Diana Malaj | 10.01.2019 | nyje.al
Qyteti pa bibliotekë, nuk është thjesht qyteti pa një vend leximi, ai është leximi që i bëjmë një qyteti që s’ia ka dalë ende të kthehet në vend. Kur të atilla qytete nuk kanë menduar asnjë strehë për lexuesit, atëherë ato janë qendra tregtare, ose qendra minimarketesh, ose minisupermarketesh, ose superminimarketesh.
Borgesi, në një përmbledhje ligjërimesh, në pjesën “Mrekullia e Librit”, shkruan se librat janë zgjatje e kujtesës dhe e imagjinatës, e që libri po ashtu mund të jetë një nga lumturitë e mundshme të njeriut. “Edhe pse mund të ketë diçka hyjnore dhe të shenjtë, nuk duhen respektuar të shtyrë nga bestytnia, por me dëshirën për t’u kredhur në dije (edhe pse librat mund të jenë me errata dhe mund të mos biem dakord me autorin)” .
I rikthehem qytetit, si qendra tregtare, pa imagjinatë dhe pa kujtesë, dhe që s’të nguc të dish më tej: një qytet pa bibliotekë.
Në të njëjtën kënetë
Kamza, ndryshe prej shprehjes së Heraklitit, vazhdon të lahet në të njëjtin ujë prej disa vitesh. Duke mos ditur tashmë nëse është lumë apo kënetë aty ku fusim këmbët çdo ditë. Dhe ne me rimarrjen e së njëjtës temë pothuajse në çdo kohë të vitit, nuk jemi më pak kënetor. Por nevoja jonë për lumë nuk ka të sosur.
Që prej vitit 2011, kohë ku presupozohej hapja e bibliotekës dhe deri më sot, nuk kanë ndryshuar ujërat. Brenda Pallatit të Kulturës gjendet ambjenti i bibliotekës së qytetit, një hapësirë e premtuar për t’u shfrytëzuar nga qytetarët. Sot e kësaj dite nuk funksionon siç duhej të kishte ndodhur pa ndonjë shterzim të madh. Në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 25 saktëson që një ndër funksionet e bashkisë në fushën e kulturës, sportit dhe shërbimeve të tjera është edhe “detyrimi për të zhvilluar, mbrojtur dhe promovuar bibliotekat dhe ambientet për lexim, me qëllim edukimin e përgjithshëm të qytetarëve”.
Po ashtu, në ligjin “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”, 8576/2000, neni 26 i ndan ato në biblioteka publike shtetërore dhe biblioteka publike private. Sipas nenit 28 bibliotekat publike janë “institucione vendore, kulturore dhe informuese që nxisin të mësuarit, zgjerimin e dijeve dhe interesin për lexim në rajonin ku ato zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Si institucione publike ato mbështesin pjesëtarët e bashkisë, së cilës i shërbejnë, që të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe të luajnë një rol aktiv në shoqëri.
Këto biblioteka krijohen në çdo bashki dhe janë në varësi administrative të organeve të pushtetit vendor në rajonin e të cilave zhvillojnë veprimtarinë si dhe janë organet vendore përgjegjëse për të siguruar që mjediset e bibliotekave të jenë sipas normave për zhvillim normal të veprimtarisë bibliotekare.
