Citizensat për komunitetin, komunitetet për Citizensat

nyje.al | 04.04.2024

Media Citizens Channel ka pësuar një sulm kibernetik të organizuar prej dy ditësh në faqen facebook dhe në ueb-in e saj. Qindra postime në kanalin zyrtar facebook janë raportuar si ‘të pa rregullta”, ndërsa sulmi ka avancuar gjatë ditës së sotme edhe ndaj faqes ueb të tyre.

Redaksia e Citizensave raporton në një postim publik se faqja e tyre fillimisht “ka rënë pre e një fushate raportimesh” gjë që ka sjellë fshirjen e menjëhershme të 10 postimeve të tyre të fundit në rrjetin social facebook. Sulmi ka zënë fill më së pari ndaj video-raportimit për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe aferave korruptive të ndërtimeve të kullave në dakordësi mes bashkisë Tiranë dhe kompanisë “Fusha” shpk, të gazetares Arbjona Çibuku. Më pas, një dorë selektuese ka sulmuar video të cilat raportonin në mënyrë kritike për një shumësi çështjesh që lidheshin me ato urbane dhe protestat e qytetarëve.

Me dhjetra aktivistë, qytetarë dhe organizata mediatike kanë shprehur solidaritet, duke rishpërndarë në profilet e tyre postimet e Citizensave dhe kanë denoncuar publikisht sulmin ndaj tyre si shenjë e vazhdimësisë së përpjekjes së pushtetit për censurë të gazetarisë së guximshme.

Platforma rajonale për lirinë e medias dhe sigurisë së gazetarëve e quajtur “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurtë” e ka regjistruar rastin në fjalë si “sulm të drejtpërdrejtë ndaj gazetarisë së pavarur dhe kritike”, duke theksuar që kjo mund të dëmtojë potencialisht shtrirjen dhe audiencën e saj tek publiku dhe qytetarët që e ndjekin.

I pyetur nga redaksia jonë, profesori i gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Ervin Goci shprehet si më poshtë:

“Këtu kemi të bëjmë jo thjesht me pengim të punës, apo ndonjë gjë rastësore, por kemi të bëjmë me një sulm të pastër ndaj një medie e cila mesa kuptohet, është nga të paktat që arrin të mbulojë e të depërtojë në publik për një çështje të cilën, ata që e kanë sulmuar, kuptohet që nuk e duan kurrsesi. “

Ai shprehet se teksa të dhënat nga vendet e tjera na flasin për raste ku janë mediat e mëdha, të stabilizuara dhe të fuqishme ato të cilat ngjallin njëfarë ‘rreziku’ për pushtetin, në Shqipëri mediat e mëdha janë krejtësisht të kompromentuara nga pushteti, dhe rrjedhimisht sulmi kthehet ndaj atyre pak mediave alternative që kanë marrë përsipër përgjegjësi të mëdha.

“Citizens media ka kapacitet shumë të ulët referuar numrit të gazetarëve dhe mundësive financiare dhe ka marrë një goditje sikur të ishte një media e madhe, madhore. Pse? Pikërisht sepse ata e pësojnë edhe heshtjen që bëjnë të tjerët. Dhe kjo është kontradikta, që një media online e cila përpiqet me thonj të mbajë veten gjallë, sulmohet, bombardohet nga një ndërhyrje e fortë pikërisht për shkak se përgjegjësia që merr, kurajoja që ka, dhe funksioni që kryen e tejkalon përmasën e vet. Kjo për mua është vlera e saj, dhe bataku në të cilin ndodhet.”

Nga biseda me Gocin del në pah edhe një element tjetër lidhur me ekzistencën e Citizens Channel, sipas të cilit ka lindur nga një model krejt i ri i gazetarisë, në fakultetin e Histori-Filologjisë, si kontribut që ky fakultet publik ka dhënë në shoqëri, dhe që sipas tij vetë kjo media sfidon mediat konvencionale me ‘model të vjetër, mekanike, makineri të mëdha që shpesh i ngjasojnë më shumë një administrate”.

“[…] Ndërsa Citizens është media alternative, e re, online dhe komplet e sofistikuar, elegante, shumë funksionale dhe shumë performante. Siç janë mediat online që nuk duan shumë ceremonira, por që punojnë realisht me ngjarjen.”

Citizens Channel ndër vite ka qenë shtegu i qytetarëve. Komunitetet lokale janë bërë më të dukshme, qendrore dhe lajm dite falë raportimeve të kësaj media komunitare. Nga margjina në margjinë, kjo redaksi ka pasur vullnetin, thirrjen dhe kurajon për të raportuar, denoncuar dhe bashkëndarë shqetësime të komuniteteve dhe njerëzve të periferive në të gjithë vendin. Redaksia e saj, e përbërë kryesisht nga vajza, ia ka dalë të raportojë në çdo cep të Shqipërisë, pa pritur që çështja të bëhet e madhe, por duke i dhënë shans organizimeve specifike të njerëzve për të marrë vëmendje kombëtare. Gazetaret e Citizensave kanë rivendosur një marrëdhënie besimi dhe bashkëpunimi me komunitetet lokale, të cilët tashmë i konsiderojnë si pjesë të lëvizjeve dhe mobilizimeve të tyre.

