautologjie është e rreme: “çifut” në “sepse janë çifutë” nuk konoton një seri vetish efektive, ai i referohet sërish atij X-it të paarritshëm, asaj që është “në çifutin më shumë se çifuti” dhe që nazizmi u përpoq aq dëshpërimisht ta rrokë, matë, ta shndërrojë në një veti pozitive që na mundëson t’i identifikojmë çifutët në një mënyrë objektive-shkencore.
“Përshenjuesi i ngurtë” synon, pra, atë bërthamë të pamundur-reale, atë që është “në një objekt më shumë se objekti”, këtë tepricë të prodhuar nga operacioni shenjëzues. Dhe pika kyçe për t’u kuptuar është lidhja midis rastësisë radikale të emërtimit dhe logjikës së shfaqjes së “përshenjuesit të ngurtë” përmes së cilës një objekt i dhënë arrin identitetin e tij. Rastësia radikale e emërtimit nënkupton një hendek të pareduktueshëm midis Reales dhe modaliteteve të simbolizimit të saj: një konstelacion i caktuar historik mund të simbolizohet në mënyra të ndryshme; Realja vetë nuk përmban asnjë modalitet të domosdoshëm të simbolizimit të saj.
Le të marrim mposhtjen e Francës në vitin 1940: çelësi i suksesit të Pétain-it ishte se simbolizimi i tij i traumës së mposhtjes (“mposhtja është rezultat i një tradite të gjatë të degjeneruar të demokracisë dhe të ndikimit antisocial çifut; si e tillë, ajo ka një efekt esëllues duke i ofruar Francës një shans të ri për të ndërtuar trupin e saj shoqëror mbi baza të reja, korporatiste, organike…”) triumfoi. Në këtë mënyrë, ajo që ishte përjetuar pak më parë si një mposhtje traumatike dhe e pakuptueshme, u bë e lexueshme, mori kuptim. Por çështja është se ky simbolizim nuk ishte i shkruar në Realen vetë: ne kurrë nuk arrijmë në pikën ku “rrethanat vetë fillojnë të flasin”, në pikën ku gjuha fillon të funksionojë menjëherë si “gjuhë e Reales”: mbizotërimi i simbolizimit të Pétain-it ishte rezultat i një lufte për hegjemoni ideologjike.
Është për shkak se vetë Realja nuk ofron mbështetje për një simbolizim të drejtpërdrejtë të saj – sepse çdo simbolizim në fund të fundit është rastësor – që e vetmja mënyrë që përvoja e një realiteti të dhënë historik të arrijë unitetin e vet është përmes agjencisë së një shenjuesi, përmes referimit te një “shenjues i kulluar”. Nuk është objekti real ai që garanton si pikë referimi unitetin dhe identitetin e një përvoje të caktuar ideologjike – përkundrazi, është referimi në një “shenjues të kulluar” që i jep unitet dhe identitet përvojës sonë të vetë realitetit historik. Realiteti historik, patjetër, gjithmonë simbolizohet; mënyra se si e përjetojmë atë është gjithnjë e ndërmjetësuar përmes modalitetesh të ndryshme të simbolizimit: gjithçka që Lakani shton në këtë urtësi fenomenologjike të zakonshme është fakti se uniteti i një “përvoje të dhënë kuptimi”, që është nga ana e saj vetë horizont i një fushe ideologjike të kuptimit, mbështetet nga një “shenjues i kulluar”, pa kuptim, një “shenjues pa të shenjuar”.
Anamorfoza ideologjike
Tani mund të kuptojmë se si teoria e Kripkes mbi “përshenjuesin e ngurtë” – njëfarë shenjuesi i kulluar që përfaqëson dhe, në të njëjtën kohë, themelon identitetin e një objekti të caktuar përtej togut të ndryshueshëm të karakteristikave të tij përshkruese – ofron një aparat konceptual që na lejon të qëmtojmë saktësisht statusin e “anti-esencializmit” të Laclau-t. Le të marrim, për shembull, nocione si “demokracia”, “socializmi”, “marksizmi”: iluzioni esencialist qëndron në besimin se është e mundur të përcaktohet një tog i caktuar karakteristikash, vetish pozitive, sado minimale, që përkufizojnë esencën e përhershme të “demokracisë” dhe termave të ngjashëm – çfarëdo dukurie që pretendon të klasifikohet si “demokratike” duhet të plotësojë kushtin e gëzimit të këtij togu veçorish. Në kontrast me këtë “iluzion esencialist”, anti-esencializmi i Laclau-t na detyron të konkludojmë se është e pamundur të përcaktohet një esencë e tillë, një tog vetish pozitive që do të mbeten të njëjtat në “të gjitha botët e mundshme” – në të gjitha situatat kundrafaktuale.