Në takimin me Drejtorin e Pallatit të Kulturës, Çera , i bezdisur tashmë se nuk ishte hera e parë që e pyesnim për bibliotekën, shprehet se “Problemi i kësaj biblioteke është mosfunksionimi i saj, kjo sepse është në kat të tretë. Me një fjalë nuk arrihet që biblioteka të funksionojë kështu. Mundësitë financiare dhe problematikat e bashkisë nuk kanë mundur që ta akomodojnë diku në kat të parë, për shkak se mungojnë dyert për t’u hapur nga ana e mbrapme e Pallatit. Mund të vijë ndonjë tek-tuk kështu ndonjëherë, kaq është funksionimi i saj si përfundim…”
Pra, problemi sipas drejtorit është se nuk munden ta hapin bibliotekën aty ku është (ngjitja deri në katin e tretë është e lodhshme, sipas tij), ndërsa kati i parë është i papërshtatshëm, sepse ka shumë dyer dhe nuk mund të kontrollohen hyrje-daljet e njerëzve. Ndaj, sipas drejtorit është e nevojshme të bëhen ndërhyrje për ta përshtatur ambjentin e katit të parë, duke i mbyllur dy anë me mure dhe duke lënë një derë të vogël nga e cila të kontrollohet kush hyn dhe kush del. Një birucë e vogël leximi, ky është imazhi i një biblioteke publike në Kamëz.
I pyetur nëse ka arritur t’ia propozojë drejtorive përgjegjëse në bashki këtë ide për ndërhyrje, drejtori pohon që tashmë i ka vënë në dijeni, madje edhe Kryetarin e bashkisë i cili i është përgjigjur shkurtimisht me një “Ta shohim…”
Ta shohim pak dhe ne se si i është përgjigjur në rrugë zyrtare bashkia Kamëz kërkesës sonë për informacion në lidhje me disa pika: nëse bashkia Kamëz ka krijuar tashmë një bibliotekë publike sipas parashikimeve në ligjin nr. 8576 dt. 3.2.200 “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”; nëse po, cilat janë politikat që po ndiqen për zhvillimin e funksioneve të saj; a ka të parashikuar në projekt – buxhetin e vitit 2019 fond specifik për bibliotekën e qytetit si dhe a janë marrë masa për bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës për të krijuar fondin e librave për qytetarët; nëse po, cilat kanë qenë ato dhe cilat kanë qenë reagimet e këtij institucioni.
Nga përgjigjja zyrtare kuptohet që Kamza e paska një bibliotekë të mirëfilltë siç parashikohet në ligj, funksionale sipas bashkisë, (jofunksionale sipas Drejtorit), ka një buxhet të vetin specifik si çdo vit tjetër, (nuk ka një buxhet sipas Drejtorit) dhe Ministria e Kulturës nuk ka kryer siç duhet punën e saj duke mos u kthyer përgjigje kërkesave për bashkëpunim (këtu, Drejtori mendon njësoj). Duke mos pasur asnjë dokumentacion bashkangjitur kërkesës që vërtetojnë pohimet e bashkisë, na mbeten vetëm faktet e mosfunksionimit të kësaj biblioteke, pavarësisht të gjitha mundësive për ta çuar më tej zhvillimin e saj.
Ndërkohë që bashkia dhe Ministria e Kulturës kanë dështuar fatalisht në krijimin e bibliotekës së qytetit, a po krijohen mundësi të tjera leximi për fëmijët dhe të rinjtë? Cilat janë vendet e tjera që duhet të nxisin kulturën e leximit? Çfarë ndodh me bibliotekat e brendshme të shkollave në Kamëz? Cili është fondi i librave, si është krijuar ai dhe si po mbijeton? Cilat janë rrugët alternative që shfrytëzojnë nxënësit për të lexuar? Cilat janë institucionet përgjegjëse?
Zërat e shkollës
Biblioteka e brendshme e shkollës “Sulejman Elezi” ka përmasat e një rafti të vjetër prej druri, ndarë horizontalisht me tri dërrasa, vendosur në cepin e një dhome të ngushtë e të lagësht. Aty janë renditur rreth 30 tituj librash, prej të cilëve “vetëm 10 janë të përshtatshëm dhe të vyer për leximet plotësuese e të domosdoshme të programit mësimor”, siç na tregojnë mësueset e letërsisë.