Një ndër komunitetet që ka gjetur mbështetje në të gjitha organizimet e saj është ai i Zall Gjoçajt. Kjo media ka raportuar vazhdimisht e që prej fillimit duke kontribuar me dhjetra shkrime, reportazhe, intervista, kallëzime në kohë reale mbi proceset gjyqësore, protestat dhe aksionet në terren. Nuk ka protestë, mbledhi, aksion, a seancë që banorët e Zall Gjoçaj duan të jenë përkrah me gazetarët e Citizensave. Alta Koleci, një ndër aktivistet e lëvizjes Mbro Parkun Kombëtar Zall Gjoçaj shprehet si më poshtë:

“Më erdhi me të vërtetë shumë keq për atë që u ndodhi, sepse Citizens Channel është një nga mediat që na ka përkrahur që në fillimet e para të protestave tona. Gjithmonë duke raportuar me kujdes dhe në detaj për ngjarjet dhe padrejtësitë që na janë bërë. Duam t’u themi që komuniteti i Zall-Gjoçaj u është në krah dhe në mbështetje të plotë!”

Entenela Ndrevataj gjatë raportimit për Citizens Channel në Zall-Gjoçaj, janar 2022, fotografi nga Motrat Paja

Protestat, kriminalizimi i protestuesve, përplasjet me policinë dhe arrestimet masive janë raportuar hap pas hapi duke mos lënë asnjë lloj aksioni qytetar të papasqyruar nga Citizens Channel. Mbase, kjo media mund të ketë krijuar ndër vite një ndër arkivat gazetareske më të pasura të asaj që mund të quajmë shprehi të kundërshtisë sonë si popull ndaj padrejtësive të përjetuara të paktën në pesë vitet e fundit. Dhe nuk kanë qenë pak.

Teksa komunitetet në zona të largëta ndeshen me mënyra nga më të ndryshme të intimidimit, kriminalizimit dhe heshtimit, redaksia e kësaj medie ia ka dalë të raportojë, dokumentojë dhe denoncojë publikisht raste flagrante shkeljesh të institucioneve lokale. E njëjtë ka qenë situata me rastin e Mezhgoranit, të cilët kanë gjetur përkrahje të vazhdueshme nga redaksia e tyre. Të pyetur nga redaksia jonë, ata nuk hezitojnë të shprehin solidaritet me ta:

“Ne banorët e fshatit Mezhgoran ndjejmë keqardhje që po sulmohet një media e pavarur si Citizens Channel. Gjatë kohës që ne kemi protestuar për të mbrojtur të drejtat tona, Citizens Channel na është gjendur pranë dhe na ka dhënë mundësinë që zëri ynë të dëgjohet. Mesa duket, pushtetit të korruptuar i vret sytë e vërteta dhe mediat e pakontrolluara.” 

Raportimet urbane po aq kanë zënë një vend qëndror në kontributet e Citizens Channel. Ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë urbane të kryeqytetit ka qenë shkatërrimi i shtëpive në lagjen 5-Maji. Banori Ndue Marku pohon që nuk do u ishin fshirë postimet sikur herë pas here t’i bënin ndonjë furçë bashkisë Tiranë ose qeverisë. Me qesëndi ai kritikon raportin shtet-media tradicionale dhe diferencën mes tyre dhe kësaj medie alternative:

“Si guxojnë ata të nxjerrin në dukje të vërtetat?! Kemi thënë: “Edhe liria ka kufi”! Ata mund dhe duhet të flasin për suksese që ata (s’duan) t’i shohin. Pse si menduan ata se vjedhjen tek teatri, grabitjen tek 5 Maji, mashtrimin në Kombinat, vrasjen e Ardit Gjoklajt, inçeneratorin imagjinar, kullat, lulishtet e zaptuara, bregdetin e dhënë strategjikisht – e s’po dua të zgjatem më – nuk i paskan parë televizionet dhe mediat kombëtare?! Edhe ata i kanë parë dhe i dinë shumë mirë, por u duhet t’ia mbajnë lojën qeverisë sa të këpusin tenderin e rradhës. Ndërsa të rinjtë e Citizens-it nuk janë të atij rrafshi. Ata, intervistat dhe transmetimet i bëjnë me ata njerëz e për ata njerëz të thjeshtë që shumë shpesh u shkel këmba baltë.

Kur u bënë prishjet tek 5- Maji me dhunë nga shteti, pashë shumë media që raportuan gjëra të paqena. Citizensat ishin në terren dhe nuk i bënin kronikat nga zyrat e ngrohta.  E vërteta në këtë vend bën armiq. Ndërsa unë të vërtetën e kam mik. Po ashtu edhe të rinjtë që raportojnë për Citizens. Fakti që hajdutët bezdisen nga lajmet e tyre do të thotë që po thonë të vërtetën dhe e vërteta dhemb. Sidomos në këtë vend, sidomos në këtë kohë.”

Sakaq, Citizensat kanë lajmëruar hapësirën e tyre të re, të rikonfiguruar, shumë më të mirë dhe shumë më të vendosur, me lajmin e ditës “Veliaj shko te shokët!” 

  • Post comments:0 Komente

Lini një përgjigje