Tek e fundit, mënyra e vetme për të përkufizuar “demokracinë” është të thuash se ajo përfshin të gjitha lëvizjet dhe organizatat politike që e legjitimojnë dhe e përshkruajnë veten si “demokratike”; mënyra e vetme për të përkufizuar “marksizmin” është të thuash se ky term përfshin të gjitha lëvizjet dhe teoritë që legjitimohen përmes referencës ndaj Marksit, dhe kështu me radhë. Me fjalë të tjera, i vetmi përkufizim i mundshëm i një objekti në identitetin e tij është që ky është objekti që gjithmonë përfaqësohet nga i njëjti shenjues – lidhet me të njëjtin shenjues. Është shenjuesi që përbën bërthamën e “identitetit” të objektit.
Le të kthehemi përsëri te “demokracia”: a ka – në nivelin e veçorive pozitive, përshkruese – vërtet diçka të përbashkët midis nocionit liberal-individualist të demokracisë dhe teorisë së socializmit real, sipas së cilës veçoria themelore e “demokracisë së vërtetë” është roli udhëheqës i Partisë që përfaqëson interesat e vërteta të popullit dhe kështu siguron sundimin efektiv të tyre?
Këtu nuk duhet të mashtrohemi nga zgjidhja e dukshme por e gabuar që nocioni i real-socializmit për demokracinë është thjesht i gabuar, i degjeneruar, një lloj shtrembërimi pervers i demokracisë së vërtetë – në analizën përfundimtare, “demokracia” nuk përkufizohet nga përmbajtja pozitive e këtij nocioni (e shenjuara e tij), por vetëm nga identiteti i saj pozicional-relacional – nga kundërpozicionimi i saj, nga marrëdhënia diferenciale me “jo-demokratiken” – ndërsa përmbajtja konkrete mund të ndryshojë skajshmërisht: deri në përjashtim të ndërsjellë (për marksistët e real-socializmit, termi “demokratik” përfaqëson fenomenet që, për një liberalist tradicional, janë mishërimi i totalitarizmit anti-demokratik).
Ky është paradoksi themelor i point de capiton: “përshenjuesi i ngurtë”, që totalizon një ideologji duke ndaluar rrëshqitjen metonimike të kuptimit të saj, të të shenjuarës së saj, nuk është një pikë e epërme dendësie kuptimi, një lloj Garancie që, duke qenë vetë e përjashtuar nga ndërveprimi diferencial i elementeve, do të shërbente si një pikë e qëndrueshme dhe fikse referimi. Përkundrazi, ai është elementi që përfaqëson agjencinë e shenjuesit brenda fushës së të shenjuarit. Në vetvete, nuk është asgjë tjetër përveç se një “dallim i kulluar”: roli i tij është i kulluar strukturor, natyra e tij është e kulluar performative – domethënia e tij përkon me vetë aktin e tij të shqiptimit; me pak fjalë, është një “shenjues pa të shenjuar”. Hapi vendimtar në analizën e një ngrehine ideologjike është të zbulohet – pas shkëlqimit verbues të elementit që e mban atë bashkë (“Zoti”, “Vendi”, “Partia”, “Klasa”…) – ky operacion tautologjik, performativ dhe vetëreferencial. Për shembull, një “çifut” është në fund të fundit dikush që është stigmatizuar me shenjuesin “çifut”; gjithë pasuria fantazmike e tipareve që supozohet se karakterizojnë çifutët (grykësia, fryma e intrigës, etj) vjen këtu për të fshehur jo faktin që “çifutët në të vërtetë nuk janë të tillë”, jo realitetin empirik të hebrenjve, por faktin që në konstruktin antisemit të një “çifuti”, ne kemi të bëjmë me një funksion të kulluar strukturor.