“Si ia bëjmë kur kemi vështirësi? Unë marr listën dhe shoh cilin nga librat mund ta sjell nga shtëpia, nga biblioteka ime personale dhe pastaj në klasë vendosim bashkarisht se kush mundet dhe ka dëshirë të blejë ndonjë nga librat që na duhen për provimet e maturës. Pasi i gjejmë, vendosim t’i shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Kështu qarkullohet libri mes nesh. Ka shumë mungesa në literaturë dhe atëherë kur nuk ia dalim, përpiqem t’u jap sa më shumë njohuri përgjatë orës së mësimit në klasë.” Mësueset shprehen se për familjet e nxënësve dhe për vetë nxënësit libri është shumë i kushtueshëm. “Ka pasë raste që pasi është blerë libri, është lexuar nga nxënësi, ai më pas e ka rishitur për të marrë mbrapsht një pjesë të parave.”
Pak më mirë paraqitet gjendja në shkollat e mesme “Ibrahim Rugova” në Kamëz dhe “Isa Boletini” në Paskuqan, të cilat kanë një fond librash relativisht të madh por të papërshtatshëm me programin mësimor. Ky fond është ngritur në sajë të kontributeve personale të nxnësve dhe mësuesve.
Luljeta Prençi, drejtoreshë e shkollës së mesme “Ibrahim Rugova”, është këtë vit shkollor edhe kujdestare e bibliotekës. Ajo shprehet se fondi i librave që gjenden në biliotekën e shkollës është krijuar kryesisht nga prurjet e nxënësve, investime nga fondi i bordit të shkollës si dhe nga një furnizim i para dy vitesh që ka bërë Zyra Arsimore e Kamzës dhe një donacion nga AlfaBank. Pavarsisht kësaj, Prençi ka bërë kërkesa të vazhdueshme ndaj institucioneve qendrore dhe vendore për pasurimin e bibliotekës së shkollës, pasi fondi aktual i librave nuk përmbush nevojat e programit mësimor dhe kërkesat e nxënësve. “Biblioteka funksionon me orare dhe kryesisht është e hapur në të dyja turnete shkollës. Por kam vërejtur që interesi i nxënësve është shumë i ulët. Një pjesë e mirë e tyre mjaftohen me leximin e përmbledhjeve bazike të librit në internet dhe nuk kanë interes ta lexojnë krejt librin.”
Ne takuam nxënës që as nuk e dinin që shkolla e tyre të kishte një bibliotekë ku mund të merrnin libra. Ka të tjerë që e njohin mirë këtë vend në shkollë që ua plotëson kërkesat deri-diku por për shkak të lidhjes së veçantë që kanë me letërsinë, e shohin të nevojshme që biblioteka të pasurohet me tituj.
Shkolla e mesme “Isa Boletini” në Paskquan është ndërtuar 6 vite më parë dhe “rrjedhimisht nuk ka pasur shumë kohë për të krijuar një bibliotekë të pasur dhe për të zhvilluar kapacitetet e saj”, shprehet një nga mësuesit e letërsisë. Ai tregon që deri tani është arritur të mblidhen rreth 900 libra prej të cilëve, 300-400 janë libra shkollorë apo tituj sipas programeve të bashkëpunimit që shkolla bën me shtëpi botuese të caktuara. Pjesa tjetër janë libra artistik që kanë ardhur si kontribut i vet nxënësve dhe prindërve.
“Vetëm këtë vit kanë ardhur në fodin tonë rreth 250 libra. Qeveria e nxënësve ka kontribuar me një aksion brenda shkollave. Ata kanë sjellë 100 libra, ndërsa nxënësit që nuk kanë kontribuar me libra kanë dhënë kontribut në vlera monetare modeste. Zyra Arsimore Kamëz na ka dhuruar 150 libra, dhe 150 të tjerë janë dhuratë e shtëpisë botuese “Pegi”. Nuk janë plotësisht të përshtatshëm me programet shkollore, por ka ndër ta tituj që mund të vlejnë.” Mësuesi shton se këtë vit shkolla ka krijuar edhe një fond të vogël prej 100 mijë lekësh i cili mendohet të investohet në bibliotekë. “Nga ana tjetër”, tërheq vëmendjen ai, “është për të ardhur keq që Bashkia dhe Minstria nuk japin asnjë ndihmë. Në monizëm ka qënë ndryshe. Për pjesën e bibliotekave ka qenë më mirë atëherë pasi çdo shkollë ka pasur një fond të përcaktuar për bibliotekën.”
