![](https://nyje.al/wp-content/uploads/2024/12/kamza-shumengjyreshe-header.jpg)
Selma Daku | 31.12.2024 | nyje.al
Kamza në këto ditë festash,më përcjell një shumësi ndjesish porsi të gjendesha përballë një tabloje të shumëngjyrshme por po aq edhe të përhimtë. Po të mjaftohesh vetëm me të hedhurit një sy në qendrën e qytetit, do shohësh një miniskenë që rrethohet nga dritat dhe në të, ndonjë fëmijë tek-tuk i cili duket mjaftueshëm i lumtur me atë që sheh. Ato drita festive dhe ajo pemë me një yll sipër saj, i cili për dreq edhe pas shpenzimit afërmendsh absurd prap nuk ndriçon, i plotësojnë kushtet për një sy të jashtëm për ta pyetur veten se sa gëzon ky qytet.
Qendra e zbukuruar me të ardhura prej xhepave të tyre nuk përfaqëson çdo banor dhe çdo shtëpi të Kamzës. Nëpër rrugica lagjesh mund të gjesh shtëpi të dekoruara thjeshtë, por në prani të territ të shumë shtëpive të tjera ajo të jep ndjesinë e një shtëpie të zbukuruar me detaje. Më shumë se tek prindërit, entuziazmin e shohim te fëmijët të cilët janë të përkushtuar në krijimin e atmosferës festive dhe zakonisht janë iniciues. Siç më tha dhe një kryefamiljar i një shtëpie në ballkonin e së cilës vareshin drita dekoruese, fëmijët janë arsyeja e ndriçimit shumë ngjyrësh të shtëpisë pasi ata vetë nuk do e merrnin mundimin.
Kurioziteti në lidhje me këto shtëpi të zbukuruara, ku secila ishte e ndryshme por përcillte të njëjtën ndjesi, ishte nëse ajo atmosferë e dukshme nga jashtë, vërehej edhe nga brenda. Gëzimi i shumë familjarëve lidhej me ardhjen e të afërmve të tyre nga emigrimi ndërsa fëmijët, i gëzoheshin dritave, pemës dhe përgatitjeve për darkën e fundvitit e cila arrin të mbledhë bashkë familjen, dhe prej tyre edhe dhuratës poshtë pemës. E njëjta ndjesi përcillej edhe prej bizneseve të vogla. Me thjeshtësinë e tyre ata ishin përpjekur të sjellin aromën e festave nëpërmjet një vargu dritash të vendosur në ballë të ambientit. Tregtarët u shprehën se ky vit nuk ka qenë shumë i frytshëm për ta, por megjithatë janë falenderues për aq sa kanë. E bashkëndau këtë edhe një zonjë tjetër shitëse e cila rrinte e ulur përpallë një ngrohësje duke thurur çorape për nipin e saj i cili ndodhej këtu për festa.
Angazhimi i përditshëm, jeta që duhet jetuar, duket sikur nuk i lë vend dhe kohë një përkushtimi të madh për festa, e megjithatë prindërit mundohen të respektojnë dëshirat e fëmijëve. Ata tregojnë se fëmijët e meritojnë t’i gëzojnë këto festa, pasi përmes entuziazmit dhe lumturisë së tyre, edhe në mungesë të dritave të shumta dhe zbukurimeve të mëdha, atmosfera e fundvitit ndihet.
Në çdo shtëpi apo ambient të zbukuruar asesi pasqyrohet dashuria dhe mundi, sado i vogël, për të mbajtur gjallë traditën e festës së vitit të ri, pavarësisht përditshmërisë sfiduese që çdo familje kalon gjatë vitit. Në disa shtëpi, festën e ngjall tymi që del prej qyngave të sobave me dru, në disa të tjera aromat e gatimeve të ngrohta. Diku zërat e fëmijëve dhe diku kur shihje shumë makina të parkuara në anë të rrugës, që tregonte që kishin miq për vizitë. Diku edhe pse jo drita, dëgjohej muzikë e diku tjetër nuk dëgjohej, shihej e as ndihej asgjë.