Përmasa e posaçme “ideologjike” është pra efekt i njëfarë “gabimi perspektive”; elementi që përfaqëson brenda fushës së Kuptimit agjencinë e shenjuesit të kulluar – elementi përmes të cilit non-sensi i shenjuesit shpërthen në gji të Kuptimit – perceptohet si një pikë e ngopjes së skajshme të Kuptimit, si pika që “jep kuptim” për të gjithë të tjerët dhe kështu totalizon fushën e kuptimit (ideologjik). Elementi që përfaqëson, në strukturën e të thënës, imanencën e procesit të vet të shqiptimit perceptohet si një lloj Garancie transhendente, element ky që vetëm mban vendin e një mungese të caktuar, që në praninë e tij trupore nuk është asgjë tjetër përpos mishërimit të një mungese të caktuar, perceptohet si një pikë përplot me bollëk suprem. Shkurt, dallimi i kulluar perceptohet si Identitet i përjashtuar nga ndërveprimi diferencial-relacional dhe që garanton homogjenitetin e tij.
Këtë “gabim perspektive” mund ta quajmë anamorfizëm ideologjik. Lakani shpesh i referohet pikturës së Holbeinit, Ambasadorët: nëse shohim atë që duket nga pamja ballore si një njollë e shtrirë, “e ngritur” dhe pa kuptim, nga perspektiva e duhur ne shquajmë konturet e një kafke. Kritika e ideologjisë duhet të kryejë një operacion homolog: nëse shohim elementin që mban bashkë strukturën ideologjike – atë Garanci “fallike” të ngritur të Kuptimit – nga perspektiva e drejtë (ose, më saktë – duke folur politikisht – nga e majta), jemi në gjendje të njohim në të mishërimin e një mungese, një humnerë non-sensi që gulçon në gji të kuptimit ideologjik.
Identifikimi
(Niveli i poshtëm i grafikut të dëshirës)
Retroaktiviteti i kuptimit
Tani, pasi kemi sqaruar mënyrën se si point de capiton funksionon si “përshenjuesi i ngurtë” – si shenjuesi që ruan identitetin e tij përgjatë të gjitha variacioneve të të shenjuarit të tij – kemi arritur te problemi real: a rezulton ky totalizim i një fushe ideologjike përmes operacionit të “kopsitjes”, që e ngulit kuptimin e saj, në mungesën e mbetjeve; a e shuan pa gjurmë pluskimin e pambarimtë të shenjuesve? Nëse jo, si ta përfytyrojmë përmasën që i shpëton atij? Përgjigjja jepet nga grafiku lakanian i dëshirës.1
Grafiku I
[fig.1]
Lakani e artikuloi këtë grafik në katër forma të njëpasnjëshme. Në shpjegimin e këtij grafiku nuk duhet të kufizohemi vetëm në formën e fundit, të plotën, sepse pasimi i katër formave nuk mund të reduktohet në një përplotësim gradual e linear; ai nënkupton ndryshimin retroaktiv të formave të mëparshme. Për shembull, forma e fundit, e plotë, që përmban artikulimin e nivelit të sipërm të grafikut (vektori nga $(∅) te S◊D),2 mund të kuptohet vetëm nëse e lexojmë si shtjellim të pyetjes “Che vuoi?” të shënuar nga forma paraprake: nëse harrojmë se ky nivel i sipërm nuk është gjë tjetër pos një artikulim i strukturës së brendshme të një pyetjeje që buron nga Tjetri me të cilin subjekti përballet përtej identifikimit simbolik, ne medoemos nuk e rrokim thelbin e tij.