Super ligje, super strategji
Neni 31 i ligjit “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë” thotë se konceptimi, administrimi dhe bashkërendimi i veprimtarisë së bibliotekave shkollore sigurohet nga Ministria e Arsimit përmes drejtorive arsimore në rrethe dhe bashki. Nisur nga kjo, i jemi drejtuar Zyrës Arsimore të Kamzës se cilat janë politikat që po ndiqen për zhvillimin e bibliotekave të shkollave dhe a janë marrë masa për pasurimin e bibliotekave sikurse parashikohet në strategjinë e Ministrisë së Arsimit 2014-2020? A kanë pasur mbështetje institucionale nga Bashkia?
Përgjigja e tyre vijon si më poshtë:
E ndërsa kjo përgjigje nuk ka nevojë të komentohet, risjellim në vëmendje një deklaratë në media të Besa Shahinit, ish-zëvendësministre, e tash Ministre e Arsimit,e cila shprehet: “… ka plot shkolla që kanë biblioteka, ka plot shkolla që kanë biblioteka të qytetit mirëpo nuk janë të pasuruara me libra, ndaj kemi vendosur të pasurojmë dhe të çojmë librat nëpër biblioteka. Duke u dhënë përparësi zonave rurale, zonave më të thella, aty ku ka më shumë nevojë.” Por shkollat e Kamzës nuk hyjnë tek këto “plot shkolla” që përmend Ministrja.
Në materialin “Strategjia e Zhvillimit të Arsimit parauniversitar 2014-2020” parashikohet jo vetëm pasurimi me libra i bibliotekave të brendshme të shkollave, por artikulohet gjithashtu domosdoshmëria për përmirësimin e burimeve alternative të nxënies dhe futja graduale e librave të referencës, duke filluar në këtë mënyrë me krijimin e bibliotekave në klasa si dhe pajisja me mjete të tjera, si: CD, materiale të shtypura etj. Pra imagjinata e shkruesit ka tejkaluar vullnetin dhe kapacitetin institucional, duke parashikuar jo vetëm pasurimin e bibliotekave shkollore, por edhe krijimin e bibliotekave nëpër klasa.
Shqipëria ka nënshkruar Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, e cila në nenin 17 të saj saktëson që shtetet palë njohin funksionin e rëndësishëm që përmbushin mjetet e komunikimit masiv dhe garantojnë që fëmija të marrë informacione dhe materiale që vijnë nga burime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos ato që synojnë të rrisin mirëqenien e tij shoqërore, shpirtërore e morale, si dhe shëndetin e tij fizik dhe mendor. Për këtë qëllim Shtetet Palë (ndër të tjera) “Inkurajojnë prodhimin dhe përhapjen e librave për fëmijë”
Miniepilog
Një bibliotekë publike në kat të tretë ku s’të lënë të ngjitesh. (A nuk është libri një shkallë ngjitëse?)Biblioteka shkollore të lëna pas dore, pas dere. Të lëna pas. Zyra, drejtori, ministri dhe administrata të zëna ngusht për të kthyer një përgjigje. Mendje të ngushta për të kuptuar pyetje të thjeshta e konkrete mbi librin.
Kështu po hyjmë në vitin e ri me problemet e vjetra. Vazhdojmë të lahemi në të njëjtat ujëra që nuk rrjedhin, ndërkohë që nevoja jonë për lumë nuk ka të sosur.
Pingback: Historia e Teatrit të Atyre – Nyje