Le të fillojmë atëherë me formën e parë, me “qelizën elementare të dëshirës” (shih Grafikun I, sipër). Ajo që kemi këtu është thjesht paraqitja grafike e marrëdhënies midis shenjuesit dhe të shenjuarit. Siç dihet mirë, Saussure e vizualizoi këtë marrëdhënie si dy linja paralele valëzuese ose si dy sipërfaqe të të njëjtës fletë: progresioni linear i të shenjuarit ecën paralelisht me artikulimin linear të shenjuesit. Lakani e strukturon këtë lëvizje të dyfishtë goxha ndryshe: një qëllimësi mitike, para-simbolike (i shënuar si Δ) “kopsit” zinxhirin e shenjuesit, serinë e shenjuesve të shënuar nga vektori S-S’. Produkti i kësaj kopsitje (ajo që “del në anën tjetër” pasiqë qëllimësia mitike – reale – kalon përmes shenjuesit dhe del nga ai) është subjekti i shënuar nga matema $ (subjekti i dyzuar, i çarë, dhe në të njëjtën kohë shenjuesi i zhdukur, mungesa e shenjuesit, boshi, një hapësirë e zbrazët në rrjetin e shenjuesit). Ky artikulim minimal sakaq dëshmon faktin se kemi të bëjmë me procesin e interpelimit3 të individëve (individi, ky entitet mitik, para-simbolik – madje edhe tek Althusseri, “individi” që interpelohet në subjekt nuk përkufizohet konceptualisht, ai është thjesht një X hipotetik që duhet të supozohet) në subjekte. Point de capiton është pika përmes së cilës subjekti “qepet” me shenjuesin dhe në të njëjtën kohë pika që e interpelon individin në subjekt duke e adresuar atë me thirrjen e një krye-shenjuesi (“Komunizmi”, “Zoti”, “Liria”, “Amerika”) – me një fjalë, është pika e subjektivimit e zinxhirit të shenjuesit.
Një veçori e rëndësishme e këtij niveli fillestar të grafikut është fakti që vektori i qëllimësisë subjektive e kopsit së prapthi vektorin e zinxhirit të shenjuesit: ai del jashtë zinxhirit në një pikë më të hershme që paraprin pikën ku [vektori i qëllimësisë subjektive] e ka shpuar atë [zinxhirin e shenjuesit]. Lakani thekson pikërisht këtë karakter prapaveprues të efektit të domethënies në raport me shenjuesin, këtë mbetje prapa të të shenjuarit sa i përket përparimit të zinxhirit të shenjuesit: efekti i kuptimit prodhohet gjithmonë së prapthi, après-coup. Shenjuesit që janë ende në një gjendje “pluskuese” – domethënia e të cilëve ende nuk është ngulitur – pasojnë njëri-tjetrin. Pastaj, në njëfarë pike – pikërisht në pikën ku qëllimësia shpon zinxhirin e shenjuesit dhe e përshkon atë – një shenjues ngulit prapaveprimthi kuptimin e zinxhirit, qep kuptimin me shenjuesin dhe ndalon rrëshqitjen e kuptimit.
Për ta rrokur këtë plotësisht, mjafton të kujtojmë shembullin e përmendur më sipër të “kopsitjes” ideologjike: në hapësirën ideologjike pluskojnë shenjues si “liria”, “shteti”, “drejtësia”, “paqja”… dhe pastaj zinxhiri i tyre përplotësohet me ndonjë kryeshenjues (“Komunizmi”), i cili përcakton në prapaveprim kuptimin (komunist) të tyre: “liria” është efektive vetëm përmes tejkalimit të lirisë formale borgjeze, e cila është veçse një formë skllavërie; “shteti” është mjeti me të cilin klasa sunduese garanton kushtet e sundimit të saj; këmbimi në treg nuk mund të jetë “i drejtë dhe i barabartë”, sepse vetë forma e këmbimit ekuivalent mes punës dhe kapitalit nënkupton shfrytëzimin; “lufta” është e brendaqenësishme në shoqërinë klasore si të tillë; vetëm revolucioni socialist mund të sjellë “paqen” e qëndrueshme dhe kështu me radhë. (“Kopsitja” liberalo-demokratike, sigurisht, do të prodhonte një artikulim krejt tjetër të kuptimit; “kopsitja” konservatore [do të prodhonte] një kuptim të kundërt me të dy fushat e mëparshme dhe kështu me radhë.)
Që në këtë nivel fillestar, mund të lokalizojmë logjikën e transferencës – mekanizmin bazë që prodhon iluzionin e posaçëm të dukurive të transferencës: transferenca është ana e përparme e mbetjes prapa të të shenjuarit në krahasim me rrjedhën e shenjuesve; ajo konsiston në iluzionin që kuptimi i një elementi të caktuar (i cili u fiksua prapaveprimthi nga ndërhyrja e kryeshenjuesit) ishte i pranishëm që në fillim si esenca e tij imanente. Ne jemi “në transferencë” kur neve na duket se liria e vërtetë është “në vetë natyrën e saj” e kundërt me lirinë formale borgjeze, se shteti është “në vetë natyrën e tij” vetëm një mjet i sundimit të klasës, e kështu me radhë. Paradoksi qëndron, sigurisht, në faktin se ky iluzion transferencial është i domosdoshëm, është vetë shtati i matjes së suksesit të operacionit të “kopsitjes”: capitonnage është i suksesshëm vetëm nëse fshin gjurmët e veta.
Efekti i retroversionit
Kjo është, pra, teza themelore lakaniane lidhur me marrëdhënien mes shenjuesit dhe të shenjuarit: në vend të një progresioni linear, imanent dhe të domosdoshëm, sipas të cilit kuptimi vetëshpaloset nga një bërthamë fillestare, kemi një proces radikalisht të rastësishëm të prodhimit prapaveprues të kuptimit. Në këtë mënyrë kemi mbërritur në formën e dytë të grafikut të dëshirës – specifikimin e dy pikave ku qëllimësia (Δ) pret zinxhirin e shenjëzimit: O dhe s(O), Tjetri i madh dhe i shenjuari si funksion i tij:
Grafiku II
Pse e gjejmë O-në – që është Tjetri i madh si kodi sinkron simbolik– në vendin e point de capiton? A nuk është point de capiton pikërisht Njëshi, një shenjues singular që zë një vend të jashtëzakonshëm në raport me rrjetin paradigmatik të kodit? Për të kuptuar këtë inkonsistencë në dukje mjafton të kujtojmë se point de capiton ngulit kuptimin e elementeve paraardhëse: domethënë, ajo i nënshtron ato prapaveprimthi ndaj një kodi, i rregullon marrëdhëniet e tyre të ndërsjella sipas këtij kodi (për shembull, në rastin që përmendëm, sipas kodit që rregullon universin komunist të kuptimit). Mund të themi se point de capiton përfaqëson dhe mban vendin e Tjetrit të madh, të kodit sinkron, në zinxhirin diachron të shenjuesve: një paradoks i posaçëm lakanian, ku një strukturë sinkrone, paradigmatike ekziston vetëm për aq sa edhe ajo vetë mishërohet sërish në Një, në një element të jashtëzakonshëm e singular.
Nga ajo që sapo thamë, është gjithashtu e qartë pse pika tjetër e kryqëzimit së dy vektorëve është e shënuar me s(O): në këtë pikë gjejmë të shenjuarin, kuptimin, i cili është një funksion i Tjetrit të madh – i cili prodhohet si një efekt prapaveprues i “kopsitjes”, prapa nga pika ku marrëdhënia mes shenjuesve pluskues ngulitet përmes referencës ndaj kodit simbolik sinkron.
Dhe përse pjesa e djathtë, e fundit e vektorit të shenjuesit S-S’ – pjesa që vjen pas point de capiton – shënohet si “Zëri”? Për të zgjidhur këtë enigmë, duhet ta kuptojmë zërin në mënyrë rreptësisht lakaniane: jo si bartës të bollëkut dhe vetëpranisë së kuptimit (si te Derrida), por si objekt pa kuptim, si një mbetje objektale, e mbetur nga operacioni shenjëzues, nga capitonnage: zëri është ajo çka mbetet pasi heqim nga shenjuesi operacionin retroaktiv të “kopsitjes”, që prodhon kuptim. Mishërimi më i qartë konkret i këtij statusi objektal të zërit është zëri hipnotik: kur e njëjta fjalë na përsëritet pafundësisht, ne fillojmë të hutohemi, fjala humb gjurmët e fundit të kuptimit të saj dhe mbetet vetëm prania inerte e saj, që ushtron një lloj fuqie gjumëndjellëse – ky është zëri si “objekt”, si mbetje objektale e operacionit shenjëzues.
Ekziston edhe një veçori tjetër e formës së dytë të grafikut që duhet shpjeguar: ndryshimi poshtë fare. Në vend të qëllimësisë mitike (Δ) dhe subjektit ($) që prodhohet kur ky qëllim përshkon zinxhirin shenjëzues, poshtë në të djathtë kemi subjektin që shpon zinxhirin shenjëzues dhe produkti i këtij operacioni tani shënohet si I(O). Pra, së pari: pse zhvendoset subjekti nga e majta (si rezultat) në të djathtë (si pikënisje e vektorit)? Vetë Lakani tregon se këtu kemi të bëjmë me “efektin e retroversionit” – me iluzionin transferencial sipas të cilit subjekti bëhet në çdo stad “ajo që gjithmonë ka qenë”: një efekt prapaveprues përjetohet si diçka që ishte aty që në fillim. Pika e dytë: pse tani në të majtën poshtë, si rezultat i vektorit të subjektit, kemi I(O)? Këtu arrijmë më në fund tek identifikimi: I(O) qëndron për identifikimin simbolik, identifikimin e subjektit me një tipar shenjëzues (I) te Tjetri i madh, në rendin simbolik.
Ky tipar është ai që, sipas përkufizimit lakanian të shenjuesit, “përfaqëson subjektin për një shenjues tjetër”; ai merr trajtë konkrete dhe të njohshme në një emër ose një mandat që subjekti e merr përsipër dhe/ose që i jepet atij. Ky identifikim simbolik duhet dalluar nga identifikimi imagjinar, i cili shënohet nga një nivel i ri i futur midis vektorit të shenjuesit (S-S’) dhe identifikimit simbolik: boshti që lidh egon imagjinare (e) dhe tjetrin imagjinar të saj, i(o) – për të arritur identitetin e vet, subjekti duhet të identifikohet me tjetrin imagjinar, ai duhet të tjetërsohet, të tëhuajëzohet – ta vendosë identitetin e tij jashtë vetes, si të thuash, në imazhin e dytëshorit të tij.
“Efekti i retroversionit” bazohet pikërisht mbi këtë nivel imagjinar – ai mbështetet nga iluzioni i vetes si agjenti autonom që është i pranishëm që nga fillimi si zanafilla e veprimeve të tij: kjo përvojë imagjinare e vetes është për subjektin mënyra për të huq-njohur [misrecognise/meconnassance] varësinë e tij rrënjësore nga Tjetri i madh, nga rendi simbolik si shkaku i tij i çqendërsuar. Por në vend që të përsërisim këtë tezë të tëhuajësimit themeltar të egos në Tjetrin e tij imagjinar – teorinë Lakaniane të stadit të pasqyrës, e cila duhet të vendoset pikërisht mbi boshtin e-i(o) – duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë në dallimin kyç midis identifikimit imagjinar dhe atij simbolik.
1. Shih Jacques Lakan, “Subversion of the Subject and the Dialectic of Desire”, Écrits: A Selection, Nju Jork: W. W. Norton, 1977.
2. “∅” Other, ose “Ⱥ” Autre, Tjetri i madh, me barrën e kastrimit mbi të. Do të përdorim transkriptin në anglisht të matemave të Lakanit.
3. Nocioni i interpelimit (fr. interpellation) tek Louis Althusser-i i referohet mënyrës se si ideologjia “thërret” individin dhe e shndërron atë në subjekt. Shembulli klasik i Althusser-it është ai i policit që thërret “Ej, ti aty!”: në momentin kur individi kthehet, ai e pranon veten si i thirrur dhe, me këtë akt, bëhet subject i ideologjisë dhe nga vetë ideologjia që e thërret. Interpelimi nuk është një proces i vetëdijshëm, as një akt i njëanshëm; ai është mekanizëm strukturor me të cilin ideologjia riprodhon veten duke prodhuar subjekte që e njohin veten brenda rendit ekzistues. Në këtë kuptim, subjekti nuk i paraprin thirrjen ideologjike, por lind përmes saj: ai është një efekt i interpelimit. Ky koncept është i rëndësishëm për të kuptuar mënyrën se si individët identifikohen me rolet, normat dhe autoritetet, duke e përjetuar këtë identifikim si spontan dhe “të natyrshëm”, ndërkohë që është produkt i strukturave ideologjike. [Shën. i përkth.]
Imazhi i ballinës: Alexander Lunyov në Unsplash

